Flori - Press

Mire se vini ne faqen tone virtuale "Flori-Press" te moderuar nga stafi redaktues Flori Bruqi, Engjell Shehu,etj.

e martë, shtator 19, 2006

Nacionalizmi dhe ndikimet e huaja

Kush ka mundur i ka pushtuar shqiptarët; Roma, Bizanti, turku, etj. Që të gjithë gjatë pushtimeve të tyre kanë përdorur si maskë fenë-religjionin. Dhe atë jo pa qëllim, por për të justifikuar krimet ndaj kulturës së shqiptarëve. Për të shkatrruar objektet kulturologjike të një populli duhet të gjesh se ç`duhet të ndërtosh mbi ta. Deri dje serbët shkatrronin biblioteka me arsyen se aty duhet të ketë një Kishë. Ka disa emra publikë që në shkollë nuk e kanë mësuar këtë histori dhe na shesin nacionalizëm në emër të ndikimeve të huaja.
Në fazën postkomuniste, protranzicionale të popullit shqiptar (duke mos llogaritur në këtë kontekst ndarjen e tyre të dhunshme administrative) është shtuar tendenca e debatimit publik mbi përkatësinë fetare apo mbi besimin më të përshtatshëm që do t`i konvenonte këtij populli. Ligjeratet e shtuara publike në këtë drejtim më shumë kanë karakterin e kokëfortësisë së bindjeve individuale si dhe mbijetimit egoist në një periudhë kohore për interesa të caktuara se sa studimin për përcaktimin e saktë të gjendjes së ndikimit të religjioneve në masë. Ekzistojnë teza të ndryshme që vazhdimisht potencohen si më të drejtat nga autorët që kanë marrë përsipër "mundin" e sqarimit të kësaj çështje mjaftë të ndërlikuar, dhe atë: 1. shqiptarët, si paraardhës të ilirivë, janë paganë dhe të tillë duhet të mbeten; 2. Katolicizmi është feja e parë e shqiptarëve dhe u ka sjellë atyre më së shumti personalitete të kulturës, historisë dhe zhvillimit qytetërues, 3. Ortodoksizmi shqiptar duhet të mbrohet për shkak të vlerave që ka sjellë kultura bizantine si dhe figurave të mëdha dhe vendimtare të historisë kulturologjike dhe; 4. Myslimanizmi është feja më e madhe që është përkrahur nga shqiptarët dhe ajo duhet të mbizotërojë, vetë për shkak faktit se besues të atij religjoni janë puthuaj 90 % e popullit shqiptar, etj.
Këto janë tezat e stërpërmendura publike kohëve të fundit. Kështu së paku ata duken sipërfaqësisht, nëse nuk përpiqemi që të zbulojmë prapaskenën e tyre. Nëse nuk përpiqemi që të demaskojmë qartas mesazhin e tyre si dhe apelin në lidhje me lidhjet e reja dhe bindshmërinë politike që duhet ta ketë populli shqiptar në të ardhmen, atëherë ata mbeten në kornizat e një ligjërimi publik pro-fetar. Për t`i ikur rrezikut së rrëshqitjes në lumin e paragjykimeve dhe shpifjeve, para se të mbrrijmë në konkluzionet e dëshiruara, më së miri do të ishte të pasqyrojmë gjendjen e popullit shqiptar para ndarjes së botës në aspektin religjioz si dhe mënyrës se si erdhën në botën e këtij populli besimet dhe religjonet e lartëpërmendura. Pa anime, ashtu siç na i servon faktografia kronologjike e historisë.

