Flori - Press

Mire se vini ne faqen tone virtuale "Flori-Press" te moderuar nga stafi redaktues Flori Bruqi, Engjell Shehu,etj.

e diel, gusht 13, 2006

Minella Aleksi:Bashkëbisedim me Teodorin (leter)

Minella Aleksi:Bashkëbisedim me Teodorin
From: Minella Aleksi
To: minella60137@yahoo.com
Subject: teodori
Sent: Friday, August 11, 2006 5:48 PM
Bashkëbisedim me Teodorin
(Për dashamirët e verës dhe rakisë)

Minella Aleksi
minella60137@yahoo.com

E kisha mysafir Teodorin dhe për ta ngarë muhabetin vumë përpara nga një gotë verë, pavarësisht se ai dukej i gatëshëm për bisedë. Dukej sikur ishte nga ato ditët e veçanta kur njeriu do të thotë diçka që ka kohë që e bluan në mullirin e tij të mëndjes.
Ishte shpirt i lirë dhe model i qytetarit me sqimë, që na kënaq sa herë që e kemi mes nesh nën dritën e abazhurit duke lexuar, pasi dihet se është shpirti që gëzon dhe jo kamja që të zvetënon.
Mirëpo edhe unë kisha kohë që e mendoja dhe doja t’ia thoja një përshtypje shumë mbresëlënëse nga koha kur ai ishte zgjedhur nga populli si përfaqësues i një zone në Parlament.
Dhe atëhere kur ishte koha e turmave ai u ngjit në podium dhe mbajti një ligjëratë model të sarkazmës politike dhe humorit të hollë lidhur me punën vetmohuese të qeverisë Meksi në epokën e fajdeve.
I them Dorianit që na solle imazhin e Nolit në Parlament, kur ligjëronte për deputetët halldupë.
Dhe Teodori duke buzëqeshur fillon të shtjellojë idenë e tij: - Unë i dashur mik ia qava shumë hallin kryeqeveritarit Meksi në atë kohë, sepse atij i kishin dhënë një këmborë varur në qafë, por që shumë shpejt ia xhvati Njëshi, që kishte vulën e shtetit në dorë dhe që i donte të dyja edhe vulën edhe këmborën.
Kështu që Meksi i dashur mik, edhe atë vegël që kish për të tundur e humbi me dëshirën dhe vullnetin e tij dhe ne këtyre lloj vegjetuesish pa këtë vegël administruese u themi dash pa këmborë. Them e la me vullnetin e tij, sepse edhe kur kish rast që të shqelmonte Atë të vulës, jo vetëm që nuk e bëri, por u fut në tufë me delet dhe u bë as dele as dash.
Dhe vazhdon mysafiri – prita ca kohë që të shihja ç’do bënte Vulë dhe Këmborë mbajtësi më pas dhe do ti që pas shumë zallamohish me kopenë dhe grupin e çobenëve, pas një shtrëngate politike dhe tërbimi të grigjës, nuk ndjehej asnjë i zoti që të merrte përsipër dhe të ngarkonte në shpinë Vulën dhe Këmborën bashkë, me pwrjashtim tw njwrit qw iu çfaq imazhi hyjnor kur ishte duke mbushur verw nga buti i madhwshtisw.
Këtu Teodori bie në të thella dhe pas një heshtje domethënëse të shoqëruar me një gllënjkë verë, më drejtohet me një zë të qetë: Unë mendoj se e njoh disi jetën dhe që në rini kam filluar të studioj kuptimin e jetws me ndihmën e një miku të vjetër të stazhionuar në butet e shkollave të vjetra në kurbet, kuptimin e asaj jete të paraqitur me kode tek vepra e kryemjeshtrit Da Vinçi – Darka e Fundit.
E kam parë dhe riparë, menduar dhe interpretuar sipas vlerësimit tim dhe gjithmonë thoja me vehte dhe miqtë e mi se u gjënd një kryemjeshtër që na dha për 500 vjet kuptimin e moralit të jetës me anë të një pikture.
Rreth historisë së këtyre dishepujve do e vërtiste, do e përshkruante dhe transmetonte mesazhin e historisë njerëzore për 500 vjet.
I përmban ajo të tëra veset e shoqërisë, që nga vuajtja e shpirtit tek mungesa e ndershmërisë, nga mashtrimi makabër tek gënjeshtra, që nga vetmohimi për të tjerët dhe deri tek braktisja e idealeve dhe kështu me radhë miku im, unë mund të të flas shumë për këtë temë ngaqë e kam të fushës time të artit dhe hobit të të shkruarit dhe jam marrë me atë.
