Flori - Press

Mire se vini ne faqen tone virtuale "Flori-Press" te moderuar nga stafi redaktues Flori Bruqi, Engjell Shehu,etj.

e premte, gusht 18, 2006

Shendetesia shqiptare ne peshoje

Në QKU rritet numri i pacientëve të infektuar me meningjit

Që nga paraqitja e virusit të meningjitit e deri më sot në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike e Universitare janë hospitalizuar gjithsej 372 pacientë. Dje në këtë klinikë janë shtruar 18 pacientë, ndërsa sot, deri në mesditë edhe 6 të tjerë. Kështu bëri me dije Prof. dr. Muharrem Bajrami, drejtor i Klinikës Infektive, në mbledhjen e rregullt me gazetarë. Ai pohoi se numri i pacientëve, nga dita në ditë është duke u shtuar, por kjo klinikë, tash për tash, është mirë e furnizuar me barëra.

Flori Bruqi



Ofertën e kryetarit të Serbisë, Boris Tadiq, për ndihmë në medikamente dhe personel mjekësor nga Serbia, Prof.dr. Muharem Bajrami nuk deshi ta komentojë, duke theksuar se kjo klinikë ka mjaft barëra dhe ekip profesional mjekësor dhe shkencore.

Flori Bruqi



Gjirokastër, probleme me shëndetin, në spital 25 emigrantë






Disa nga emigrantët që kanë ardhur në vendin e tyre për pushime duket se nuk i ka prirë për mbarë klima, pasi u është dashur që për më shumë se një herë të marrim mjekime në qendra shëndetësore. Kështu, një numër i madh personash janë paraqitur në pavijonin infektiv të spitalit rajonal “Omer Nishani”, të Gjirokastrës me diarre, të vjella dhe helmim. Mes pacientëve, numrin më të madh e zënë emigrantët shqiptarë që janë kthyer për pushime në qytetet jugore. Mjekët specialistë pohojnë se këto simptoma janë karakteristike të kësaj stine dhe vijnë nga konsumimi i ushqimeve të pakontrolluara ose të prishura. Mjeku infeksionit, Adrian Misha, thotë se “ka një numër të madh pacientësh të shtruar ditët e fundit me helmim, veçanërisht emigrantë. Arsyeja kryesore e prekjes së kësaj kategorie është ndryshimi i ambientit dhe i ushqimeve që konsumojnë”. Në këtë repart janë të shtruar 25 persona me helmim, ndërsa në urgjencë paraqitet një numër më i madh personash në gjendje më të lehtë. Sipas Mishës, pas marrjes së ndihmës së parë ata largohen dhe këshillohen që për 3-4 ditë të mos konsumojnë ushqime që mund të provokojnë sërish helmim. Temperaturat e larta të ditëve të fundit dhe ngrënia e ushqimeve që nuk mbahen në kushte frigoriferike janë shkaqet kryesore të helmimeve. Për më tepër, sipas specialistëve, në këtë periudhë imuniteti i trupit ka rënie të ndjeshme si pasojë e vapës.Në këtë repart, gjatë kësaj periudhe ka një rënie të theksuar të të sëmurëve me sëmundje të transmetueshme nga kafshët te njerëzit si militenca dhe plasja. “Janë vetëm 5 persona të shtruar me militencë dhe gjatë gjithë verës kemi pasur 5 raste të të prekurve nga plasja”, vijon mjeku infeksionist. Sipas tij, këtë verë, si pasojë e kujdesit të treguar dhe vaksinimit në bagëti ka pasur më pak të prekur nga këto sëmundje. Por problematike mbeten zonat e thella të rajonit jugor, ku mungon kujdesi dhe kontrolli ndaj bagëtive. Kjo është arsyeja që të gjithë pacientët vijnë nga këto krahina.

Flori Bruqi

Bill Gates dhe Bill Clinton në konferencën e SIDA-s në Toronto




"SIDA është një konflikt i vazhdueshëm për njerëzit dhe për njerëzimin", kështu shprehet ministrja gjermane e zhvillimit Viecorek-Zeul e SPD-së, e cila merr pjesë në konferencën më të madhe të SIDA-s në Toronto

Shkencëtarë dhe ekspertë shkëmbejnë eksperiencat e tyre në konferencën pesë-ditore. Dy figura të njohura fondacionesh, Bill Gates dhe Bill Clinton shfrytëzojnë rastin të përforcojnë angazhimin etyre në luftën kundër SIDE-s.

