Flori - Press

Mire se vini ne faqen tone virtuale "Flori-Press" te moderuar nga stafi redaktues Flori Bruqi, Engjell Shehu,etj.

e martë, shtator 19, 2006

Cyberletersia shqiptare ne webat shqiptarë

Në World Wide Web tashmë bëjnë jetë krijimet e rreth 300 «letrarëve» shqiptarë. Cyberletërsia – një formë e re në artin e të të shkruarit?! U bë letërsia hiperfiktive shqiptare? Apo gjithçka mbetet në kufinjtë e vitrinizimit edhe të atij «malli» që më parë «dyqanet e polisit tonë kulturor e letrar» nuk e pranonin për ta ekspozuar.

Krahasuar me mediumet tjera të transmetimit të informacioneve (libri, gazeta, radio, televizioni etj.) interneti ka depërtuar pa ndonjë vonesë të theksueshme në kulturën shqiptare të komunikimit. Edhepse me një intensitet më të vogël se sa mediumet tradicionale, ai është bërë tashmë një segment i rëndësishëm i multimedialitetit. Për arsye se pothuaj të gjitha mediumet e tjera e shfrytëzojnë atë si platformë prezentimi dhe përveç funksioneve të tjera që bart me vete, njëkohësisht luan edhe rolin e metamediumit e kryesisht atë të hipermediumit: aty prezentohet libri, gazeta, telivizioni, radioja dhe çdo medium tjetër ekzistues, me këtë ato automatikisht edhe përbashkohen në një qendër të vetme: nën «tutelën» e megamediumit World Wide Web (www).
Një numër jo i vogël i këtyre mediumeve – për shkaqe të ndryshme – në internet edhe kanë gjetur vendin e vetëm ku zhvillojnë «luftën kundër anonimitetit». Kjo vlen edhe për ata që qëndrojnë pas këtyre mediumeve: autorët, sajuesit, pronarët etj. Veçanarisht krijuesit e arteve të ndryshme përfundimisht «kanë zbuluar» një mjet nëpërmjet të cilit dalin jashtë vetes pa formalitetet tradicionale të promovimit e afirmimit shoqëror e publik. Numri i lietaratëve në internet shtohet nga dita në ditë edhe ndër shqiptarë (ashtu si te të tjerët). Digitalizimi i krijimeve ka bërë që vetvetiu sot të flitet me terminologjinë e tipit: cyber-art, cyber-letërsi, cyber-autorë, cyber-pikturë etj, me një fjalë epoka e digjitalizimit të artit (shqiptar) tashmë ka kaluar fazën e celebrimit.
Si në çdo sferë tjetër edhe në këtë, opinionet mbi rolin dhe rëndësinë e risisë më të re teknologjike, ndahen në drejtime të kundërta. Kemi të bëjmë me një formë të re arti, pra artin digjital? Ndeshet letërsia shqiptare me një formë të re krijuese – atë të hiperfiksionit? A do të dëmtojë pakufishmëria e publikimit kualitetin (sipas standardeve) e artit karshi recipientit? Mbitëgjitha: çfarë risije është interneti dhe cili është raporti i tij me Letërsinë, respektivisht me Letërsinë shqiptare?

