Flori - Press

Mire se vini ne faqen tone virtuale "Flori-Press" te moderuar nga stafi redaktues Flori Bruqi, Engjell Shehu,etj.

e martë, shtator 19, 2006

Bajram Sefaj

Bajram Sefaj: «Parisi kot», roman, botoi «Rilindja», Prishtinë

«Parisi kot» është një tregim ngushëllues universal për gjithë ata që kanë braktisur padëshirë vendin e tyre. Për ata që janë «çrrënjosur» nga epiqendra e jetës së tyre, siç del Kosova në këtë rast, kur lexojmë romanin e Bajram Sefajt.

Romani «Parisi kot» i Bajram Sefajt, shkrimtarit kosovar me banim në Francë, degëzohet në dy drejtime paralele rrëfimi; në atë të përjetimit personal gjatë emigrimit, shtegtimit nëpër vende e kultura të huaja dhe përshkrimit të gjendjes shpirtërore, sociale e fizike të migracionit shqiptar në Perëndim.
Skenat figurative, meditimet dhe përshkrimi i situatave me një sinqeritet deri në pakufi e bëjnë udhëshkrimin të gjallë dhe të kapshëm jo vetëm për recipientin që është konfrontuar personalisht me fenomenin e ekzodit, por edhe për atë që s’ka qenë i detyruar të ndeshet me një «traumë» të tillë gjatë jetës.
Bajram Sefaj rrëfen bukur, lehtë, qartë dhe harmonishëm. Pa stres. Me frymë të balancuar. Çelësi i këtij suksesi sigurisht se qëndron edhe në stërvitjen e disciplinuar e të skalitur shpirtërore të autorit (ky është libri i gjashtë i tij në prozë) që i bën ballë hovshmërisë gjatë krijimit, mirëpo tiparet karakteristike që më së shumti ndikojnë në cilësinë e prozës së autorit janë: Amplifikimet e suksesshme, zbehja e qëllimshme e intensitetit traumatik nëpërmjet sarkazmës dhe humorit, fjalitë e përmbyllura në aspektin sintaksor (epifrazat – të cilat u japin mendimeve karakter finalizues), përdorimi i qëllimshëm dhe fragmentar i epikës së vargëzuar (virgjiliane për nga forma) në favor të vallëzimit ndiesor gjatë leximit si dhe integrimi i dozuar (por i hapët) i segmentit erotik.

Elia biblik dhe Ndreci nga Prishtina
Ndreci mezi siguron biletën nga një biznismen mashtrues (kush të jetë vallë ky?) për t’ia mësyrë botës. E ndodhë që ai të udhëtoj pikërisht në ditën e varrimit të motrës së tij. Asociimi i këtyre dy «rastësive» brenda një kohe, një dite, ia përcaktojnë pothuaj ngjyrën rrëfimit prej fillimit e deri në fund, duke i dhënë dramës, veprës, një titull krejtësisht tjetër: «Udhëvarrimi»!
Po si Elia i Paulo Coelhos edhe Ndreci i Bajram Sefajt që nga momenti i parë i daljes jashtë territorit të vendit të tij fillon luftën shpirtërore e psikike me dëshirën e dhunshme të kthimit. Dashuria e flakshme që i dhurohet nga gruaja e tij parandarjes, termini i varrimit të motrës, dhimbja për t’u ndarë nga Kosova, frika nga të panjohurat që e presin vendeve të huaja janë «lugetërit» që i vërtiten përreth dhe ia bëjnë udhën vertet si një korridor që çon drejt Hadit. Megjithatë Ndreci nuk ec prapa. Nga Prishtina në Sofje, përmbi Rumani e alpe të panjohura aterron në Mastrich. Ec nëpër Belgjikë e Luksemburg për të përfunduar në Parisin – qendrën e kulturës oksidentale, siç e njeh ai nga bisedat tavolinave të kafeterive prishtinase apo nga librat që ka lexuar. Dhe ja Ndreci, ish – gazetari i mediumeve kryesore të vendit të vet kah po endet po atyre rrugëve kah ka ecur Balzaku në gjueti pas ndonjë aristokrati truthatë për t’ia tharë kuletën.
Ndrecit nuk i mbetet shumë kohë për t’u përballur me realitetin: bën dashuri me shtretërit e klubeve të shqiptarëve ku para tij kanë fjetur zonjat e estradës shqiptare; në vend të endjeve nëpër shkallët e Louvre –it ai baltoset rrugicave të lagjeve që gjenden nën pushtetin e dilerëve, prostitutave, pedofilëve, bashkëvendësve agresivë «që tallin përditë» Katarjen (Kadarenë). «Eskurzione» që s’kanë se si përfundojnë ndryshe përveç se me ndonjë arrestim nga ana e policisë parisiene. Emigrantit Ndreci kurbeti i shfaqet nga ana më e poshtër e tij. Ai urren çdo gjë nga bota së cilës s’ia njeh gjuhën: emrat e qyteteve, qentë dhe laviret plaka që i heqin pas...ai urren veten dhe fillon të mendoj për vetevrasjen, fillon të jetojë «qençe». Nis të shkruaj duke bërtitur «Rroftë tirania për të shkëlqyer letërsia». U jep personazhëve të hanë çorbë të ftohtë dhe sa më shumë nikotinë e verë të prishur deri sa të plasin, të fryhen e të shporen në lumin Sena.