Salla e qendrës së konferencave në Toronto ishte mbushur plot e përplot. Nuk kishte asnjë karrige të lirë. Në fund të fundit jo pa arësye. Në podium qëndronin jo vetëm dy figura të njohura në të gjithë botën, por njëkohësisht edhe dy njerëz të angazhuar në luftën kundër SIDA-s. Bill Gates dhe Bill Clintoni.

Këtë forum e shfrytëzojnë aktivistët për të sensibilizuar publikun me kërkesat e tyre: "Ne na duhen më shumë infermierë" bërtasin ata dhe gjejnë mbështetjen e ish-presidentit amerikan. Ai e quan luftën kundër SIDA-s si një nga problemet më urgjente në botë: "Ne nuk mund ta bashkojmë botën me gjithë diferencat që ka, nëse ne nuk fitojmë luftën kundër SIDA-s.", tha Bill Clinton.

Edhe Bill Gates i kushton një pjesë të mirë të punës së fondacionit të tij luftës kundër SIDA-s. Kjo sepse sëmundja e SIDA-s është një nga më të tmerrshmet, thotë themeluesi i Microsoftit: "Që nga momenti i infektimit të një të sëmuri deri në momentin e vdekjes, ai vuan, shpenzon kursimet e tij, rreziku që të infektojë partnerin e tij apo të saj është shpeshherë shumë i madh dhe e gjitha kjo ka sigurisht edhe ndikim tek fëmijët."

Gates angazhohet para së gjithash që të avancojë kërkimi shkencor në gjetjen e medikamenteve kundër SIDA-s si përshembull të ashtuquajturat Mikrobizidet. Mikrobizid është një lloj prezervativi, një lloj prezervativi kimik, që gratë mund ta përdorin si një unazë silikoni dhe që përbën kështu një barrierë kimike kundër SIDA-s.

Ky preparat po provohet ndërkohë dhe Bill Gates ka shpresa tek ai: "Në qoftë se ne do të kemi nje mjet ndihmës që mund ta përdorin gratë, gjë të cilën ne nuk e kemi momentalisht, atëhere do të ndryshonte përhapja e sëmundjes. Atëhere ne do të kishim vite ku në tërësi do të infektoheshin më pak njerëz."

Derisa një preparat i tillë të dalë në treg do të duhen akoma disa vite. Atëhere e ardhmja në kontinentin e Afrikës që është edhe kontinenti më i prekur nga SIDA, do të ishte në duart e grave. Deri tani ato nuk mund të mbrohen nga kontakti seksual i pambrojtur. Kjo sepse nga njëra anë atyre iu duhet të sigurojnë jetën e tyre dhe të fëmijëve të tyre dhe nga tjetër, sepse partnerët e tyre i ndryshojnë shpeshherë partneret e tyre dhe si rrjedhojë kjo është një mundësi më shumë për t´u infektuar pas modpërdorimit të prezervativit.

Edhe pse situata është shpeshherë mjaft dëshpëruese, Bill Clintoni ka shpresë në luftën kundër dobësimit të imunitetit: "Optimizmi im bazohet tek njerëzit. Nuk ka as mungesë idesh, as inteligjence, as ëndrrash dhe as përpjekjesh në ndonjë vend të botës, në asnjë vend. Ka vetëm mungësë investimesh, shansesh dhe sistemesh të cilat funksionojnë në varësi të njëra tjetrës."

Konferenza e SIDA-s në Toronto me 24 mijë pjesëmarrës, që është edhe konferenca më e madhe e mbajtur ndonje herë, tregon se nuk mungon angazhimi në luftën kundër kësaj sëmundje të tmershme.

Flori Bruqi



Tadiq i ofron Sejdiut ndihmë mjekësore në trajtimin e meningjitit




Presidenti i Serbisë, Boris Tadiq i ka ofruar presidentit të Kosovës,Prof.dr. Fatmir Sejdiu ndihmën mjekësore për banorët e Kosovës për shkak të paraqitjes së epidemisë së meningjitit.