1. Retrospektiva
W3 përbëhet nga dokumente hipertekstore. Si noviteti më i rëndësishëm në botën e www – së konsiderohet rrjetizimi i tekstit = hiperteksti, (si term hiperteksti për herë të parë përdoret nga studiuesi Theodor Nelson (1960) eksplorimi i tij, organizimi, ndarja, mbledhja e thërrimave informative, krijimi i lidhjeve të tërthorta, ndërlidhja e paragrafeve dhe kapitujve të ndryshëm nëpërmjet klikimit me kursor në ekran, dërgimi dhe pranimi në zona (dhe jashtë tij) të ndryshme të rrjetit etj. Idé që daton në vitin 1751 me ndërmarrjen enciklopedistëve të mbledhur rreth Diderotit dhe d’ Alambertit që i kishin vënë për synim vetes tubimin e gjithë diturisë së botës në një vend dhe renditjen sistematike të informatave më të rëndësihme. Aksion që veç me ardhjen e teknikës së kompjuterit filloi të dalë nga faza e njomësisë.
Më 1945 Vannevar Bush krijon sistemin e njohur «Memex», i cili nëpërmjet lidhjeve asociative bën sistemin e të dhënave më të rëndësishme nga literatura shkencore. Ky sistem që më vonë u mor si bazë megjithatë shërbente vetëm për segmente të priviligjuara e jo edhe për masat. Sistemi i parë i realizuar që përpunoi strukturat e hipertekstit është projekti i Engelbartit (1965) që u prezentua në «Computer Conference» të San Franciskos. Më vonë, në këtë drejtim do të sjellin zhvillime edhe projekte të reja si ai i Gutenbergut e të tjerë, mirëpo gjithë këto faza zhvillimi në këtë drejtim do të kurrorizohen me zbulimin e «sistemit global të informimit – internetit» nga ana studiuesit Tim Berners – Lee në Institutin CERN të Gjenevës gjatë vitit 1989, i cili internetin e defionoi si «distributed collaborative multimedia information system» që mund të përkthehet si «sistem multimedial, informativ, kolaborues e shpërndarës».
Web-faqet e para shqiptare në internet nuk datojnë hiç më vonë se sa dy tre vjet pas vënies në përdoriim masiv të internetit.

2. Interneti – alternativë e re komunikimi
Në kushtet shqiptare interesante është rëndësia etnokulturore e politike e internetit. Sidomos në lidhje me Letërsinë dhe Artet në përgjithësi.
Zhvillimet politike e demografike në Gadishullin ballkanik kanë bërë që etnia shqiptare të jetë e ndarë në njësi e formacione të ndryshme shtetesh. Ndarje, që edhe pas ndryshimit të situatës politike dhe demokratizimit të një pjesë të madhe të vendeve të këtij rajoni, ende ngushton konsolidimin dhe ndërkomunikimin kulturor të shqiptarëve. Kësaj rradhe jo për arsye të rrethanave politike, por për shkak të mentaliteteve lokaliste, bajraktareske dhe kompleksit të inferioritetit që kanë rajonet ndaj njëra tjetrës. Kjo gjendje e manifestuar në variante të ndryshme pengon që letrarët e njërës apo tjetrës «provincë» të kalojnë kufinjtë, të promovohen e të njihen në të gjitha viset e hartës etnike shqiptare. Gjithçka është e ndarë dhe asnjë institucion e medium serioz nuk ka arritur që t’i lidhë ata. Deri më tani asnjë gazetë, televizion apo diç tjetër nuk ka arritur të dalë jashtë kufinjve të «provincës».
Interneti nuk i përfill as ndarjet politike, as mentalitetet defektuoze e as emocionet e sëmura. Nëpërmjet internetit dhe mekanizmave të tij është i mundshëm një komunikim dhe këmbim informacionesh në nivel intelektual, kulturor e sidomos letrar. Interneti i ofron në mënyrë të barabartë çdo të interesuari informimin virtual mbi zhvillimet letrare në Tiranë, Prishtinë, Shkup, Diasporë e gjetiu. Se sa shfrytëzohet kjo alternativë komunikimi është krejt diçka tjetër. Po sa dhe si është e prezentuar letërsia shqiptare në internet?