Ajo që më mundon më thotë Teodori në bisedë e sipër është dilemma nëse ka ndonjë kryemjeshtër tjetër nga fusha e mjekësisë që të portretizojë kuptimin psikologjik dhe personalitetin e politikanëve në përgjithësi, të cilët udhëheqin shtetet në epokën moderne dhe këtu më duhet ndihma jote si i lëçitur që je në këtë fushë.
Tendoset i tëri Doriani kur nis t’i them që ashtu sikurse 500 vjeçari i mëparshëm kishte mjeshtrin e vet të Darkës së Fundit edhe ky 500 vjeçar i kohës moderne ka mjeshtrin e vet, i cili i kaloi të gjitha shkallët e hierarkisë shkencore dhe në fund nga pozita e mjeshtrit dha përcaktimet e tij për ata që duan t’i ndjekin në jetën mbi tokë. Pa pritur akoma t’i them emrin e mjeshtrit, Teodori më ndërpret se mos e harron atë që i erdhi në mënd dhe thotë: Po si është e mundur që kryemjeshtri i kaloi të gjitha shkallët e hierarkisë derisa u bë i tillë, e këtu tek ne u varin këmborë ca qingjave pa lesh, që s’kanë qënë regjistruar më parë në asnjë listë inventari borderoje dhe fap e në krye të qeverisë?
Mos ndoshta ka zyra nëpër atë Europën plakë që bëjnë sikur s’durojnë dot të indoktrinuarit nga era komuniste dhe na sugjerojnë këta qëngja të pa indoktrinuar nga vera vdekjeprurëse e ideologjisë marksiste, por pa vegël për të tundur, paçka se na mbajnë në vënd qëndro ?
Prit i them Teodorit, mos më ndërpre se s’të kam thënë akoma emrin e mjeshtrit e pastaj të njohësh të thënat e tij.
E vazhdova më tej të hedh ca verë në gotë për vehte e për mikun.
Kur në Europë filloi të ndjehej era e luftës së dytë botërore, vëndi që po rritej pa ndalim, Amerika, e mori mjeshtrin Frojd dhe e la në Londër nën kujdesin e Mbretëreshës angleze, duke i thënë që ma ruaj këtë djalë dhe lëre të punojë, sepse i ka vënë vehtes një detyrë. Për të mirën e shoqërisë po përcakton kriteret sipas të cilave do zgjedhim liderat e ardhëshëm që mbas lufte do fillojnë të kungohen në Uashington e Londër dhe jo më në Paris e Romë.
Frojdi do ishte Somelieri i shijeve dhe aromave të politikanëve të ardhëshëm e në bazë të psikanalizës së personalitetit të tyre, të detajuar deri në imtësi prej tij, do bëhej zgjedhja e duhur ose e dështuar e tavolinës së madhe të Drekës Moderne të Frojdit.
Tani e kuptoj, më ndërpret Dori, kuptimin e shprehjes popullore të hëngërsha Drekën, d.m.th. dreka përpara fundit.
Ndërsa Da Vinçi na la Darkën e Fundit, Frojdi na la Drekën e Psikanalizës, me anë të së cilës mund të çkodojmë tiparet dhe psikologjinë e liderave, karakterin agresiv, këmbëngulës në qëllimet e mbrapshta, apo ndjenjën e sakrificës dhe vetmohimit për interesat e shumicës.
Të mund të bëjmë dallimin e atij që kërkon të drejtojë me kolegjialitet dhe e kundërta, përcaktoi tiparet e atij që shkon drejt diktatorit.
Në këtë moment ndërhyn menjëherë mysafiri duke sjellë shëmbuj nga jeta jonë e ditës – Me sa duket ne duhet të jemi shumë miopë që nuk i përmbahemi kritereve të këtij mjeshtri, përderisa kemi këtë katrahurë politiko shoqërore sot në vënd.
Përpiqem t’i shpjegoj Dorit se sollëm ish Vulëmbajtësin në krye të tufës, por kësaj radhe i besuam Këmborën, duke harruar ca mësime të mjeshtrit. Mirëpo këmboraxhiu do edhe Vulën, vet firmos e vet vulos, sipas shprehjes shteti jam unë.
A ka mjeshtri ndonjë përcaktim për këtë rast ? pyet ai menjëherë.
Prit i them se do të t’i rrjeshtoj ato më kryesoret dhe më të qartat e pastaj bëji deduksionet vet.
