Flori - Press

Mire se vini ne faqen tone virtuale "Flori-Press" te moderuar nga stafi redaktues Flori Bruqi, Engjell Shehu,etj.

e martë, shtator 19, 2006

Xhemail Ahmeti:Moralistët

Kosovën na e çliruan. Si duket edhe pavarësinë do të na e bëjnë. Shqipëria po stabilizohet ngadalë. Në Maqedoni shqiptarët u kënaqën duke e valëvit flamurin kuq e zi nëpër dasma. Çka tash? Ish patriotëve profesionalë nuk u ka mbetur asgjë tjetër, përveç se të kontrabandojnë coca-cola, videokaseta porno dhe me muzikë orientale-sllave nga Turqia, Serbia dhe Maqedonia ose të merren me ndonjë «punë dore» tjetër. Këta e kanë të njëjtin fat me ata dylberët e komunizmit, që pas rënies së sistemit ua mësynë xhamive, teqeve, kishave e bordeleve. «E çka me bë burrë tjetër», më tha një vjershëtar që gjatë vaktit të Titës ishte goxha famoz e tash tërë kohën e kalon me hoxhën e Mëhallës?
Kudo e kurdo që ta shohësh ai ta parashtron të njëjtën pyetje «a ma lexove librin më të ri?» Autori i mërguar ka botuar një kamion libra. Të gjitha me «poezi». Po të ishte ndonjë falsifikator i mirë dhe të prodhonte pasaporta ose kartëmonedha (natyrisht euro, dollarë e jo lekë) deri tani do të ishte bërë milioner. Më e keqja në këtë histori: shtegtari shpirtdjegur mendon se vërtet është duke bërë art. Dhe ne që herë pas herë e takojmë jemi aq të pakurriztë saqë kurrë nuk marrim guximin t’i themi troç që të heq dorë nga përdhunimi i gjuhës dhe letrës e të merret me diçka tjetër. Nëse jo për diçka tjetër, atëherë për të shpëtuar veten, sepse edhe nëse këshilla jonë do të kishte efekt negativ e autori do të përdhosej duke prodhuar libra me vagonë së paku nuk do të na lodhte në çdo takim më me atë pyetjen e mërzitshme «a ma lexove librin?».
Po jo vetëm ky autori i mërguar dhe ne të pasinqertit klubeve të ekzilit, që i themi «të lumtë» në sy e sapo e kthen shpinën ia shajmë lapsin e trurin, sillemi në këtë mënyrë.
E njëjta atmosferë mbizotëron gjithandej; në ndejat e zakonshme «letrare e intelektuale» restoranteve të Prishtinës, Tiranës e Tetovës, gjatë promovimeve publike (masmedia) dhe në trajtesat me «karakter» akademik. Autorët dehen me lëvdata të ndërsjella, citojnë vargje të njëri tjetrit në mënyrë teatrale, sajojnë recensione që kur t’i lexosh ke përshtypjen sikur të jetë ringjallur Danteja, çojnë dolli për kryeveprat e shumta që ia kanë dhuruar letërsisë shqiptare dhe... dhe sapo të shpartallohen, të mbesin vetë, përballen me dilemën e tmerrshme: «pse s’më lexon askush?». Dhe menjëherë rend përgjigja ngushëlluese «masat janë injorante. Kështu e ka fati i shkrimtarit»!
E ky ngushëllim nuk është asgjë tjetër veçse një vetëmashtrim! Autorët – si ai poeti në ekzil – jetojnë në ëndërr. E marrin veten për dikë tjetër. Kanë humbur kontaktin me realitetin.

Çfarë gjendje është kjo? Njerëzit e fahut, psikologët, këtë e quajnë skizofreni.

Kjo gjendje – të mos keqkuptohemi – nuk sundon vetëm në qarqet letrare, por edhe tek gazetarët, shkencëtarët, politikanët, etj. Është një problem i kulturës shqiptare sot. Masat jo vetëm që e ndjejnë një gjendje të tillë të shterpësisë dhe megalomanisë intelektuale por edhe e përjetojnë praktikisht në treg kur janë të detyruar të blejnë vetëm letërsi të përkthyer e t’u ikin tavolinave me grumbullin e veprave të poetit që e përshkruajtëm në fillim.
Shkrimtari irlandez Oskar Wilde e ka bërë diagnozën më të përshtatshme në këtë drejtim «dikur shkruheshin librat nga njerëzit e mençur dhe lexoheshin nga publiku. Sot librat shkruhen nga publiku dhe nuk i lexon askush», maksimë që një për një mund ta përvetësojmë kur duam të përshkruajmë se në ç’gjendje është letërsia shqiptare sot.
(24.10.2005 - Faqja aktualizohet çdo të hënë)