Zyra për informim e presidentit serb, ka njoftuar se Tadiq përmes shefit të UNMMIK-ut Joahim Ryker, i ka ofruar presidentit të Kosovës ndihmë në barna, material sanitar dhe ndihmë të epidimiologëve
Flori Bruqi
Ne Shqiperi krijohet Bordi i Emergjencave Shëndetësore
Eglantina Bardhi

Nuk do të ketë më humbje jetësh të të aksidentuarve apo pacientëve gjatë rrugës për në spital, për shkak të mungesës në moment të ndihmës së specializuar mjekësore. Pikërisht pas tragjedisë me helikopterin ku udhëtonte Gramoz Pashko dhe pesë të tjerë, Ministria e Shëndetësisë ka vendosur të krijojë një program kombëtar emergjencash. Kështu, kreu i shëndetësisë, Cikuli, bëri të ditur dje se është krijuar Bordi i Emergjencave Shëndetësore, pasi aktualisht nuk ka sektor të emergjencave, por thjesht një transport të të sëmurëve. “Sektori i transportit duhet shndërruar në një sektor të mirëfilltë emergjencash”, - theksoi Cikuli.
Bordi i emergjencave
Mjekë të specializuar dhe minisalla operacioni brenda urgjencave për të mundësuar ndërhyrjet kirurgjikale në autoambulancë dhe në helikopter. Këtë synon të arrijë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë, Bordi i Emergjencave Shëndetësore, për t’u dhënë të aksidentuarve ndihmën e shpejtë në moment, duke evituar përkeqësimin e shëndetit të pacientëve. Kështu, qëllimi kryesor i këtij bordi është transferimi rrënjësor i shërbimit të emergjencave dhe traumës në vendin tonë. “Është një sektor shumë i rëndësishëm për ne dhe pacientët. Quajeni sëmundja e shekullit apo fatkeqësia e shekullit, por është një nga shkaktarët kryesorë të vdekjeve kudo në botë”, - tha Cikuli, duke pranuar se ndërhyrja në këtë pjesë të sistemit shëndetësor është e domosdoshme.
Projektet
Bordi i emergjencave, sipas ministrit Cikuli, do të hartojë një program kombëtar për traumën, me disa projekte. “Projekti kryesor konsiston në transformimin nga transporti i thjeshtë i të sëmurëve në asistencë mjekësore gjatë transportit si dhe pajisjen e helikopterëve apo autoambulancave me mjetet e duhura të asistencës”, - pohon Cikuli. Ky bord, përveç këtyre projekteve, shumë shpejt do të paraqesë edhe strukturën e funksionimit të shërbimit në vendin tonë. Përgatitja e deritanishme e mjekëve të urgjencave, sipas Cikulit, është bërë me trajnime të shkurtra, prandaj do të shihet mundësia në bashkëpunim dhe me Fakultetin e Mjekësisë dhe Ministrinë e Arsimit për krijimin e një departamenti të emergjencave që do të specializojë mjekët e ardhshëm të këtij sektori. Ndërkohë, kreu i shëndetësisë, Cikuli, bëri të ditur se disa nga këto projekte do t’i paraqesim në donatorë të ndryshëm. “Sot në këtë tryezë ndodhet përfaqësuesja e OBSH-së për Shqipërinë, znj. Devora Kestell, për një asistencë të mundshme për hartimin e programit”, - pohoi Cikuli.
Pjesëtarët e bordit
Deputetë, ish- ministra të Shëndetësisë dhe mjekë të njohur do të jenë anëtarë të Bordit të Emergjencave Shëndetësore. Bordi do të drejtohet nga zëvendësministri i Shëndetësisë, Arben Ivanaj, dhe në përbërje të tij ka edhe përfaqësues nga Ministria e Brendshme. Ndërsa anëtarë nderi të bordit ministri Cikuli ka zgjedhur Tritan Shehun dhe Leonard Solis, anëtarë të Komisionit të Shëndetësisë, por dhe ish-ministra, duke qenë për rrjedhojë edhe njohës të mirë të problemit. Ndërkohë, drejtuesi i bordit, zv. ministri Arben Ivanaj, u shpreh se programi duhet fokusuar edhe në parandalimin e traumave, masat për të cilat përfshijnë dhe dikastere të tjera. Ivanaj premtoi se drafti i strategjisë do të jetë shumë shpejt gati. Ndërsa ish-ministri Solis përshëndeti ministrin Cikuli për iniciativën. “Është një dorë e vënë mbi plagë. Ka një handikap, janë bërë hapa përpara, po nuk ka funksionuar sistemi si një zinxhir”, - tha Solis, duke shtuar se janë të gatshëm të bëjnë lobing në parlament për të mbështetur Bordin e Emergjencave Shëndetësore.