1. Koha parashqiptare
Për të mjegulluar sa më shumë identitetin dhe prejardhjen e shqiptarëve historianët e perandorive që sundonin mbi ta kanë sjellë teza të ndryshme. Në disa kronika të kohëve të ndryshme gjejmë tezën se ata kanë ardhur nga Kaukazi (për shkak se dikur atje ka pasur një rajon që ka mbajtur emrin Albania), në disa të tjera thuhet se janë pasardhës të Pelazgëve, Etruskëve, Trakëve, Dakëve, etj. I pari që vulosi të vërtetën mbi perjardhjen e shqiptarëve, nëpërmjet të medotës së provave mbi përkatësinë dhe origjinën ilirike të gjuhës shqipe, ishte Gotfried Vilhelm von Leibnic (1646- 1716). Një hap më tej do të bëjë gjeneral majori nga Bajerni Xhozef Riter von Ksylanderi me veprën e tij "Gjuha e albenzëve ose shkipetarëve" (1835), i cili konfirmon se gjuha shqipe nuk është bërë gjuhë evropiane në kohën më të re, por se është një nga bazat e gjuhëve më të vjetra evropiane. Argumentimit të ekzistencës së lashtë dhe prejardhjes ilirike të shqiptarëve do t`i prijnë më pastaj edhe; Franc Bopp (1791-1867) me veprën e tij "Mbi albanezen dhe lidhjet e saja fisnore " (1855), suedezi Johan Thunman në veprën e tij "Hulumtime mbi historinë e europianëve lindorë" (1774), Johan Georg von Hahn me kryeveprën e tij "Studime albaneze- mbi autoktoninë" (1854), Georg Shtadmyller (1985) etj. Në të gjitha studimet e shkenctarëve të lartpërmendur flaken hipotezat në lidhje me atë se shqiptarët nuk janë ilirë. Gjatë përshkrimeve, kronikave dhe dokumenteve të vjetra (të huaja) ata mundën gjithashtu të sjellin edhe një pasqyrë mbi jetën shpirtërore të ilirëve. Si shumë popuj të tjerë të asaj kohe, bazuar në nivlein e atëhershëm të qytetërimit, edhe ilirët kanë qenë paganë, që do të thotë kanë besuar në shumë kulte, nuk i kanë takuar ndonjë turme apo fisi monoteist. Këtë mënyrë besimi atëbotë e kanë praktikuar të gjithë popujt, para se të lindin tre religjionet e mëdha që do të ndajnë botën në blloqe, pakte e qytetërime. Invazionet dhe pushtimet indoktrinuese që kanë pasur si parim qëndror përmbysjen dhe hudhjen në zjarr të kulturave për të ndërtuar një të vetme ( të madhe) perandorake do të fillojnë më vonë me ardhjen e perandorive të ndërtuara mbi shtyllat e ideologjisë fetare, për të cilat feja ka qenë maska e arsyetimit të pushtimit të tyre mbi të huajt si komb dhe popull, fakt që nxjerr në pah prapë pasionin ekspansionist të fiseve ose popujve që kanë dashrur të sundojnë mbi të tjerët. Pra, në esencë promotor ka qenë nacionalshovenizmi (edhe pse etimologjikisht ky term është fare i vonshëm) primitiv i sundimtarëve të atëherëshëm.

2. Pushtimi romak dhe katolicizmi
A ka pushtim që mund të justifikohet, arsyetohet.
Jo! Iliria ka qenë një ndër tokat më pjellore dhe pa pretendime ndaj territoreve të fiseve përreth. Përveç pasurive natyrore ka pasur një strukturë tejet produktive ekonomike. Sidomos shtrirja e tyre në brigjet e Jonit dhe Adriatikut u ka mundësuar atyre që më mirë se të tjerët të zhvillojnë artizanatet dhe tregtinë me botën tjetër. Fatkeqësia qëndron në faktin se të tjerët nuk kanë qenë të një niveli edukimi shpirtëror. Planet për pushtimin dhe nënshtrimin e Ilirisë kanë pasur qysh atëherë vlerën e pergamenëve. Për të mos pasur trazira pash pushtimit, romakët kanë realizuar strategjinë e zhdukjes sistematike të vlerave të trashëguara kulturore të popujve që kanë vënë nën sundimin e tyre. Kjo bile është një ligj për çdo program pushtues prej atëherë e deri në ditët e sotme. Deri në vitin 100 (p.k) tokat e kësaj pjese të Ballkanit hyjnë sa më shumë nën kthetrat e romanizimit. Me romanizimin e tokave dhe popullatës ilire sundimtarët synonin edhe nënshtrimin politik absolut mbi ilirët. Që në vitin 58 (pas Krishtit) romakët kishin marrë nën sundimin e vetë tokat bregdetare dhe prej Durrësit ( të cilin e kishin bërë Bistum) përhapnin katolicizmin si të vetmen rrugë për zhvillim sa më të efektshëm të të nënshtruarve të tyre. Gjë që në fjalorin konkret do të thotë; pushtim sa më kualitativ i politikës romake mbi të tjerë. Pas Durrësit romakët në bistume katolike shnddruan edhe qendrat si; Shkodrën, Lezhën, Sardën, Amantinë, Apoloninë, Aulonën (Vlorën) etj. Gjatë këtij pushtimi, nga dokumentet mësojmë se gjatë kësaj periudhe hordhitë romake vjodhën dhe shkatrruan objekte të shumta të traditës artistike të ilirëve, duke u përpjekur për të zhdukur çdo gjurmë që çonte në shkallën e qytetërimit parakatolik të ilirëve. Kështu Roma krijoi organizimin kishtar në tokat e ilirëve dhe këtë sistem e ruajti deri me ardhjen e fazës më të zezë të pushtimit të tokave të Ilirisë, në vitin 395.