Modestia dhe Uni
Po a pëlcasin personazhët fiktivë? Jo, sikur të ishin të tillë, pra fiktivë. Romani është realist. Ndreci është Bajram Sefaj, i gjatë 1.64 cm, ish – gazetar i RTP, shkrimtar dhe emigrant në Francë. Kjo është edhe arsyeja që jorrallë Bjaram Sefaj bie në konflikt me Ndrecin gjatë ligjërimit, flet në emër të tij për «...popullin tonë...shkrimtari ynë....ne...» e të ngjajshme. Domethënë e humbë distancën me personazhin e tij, duke irituar lexuesin për të mos e ditur se kush – në momente të caktuara - është duke folur, ndier e menduar në atë mënyrë? Se Ndreci ikë nga skena kur Bajram Sefaj fillon të ligjërojë tezat paushale të tipit «...pjesa më e madhe nga këta veprimtarë të vetëquajtur, ishin bashkëpuntorë të shërbimeve sekrete të ambasadave dhe të organizmave të ngjajshme» duket sheshazi.
Bjaram Sefaj në «Parisi kot» është më modest se sa i lejohet një narratori dhe është poaq i pamëshirshëm ndaj vetes sa edhe ndaj atyre «spiunëve» të shumtë që ia zënë frymëmarrjen nëpër diasporë. Përkulshëm krijon skena për shkrimtarë e poetë (me emra realë) që sillen Parisit po si Ndreci. Ky si një «shkrimtar i vogël» i «parëndësishëm» ka fatin të zhvillojë biseda e të bashkëkuvendojë me njerëz të mëdhej si Kadare, Mustafaj e të tjerë. Nga njëra anë ai e transformon prozën vende-vende në një reportazh gazetaresk dhe nga ana tjetër ia zbeh intensitetin Unit, veçanarisht për shkak të faktit se romani është autobiografik. Jo për arsye se Bajram Sefaj na qenka «më i madh ose më i vogël» se të përmendurit, porse dëmton integritetin e Ndrecit fiktiv megjithatë me kulturë dhe intelektualitet për respekt dhe e katapulton atë në një figurë statike që s’e di se pse gjendet në këtë botë .
Prapëseprapë rrëshqitjet e këtilla nuk dobësojnë kontinuitetin e nivelit artistik si tërrësi (deri te «postscriptumit» i instaluar kot) në roman, sepse janë të pakta dhe gëlltiten disi.

Rëndësia e origjinës dhe identitetit
Ndreci ka një mesazh për atë botën tjetër, për atë që ka ndejtur në tokë të vet: që mos të lejohet më «braktisja e vendlindjes në ditën e varrimit dhe të kthehet në ditën e vdekjes». Ëndër e çdo migranti të lidhur ngushtë me vendin e tij të origjinës (kjo dallon nga kombi në komb). Ndreci vdes me shpresën se hirin që ia hudhin në lumin Sena, një ditë, një herë, nëpërmjet valëve të tij të puqet me ujërat që do të lagin tokën e atdheut të tij dhe kështu grimcat e hiut, copëzat e qenies së tij do të kthehen po aty prej ku kanë dalur. Imazh prekës, therrës. Bajram Sefaj e dashuron aq fanatikisht Kosovën e tij saqë: «njeriu as i vdekur nuk duhet mbetur jashtë atdheut të tij». Kjo është simbolika. Ajo që Sefaj nëpërmjet prozës së tij don të arrijë është efekti tek lexuesi, vetëdijësimin e tij për rëndësin e identitetit, qëndrimin në rrënjë, pra mosasimilimin.
Është fakt se pas leximit të librit të Sefajt ndjenjat ndaj atdheut – vendit të lindjes, në këtë rast Kosovës marrin një formë më stabile, më të fortë.

Ep për ekzodin
Për letërsinë (me temë) e ekzilit romani «Parisi kot» është një lektyrë e mirëpritur dhe e rëndësishme. Pasi tema e ekzilit shqiptar ende nuk është lëvruar si duhet në prozën shqipe dhe pasi që është tepër aktuale (siç ka qenë gjithmonë) botimi i veprave të mirëfillta letrare si kjo e shkrimtarit Bajram Sefaj luajnë një rol konstruktiv në njohjen e fenomenit të emigrimit. Pra, kush do që të ndjej më përsëafërmi dhe të kuptoj drejtë botën shpirtërore e psikike të emigrantit, kushtet, dramat dhe traumat e qenies së mërguar, romani «Parisi kot» është një pasqyrë dhe një vepër që mundëson depërtimin e thellë në atë botë, nëse jo më shumë atëherë në botën e një shkrimtari të suksesshëm siç është Bajram Sefaj.
E para së gjithash: «Parisi kot» është një tregim ngushëllues për gjithë ata që kanë braktisur padëshirë vendin e tyre, për ata që janë «çrrënjosur» nga epiqendra e jetës së tyre, siç del Kosova në këtë rast kur lexojmë romanin e Bajram Sefajt.
Flori Bruqi