Flori - Press

Mire se vini ne faqen tone virtuale "Flori-Press" te moderuar nga stafi redaktues Flori Bruqi, Engjell Shehu,etj.

e martë, shtator 19, 2006

Sabit Gecaj

Sabit Gecaj: "Hijet e shiut", botoi "Rilindja"- Prishtinë

1. Libri
"Hijet e shiut" është rezultat i një krijimi më se dhjetëvjeçar. Shumë poezi që gjenden në përmbajtjen e librit datojnë qysh para dhjetë viteve, të botuara nëpër revista e gazeta të ndryshme të hapësirës shqiptare. Një poezi, e cila që në shfaqjen e saj të parë publikisht zgjon interesim. Njëri nga poetët më të mirënjohur të elitës së letërsisë shqiptare, Ali Podrimja, në recensionin e tij shprehet kështu: "Qysh para një dekade kam pasur mundësinë të lexojë poezinë e Sabit Gecajt me dëshirë që ta hasë atë sa më shpesh". Nga kjo kuptohet se ka qenë vlera ajo që ka ndikuar që librin e tij ta përgatisin anëtarët e elitës së poezisë shqipe si; Shkreli, Podrimja dhe Beqiri. "Hijet e shiut" si vepër është e arrirë në çdo segment, gjë që të detyron patjetër të zhytesh në botën e mistershme të shkrimit të saj të bukur.
Nuk mjafton të themi vetëm se; ky libër është i këtij apo atij niveli pa argumentuar rëndësinë e vlerës së tij, pa ia hulumtuar rrënjët, lidhshmërinë me traditën, kohën dhe pa hapur fondin e argumenteve që na sjellin deri tek një konstatim kaq të rrezikshëm e njëkohësisht të detyrueshëm e domosdoshëm.

2. Jeta
Pse, një njeri, i lindur si gjithë të tjerët në shtëpinë e mbushur me qirinj a fenerë apo në shtratin e ndonjë Spitali të Mitrovicës vendos të torturojë fizikun e vetë e bëhet poet? Jo! Njeriut Sabit Gecaj nuk i është bërë ky previlegj nga Perëndia apo ndonjë fuqi tjetër mbinatyrore, atij nuk i është dhënë mundësia e zgjedhjes së "profesionit" të poetit. (Ky është keqkuptimi historik i shkollave të ndryshme nëpër kohë ndaj poezisë. Nuk ka shkollë që mund të të stërvit për të qenë poet. Është një dhunti që si derë hyrjeje shfrytëzon Shpirtin e Lirë. Ndërkaq fabrika për instalimin e Shpirtit të Lirë në brendinë e qenies njerzore nuk ka! Akt i kryer: Je ose s`je poet! Fat i pashpirtshëm por i pandryshueshëm!)
Tridhjetë e shtatë vjeçari Sabit Gecaj, librin e tij e bën paralelisht me ecjen e tij nëpër stade të ndryshme të formimit dhe ngritjes; si student i filozofisë, sociologjisë dhe gazetar apo si intelektual që çdo triumf mbi modën e kohës e kurrorëzon me një poezi. Pra poezia si rezultat triumfi mbi konditat e kohës dhe imponimet e jetës. Ndoshta këtu marrim edhe guximin për të konstatuar se ky është çelësi i suksesit të poezisë së Sabit Gecajt. Ai shtyn Jetën vetë ta shkruaj e vizatojë Ardhmërinë e saj - sipas arkitekturës shpirtërore dhe kërkesave konceptuale që i ka autori për Universin dhe Qenien Humane. Egoiste? Totalitare? Po që se Sabit Gecaj si mjet manipulimi (kupto: emancipimi) kishte zgjedhur ndonjë "zeje" tjetër (krejt njerzore) e jo poezinë, atëherë mund të dyshonim në pozitivitetin e qëllimit të tij, mirëpo pasi që ai si instrument ka poezinë, e cila priret kryekëput nga e Bukura, çdo dyshim asgjësohet.
Sabit Gecaj është edhe një dëshmi për parëndësinë e selisë fizike të racës së poetëve dhe njëherit për pamundësinë e "grumbullimit" të tyre në një copë të caktuar të Globit. Ai jeton në Zvicër aq sa jeton edhe në vendlindjen e tij në Kosovë, në Olimp, Parnas, apo diku tjetër.
Gjithë ky realitet na bën të qartë një gjë: Njeriu Sabit Gecaj është hija e poetit Sabit Gecaj!