3. Ardhja sllavëve- ortodoksizmi
Shqiptarët për nga aspekti politik hyjnë nën nënstrimin bizantin qysh në vitin 395, mirëpo edhe më tej deri në vitin 732 ata mbeten në juridiksionin e kishës së Romës. Pas këtij viti ata u futën nën diktatin e Konstantinopojës. E thamë edhe më lartë; ardhja e sllavëve jo vetëm në tokat e Ilirisë, por në tërë Ballkanin është faza më e zëzë e historisë (dhe aktualitetit) të këtij gadishulli. Me ardhjen e Thema-s (kështu është quajtur administrata bizantine) në Durrës nisi faza e ortodoksizmit të shqiptarëve. Si rezistencë ndaj asimilimit edhe më brutal të pararendësve të tyre. Në këtë perudhë të historisë, shqiptarët ishin elementi më i dëmtuar, në llogari të të cilëve tregtonte Kisha e Perëndimit dhe ajo e Lindjes. Me një fjalë ata ishin eksperimenti që paguante tagër nëpër laboratoritë e ndarjes së pushtetit në mes këtyre dy blloqeve. As atëherë, përkundër maskës se pushtimet i bënin në emër të "Zotit" të tyre, fjala ishte (po t`i analizojmë dokumentet e atëhershme historike) për pushtim të Romës apo Bizantit, dy perandori politike. Si pasojë e shkeljes bizantine në tokat e shqiptarëve, mëpastaj do të mundësohet edhe pushtimi serb gjatë shekullit dymbëdhjetë me dinastinë e Njemanëve (të cilët kishin fituar pavarësinë nga vëllezërit e tyre) në krye dhe në shekullin trembëdhjetë nga Grekët. Sundimi i popujve sllavë mbi një pjesë të shqiptarëve në ditët e sotme mund të merret si vazhdimësi e asaj lufte politike të zhvilluar shekuj më parë nga pakti ortodoks.

Askush nuk ka të drejtë t`i përzihet dikujt në lirinë e tij shpirtërore se çka do të besojë. Ajo është një e drejtë supreme individuale që s`duhet cënuar në ansjë mënyrë. Atë që duhet dënuar është ai që nëpërmjet besimit të vetë individual, në emër të njëfarë "diplomacie preventive" mbron qendra politike të njërës botë apo tjetrës duke dëmtuar kështu tolerancën fetare të kultivuar me shekuj tek shqiptarët.

