Flori - Press

Mire se vini ne faqen tone virtuale "Flori-Press" te moderuar nga stafi redaktues Flori Bruqi, Engjell Shehu,etj.

e martë, nëntor 14, 2006

Nuhi LLUGAXHIU:S'eshte permend emri i Smajl Hajdarit

Lajçi: “Unë s’e kam dëgjuar ministren Termkolli të ketë përmendur emrin e Smajl Hajdarit”(marre nga Iliria-Poste,Prishtine)

Vetëm pas publikimit të rezultateve të raundit të parë të votimit me ç’rast kandidati për kryetar të LDK-së, Ali Lajçi mezi ishte radhitur i gjashti në listë, pas Besa Gaxherrit dhe Smajl Shalës, të cilët kishin marrë më së shumti vota (57, përkatësisht 56 sosh), ky rezultat i kishte irrituar përkrahësit e Lajçit dhe në atë moment, duke shfrytëzuar fjalimin e Melihate Tërmkollit si pretekst, prishën Kuvendin për të mos e pranuar humbjen e Ali Lajçit

Prishtinë, 13 nëntor- Deri në momentin kur u shpallën rezultatet e raundit të parë të votimit nga delegatët e pranishëm në Kuvendin zgjedhor të LDK-së në Pejë, pak a shumë procesi qe zhvilluar në rregull. Por në momentin, kur u shpallën rezultatet e raundit të parë të votimi, me ç’rast Ali Lajçi mezi u radhit i gjashti në listë, në bazë të votave të fituara, gjithçka filloi të tensionohej nga përkrahësit e tij, të cilët shumica janë nga treva e Rugovës. Që në çastet e para të kësaj situate votash, Lajçi kërkoi që disa delegatë, të cilët kanë lidhje familjare aty dhe që kanë konflikt interesi, duhej ta lëshonin Kuvendin, edhe pse ai vetë, në fillim të tubimit, një “defekti” të tillë i kishte dhënë dritën e gjelbër. Pas kërkesës së Lajçit, që delegatët, që cilësoheshin se kishin pjesëmarrje interesash, ministrja e Shërbimeve Publike dhe anëtare e Kryesisë së LDK-së, që në këtë Kuvend ishte e deleguar nga Kryesia e LDK-së, tërhoqi vërejtjen se askush nga delegatët e pranishëm nuk duhej ta lëshonin sallën e votimit, meqë deri në këtë finale ata kishin ardhur brenda një procesi të rregullt zgjedhor.

Por gjatë fjalimit të saj, Lajçi, i pakënaqur me votat që kishte marrë, disa herë e ndërpreu ministren duke e urdhëruar me fjalët: "Ulu, ulu!". Njësoj si Lajçi, vepruan edhe përkrahësit e tij, duke iu vërsulur me ulërimë, sharje e kërcënime.

“Delegati nuk mund të ndërrohet për teke apo qejfe të kujtdo. Askujt nuk i lejohet t’i thotë dikujt dil jashtë”, theksoi znj. Tërmkolli. Fjala e saj kishte acaruar Lajçin, dhe përkrahësit e tij, të cilët edhe iu vërsulën t’i qëronin hesapet me të edhe fizikisht.

Pas gjithë kësaj dhe ndërhyrjes së efektshme të SHPK-së për të ndalur turrin primitiv të përkrahësve kërcënues të Lajçit, ky i fundit, sipas gazetës së djeshme “Lajm”, i ka deklaruar kësaj gazete se ministrja Tërmkolli i paska thënë atij se “do ta bëjë edhe ty si Smajl Hajdarajt”. Por, kur “Iliria Post” i drejtua z. Lajçi për saktësinë e një pohimi të tillë të mbushur me akuzë shumë të rëndë dhe me një prejudikim dënues, ai mohoi të ketë dëgjuar një fjalë të tillë nga Tërmkolli. “Një gjë të tillë ma thanë delegatët e tjerë”. Megjithatë, ai nuk e mohoi t’ia ketë thënë dhe deklaruar gazetës “Lajm” një pohim të tillë kaq akuzues dhe kaq të shpifur. Një kryetar komune dhe një kandidat për kryetar të LDK-së sikur është jo normale të manipulojë në publik me thashetheme përkrahësish, siç thotë vetë. Ai do të mund të shpalonte vetëm ato që ishin thënë dhe që i kishte dëgjuar. Goja e tij është e gabimtë nëse transmeton ato që i kanë dëgjuar apo që s’i kanë dëgjuar, por i kanë shpifur veshët, goja dhe mendja e shpifësve, jo për t’iu hakmarrë vetëm ministres Tërmkolli dhe Ali Lajçit, por gjithë LDK-së.