3. Faqet personale (Homepage)
Me shfaqjen e internetit shumë autorë menduan se përfundimisht u çliruan nga botuesit, se kaloi koha e kërkimit të mërzitshëm të lidhjeve për të publikuar një vepër letrare. Mirëpo ky hov u zbeh shpejtë, pasi autorët u ndeshën me parakushtet që duhej të plotësonin për të hyrë në zonën e virtualitetit. Përvetësimi i metodave teknike që mundësojnë digitalizimin e teksteve dhe elementeve tjera nuk është dhunti e falur gratis nga perënditë. Ajo duhet të mësohet dhe kërkon nerva. Ja arsyeja e parë përse numri i autorëve që kanë plasuar krijimtarinë e tyre në internet është fare minimal, domethënë i atyre që kanë një faqe personale (Homepage). Falë një alternative tjetër, pra mundësisë së plasimit të një nënfaqeje tek ndonjë «webmaster» ose projekt special ka bërë që në internet sot të jenë prezentë mbi 200 autorë shqiptarë që prezentojnë pjesë të krijimeve të tyre dhe informacione bio- e bibliografike.
Tek web-et ose nënfaqet personale vërehet kultura nismëtare sa i përket kualitetit prezentues: grafikisht janë të ngarkuara mozomakeq – optikisht shpesh alergjike. Pjesa dërrmuese ka rrasur një portret të madh dhe dy a tre «vjersha» në faqe dhe s’jep asnjë të dhënë tjetër se ç’e rastisi të digitalizoj veten ose dikënd tjetër. Një pjesë e tyre figurojnë me emrat e tyre vetëm në indeks e faqen s’e gjen dot. Shumica e teksteve përdhosin çdo normë minimale të drejtëshkrimit dhe gjuhës (pasi adresat më të popullarizuara për publikime janë të huaja ata nuk kanë mekanizma për të kuptuar se sa i plotëson kushtet minimale të komunikimit publik dërguesi).
Hobiautorët dhe pseudocyber-literatët përbëjnë shumicën e parlamentit letrar internetik, kështu që të duhet një durrim më i fortë se ai i mushkës deri sa e gjen një që mund ta printosh për ta lexuar me ëndje.
Nga ana tjetër plasimi (edhe pse pa kriter) i të gjithë atyre që mendojnë se dijnë të krijojnë tekste kreative artistike, në mënyrë të barabartë: krijon mundësinë e zbulimit të talentëve të rinj dhe është shumë i dobishëm për kritikën letrare e artistike.

4. Projektet letrare
Njëri nga projektet dhe adresat më serioze që prezenton krijimtarinë aktuale letrare në www është padyshim ®seguraweb (http://www.seguratech.com) që është krijuar e mirëmbahet nga Senad Guraziu me banim në Holandë. Në këtë faqe krijimet e veta i kanë prezentuar mbi 120 lirikë dhe mbi 30 prozatorë shqiptarë. Hapësira e pakufizuar dhe plasimi i autorëve në mënyrë «autonome» si dhe kujdesi qoftë gjuhësor apo përmbajtësor janë poenta që shkojnë në favor të seriozitetit dhe kualitetit të kësaj web-faqeje, parimisht letrare.
Përpos letërsisë shqipe në këtë faqe janë të prezentuar edhe shkrimtarë klasikë të huaj, piktorë, publicistë dhe debate të ndryshme nga fusha e kulturës.
Seguraweb, sa i përket letërsisë virtuale është shndrruar në një institucion në vete që duhet përkrahur sidomos për shkak të faktit se e justifikon tezën: «interneti do të lidh kulturën shqiptare me shumë se çdo medium tjetër». Projekti i nisur (me iniciativë private) gjatë vitit 2002 është i popullarizuar në të gjitha skajet ku jetojnë shqiptarët e veçanarisht në qarqet letrare dhe ato të kritikës. Aty janë prezentuar autorët që plotësojnë kushtet elementare standarde të paraqitjes digitale e publike. Seleksionimi nuk pason pas një vlerësimi rigoroz sipas teorisë kritike, por pas një vlerësimi sipërfaqësor se a i plotësojnë tekstet e tyre kushtet themelore që të konsiderohen si të tilla. Qëndrim fare pozitiv në kontekst me demokracinë dhe pluralizmin internetik, kështu duke u lënë kritikëve të «çajnë dërrasa» se kush nga autorët ka vlera, kush jo e kë duhet ç’digitalizuar (?). Aktualisht faqja ka vetëm një deficit: shumica e autorëve janë të prezentuar pa informatat themelore bio- e bibliografike, gjë që të pamundëson qoftë gjurmimin e mëtejmë të një autori të caktuar e qoftë lokalizimin e tij gjeografik.
Projekte tjera letrare që me gjithë të metat mund të konsiderohen si të tilla janë edhe www.albapoetry.com dhe www.albacenter.it. Në albapoetry dominant është segmenti historik, pastaj ai «elitor» (sipas këndvështrimit të sajuesve) dhe nuk paraqet ndonjë pasqyrë serioze të zhvillimeve aktuale letrare. Ndërsa albacenter që mirëmbahet nga Albana Temali me banim në Itali përshkohet nga përshtypja e të qenurit faqe «familjare» me një grup krijuesish e autorësh që shërbejnë më shumë si dekoracion se sa diç tjetër. Përkundër kësaj përshtypjeje në këtë web-faqe zhvillohen aktivitete që mund të shërbenin si shembuj për ata që pretendojnë përmasa më të gjëra përfshirëse: deri më tani në albacenter janë zhvilluar dy konkurse letrare. Ka edhe projekte të tjera lokale, botëkuptimisht të kufizuara etj. etj. por pa rëndësinë as minimale për letërsinë.