4. Pushtimi turk- islamizimi
Me ngritjen e mureve të para të perandorisë osmane dhe me bërjen e Adrianopolit si kryeqendër të kësaj perandorie ishte fare e qartë se turqit kanë për synim pushtimin sa më të shpejtë të kontinetit të Evropës. Natyrisht ky rrezik nuk i kanosej vetëm kontinentit por edhe vetë shqiptarëve të dërmuar nga pushtuesit e shumtë dhe të njëpasnjëshëm. Pas Betejës së Kosovës (1389) turqit menjëherë pushtuan Shkupin (1391). Këtë qendër turqit e bënë si pikë për pushtimin e mëtutjeshëm të tokave shqiptare. Ngelja në këtë pikë deri në vitin 1403 erdhi si pasojë e humbjes së madhe të turqve në Ankara (1402) kundër mongolëve. Katër vjet më vonë me një zajrr të tmerrshëm dhe dhunë të paparë turqit arritën të shkattrojnë principatat shqiptare dhe të pushtojnë edhe; Vlorën, Beratin (1430), Janinën dhe Artën (1449). Edhe turqit si gjithë pushtuesit tjerë për të pasur sukses në pushtimin e tyre kanë përdorur metodat më brutale të zhdukjes e shfareosjes së vlerave të shqiptarëve dhe ngritjen e istitucioneve të tyre asimiluese. Përderisa romakët si maskë për lehtësimin e pushtimit kanë pasur katolicizmin, bizantët, grekët e sllavët ortodoksizmin, turqit kanë ardhur me myslimanizmin, respektivisht islamizmin. Kjo gjë vërtetohet edhe gjatë sundimit të Skënderbeut. Përderisa kryeluftëtari i pavarësisë shqiptare që doli si qëllim i Lidhjes Shqiptare në krye me të luftonte për të thyer sulmet turke të gjithë bashkëpunonin fshehurazi për të ndihmuar njëri- tjetrin me qëllim që dështimit të kryengritjes shqiptare. Një shembull interesant: Venediku nëpërmjet Lekës Zaharisë (të vrarë pabesisht në Drin-1445) kishte një marrëveshje aleance me Skënderbeun sa i përket luftës kundër turqve, mirëpo gjatë dështimit të ushtrisë turke përreth Krujës më 1450 ata i ndihmon ushtarët e tyre me ushqim dhe veshmbathje për t`i qëndruar luftës. Venedikasit kishin marrëvshje me shqiptarët, po, mirëpo njëkohësisht ata të njejtat marrëveshje i kishin edhe me Portën turke dhe me Theman ortodokse. Ky fakt nxjerr në pah edhe një përbetim të feshur të të gjitha blloqeve "fetare" kundër ekzistencës së popullit "rebele dhe të pafe".
Nga shumë shkenctarë neutral thuhet se shqiptarët pranuan islamizimin vonë edhe atë pasi që porta turke u dha pushtetin administrativ mbi viljatet e populluara me shqiptarë si dhe u mundësoi atyre shkollimin në Qendrën e Perandorisë gjë që është edhe e vërtetë. Mirëpo as kjo nuk justifikon dhunë e përdorur me shekuj të tërë të perandorisë osmane karshi popullit dhe kulturës shqiptare.

5. Rrënjet e vetëdijes kombëtare
Epoka e Skënderbeut, veçanarisht, Lidhja Shqiptare e krijuar prej tij është gurrthemeli i parë i vetëdijes kombëtare tek shqiptarët. Ndjenja dhe koncepti konkret i sovranitetit nacional shqiptar do të vuloset e konfirmohet veç me lindjen e Lidhjes së Prizrenit (1878-1881) dhe dokumentet e saj mbi pavarësinë shqiptare, e cila mbiu si rezultat i pazarllëqëve të Kongresit të Berlinit në kurriz të shqiptarëve. Këtu për së pari herë u elaboruan mendimet e para për interesat e një Shqipërie të Bashkuar, ku do të hyjnin të gjitha vilajetet shqiptare, që ne në gjuhën e sotme e qujamë Shqipëri Entike. Aty nuk pati rëndësi asnjë fije ndarje religjioze shqiptare, ashtu siç nuk kishin as luftërat e pushtuesve si qëllim të parë asimilimin fetar por atë politik edhe kjo Lidhje kishte për qëllim realizimin e aspiratave nacionale politike të kombit shqiptar. Me këtë akt, kreatorët e mendimit politik të asaj kohe, dëshmuan edhe njëherë se besimet apo fetë nuk janë pengesë për shqiptarët në luftën e tyre për pavarësi. Nga kjo rrjedh edhe tradita e popullit shqiptar që ka në tolerancës fetare.