Cikuli: Shërbimi i traumave është i çorganizuar
Shekulli

Gabim dhe të çorganizuar e ka quajtur aktualisht kreu i shëndetësisë, Maksim Cikuli, shërbimin e traumës. “Gabimi nis me transferimin e shërbimit të traumës vetëm në Spitalin Ushtarak”, - thekson Cikuli, duke shtuar se bordi do të ndjekë paralelisht edhe risistemimin e shërbimit të traumës. Ndërkohë ai u shpreh se do të realizohet transferimi i një pjese të traumatologjisë në Qendrën Spitalore “Nënë Tereza”, ku do të shfrytëzohen të gjitha hapësirat dhe kapacitetet e mundshme, në mënyrë që të krijohet një program nacional. Aksidentet e shumta dhe numri i të vdekurve gjithnjë në rritje, për shkak të mungesë së ndihmës së specializuar mjekësore, e ka shtyrë ministrin Cikuli të marrë një iniciativë të tillë. “Ndërhyrja në këtë pjesë të sistemit shëndetësor është shumë e rëndësishme”, - theksoi Cikuli, duke shtuar se traumat po shndërrohen në një sëmundje të shekullit.
Sipas drejtorit të Spitalit Ushtarak, Begaj, ky spital nuk mund të presë traumat e të gjithë Shqipërisë
Begaj: Kishim rreth 28 mijë trauma vitin e kaluar
Shekulli

Plot 28 mijë trauma janë paraqitur në Spitalin Ushtarak gjatë vitit 2005. Këtë e bëri të ditur drejtori i Spitalit Ushtarak, Bajram Begaj, i cili theksoi se Qendra e Traumës, e vetmja në Shqipëri, nuk është në gjendje të presë fluksin e të aksidentuarve që vijnë gjithnjë në rritje. “Rreth 28 mijë urgjenca janë paraqitur në Spitalin Ushtarak. Por fatkeqësisht, jo të gjithë pacientët e paraqitur me trauma ia kanë hedhur, pasi statistikat dëshmojnë për 105 persona të vdekur vetëm vitin e shkuar”, - thotë Begaj, duke shtuar se në më shumë se 70 për qind e vdekjeve që ndodhin në Spitalin Ushtarak, janë për shkak të traumës. Të ndara sipas llojeve të dëmtimeve, në vend të parë, referuar statistikave, renditen traumat me dëmtime skeletike. Gjatë vitit të shkuar janë shënuar 899 raste të tilla e pas tyre vijnë dëmtimet faciale, me 896 shtrime vetëm gjatë 2005. “Duke vlerësuar statistikisht se përqindja më e madhe e të politraumatizuarve u takon popullatës civile, ngjashmëria e rasteve të traumatizuarve me ato të vërejtura në kohë lufte, bënë të besueshme që kjo strukturë të përfshihet në Spitalin Ushtarak”, - thotë Begaj. Ndërsa sa i takon mashave që janë pre e traumës, ai u shpreh se janë moshat aktive nga 15-45 vjeç. Kjo grupmoshë, shpjegoi ai, është e angazhuar me shumë aktivitete, ku në shumë raste bëhen burim aksidentesh, duke rritur vdekshmërinë e personave në moshë të re. Ndërkohë, aksidentet rrugore janë shkaku kryesor i traumave në vendin tonë, ku në shumë raste përfundojnë me vdekje. Por shkak tjetër janë edhe aksidentet në punë, për shkak të pasigurisë në vendet ku punohet. Megjithatë, kreu i Spitalit Ushtarak nuk la pa përmendur edhe rastet me plagosje, për shkak të konflikteve me armë zjarri, ku në këto raste problematika është më e mprehtë dhe e rrezikshme. Në repartin e kirurgjisë së traumës gjatë vitit të shkuar, janë bërë 1 248 ndërhyrje kirurgjikale, duke shpëtuar jetën e pacientëve…
Sipas toksikologut Sterio Karanxha pranë Spitalit Ushtarak të vetëhelmuarit me lëndë toksike janë në rritje
Vetëhelmimet, 10 raste çdo ditë në Spitalin Ushtarak
Karanxha: Shumica e të vetëhelmuarve janë adoleshentë. Ndërsa femrat përbëjnë 70 % të vetëhelmuarve
Eglantina Bardhi