5. Prezentimet në gjuhë të huaja
Bota di për Letërsinë shqiptare vetëm nga këndvështrimi dhe kualiteti kadarian, që do të thotë se jashtë nuk njihet fare për të, por vetëm një autor i saj. Një autor i mirë, por ama vetëm një autor që sido që të jetë asnjëherë nuk mund të jetë absolut dhe as akumulator i vlerave të mbarë një letërsie. Dhe ku ta dijmë po të ishin kushtet pak më ndryshe (poqëse ministritë e kulturave do të angazhoheshin po aq intensivisht për Letërsinë, ashtu siç bëjnë për zgjedhjen e bukurosheve dhe organizimin e festivaleve të këngëve) e të përktheheshin edhe ca shkrimtarëve tjerë (e t’ua ofronim SHB-ve jashtë si manuskripte), ndoshta më nuk do të flitej e respektohej vetëm një «autor nga një vend i prapambetur i ballkanit ku mbizotëron ende Vendeta (Koment për Prillin e thyernë një revistë gjermane)», por do të niste një interesim mobilizues i kulturave tjera për autorët shqiptarë e me këtë pra për Letërsinë e «një populli në jug të kontinentit që bën letërsi të përmasave universale», po ashtu siç ndodh me letërsi të popujve të ndryshëm të globit. Mund të ketë skeptikë që mund ta trajtojnë këtë «dëshirë» si romantizëm, mirëpo një gjë atëherë është e qartë: ata sigurisht s’dijnë të lexojnë në gjuhë tjera përveç asaj amtares.
Interneti është një shans i mirë në këtë drejtim. Faqe gjithpërshirëse (serioze) letrare siç është Seguraweb në shqip nuk ka në ndonjë gjuhë tjetër.
Nëse një i huaj ka ndërmend të informohet për letërsinë shqipe përballet me dy adresa (serioze), me atë të studiuesve dhe përkthyesve të shqipes dr. Robert Elsie (www.elsie.de) dhe Hans Joachim Röhm (www.joachim-roehm.de). Web-et e këtyre dy përkthyesve – secila për vete – sjellin një informacion themelor për autorë të ndryshëm, të cilët janë prezentuar me pjesë nga krijimtaria e tyre. Atyre ju ofrohet një pasqyrë edhe pse personale por e përshkuar me kritere serioze vlerësimi e seleksionimi, pra me autorë të dëshmuar e mirënjohur për nga vlerat që kanë si krijues. Nuk mund të thuhet se ato mund të përdoren si referenca definitive për të mësuar se ç’është Letërsia e shqiptarëve, mirëpo sipas autorëve të zgjedhur e përkthyer aty, vizituesi nuk del i zhgënjyer, përkundrazi ai nxitet për të gjurmuar mëtej.
Edhe në këtë drejtim nuk mungojnë piratët. Natyra «parlamentare» e internetit nuk lejon ndalimin e një «deputeti letrar» që ai ta prezentojë një «letërsi personale» në gjuhë të huaj, në web ashtu siç ia kap mendja atij, por do të ishte mirë që prepotentët e tillë t’iu hudhnin një sy faqeve të lartpërmendura e ndoshta jep Zoti të ndërgjegjësohen e të heqin dorë nga prezentime që më shumë dëmtojnë se favorizojnë Letërsinë shqipe.

