Flori - Press

Mire se vini ne faqen tone virtuale "Flori-Press" te moderuar nga stafi redaktues Flori Bruqi, Engjell Shehu,etj.

e martë, shtator 19, 2006

Demush Bajrami

Duke interpretuar vëllimin me poezi "Roja Gratis" të Demush Bajramit ndeshemi me fizionominë tonë të përgjakshme ndër shekuj. Ky poet, me një varg të vetëm është i aftë të na përshkruaj një proces të tërë psikologjik që ia ze frymën kohës. Poezia e tij është pasqyrë e përkryer, ku ne mund të shohim pastër fytyrën e kohës dhe detyrimeve tona ndaj ardhmërisë.

Çdo përpjekje për të studiuar, përjetuar apo interpretuar poezinë, na detyron të lëshohemi në një botë të veçantë përkushtimi, koncentrimi e përgjegjësie. Shkëputemi tërësisht nga sistemi dhe mënyra e shijimit të jetës individuale duke hyrë thellë në stadin e konvencioneve dhe kërkesave ndiesore të krijuesit. Guximi për të pranuar një botë të veçantë artistike, pa mos llogaritur rrezikun nga përhumbja dhe shndërrimi në Heruspik të veprës, nuk vjen thjeshtë nga gatishmëria për sakrifikim apo kurreshtja për të përjetuar gjithçka, por nga vlera, e cila na tërhek dhe na bën për vete. Aretalogjia e vetë ndjenjës dhe brendisë nga vjen krijimi të nxit dëshirën dhe përpjekjen për tu marrë, patjetër me te. Ky përvetësim, që krijuesi e bën nëpërmjet veprës së tij, nuk është kurgjë tjetër përpos një fakt që dëshmon për aftësinë dhe ekuilibrin e tij si artist të suksesshëm dhe ndikues. Kjo përjetohet, që nga lexuesi e deri tek kritiku më i rreptë,në poezinë e krijuesit shqipëtar Demush Bajrami, i cili në vëllimin e tij katërciklësh "Roja gratis" na bind për një botë të re dhe origjinale, që ai e zbuloi nëpër thellësitë e shpirtit të tij poetik.

LIRIA QË KËRKOHET ME FRIKË
Betonim fati. Sa herë që të shtrohet plaga jonë kombëtare në tavolinën e shqyrtimit, ajo kultivohet edhe më shumë në zemër të gjeneratave dhe krijon frikë për të ardhmen. Dashuria për liri ndjeket nga përbindshi i frikës dhe pasigurisë. Dhe me këtë, në vend të zgjidhjes përfitojmë vazhdimin e tragjedisë kolektive. Tragjedi që mbetet dhe stagnon vetëdijen tonë kombëtare për të parë veten pa maskë në pasqyrë. Dashuria ndaj lirisë zëvendësohet me hipnozën e frikës dhe kështu, vuatja siguron qëndrim të përjetshëm në fytyrën tonë të stërmunduar historike. Kjo dhimbje e vërbuar nga rrufeja e realitetit shpalos ecjen në drejtim të gabuar. Ecje në kahje të ndryshme, si zogj të përgjakur, pas një principate të premtuar nga parlamenti zoologjik i kohës së sotme politike. Zogjt me kokë dhe këmbë të përgjakura pikturojnë lirinë e vetë të fluturimit sipas një modeli, që për qëllim final ka zhytjen në pafundësitë e humnerës së ndërtuar enkas për ta. Errësirën e kemi gratis. Kryqëzimet dhe arkivolet na jepen në vend të përshëndetjes së fundit me lirinë që tërë jetën e kërkojmë, dhe që kur nuk kemi ditur ta përdefinojmë kërkesën se si duhet gjetur ate dhe ku? I kotë është imitimi aktrues i profetëve popullor pa konceptin e pastër mbi kërkesën, që na parashtron fati. Artsiti si individ, pavarësisht nga forca e tij shpirtërore dhe ndikuese tek psikologjia e kohës, nuk ka shumë mundësi të shpëtojë kohën nga ky konfuzitet. Përpjekja e tij mbetet e gjallë vetëm në botën e artit dhe pasionit të lartë krijues të një universi të pastër dhe pa maska. Kjo padyshim se edhe poetin Demush Bajrami e ndjek, e përjashton nga hallkat e fatit të betonuar në një stinë vjetore, ku jo të gjithë mund të shkojnë, pra, në Stinën e Pestë...

FËMIJËT JETIMË DHE KOPSHTI MELANKOLIK
Jo gëzimi, por mjegulla melankolike, e lëshuar përtokë bën natyrën e stinës së pestë të turbullt. Edhe aty ligjin e bëjnë profetët me një vetull. Poetit iu premtua sallon pritje deri në ditën e ndërgjegjësimit të masës për të kuptuar kërkesën për liri...e ç`gjeti ai: vajin e një korbi që s`duron dot vetminë. Kurthin e qyqes që ua përgatit zogjve këmbë-përgjakur e kokë-zvarrur. Skelete gjysëm të thyera-viktima të Revolucionit të Tetorit. Dhimbja bëhet edhe më e madhe, edhe më depërtuese. Kërkohet nga poeti që të gurrëzohet në statu me dekoratë dhe të regjistrohet në katalogun e akademisë për çembrionizimin e frikës nga stina e pestë. Ikë! i tha vetes poeti duke u strehuar në një shtëpi fëmijësh pa prindër. Pranoi të bëhet Roja gratis i pranverës së tyre të vonuar. Grisi kujtimet që mbetën pasojë nga jeta në stinën e pestë. Përsëri në mes dhimbjeve dhe frikës, por kësaj radhe, jo frikë nga liria dhe demokracia fallco e njeriut të pandërgjegjësuar, që nuk ec dot me kohën,por, frikë për ardhmërinë e fëmijve të paprindër, të kërcënuar nga atentatorët e territ dhe indoktrinimit nga heroizmi modern, që s`ka asnjë tjetër rezultat përveç hapjes së varreve në mes të oqeaneve të tmerrit. Ikja nga këta rreziqe, atij ofrohet vetëm nëpërmjet një treni të çmendur, pa orar, që ec binarëve të ndryshkur të shpresave të varrosura të pavetëdijes humane. Ku do të bëhet strehimi i fëmijëve jetimë? Poeti nuk ka zgjedhje tjetër përveç Kopshtit Melankolik.