Tragjike, por e vërtetë. Pothuajse çdo ditë paraqiten rreth 10 raste të vetëhelmuarish me lëndë të ndryshme toksike në urgjencën e pavijonit të Toksikologjisë pranë Spitalit Ushtarak në Tiranë. Sipas mjekut toksikolog, Sterio Karanxha, fatkeqësisht shumica e atyre që tentojnë t’i japin fund jetës me anë të vetëhelmimit janë adoleshentë. “ Është për të ardhur keq, por vitet e fundit fenomeni i vetëhelmimit po vjen gjithnjë në rritje”,- thekson toksikologu Karanxha. E ndërsa alarmi për vetëhelmimet është i madh përpjekjet maksimale të mjekëve të Spitalit Ushtarak për t’i shpëtuar, jo gjithmonë rezulton me sukses.
Moshat
Janë adoleshentët dhe saktësisht grupmosha 15 deri 18-vjeçarët që përdorin substanca nga më të ndryshmet për t’i dhënë fund jetës. “Më shumë se 60 për qind e të vetëhelmuarve që paraqiten në urgjencë janë adoleshentë”,- thotë mjeku Sterio Karanxha, duke shtuar se ky fenomen është vërtet tronditës për shoqërinë. Ndërsa sa i takon moshave më të rritura nga 20 deri në 35-vjeç, ai pohon se vetëhelmimet janë më të rralla. Megjithatë raste sporadike të vetëhelmuarish, sipas tij janë edhe moshat më të mëdha. “Rasti i fundit që kishim në gjendje shumë të rëndë ishte një i moshuar 70-vjeçar nga Lezha që kishte pirë një kokërr fostoksinë të tretur në ujë”,- thotë Karanxha. E ndërsa shifrat e të vetëhelmuarve në mosha të reja janë tragjike akoma më tronditëse janë të dhënat për seksin femër. Kështu ai pohon se rreth 70-përqind e rasteve që vetëhelmohen janë femra.
Shkaqet
Zhgënjime në dashuri, grindjet e vazhdushme të prindërve dhe papunësia janë shkaqet kryesore që dërgojnë të rinjtë në vendime ekstreme për jetën. “Shumë nga të rinjtë nuk e durojnë dot ndarjen mes tyre pas një lidhje dashurie dhe fatkeqësisht “zgjidhjen” e gjejnë tek vetëhelmimi”,- thotë mjeku Karanxha. Po aq fuqishëm mbi psikologjinë e të rinjve sipas tij ndikojnë edhe divorcet e prindërve dhe mosmarrveshjet e vazhdueshme mes tyre, të cilat i nxisin ata drejt një rruge krejtësisht të gabuar. Ndërsa sa i takon rasteve të vetëhelmuarve tek moshat e rritura, toksikologu, pohon se në shumicën e rasteve është papunësia dhe varfëria që i shtyn të marrin të tilla vendime. “Këta njerëz në përgjithësi nuk shikojnë asnjë perspektivë për të ardhmen ndaj dhe vetëhelmohen”,- thotë Sterio Karanxha, duke shtuar se pesimizmi i theksuar dërgon në veprime të skajshme.
Substancat e vetëhelmimit
Janë nga më të ndryshmet. Fillojnë me gëlltitje medikamentesh me sasira të mëdha, detergjente larëse dhe deri tek më kritikja fostoksina. “Na janë paraqitur raste nga më të nrdyshmet, si gëlltitje me grushta barnash, si edhe overdoza”,-thekson Karanxha. Por sipas tij konsumimi i substancave të tilla, duke u kapur në kohë nga mjekët nuk është se rrezikon në mënyrë serioze jetën. Alarmi dhe tragjedia sipas toksikologut qëndron kryesisht tek fostoksina, sidomos kur nuk tretet në ujë, substancë që përdoret shpesh për vetëhelmim. “Edhe një gjysëm kokrre fotoksinë rrezikon seriozisht jetën. Ndërsa një kokërr fostoksinë në shumicën e rasteve dërgon shumë shpejt drejt një vdekjeje të sigurtë”,-thotë ai, duke shtuar se personat që vendosnin ta tresin në ujë kanë më shumë shanse për të jetuar, pasi duke e përzier i del lënda aktive që shkakton vdekjen. Problemi i fostoksinës, sipas mjekut, qëndron edhe në faktin që është një kimikat që nuk ka antidot specifik për këtë lloj helmi. Pikërisht për këtë ai thekson se duhet të merren masa që këtë kimikat të mos e shesin njerëz të paautorizuar, por vetëm nga ata që dinë efektet dhe përdorimin e saj. “Nuk mund të shitet fostoksina gjithandej sikur të ishin karamele dhe në asnjë mënyrë nuk duhet të mbahet në shtëpi”,- theksoi Sterio Karanxha.