5. Projekte informative mbi letërsinë
Si projekte informative qendrore janë revistat letrare si dhe ato revista të pasura për nga rubrikat për kulturë, të cilat pas printimit, të plota ose fragmentarisht, digitalizohen. Revista krykëput letrare ose për Letërsinë, materialet e të cilave menjëherë pas botimit (në letër) publikohen edhe në internet janë: Haemus, Fjala dhe Ars.
«Haemus» (www.revistahaemus.home.ro), e cila botohet nga profesori dhe shkrimtari i mirënjohur shqiptar me banim në Bukuresht Ardian-Christian Kyçyku ka një karakter më special se sa vetëm atë të pasqyrimit të Letërsisë shqipe. Ajo kryen edhe funksionin e këmbimit të mendimeve mbi kulturën, letërsinë e artin ndërmjet popujve të ndryshëm, e në veçanti atyre ballkanikë. «Haemus» gjithashtu është shndrruar në një urë komunikimi për lëvdatë ndërmjet zhvillimeve kulturore e letrare rumune dhe shqiptare. Revista dygjuhëshe (rumanisht dhe shqip) ka mbledhur rreth vetes shkenctarë e letrarë të gjuhëve të ndryshme të cilët botojnë prodhimet e tyre dhe diskutojnë tema rreth elemeneteve përbashkuese që çojnë vlerat e këtyre kulturave të veçanta drejt universalizimit. Një punë që është e përmallë dhe që vetevetiu duhej të nxiste edhe sfera tjera ku gjallojnë shqiptarët jashtë hapësirës së tyre etnike.
«Fjala» (www.yahoo.com – kërko: gazetafjala), që del si shtojcë e gazetës «Tema» në Tiranë në krahasim me «Haemus», e cila është periodike, publikon në internet çdo të diel materialet e saja të printuara. Me gjithë spekulimet rreth «tendenciozitetit dhe karakterit të saj ekcesiv» që frekuentojnë si opinion kryesisht nga konkurenca dhe të «rrahurit me çekan në kokë» nga kritika e mprehtë e autorëve të kësaj reviste – e sidomos sajuesit të saj, autorit të romanit të mirënjohur «Dueli» Agron Tufa – ajo është e pasur si për nga kapitali ashtu edhe për nga kualiteti që përmban. Përfshin rregullisht dhe pa pretendime anësimi autorë të të gjitha pjesëve të letërsisë shqiptare dhe nuk le përshtypjen e një «organi» nën ndikim të ndonjë rryme apo klanokrature të veçantë kulturore a letrare. Në të diskutohet pa dorrëza, prezentohet edhe ajo letërsi që jo patjetër mban në ballë «vulën» e skenave «zyrtare» letrare dhe hera-herës rebelshëm e guximshëm then tabu e shablone mendimesh të ngulitura mbi probleme të ndryshme kulturore në asisoj mënyre që nuk e has tek homologet e saja. E do të ishte keq për zhvillimin dhe ecjen përpara të Letërsisë shqipe po të mungonte edhe opozita ndaj të adaptuarës e të trashëguarës. Pra një revistë letrare që u përngjan këtyre të perendimit në aspektin gazetaresk, diskutues e tematizues mbi dhe për letërsinë.
«Ars» (www.geocities.com/arsalbania) është revistë mujore që në internet digitalizon vetëm fragmente nga përmbajtja e saj. Kryesisht editorialin, eseun nga një shkrimtar ose gazetar shqiptar dhe dosjen për një shkrimtar të huaj. Pasiqë kjo revistë, poashtu e rëndësishme, kualitative, gjithpërfshirëse dhe debatuese digitalizon vetëm rubrikat e përmendura dhe kopertinën e revistës ka ndikim më shumë se të kufizuar si në konsumim ashtu edhe në distribuim të mendimeve mbi letërsinë dhe letërsinë vetë në internet.
Një revistë që nuk ka karakterin e projektit letrar ose mbi letërsinë, por që sjell në internet një rubrikë (gati sa një projekt letrar vetë) kulture dhe informacione të pasura letrare është edhe revista «Lobi» (www.lobi.com.mk) nga Shkupi, e cila veçohet për nga profesionalizmi dhe pasqyrimi i gjërë i aktualitetit kulturor e letrar shqiptar, por edhe botëror.