ATDHEU I DËNUAR PËRJETËSISHT ME NATË
Dita-shekull po përsëritet. Zymtësia përpiqet të pushtojë forcën shpirtërore të poetit për të mbijetuar. Poeti nuk don të prosodojë me zymtësinë dhe fatin e ngecur. Rezistencën kundër melankolisë e manifeston me dashurinë ndaj atdheut. Cilit atdhe? Atij me fat të betonuar, apo atij që ai është duke e kërkuar tërë kohën? Herronjtë çlirimtarë kanë ngrirë, kurse dielli injoron përjetësisht paraqitjen mbi kokën e asaj toke, ku qyqet dhe korbat që rrëmbejnë e vrasin zogjtë e kanë fjalën e parë. Pikësynimi bëhet antagonik me magjinë e të mbijetuarit. Poeti braktis mendimet dhe meditimet mbi atdheun dhe kapet për degëve gjysëm të thyera të humnerës së shekullit për të dalë jashtë, që në praktikë të aktivizojë qenien në interes të atdheut. Kopshti melankolik, viktimë e të cilit poeti qëndroi më se një shekull, u trnasformua në xhungël poshtërimi e përhumbje. Gjatë ngjitjes lart, po atyre degëve të thyera poeti ëndërron për dritën që do ta shohë, për ndryshimet jashtë thellësive të botës së tij. Për përsosjen e kërkesës dhe ndërgjegjes së masës. Paralajmërimi simbolik: do të shemben të gjitha kalatë e mendimit të vjetër është i gëzueshëm. Ndërsa, padukshmëria e mendimit të ri në horizont, shqetëson shpirtin dhe le ate pa mos u konsoliduar me dritën që mbetet jashtë humnerës. Poeti mbetet ende varrur nëpër degët e shekullit që përsëritet, kurse jashtë mbetet mëngjesi. Mëngjes i vetëdijes së pushtuar nga errësira e natës së përjetshme të vetëdijes njerzore.

PËRSËRITJA E SHEKUJVE
Heshtja është perandori absolut i mëngjesit të parë. Akrepi i orës ecën nga e prapa. Imagjinata e poetit fillon t`i dramatizojë tingujt e pazëshëm të ajrit. Asgjë që prish zhurmën. Kalorësit sillen rreth e rrotull. Këmbanat lëvizin sikur thërasin besimtarët e Himerës përallore. Cytanikët shpifin njerëzit e uniformuar. Në qiell një qenie pa konstrukt paralajmëron lirinë. Gjithë këto lëvizje nuk zhurmojnë aspak. Heshtje varri. Poeti s`kupton asgjë. Teatër i çmendur i Zotit kundër djallit. Album telegramesh kob-zi. As ky mëngjes nuk shpëton poetin nga pushteti i imzotit-diktator. Edhe ky mëngjes i pazëshëm është i dedikuar atyre që çoroditen duke bërtitë si copëlanë e askush nuk i dëgjon. Dëshprimi krijon nyjen e rifillimit të frikës: mos vallë duhet të përjetoj edhe një shekull kaq të gjatë për të pritur mëngjezin tjetër? Si?!? edhe këtë shekull duhet përsëritur...?!!

POETI I REALIZMIT MODERN
Stili, rima, inspirimi dhe mënyra e ndërtimit të poezisë së Demush Bajramit na jep një fizionomi për të parakuptuar kushtet, në të cilat ajo është krijuar. Egoja e poetit është e padukshme, por gjithmonë prezente dhe pandalë ndikon në menjanimin e dilemës dhe skepsit gjatë interpretimit të vargut dhe dozës simbolike të përdorur me shumë mjeshtri.
Shëtitja nëpër plagët, ndjenjat dhe kërkesat e një poeti zgjatë sa një shekull. Veçanarisht kur spiritualiteti i tij artistik është i kapshëm dhe harmonik. Gjatë këtij eskurzioni njeriu ndahet nga zakonshmëria e realitetit-monotonia e jetës. Marshimi nëpër sferat krijuese të poetit Demush Bajrami na bën të mësojmë për pafundësinë e domëthënieve në një vepër të arrirë si në planin artistik ashtu edhe në ate ideor. Dyluftimi im me fjalën e tij, nuk lindi thjeshtë nga natyra ime e ashpër prej gjykatësi, po thjeshtë nga forca e shpehjes së tij poetike, që lehtë ngulet në çdo vetëdije, e cila pranon realitetin e kohës pa syze, ashtu siç është. Ai pranon në emër të kohës se njeriu i sotëm ka frikë nga liria. Kjo frikë manifestohet nëpërmjet krenarisë boshe të arsyes së përbotshme të mbijetimit, dhe përqafimit të turpshëm të jetës në humnerë.
Vetëdijshëm dhe me bindje të plotë mund të mbroj se poeti Demush Bajrami i takon gjeneratës së krijuesve seriozë, duke shpresuar në qëndrimin e tij në origjinalitetin që ka.
Flori Bruqi