Flori - Press

Mire se vini ne faqen tone virtuale "Flori-Press" te moderuar nga stafi redaktues Flori Bruqi, Engjell Shehu,etj.

e martë, shtator 19, 2006

Sali Bashota

Botimi në gjermanisht i librit «Ndiz dritën magjike» i autorit Sali Bashota është një veprim i mirë dhe i qëlluar. Përkthimi, pjesërisht çalon, le hapësirë për dëshprime dhe huti.

Përmbledhja me poezi e botuar edhe në gjuhën gjermane «Ndiz dritën magjike» e Sali Bashotës hapet me të njetin ritëm dhe sistem strukturor ligjërimi siç hapet libri i parë «Zanafilla» në dhiatën e vjetër të Biblës: «Atëherë Zoti urdhëroi të bëhet dritë» në «...dritën magjike» të autorit riformulohet në «atëherë poeti tha».
Poeti – si figura kryesore – luan rolin e satelitit që rimundëson komunikmin deri tani qindra vjet të prerë ndërmjet humanitetit dhe Zotit. E para skenë që Bashota ia transmeton parasyve Zotit në ekran është ajo e djegies së Arbërisë, pikërisht asaj pjesë të globit ku gjendet edhe artshkrimi i tij, i bërë tashmë shkrumb e hi. Kjo poezi shkruhet një vit më herët se ajo «Dhe tani digjen librat». Në krahasim e sipër të këtyre dy poezive fuzionuese (dhe shumë të tjerave) zbulojmë kryemotivin dhe njëherazi arsyen përse dhimbja ka fjalën kyresore në përmbledhjen «Ndiz dritën magjike». Në poezinë «Atëhërë poeti tha» autori përpiqet të «lajë hesapet» me Zotin që ka lejuar djegiet në tokë e pastaj me poezinë tjetër «Dhe tani digjen librat» u drejtohet njerzve po me të njejtat imazhe trishtuese që edhe ata jo vetëm ta shohin por edhe ta ndjejnë nën lëkurë se si është kur flakët hadeske ta djegin frymën, shpirtin dhe segmentin më të ndieshëm, atë të djegies së artefakteve të krijuara nëpër vite me gjak. E po këtë dramë, Sali Bashota përpiqet ta përpunojë shpirtërisht në përmbledhjen e fundit. Dramën e tij personale që paralelisht është edhe drama e popullit, të cilit i takon.

Lexuesi
Gjetja e lexuesit do të varret nga shkalla e informimit që do ta bëjë shtëpia botuese, ndërsa ajo e suksesit varret nga kualiteti fillimisht i përkthimit e pastaj vetë veprës. Pasi që libri posa ka dalur nga shtypi nuk mund të flasim për nivelin e informimit, por vetëm të asaj se ç’na ofron vepra dhe si është bërë përkthimi. E ç’i ofron Bashota lexuesit gjerman?
Në veprën e Bashotës lexuesi gjerman ka mundësi të njohë një botë tjetër, më intensive, më me stres dhe më të komplikuar e mbitëgjitha një botë që përkundër gjitha traumave nuk largohet nga përpjekja për të mbrritur në stadin ku fillon e bukura, ajo e bukur magjike që për Bashotën është bërë mjeti kryesor i shërimit të plagëve.
Hapja e librit me poezinë e shkruar në stilin biblik «atëherë poeti tha» po të ishte bërë me paramendim do të ishte një «truk» i mirë për ta përvetësuar shpejtë dhe lehtë lexuesin gjerman me traditën e tij të krishterë. Ai këtë lloj rrëfimi, këtë ritëm kënge e ka të ngjitur për palce më shumë se gjithçka tjetër. Mirëpo ky lehtësim në depërtim, pra në nisje të leximit nuk ofrohet gjithandej dhe në çdo plan. Lexuesi i sotëm perëndimor, sidomos ai gjerman i mësuar me shprehjen precize, të saktë e përfundimtare të mendimit në fjali, varg, strofë e poezi nuk do ta ketë lehtë takimin me një lirikë që nganjëherë nuk deshifrohet as me fjalorin më të përsosur të hermetikës, segment që nuk mungon as në përmbledhjen e Sali Bashotës.
Pastaj a do të mundet lexuesi gjermanofon i lirikës tu bëjë ballë skenave të hororshme e të rënda që ofron drama shqiptare, respektivisht ajo bashotiane, kur kihet parasyshë komoditeti perëndimor dhe distanca që ky lexues ka krijuar qoftë edhe ndaj epokave të veta dramatike nëpër histori?
Njëri prej tyre që megjithatë ka marrë guximin të hap portën e kësaj drame na jep shpresë edhe pse «në fillim e pata problem për të gjetur hyrjen. Poezia shqiptare është një botë e panjohur për ne. E që për nga forma nuk ka asnjë ngjajshmëri me lirikën gjermane apo... Megjtihatë pas depërtimit njeriu fillon t’i ketë të qarta motivet, asaj të qëndron prapa, asaj që ka shtyrë poetin të shkruaj në atë mënyrë plotë dhimbje dhe...» Zvicerani Stephan Sigg është edhe redaktori i librit. Është hera e parë e tij që lexon lirikë shqiptare. Autori i ri zviceran mendon se interesi për të zbuluar botën e kësaj lirike sigurisht se është i pranishëm, por duhet pasur parasyshë se «këndej lirika lexohet fare pak», e kjo s’është diçka e re.