60 për qind e të vetëhelmuarve janë nga grupmosha 15 deri në 18-vjeç

70 për qind e të vetëhelmuarve me lëndë të ndryshme janë femra

8 për qind llogaritet sipas toksikologëve vdekshëmria si pasojë e vetëhelmimeve


Mjeku Karanxha shpjegon se kur gjendja e tyre shëndetësore rëndohet kërkojnë ndihmë për shpëtim

Të vetëhelmuarit, kërkojnë ndihmë kur janë afër vdekjes

Vendosin t’i japin fund jetës, por kur shohin vdekjen me sy pendohen rëndë për atë që kanë bërë. Toksikologu Sterio Karanxha tha se të vetëhelmuarit në momentin që ndihen shumë rëndë nga helmimi që vepron në organizmin e tyre kërkojnë ndihmë. “Të lutem doktor më shpëto nuk dua të vdes”,- kjo është në përgjithësi sipas Karanxhës fjalia me të cilën këta pacientë i drejtohen mjekëve. Vetëm në ato momente, shton ai kërkojnë të jetojnë përsëri, por për fat të keq për disa është shumë vonë, pasi helmimi ka arritur faza ku nuk mund të bëhet asgjë për ta. “Janë momente shumë të vështira për çdo toksikolog dhe përpjekjet tonë për shpëtim në këto raste janë në maksimum. Fatkeqësisht jo të gjithë mundin të mbijetojnë”,- pohon ai duke shtuar se numri gjithnjë në rritje i rasteve të tilla është shumë tronditëse.

Sipas meteorologes Elvira Dhimitri, temperaturat të shtunën dhe të dielën do të arrijnë 37 gradë celsius
Fundjava, temperaturat e larta “pushtojnë” vendin
Eglantina Bardhi