www.babel.com.al , www.botimpex.com (të cilat rrallë ndonjëherë hapen si duhet) si dhe libraria virtuale «Ura» janë disa nga adresat që mëtojnë të informojnë në lidhje me produksionin letrar në gjuhën shqipe. Sigurisht për shkak të mungesës së kontakteve ndërmjet shtëpive botuese dhe pronarëve të këtyre faqeve vërehet një reklamim e prezentim parcial i botimeve të reja. Duket sheshazi përqëndrimi vetëm në letërsinë e shtëpive botuese «kryesore» në Tiranë apo diku tjetër (varrësisht nga domicili i pronarit) dhe tendenca për të promovuar vetëm ato libra që faqembajtësi i konisderon si «elitore», pra webmasteri indirekt çohet e vetshpallet në kritik të letërsisë ose edhe më keq në cenzor. Mbivlerësim funksioni. Narcizëm! Përshkrimet që bëhen mbi librat në këto faqe janë të varfëra, pa informacionin e nevojshëm, domethënë nuk thonë më shumë se titulli.

6. WEBArti dhe Letërsia
Një gjë të re digitalizimi ka sjellur: formën e re të plasimit. Ose të të ashtuquajturin WEBArt. Një formë e re që rradhitet në fushën e arteve vizive, por pa i ikur natyrës së kufizuar të saj – përkohshmërisë dhe varësisë nga kombinimi dhe kolaborimi digjital!
WEBArti është i varrur dhe jeton vetëm në kolaboracion me artet tjera, pra nuk e ka autonominë ekzistenciale si teksti, piktura, grafika dhe format tjera të shprehjes artistike. E që të gjitha këto janë krijuar dhe ndodhin jashtë hapësirave të rrjetit internetik.
Komunikimi nëpërmjet shqisës optike me një tekst apo objekt tjetër të prezentuar si art në ekran është njëri nga shkaktarët e parë për krijimin e lidhjes me recipientin: se a do ta mbyll ai menjëherë web-faqen apo do të gjej kënaqësi për të mbetur aty. (Gjithashtu një proces i rrezikshëm: ka mundësi që recepienti të magjepset me bukuritë dizajnore të WEBArtit dhe në vend atë e konsideron tekstin si dekorim përplotësues). E këtu, në këtë kontekst, shohim madje ekzistencën dhe rolin estetik që ka i ashtuquajturi WEBArt: prezentimin e produksionit intelektual në formën sa më të bukur që është e mundur.
Teoritë dhe diskutimet rreth «karakterit të këtij lloj “arti” të ri» (në plan universal) janë në fazën e paragjykimeve dhe hipotezave, pra në nivelin e diskutimeve të kahmotshme: «pasi kemi art të të gatuarit, pse të mos kemi edhe tv-artin, video-artin, artin e të thithurit të... duhanit...etj», domethënë përpjekja rreth përdefinimit të fenomeneve kulturore e tekonologjike vazhdon dhe nuk do të përfundojë edhe për një kohë të gjatë. Varrësisht nga këndvështrimi se si një individ ose institut i caktuar (që merren me shkencat adekuate) e konceptojnë nocionin «Art».