Libri dhe botuesi
Sali Bashota është njëri nga poetët e paktë aktualë që prezentohen me libër në gjuhën gjermane. Nëse përjashtojmë librat dygjuhëshe të Ali Podrimjes, Vaxhid Xhelilit e disa të tjerëve që janë prezentuar fragmentarisht ose me pak poezi nëpër antologji të ndryshme, atëherë «Ndez dritën magjike», është i pari i këtij lloji. Aksioni është i qëlluar. Librat dygjuhëshe nuk e kanë të njejtën peshë qoftë për shkaqe të distribuimit ose të përfoljes me ato që dalin vetëm në një gjuhë, varrësisht se në cilin vend botohen.
Si në çdo fillim tjetër edhe botuesi i saposhfaqur i librit do ta ketë shumë rëndë të sigurojë mekanizmat e nevojshme qoftë të distribuimit e qoftë të informimit. Kjo sa i përket shpërndarjes masive nëpër libraritë kyresore të Zvicrës.
As kësaj rradhe, nëpër kokën e ca krijuesve të diasporës dhe në Kosovë nuk mungon dilema: pse pikërisht Bashota të përkthehet e botohet gjermanisht, a s’ka poetë edhe më të mirë për t’i prezentuar? Sali Bashota nuk është poeti më i mirë i letërsisë shqipe ashtu siç nuk është as më i keqi. Botimi i librit «Ndiz dritën magjike» nuk është përkthyer e as botuar në emër të kombit shqiptar, por është një nismë private, me botues e përkthyes privat. Koha e kooperativave kolektive falë Zotit ka përfunduar dhe do të ishte mirë dhe gjë e shëndetshme që për çdo ditë të ndërmereshin inicijativa të tilla e sa për gjykimin dhe vlerësimin vendosin vetë lexuesit. Puna do të ishte ndryshe nëse libri do të kishte tendencën e të qenurit akt prezentues i mbarë letërsisë shqipe, një lloj antologjie apo diç tjetër, gjë që s’është, prandaj s’ka vend për shqetësime patriotike.
Teknikisht libri është përgatitur në mënyrë korrekte.