Temperaturat e larta do të “pushtojnë” vendin tonë në fundjavë. Shkak do të jenë masat ajrore të nxehta që do të vijnë nga Afrika. Këtë e bëri të ditur meteorologia pranë Shërbimit Meteorologjik të Forcave Ajrore, Elvira Dhimitri, e cila pohoi se gjatë ditës së sotme koha do të jetë e qëndrueshme. Ndërkohë, shifra alarmante deri në 41 apo 42 gradë celsius shfaqen në sajtet më të njohura të parashikimit të motit në botë, ku, sipas tyre, këto vlera do të arrihen në fundjavë edhe në vendin tonë. Ndërkohë, mjekët këshillojnë të tregohen të kujdesshëm ndaj temperaturave të larta, pasi pasojat janë të rënda, sidomos te fëmijët dhe tek të moshuarit.
Vapa
“Maksimumi i temperaturave të larta parashikohen të shtunën dhe të dielën, ku temperaturat mendohet të arrijnë deri në 37-38 gradë celsius në rajonin tonë”, - thotë Elvira Dhimitri. Sipas saj, gradualisht drejt Gadishullit të Ballkanit po afrohen masa ajrore të nxehta nga kontinenti afrikan. Këtyre masave ajrore padyshim që nuk do t’u shpëtojë edhe vendi ynë, i cili do të përfshihet në vorbullën e nxehtë të ditëve të gushtit. Ndërsa era, sipas Elvira Dhimitrit, do të jetë veriperëndimore me shpejtësi lëvizëse 2 deri në 9 metra në sekondë, ku më e theksuar do të jetë në zonat bregdetare në mesditë. Ndërkohë, qytetet ku dje janë shënuar temperaturat më të larta, është qyteti i Tiranës, Durrësit, Elbasanit dhe Kuçovës, ku temperaturat maksimale kanë arritur 34 gradë celsius.
Java tjetër
Lajm i mirë për javën në vazhdim, pasi temperaturat e larta do të pësojnë rënie. Elvira Dhimitri tha se mendohet se temperaturat në fundjavë do të jenë temperaturat më të larta për muajin gusht. “Më pas tendenca e temperaturave të larta do të vijë në zbritje nga dita e martë dhe më pas”, - theksoi Dhimitri, duke shtuar se kjo zbritje do të jetë graduale nga 1 deri në 2 ose 3 gradë celsius. Kështu, së bashku me gushtin mendohet të ikë edhe vapa që këtë verë i ka munduar shumë shqiptarët.
Mjekët
Temperaturat e larta, sipas mjekëve, sjellin shumë shqetësime, sidomos te moshat e vogla. Humbje e lëngjeve të trupit, diarre, të vjella dhe temperaturë të lartë. Këto janë disa nga shqetësimet që kanë sjellë temperaturat te fëmijët. “Vapa ka një ndikim shumë negativ në organizmin e fëmijës dhe kjo është e theksuar sidomos te moshat e vogla”, - thotë mjekja pediatre Luljeta Kota. Duke ndenjur në temperatura të larta, fëmija djersin dhe humbet lëngjet. Humbje që në rastin e fëmijëve, sjell më shumë probleme se tek të rriturit. Nëse një i rritur, sipas Kotas, djersin një për qind të lëngjeve, një fëmijë djersin rreth 10 për qind të lëngjeve. “Vapa te fëmijët ka shkaktuar temperaturë të lartë që është shenjë e dehidrimit, pra të mungesës së lëngjeve”, - thekson Kota. Por jo vetëm kaq, vapa te fëmijët ka shkaktuar edhe gjendje axhitimi të sistemit nervor. Ka pasur edhe shumë fëmijë me diarre dhe të vjella, ku shkak kryesor kanë qenë ushqimet e konsumuara që nuk janë në higjienën e pranueshme.
Këshilla
Larg ambienteve ku bën korrent, larg daljes jashtë në orare të papërshtatshme dhe kujdes me higjienën. Këto janë këshillat e mjekes pediatre, drejtuar të gjithë prindërve. “Fëmijët nuk duhet të rrinë në ambiente ku fryn erë, lëviz ajri me ventilator apo kondicioner, por temperaturat duhet të mbahen në shifrat optimale që janë 26-27-28 gradë”, - këshillon ajo, duke shtuar se shtëpia duhet të ketë temperaturë konstante e jo të ketë ndryshime nga njëra dhomë në dhomën tjetër. Të gjitha këto shoqërohen me këshillën për konsumim të shumë lëngjeve. Sa i përket plazhit, sipas mjekes, fëmijëve nuk i lejohet qëndrimi në diell pas orës 12.
Sipas specialistëve rrezja e veprimit të merimangës së zezë është zgjeruar. Shfaqet edhe në shtëpi
Merimanga e zezë, për herë të parë edhe në Pukë
Samilie Hysenaj: Isha duke bërë punë brenda në shtëpi kur më pickoi merimanga e zezë
Eglantina Bardhi