7. Kualiteti dhe kuantiteti
Në internet mund të publikoj çdokush tekste. Çdonjëri mund ta quaj veten autor, poet, shkrimtar e kështu me rradhë. Përveç lexuesit (vizituesit) askush nuk bën vlerësim apo zgjedhje kualitative të teksteve të shkronjësit. Kjo gjendje natyrisht që ndikon mjaftë në vlerën e asaj Letërsie që ndeshim në www. Edhe njëherë: duhet një këmbëngulësi dhe durim gjatë gjuetisë pas autorëve të rinj me vlera të konsoliduara artistike. Ata që i njohim s’kemi nevojë tu ngarrendim pas. Autorët e etabluar hapësirën internetike e përdorin vetëm si edhe një medium përplotësues e jo më shumë.
Ndër autorët e prezentuar me web-faqet e veta ose me nënfaqe gjenden «krijues» që falë internetit ia kanë dalur më në fund të publikohen diku. Nuk mungojnë as ata që depërtimin e tyre e kanë provuar me mediume tjera (libra) e me gjithë numrin e shumtë të botimeve s’kanë arritur të shpërthejnë e të dalin nga qelia e anonimitetit. Këtyre dy kategorive as interneti (si formë vetmenaxhimi për famëzim), as dizajni, as dekorimi e ilustrimi nuk iu ndihmon të ngjiten në ato shkallët e «namit» që e kanë si synim e ëndërr.

8. Konkluzione
Është e vërtetë se me shfaqjen e internetit ka ndodhur një ndryshim i madh sa i përket sasisë, numrit të emrave që vërdallen e djersiten oborit të Letërsisë, ashtu siç është e vërtetë se cilësia, në vija të përgjithshme është po ajo e njejta siç e kemi pasur edhe pa internet (me ndonjë përjashtim spontan).
Do të ishte gati absurde të besonim se internetizimi do të ndikojë në procesin e krijimit të artit, do të ndryshojë konceptet mbi të ose do t’i japë formë më të këndshme përjetimi; poezisë, prozës apo ndonjë gjinie tjetër letrare. Kreatorët e www-së as që kanë dhënë sinjalin më të imët të një pretendimi të tillë. Qëllimi i tyre ka qenë dhe është i qartë: botës letrare e intelektuale interneti i bën një shërbim të madh duke i dhënë një mekanizëm të pazevëndësueshëm informativ për të centralizuar linket e autorëve të ndryshëm në një vend, të bëjnë katalogizmin e veprave si dhe komentimin dhe vlerësimin e tyre me qëllim që lexuesit t’i jepet një orientim sa më efikas rreth asaj që ndodhë brenda Letërsisë dhe Arteve në përgjithësi. Një aksion që tek shqiptarët është ende në pubërtet, ose më saktë: në fazën e foshnjërisë.

Letërsia shqiptare nuk ndeshet me një formë të re krijuese! Elementet si: eliminimi i kriterieve të publikimit, plasimi digital, komunikimi virtual (leximi dhe krijimi i tekstit në ekran) me tekstin letrar, dekorimi grafik i web-it, mundësit e manovrimit nga një pjesë në tjetrën të tekstit (hiperteksti) nuk janë komponentë që ndikojnë në vlerat artistike të Letërsisë. Ashtu siç nuk kanë ndikuar as në letërsitë tjera me gjithë eksperimenetet e tyre (që për shmebull mund të përmendim nismat e ndryshme hiperfiktive të autorëve gjermanë e amerikanë për të krijuar një roman ku shkruanin 14 autorë së bashku dhe atë me intervenimet dhe sugjerimet e lexuesve, një aksion që përfundoi në një sallatë stilistike, gjuhësore e përmbajtësore...pra mbrriti aty ku edhe mendohej të vijë – në hiç). Vetëm distribuimi i lajmit mbi shtimin edhe të një emri në listën e shkronjësve nuk sjell automatikisht edhe afirmimin e tij, gjithçka çka mund të dal nga prezenca e informacionit është ballafaqimi, i cili, sipas përvojës më shumë përfundon në zhgënjim se sa në «zbulim» të këndshëm.
Teknika kompjuteristike deri në përsosmërinë e saj më të robotizuar do të mbetet në kufinjtë e aftësisë së kolaborimit, kombinimit, distribuimit dhe sistemimit dhe nuk do të mundet asnjëherë të zevëndësojë burrimin themelor nga del arti – frymën humane! Poezia, proza, drama, e gjithçka tjetër letrare, janë arte që dalin ekskluzivisht vetëm nga ajo frymë. Ky është ligj që s’besoj të ndryshohet ndonjëherë. Dhe mos u ndryshoftë kurrë!

Flori Bruqi