“Ajo (Melihate Tërmkolli) ka thënë se do të bëjë kështu e ashtu (çfarë?-vërejtja jonë), kurse “do ta bëj si Smajl Hajdarit” e kanë dëgjuar të tjerët, por unë nuk e kam dëgjuar të këtë thënë kështu ngase kam qenë më larg”, tha të martën Lajçi, duke i ikur përgjigjes së drejtpërdrejtë për deklaratat e tij tashmë publike se ai e ka “dëgjuar vetë”. Në anën tjetër, si nuk është në gjendje tash t’i identifikojë ata delegatë që ia paskan përcjellë këtë pohim të ministres Tërmkolli se “do ta bëj si Smajl Hajdarajt”. Kërkon z. Lajçi që kështu, duke mos i identifikuar, gjithë këtë gënjeshtër ta mbulojë me “të nime”, apo, duke mos gjetur kë ta identifikojë ta fsheh shpifjen, autor i së cilës mbase është krejtësisht vetë?

Megjithatë, Lulzim Zeneli dhe Ismet Hashani, të deleguar edhe këta nga Kryesia qendrore e LDK-së në këtë Kuvend zgjedhor dhe të ulur afër ministres Tërmkolli dhe afër Ali Lajçit, e mohojnë plotësisht të ketë thënë dhe të kenë dëgjuar të thotë diçka të tillë ministrja Tërmkolli.

“Kjo nuk është e vërtetë që Tërmkolli të ketë thënë diçka të tillë, diçka të tillë, që s’e kap logjika e njeriut. Kam qenë ulur afër saj dhe gjithçka që është folur aty në foltore dhe përreth, i kam dëgjuar. Them se përkundrazi, znj. Tërmkolli ka reflektuar një frymë pozitive dhe është munduar që t’i mbrojë rregullat statutore”, tha Lulzim Zeneli, anëtar i Kryesisë së LDK-së.

Sipas Zenelit, që nga fillimi i Kuvendit e deri në momentin e publikimit të rezultateve gjithçka është zhvilluar në frymën më demokratike të mundshme. Që nga shpallja e rezultateve të votimit, që, sipas tij, Lajçi mezi arriti të hyjë në listë i gjashti, filluan tensionimet. “Kryetari i komunës ka pretenduar që të arrijë një rezultat të lartë në këto zgjedhje, dhe, natyrisht, atij s’i ka pëlqyer rezultati, sipas votimit të lirë dhe të vullnetshëm të të pranishmëve. Pikërisht për këtë dhe në këto çaste u shkaktua keqësimi i ambientit zgjedhor, konkretisht prej z. Lajçi dhe njerëzve që e përkrahin atë”, tha Zeneli.

Zhvillimi i tillë tashmë duket të ketë qenë i organizuar, jo si mënyrë për vërsuljen e tyre ndaj ministres Tërmkolli, por si shkas që të pamundësohet përfundimi i këtij Kuvendi, sa për të fituar një shans të ri z. Lajçi me ndonjë Kuvend tjetër zgjedhor.

Ndërkaq, Ismet Hashani, kryetari i KK të Obiliqit, i cili po ashtu kishte qenë ulur afër ministres Tërmkolli, pa komentuar shumë, tha se nuk kishte dëgjuar që ministrja Tërmkolli të këtë thënë një gjë të tillë. “Unë nuk mund të komentoj asgjë, sepse edhe nuk më takon, por e di se ka qenë një rrëmujë e madhe dhe unë nuk kam dëgjuar të ketë thënë diçka të tillë ministrja Tërmkolli e as të jetë përmendur emri i Smajl Hajdarajt.

Ndërkaq, në anën tjetër Ministrja e Shërbimeve Publike, Melihate Tërmkolli, ka reaguar ashpër përmes një deklarate për media, lidhur me incidentin në Kuvendin e degës së LDK-së në Pejë, duke thënë se ishte përpjekje për incident të izoluar në procesin zgjedhor të LDK-së.

“Përpjekja e z. Lajçi për ta dëmtuar rrjedhën demokratike të Kuvendit zgjedhor nuk ka gjetur përkrahje te shumica e delegatëve, të cilët kanë reaguar me keqardhje”, thotë Tërmkolli. “Ajo që ndodhi në fund të punimeve të Kuvendit nuk i përket traditës së qytetarëve të Pejës e as të anëtarëve të LDK-së dhe vlerave të vetë Kuvendit të Degës së LDK-së në Pejë”.