Merimanga e zezë është shfaqur për të parën herë në Pukë, ku ka shënuar edhe “viktimën” e parë. Këtë radhë brenda ambientit të shtëpisë, dhe jo si zakonisht në arë. Pre e helmit të saj është bërë 38-vjeçarja Samilie Hysenaj, e cila ndodhet e shtruar në Spitalin Ushtarak në Tiranë prej 2 ditësh. Vetë specialistët bëjnë të ditur se rrezja e veprimit të merimangës së zezë është zgjeruar, jo vetëm në zonat ku mendohej të ishte vatra e saj si Kavaja dhe Fieri, por tashmë edhe Puka. “Në zonën time nuk ishte dëgjuar ndonjëherë që merimanga e zezë të pickonte. Fatkeqësisht kësaj radhe, viktimë isha unë,”- thotë Samilie Hysenaj. Ndërkohë mjekët pohojnë se vetëm ditën e djeshme së bashku me Samilien është paraqitur edhe një rast tjetër i pickuar nga merimanga e zezë, nga Kavaja.
Merimanga, tani brenda shtëpisë
Jo vetëm në ara, si ndodh zakonisht, por edhe në ambientet e brendshme ka filluar të sulmojë vejusha e zezë. “Isha duke pastruar brenda në shtëpi kur ndjeva pickimin e merimangës. Në fillim mendova se merimangat ndodhen vetëm në ara, por fillova të dyshoj se ajo ishte merimanga e zezë,”- thotë pacientja Samilie Hysenaj. Megjithëse shtëpia e saj nuk është në fshat, vejusha helmuese ka filluar të zgjerojë terren edhe në qytet. Është gjendur krejtësisht e befasuar dhe e papërgatitur, megjithatë Samilia pohon se pickimi i saj i kishte lënë të kuptonte se nuk ishte merimangë e zakonshme. Kjo, sepse shenjat menjëherë pas pickimit ishin të menjëhershme dhe dhembja ndryshe nga ndonjë merimangë e zakonshme. Si thotë edhe vetë, kishte dëgjuar shumë për të por mendonte se duke mos pasur asnjë kontakt me punët e fushës, ishte e mbrojtur. “Ishin orët e para të paradites, kur unë po bëja punët e shtëpisë si zakonisht dhe ndjeva një pickim në dorë. Pastaj, menjëherë e pashë që ishte merimangë,”- tregon ajo, duke shtuar se menjëherë ndjeu mpirje të krahut dhe tharje të gojës. Kanë qenë pikërisht shqetësimet e para shëndetësore që e kanë detyruar atë të kërkojë ndihmë mjeksore. Pas pickimit mendja i ka shkuar menjëherë tek dy fëmijët që ishin brenda në shtëpi, të cilët për fat të mirë kishin shpëtuar.
Mjekimi
Ka qënë ndihma e shpejtë mjeksore që i ka shpëtuar jetën. Mjekët e Pukës i kanë dhënë ndihmën të parët, pastaj kanë vendosur ta dërgojnë në Spitalin Ushtarak për mjekim më të specializuar. “Kam pasur dhembje të padurushme. Isha shumë e frikësuar, sepse kam dëgjuar se nga pickimi i merimangës së zezë kanë vdekur njerëz,”- thotë ajo. Ndërsa tani, Samilia pohon se ndihet më mirë, megjithëse mjekët ende nuk kanë vendosur që të dalë nga spitali. Ndërkohë mjekët pohojnë se gjendja shëndetësore e saj dhe e pacientes nga Kavaja është e mirë, ndonëse e kanë të domosdoshëm trajtimin edhe për disa ditë.


Sipas mjekëve pickimi i merimangës së zezë nuk duhet neglishuar. Pasojat janë të rënda

Mjekët, ja cilat janë shenjat e pickimit të merimangës së zezë

Pasoja shumë serioze, deri në rrezik të sigurtë për jetën. Kështu shprehen mjekët për atë që sjell pickimi i merimangës së zezë. Madje helmin e saj ata e konsiderojnë vdekjeprurës, nëse nuk merren masa të menjëhershme për kurim. Ata shpjegojnë se njerëzit duhet të paraqiten menjëherë për ndihmë mjekësore sapo të vënë re shenjat e para të pickimit. Këto shenja janë mpirje e gjymtyrëve, dridhje të trupit, dhimbje barku, dobësi dhe humbje e kontrollit. “Pickimi i merimangës, këto shenja i jep në pak minuta, ndaj dhe veprimi i saj mbi organizmin e njeriut është shumë i shpejtë. Si rrjedhojë, nuk duhet neglizhuar asnjë sekondë, sepse pasojat janë të rënda,”- theksojnë mjekët. Sa i takon hartës së veprimit të merimangës së zezë speciliststët pohojnë se jo vetëm arat dhe fshatrat janë të rrezikuara, por merimanga mund të jetë e pranishme edhe në vende të tjera.


2 persona kanë vdekur nga pickimi i merimangës së zezë gjatë këtij viti

24 është numri i pacientëve që janë shtruar në spitalin Ushtarak nga merimanga e zezë

100 doza antihelm për pickimin e merimangës së zezë kanë mbërritur para disa ditësh

200 është numri i dozave antihelm që janë kërkuar për trajtimin e rasteve të pritshme