3. Tematika / Botëkuptimi
Nëse një libër poetik projektohet me program - pa ia mohuar vlerën që mund të ketë - i përngjan një traktati ose ndonjë statuti organizativ partishë. Merr ngjyrë statike që do të thotë përdhunim i natyrshmërisë së subjektivitetit; i kushtëzohet tema duke ftuar në ndihmë titujt e poezive (të cilat shpesh janë të paqëlluara) dhe e maskon realitetin e procedurës së krijimit të veprës. Me këtë kritiku është i detyruar të pranoj temën e imponuar nga autori. A e ka bërë këtë Sabit Gecaj? Jo. Për fat ( nëse e krahasojmë me bashkëkohanikët e tij). Sepse po të kishte fiksuar veten në një teme, do të kufizonte punën tonë për të zbuluar në mënyrë të meritueshme botën e pasur të poezisë së tij për nga tematika. Nuk do të mundeshim të identifikojmë stacionet se kah ka ecur Gecaj dhe të argumentojmë se është një poet me formim të nivelshëm intelektual me një filozofi universale të mendimit.
Ja disa nga stacionet nëpër të cilat ka kaluar Sabit Gecaj për të sjellë veprën "Hijet e shiut":
Poezitë "Embrioni" (f. 58), "Për jetën" (f. 21) deshifrojnë meditimet e poetit për procesin e paralindjes, pastaj "Teatri absurd" (34), "Meditim" (25), "Vetmia" (36), "Vetëm" (37), "Më dhemb" (24) etj. janë pasqyrë e mendimeve të poetit në lidhje me lindjen dhe ballafaqimin me egërsinë - nganjëherë të padurueshme - të jetës. Poezitë "Raport" (13), "Metamorfozë"(27), "Blasfemi" (51), Përrallë (50) janë rrugët e detyrueshme të arsimimit të njeriut me ligjet e moralit kolektiv të kohës. Poezitë që në mënyrë tejet të çiltër japin diagnozën psikologjike të njeriut në shkallën e sotme të qytetërimit - duke mos kursyer në këtë kontekst as ata që mbajnë veten si paria e krijimit të kanuneve morale të kohës - dhe që dalin si përshkrim tepër i saktë i sjelljes humane ndaj vlerës janë: "Miku nga treni" (22), "I humbur" (38), "Credo" (41), "Statujë e qatetërimit" (42), "Lakenjtë" (49), Narcistët (55) etj., duke bërë më në fund si kryetemë dhe paralelisht një antologji të këtij procesi që nga zanafilla e deri në majë me poezinë: "Nata e trembëdhjetë" (15). Poezi që kërkon një trajtim të veçantë dhe që ka një ecje që nga koha kur s`ishte njeriu, atëherë kur u shfaqën heroglifet (si simbol i paraqitjes së domosdosë për komunikim) e deri tek identitet e shumta që lindën si domosdo dhe kriter i dallueshmërisë dhe pasurisë së universit. Pastaj vjen; Lindja, Dashuria, Vdekja, Pozicionet e ndjenjës, Kohët, Jeta Tjetërsimi, Amshueshmëria (Poezia "Atëherë vdiq poeti" (26) etj).
Këto janë vetëm disat nga temat. E bëmë këtë rradhitje për të argumentuar mendimin se kur flasim për librin e Sabit Gecajt nuk mund të flasim për një temë, por për një botë temash të pafundme ashtu siç është vetë jeta dhe njëherit për të përshkruar sadopak nivelin intelektual të Gecajt dhe thellësinë e mendimit në poezinë e tij. Poashtu për të argumentuar tezën se nuk mund të flitet për një "libër poezishë me sistem". Poezia nuk e njeh sistemin ashtu siç e ka shpallur mendja matematikore e njeriut të sotëm, sepse ajo është ndjenjë. Ajo përveç mënyrës së të menduarit linear (perëndimi) e njeh edhe atë të të menduarit në rreth (lindja), por për vete mban sistemin e vet të madhërishëm që ia ruan sovranitetin për të mos rënë në mëshirë totale të kritikës shkencore; duke menduar herë në rreth, herë vertikalisht, në formë lineare, horizontale etj. qëllimisht duke irituar modelet e paafta për të definuar atë përfundimisht.
Gecaj është poet i mendimit të thellë filozofik. Sabit Gecaj është poet i Jetës, me të gjitha të ngritjet dhe dështimet e saja. Ai do që ta përmirësojë atë duke ia treguar rrugët pozitive për t`i dalë përpara ardhmërisë, prej së cilës vdekshmërisht ka frikë.