Lufta për ekzistencë është e tmerrshme!
E zezja më e madhe sipas të gjitha gjasave i paska zënë shkrimtarët, poetët e publicistët që krizat politiko-nacionale shqiptare i kishin bazën kryesore të «inspirimit krijues». Pra ata të stilit «Kosovë o gjaku im», «Shqipëri o nana ime», «Tetovë oj loçka ime» e të ngjashme. Mirë, do prej tyre ndoshta mund t’i bëjnë edhe ca përmbledhje me vjersha, kuazidrama a pseudoromane rreth e mbi tragjedinë e luftës së fundit, e pastaj edhe ata do të detyrohen të ngrohen në diell si të tjerët.
Adios folklorizëm!
Agresivë, kohëve të fundit po na bëhen dy kategori të nostalgjikëve: – që ende po marrin disi frymë – ata të lidhurit fortë pas «aspiratës shekullore» (tashmë fatansy fiction) të bashkimit etnik të shqiptarëve dhe ata që mendojnë se jeta kulturore mund të zhvillohet vetëm në formë kooperativiste. Këto dy palë, në kor me ato striptizsolistet megaskandaloze të estradës që me çirre dhe liga i ulërijnë atdheut para kamerave, kanë hyrë në ofensivë për ta vetëdijesuar Shqiptarin e Ri për racën, origjinën dhe krenarinë që ka dhe që duhet t’i ruajë si «shqipe mali».
Kakaa! O mshonja burra e gra he mshonja!

Sot (me 14 dhjetor 2005) në çdonjërën të përditshme (në këto gjysmaket që dalin në europerendim) e ke nga një apel pompoz: në njërën, një funksionar kulture e autor multitalent u bënë thirrje gjysmës së qeverive të Ballkanit që ta bëjnë një film të përbashkët mbi tragjedinë e Kosovës. Ideja është me vend ndoshta, ama mënyra urdhëruese, komiteske, megalomane e autorit se si ju drejtohet adresantëve t’i kujton ata togerët hundpërpjetë të Ushtrisë Jugosllave që me çdo mjet përpiqeshin tu hyjnë në b...eprorëve të tyre.
Në gazetën e dytë, një shkrimtar – edhe ky në stil të moralistit dhe qortuesit – urdhëron duke vajtuar për mungesën e një unioni kompakt të shkrimtarëve shqiptarëve. Ky u bënë pra thirrje gjithë autorëve që shkruajnë në gjuhën shqipe ose diçka të ngjashme ti harrojnë shoqatat, lokalizmat e ta «krijojnë një hartë kulturore e letrare», pra njëherë të shkapërderdhen, të hiqen nga koncepti i shoqatave dhe rajoneve e pastaj të bëhen tok, ta formojnë një parti, pardon, një lidhje a union. Ky thotë shpërndahuni – bashkohuni! Ose si bërtisnin ata gjysmëturqit e Prizrenit në një demonstratë ku kërkohej lirimi i të burgosurve politikë: lironi burgosni! - ata donin të thoshin lironi të burgosurit, ama për shkak të defekteve në gjuhë kërkonin nga jugosllavët, që t’i lirojnë e pastaj t’i burgosin prapë. Si ky shkrimtari që vuan se pse librat e tij nuk shpërndahen si duhet në të gjitha qendrat e provincave shqiptare.
Në gazetën e tretë një autor tjetër e ka poashtu një ide. Ky kërkon bashkimin e piktorëve që jetojnë në perëndim. Edhe ky donë një lidhje a union a asociacion a ç’ashtu diqysh. E çka pastaj? Hajt po themi u bë një asociacion, institucion, lidhje a union, e pastaj? Sa të mbahet mbledhja e parë do të shpërndahet sërish, sepse të gjithë donë të bëhen presidentë. Pse të jetë ndryshe si më parë. 15 vitet e fundit janë formuar plotë klube, lidhje, unione, asociacione e që të gjitha s’janë më. Po le të ëndërrojmë se «intelektualët» e ekzilosur ua kalojnë kolegëve të tyre në Ballkan dhe e mbijetojnë sindromën e kryetarllëkut dhe bëhen tok. E çka pastaj kur rrallë ndonjëri prej tyre din të komunikojë në gjuhën e vendit? Kush do të merret me profilimin e unionit, asociacionit në vendin përkatës. Nëna e Mikelit apo nusja e Rrahmonit?
Edhe kësaj punë hangari, hiçgjë i thonë.

Në gazetën e katërt...aty s’ka nevojë për apele. Mjafton ta lexosh impressumin dhe të vëresh se gjithë shefat të një partie janë, të asaj të nostalgjikëve postjugosllavë. Ta çon mallin e një «klinike për rehabilitimin e ish anëtarëve të LKJ-së dhe argatëve të tyre».

Ku e kishim fjalën? Te apeluesit, moralistët, shkrimtarët megapatriotët!
Na shurdhuan me këto unionet, bashkimet, fekondimet kombëtaro-fisnore. Me këto predikimet dhe qortimet. Për çka deshën shtete? Për t’iu treguar atyre se çka nuk dinë të bëjnë ende pa ia nis punës? Tash leni këto punë institucioneve të atyre shteteve. Për çka deshët pluralizëm? Për të ngritur kooperativa e komitete të reja? Harrojeni! Hiqeni mendsh.
Keni ide? Mirë. Shndërroni në projekte dhe realizoni po deshët dhe nëse keni pare. Mos ia çani trutë miletit duke e qortuar vetëm pse jeni depresivë dhe u ka braktisur frymëzimi (dhe materiali) për të shkruar gjë tjetër.
S’ka më art turmash e famë të kurdisur në aparati shtetëror. Individualizëm pur është sot, bacë. Po ta deshi kalemi bëhesh famoz po s’ta deshi merru me ndonjë tjetër «punë dore».

Unione, bashkime.... aiiii!