Përkthimi
Të përkthesh poezi nga një gjuhë në tjetër është e njejtë sikur të përpiqesh të imitosh Sizifin në jetën reale. Ndërsa të përkthesh lirikën shqipe – që shumë autorë edhe vetë jorrallë e humbin rrugën në xhunglën e simbolikës dhe s’dijnë se për çka e kishin fjalën në fillim, pra të një lirike që shpërthen kufinjtë e çdo deshifrimi logjik – në gjermanishten e rreptë që vetes ia ka kushtëzuar jetën me logjikën e skajshme është më shumë se sa të imitosh Sizifin. Parafytyrim që tremb. Kjo sa për mundin që duhet ta bëjë një përkthyes pasi të jetë specializuar në gjuhët dhe dijen e të dyja lirikave.
Naim Kryeziu i ka hyrë kësaj pune. E ka përkthyer librin «Ndiz dritën magjike». Libri – me përjashtim të disa gabimeve gramatikore, sintaksore dhe mosnjohjes së kodeve të transmetimit se si duhet përkthyer «Atdheun e zi» ose «Agminë» në gjuhët tjera, etj. – është përkthyer në mënyrë korrekte. Ashtu siç përkthehet diçka në përditshmëri. Kështu edhe kanë dalur shumica e teksteve: më shumë si ekstrakte kalke të poezive origjinale e nëpërmjet të cilave (jogjithmonë, për shkak të natyrës së lirikës) lexuesi merr vesh se për çka këndon autori. E ky lëshim nuk shkon vetëm në konto të përkthyesit por më shumë në atë të instancave tjera botuese si; lektori, korrektori dhe redaktori, të cilët dalin të pashkolluar me ligjet e poetikës elementare.
Mungojnë edhe sqarimet formë fusnotash që do t’i mundësonin lexuesit të dijë se ç’është Arbëria, Iliria, M. Kuteli (e jo M. Kurtel), Latif Berisha e të tjera.
Megjithkëto Naim Kryeziu ka arritur të përkthejë bukur një numër të konsiderueshëm poezisë si «Liqenet e Mirsuhës», «Dhe tani digjen librat», «Ndiz dritën magjike» e shumë të tjera gjë që flasin për një përkthyes që në provën e dytë do të ketë më shumë sukses.

Efekti eventual
Ideja për ta përkthyer librin dhe krijimi i mundësive për t’ia ofruar lexuesit zviceran është për tu respektuar dhe përkrahur. Këtë hap duhet ta ndjekin edhe të tjerët që kanë mundësi të tilla. Dhe ashtu siç shprehet shkrimtari Stephan Sigg «interesimi për lirikën shqiptare është prezent», tash mbetet të jetë edhe më shumë prezente vetë lirika, proza shqipe. E kjo është e rëndësishme: ndoshta libri i Bashotës do të arrijë që në këtë drejtim të lëviz më shumë në Zvicër se sa ç’kanë mundur deri tani të lëvizin dyzet autorët tjerë që frymojnë në këtë vend. Ku ta dijmë? Kushtet i ka dhe mënyra se si ai përshkruan dramën, lirinë, atdheun dhe jetën shqiptare është interesante.

Biografia
Sali Bashota ka lindur më 1959 në Cerovik të Kosovës. Studimet e larta të letërsisë shqipe i ka kryer në Prishtinë ku edhe ka magjistruar dhe doktoruar shkencat filologjike. Është mësimdhënës i Letërsisë së Romantizmit në Fakultetin e Filologjisë, kryeredaktor i revistës letrare "Jeta e re" dhe drejtor i Bibliotekës Kombëtare në Prishtinë., Shkruan poezi, ese dhe studime. Është nderuar me çmime dhe shpërblime letrare: "Pjetër Bogdani" (1999), të SHKSH, "Pena e artë" të revistës "Fjala" (1990 dhe 2000), "Gjon Nikollë Kazazi" (1997) etj. Botoi këto vepra: "Albumi i grisur" (1986), "Zogu me profil vjeshte" (1989), "Plagomë (1994), "Shqipshkrimi kritik" (1997), "Kuteli prozator, poet, kritik" (1999), "Dalje nga trishtimi" (1999), "Domethënia e ideve letrare" (2001).
Libri «Ndiz drtitën magjike» i është botuar edhe në gjermanisht dhe rumanisht. Këtyre ditëve ai botoi edhe një përmbledhje me poezi me titullin «Plagomë».