4. Transliterariteti
"Syve / dehen murret e botës / Maten ikjet / Mitet. Pikturat nuk kanë dhëmbë/ Nuk flasin/ Në buzë/ u copëtohet zemra?!. ("Në pikturë" fq. 67). Sa e gjallë është kjo poezi? Ja skena: X futet në një galeri dhe përballet me një pikturë të varrur në murr. Nuk e kupton dhe ikë jashtë. Piktura vetë nuk i tregon dot atij se çka në botën e saj (aspekti ndiesor). Ajo arkivohet pa të drejtë sepse X nuk e ka kuptuar për ta blerë. Ai nuk ka pasur mundësi t`ia njohë vlerat asaj sepse koha ia ka ngushtuar atij diapazonin optik dhe ndiesor. Sa herë në ditë ndodhë kjo? Gecaj e zbërthen këtë problem historik me 16 fjalë, dy lidhëse dhe një folje vendore. Mirëpo, tendenca kryesore është se Gecaj nëpërmjet poezisë sqaron gjendjen e pikturës, një arti tjetër të shprehjes, nëpër kohë. Ai nëpërmjet gjuhës e bën metapikturën. Ai e bën edhe skenën; sa herë e keni gjetur veten në një pozitë të tillë?!
"Ti natë / As këngët s`i di/ ... Nuk i di as rrugët/ E tehut të shpatës / Nuk je pjesë e këngës / që s`e di" ("Natë" fq. 77) dhe "Në sytë e tu / Një plagë e thellë / Isha / Lot në faqe/ Mbeti dashuria" ("Isha" fq. 89) Në çastin e parë na duken si këngë të një dashurie të dështuar që mund të përdoren në stile të ndryshme të muzikës. Por mbi të gjitha ato janë poezi - me të gjitha elementet përbërëse. Këtu qëndron edhe mjeshtria e poetit Sabit Gecaj; marrëdhënien tejet të përkryer me artet tjera që ai i sjell nëpërmjet imazheve, gjallërisë që ne, madje të kemi mundësinë që gjallërishëm ti parafytyrojmë ato. Gecaj arrijnë si askush tjetër që të vë lirikën në korrespondencë aq të dukshme me artet tjera (= transliterarireti) si: Teatri (skena), Muzika, Piktura etj. Ai bëhet një Onomatopeist i mrekullueshëm, sepse ka arritur që me anë të ndihmës së dimensionit akustiko-tingullor të fjalës ta kushtëzojë domethënien e gjithë poezisë me qëllim për ta bërë atë të parayfytrueshme, për të na dhënë ne mundësinë që jo vetëm me mendje ta lexojmë por edhe ta shohim të gjallë si skenë e ta këndojmë në shpirtin tonë si një këngë dashurie. Sabit Gecaj ka bërë diçka që deri tani ka qenë një "zonë rreziku" për shumë krijues; ai ka krijuar tingullin e brendshëm pa përdorimin e rregullave të rradhitjes së zanoreve e bashkëtingulloreve.