6. Dy fjalë me pseudonacionalistët
Sot-të kthehemi përsëri tek fillimi dhe qëllimi i këtij artikulli- dalin ca ideologë që na shesin teza të ndryshme në lidhje me përkatësinë e "natyrshme" të shqiptarëve në një bllok të caktuar fetar. Absurd! Jo sepse ata pretendojnë të thuan se shqiptarët janë të kësaj feje apo asaj feje, por sepse ata në emër të fesë, direkt apo indirekt, thirren në qendra të caktuara politike si; Vatikani, Riadi arab, Stambolli, Teherani, Patriarkana ruso-athinase etj. Ata sikur nuk kanë mësuar asgjë nga historia për të dalluar Religjionin- Politikën dhe Besimin e një populli. Ndoshta kanë nevojë për leksione të historisë për t`iu bindur fakteve më lartë. Sepse po t`i mohosh ata e mohon edhe historinë e shqiptarëve. Ne kemi qenë të pushtuar nga ata që i përmendëm lartë. A ka ndonjë që mban emrin e shqiptarit dhe e mohon kronologjinë e fakteve më lartë? Dyshojmë! Pushtimet e përmendura më lartë dokumentojnë sistemin e pushtuesve duke përdorur fetë si maskë. Prandaj edhe maskat e tyre kanë rënë në çdo kohë. Fakti se ata fe kanë ardhur në tokat ilire e më vonë shqiptare, nëpërmjet luftërave dhe asimilimit nuk mund të mohohet, por as fakti se shqiptarët nuk kanë pranuar ligjet politiko-religjioze por vetëm besimin është një fakt tjetër. Prandaj do të ishte mirë që autorët e shkrimeve të tilla të mësojnë historinë e etikës për të dalluar më mirë besimin nga religjionet dhe çka fshihet në prapaskenën e prijësve të tyre të "shejntë" aktualisht. Populli shqiptar u takon besimeve të ndryshme dhe kjo është e drejtë e tij e pamohueshme. Askush nuk ka të drejtë t`i përzihet dikujt në lirinë e tij shpirtërore se çka do të besojë. Ajo është një e drejtë supreme individuale që s`duhet cënuar në ansjë mënyrë. Atë që duhet dënuar është ai që nëpërmjet besimit të vetë individual, në emër të njëfarë "diplomacie preventive" mbron qendra politike të njërës botë apo tjetrës duke dëmtuar kështu tolerancën fetare të kultivuar me shekuj tek shqiptarët. Për atë që shiten nacionalistë vetëm ca fjalë: Nacionalizmi shqiptar është human që do të thotë; të duash atdheun tënd; të kultivosh kulturën dhe traditën e tij me gjitha "koloritet" që ka; ta mbrosh atë nga pushtimet dhe ndikimet e huaja; t`i shërbesh atij në çdo moment ku ka nevojë etj. Kështu duken disa nga parimet e nacionalizmit. "Ta mbrosh atë nga ndikimet e huaja"! A nuk është ndikim i huaj kur në emër të njërës nga fetë kërkon ngushtimin e lidhjeve të popullit tënd vetëm me një shtet (pavarësisht nga qëllimet e tij) që njihet si pushtues i të së kaluarës së popullit tënd. Mos vallë dikush do që të thotë se truqit e rinj e kanë harruar historinë e tyre "krenare" të epokës së osmanlinjve. Apo italianët Vendeikun e tyre të famshëm (kjo u tregua edhe me ngjarjet më të fundit në Shqipëri). Diplomaci po, por jo për interesa personale në dëm të kombit. Se atëherë nuk mund të jesh më në ansjë mënyrë nacionalist, por nostalgjik i një epoke të zymtë të pushtimeve të njëpasnjëshme të të huajve. Populli shqiptar di që të falë por jo edhe të harrojë. Ndikimet e huaja na kanë sjellë pushtime (që deri sot i kemi) prandaj mbështetja në një politikë të pastër mbi platformën e interesit nacional-shqiptar është e vetmja alaternativë për çdo strategji konsolidimi kombëtar. Dhe mjaftë më!
Flori Bruqi