5. Simbolika
Nuk është gjithaq i gabueshëm mendimi; "Simboli ia jep kartën e identitetit një poeti". Vetëm se është tejet me rëndësi se a është simboli konvencional apo personal (privat - e quajnë anglezët). Në poezinë e Gecajt ka edhe simbole konvencionale si; Skënderbeu, Kali i Trojës, Nestori, Talia, Orfeu, etj., mirëpo këto që të gjitha mbeten në plan sekundar. Simboli qëndror mbeten Hijet. Aspekti psikologjik i hijeve kërkon një trajtim të veçantë psikoanalitik, besoj se me kosntatimin e sipërshënuar "Njeriu Sabit Gecaj është hija e poetit Sabit Gecaj! është thënë shumëçka! Gecaj ka bërë një simbol aq të gjërë dhe të pazbuluar deri tani në lirikën jo vetëm shqipe. Hijet janë amblema identifikuese (edhe pse shumë e gjërë) e poetit. Edhe në këtë domen ai përforcon pavarësinë e tij qoftë nga tradita e qoftë nga modelet krijuese të ditëve të sotme.



6. Stili
Gjuhësisht Gecaj është gati i përkryer. Ai është poet lirik = akt i kryer. Këto dy atribute i plotëson një rresht i gjatë poetësh të kohës së sotme të Letërsisë Shqipe. Çka s`kanë e nuk kanë pasur poetët e poezisë shqipe deri tani në mënyrë të kompletuar e çka sjell të re poezia e Sabit Gecajt? Ja elementet kryesore:
Aspekti gjuhësoro - përmbajtësor = Diksioni i përkryer, figurat e kompletuara retorike dhe Toni harmonik - jo në fund të vargut por në përmbajtje.
Aspekti vizuelo - optik = Poezi konkrete që mund të shihet në skenë. Imazhe fare të qarta. Pikturë e gjallë gjuhësore. Lirika si "verbal icon" (imazh gjuhësor).
Aspekti ritmiko-akustik= Rima dhe Metri në funksion të melodisë. Muzikë në vete.
Aspekti simboliko-identifikues e tematik = universaliteti (shkëputja nga tradita ~ jo nga etnia), Hijet si amblemë dhe identitet (e të tjera që në këtë punim të kufizuar s`i sqarojmë dot).
Sabit Gecaj është poeti i parë kryekëput imazhist i Letërsisë Shqipe (kjo nuk do të thotë se asnjë poet tjetër, ndonjëherë, nuk ia ka qëlluar duke bërë (pa)vetëdijshëm një "imagio", mirëpo deri tani askujt nuk mund t`ia "mveshim" këtë si stil).
Çka është "imagio" dhe imazhizmi i njohur si rrymë e lirikës së shekullit XX e që ka një autoritet të lartë në kulturën pasmoderne? Sqarimin mund ta gjejmë tek definicioni i Ezra Poundit (1885- 1975) të vënë në "Manifestin" (1913) të saj: "Imagio është ajo kur një poet, një komplkes të lartë emocional e intelektual di ta paraqesë me shkrim shkurtë e për një çast (...) shumë më mirë është të prodhosh një "imagio" se sa vëllime të shumta veprash". Sabit Gecaj është i tillë. Për temën që bashkëkohanikët e tij bëjnë vëllime librash ai e mbledh dhe e formulon me elegancë në dy vargje, të cilat shpesh luajnë rol sekundar në temën e një poezie që ai ia dedikon një problemi tjetër madhor e intelektual të kohës.
Flori Bruqi