Kur mjeshtri përcaktonte tiparet e politikanëve të mijëvjeçarit të ri, mbartur edhe nga eksperienca e ustallarëve dhe personazheve historikë të mëparshëm, përgjëronte mbi kazanin e mushtit karakterial dhe në varësi nga aroma e tij dhe vazhdimësia e proçesit të maturimit, përshkruante tiparet e shijeve karakteriale njerëzore, lakmitë e tyre, dedikimin e tyre për dalldisje apo në të kundërt për vetpërmbajtje, kështu që si puna e vendosjes së shisheve në tavolinën e drekës ai përshkroi rregullat e zgjedhjes dhe vendosjes së figurave në tavolinën e pijetarëve të politikës.
Por nga proçesi i maturimit, thekson mjeshtri, varet edhe radha e dehjes së politikanëve nga fuqia e pushtetit dhe kjo dehje vjen sipas radhës së numrave algjebrikë, pra nga Njëshi.
Këtu më rri, më thotë Dori, se kjo puna e njëshit është gjithëandej çelësi i enigmës. Sa jam marrë me këta njëshat dhe e di përse – më ka mbetur në mëndje shprehja e Sovranit të katandisur në moçal si buajt në llucë që - e keqja dhe e mira vijnë përherë nga koka, pra nga peshku Njësh.
Dhe mjeshtri Frojd të shpjegon se kur njëshi i gëzohet thirrjes së turmës, nxitur nga ata që e rrethojnë dhe përmëndet nga njerëzit si p.sh.: po vjen Komandanti, do flasi Kryetari i madh i partisë që e ringriti nga përbaltja, apo po pritet ardhja ose votimi i Doktorit, sikurse përmëndet nëpër podiume para turmave se tani do na nderoj me çfaqjen e tij në publik qytetari i parë i Kryeqytetit, etj, etj, atëhere mos u çudisni o njerëz kur më pas të dëgjoni Njëshin t’ju thotë se unë jam e vërteta absolute. Dhe kështu njëshit i fillon dehja që i manifestohet me çfaqjen e vehtes si atë të një njeriu shumë të fortë, si njeri i veprimit të shpejtë, që parashtron ide me deklarime konçize të përsëritura pa rast e vënd, me fraza të shkurtëra të shprehura me tone orakulli dhe triumfatori, me gjestikulacione shkatërruese për kundërshtarin, duke përdorur shumë metafora, terminologji ushtarake si: zjarr, hekur, topa, bajoneta, çfarosje, antikrim, antikorrupsion, krahas terminologjisë spiritualiste si: ideali demokratik, besimi, katarsis shpirtëror e material, sakrifica, martirizim, thirrja nga një mision historik, bekim nga zoti dhe i biri, thirrje historike e patriotike të projektuara në një të ardhme pa përcaktim e pikërisht për shkak të kësaj të vështira për t’u vrifikuar.
Kaq sa duken të fryrë, të rrethuar nga plot servilë këta njësha delirioz, kanë edhe ca të fshehta të brëndëshme karakteriale, paranoide, të cilat u prishin gjumin mbretëror dhe i bëjnë të jenë dyshues pa arsye të mjaftueshme ndaj bashkëpunëtorëve përqark, mendojnë se këshillat që guxojnë t’u japin mbartin keqdashjen dhe pabesinë, tek çdonjëri shikojnë tradhëtarin, të pabesin, provojnë t’u shtijnë frikën me të gjitha format atyre që i rrethojnë, selektojnë ata që kanë vrima të zeza në proçesin e maturimit të tyre dhe i përdorin deri në përdhosje, mendojnë deri edhe se mos gruaja është dyshuese për fillimin e dalldisjes së tyre, ndërrojnë flamurin shpesh herë nga njëri ekstrem në tjetrin me një pafytyrësi të pabesueshme, mohojnë sot atë që thanë dje, shtyhen në ekstazë nga paraja dhe ky veprim i fundit ua ka shitur shpirtin tashmë e jetojnë me dehje zeusiane. Tjetër tipar që na jep mjeshtri – që këta tipa për të arritur tek dehja e njëshit bëjnë kthesa të papritura, pirueta marramëndëse, shkelin pa mëshirë mbi fate njerëzish, ndërrojnë kampet sipas gradës së pushtetit dhe nuk durojnë dot fare t’i thërrasësh në emër zoti filan apo fistëk, pale pastaj të thonë ndonjëherë më falni për atë që bëra keq megjithëse e mendova për mirë.
Dale ma pret Teodori, se në çdo fjalë që më thua më duket sikur më dalin përpara Njëshat tanë dhe disa të tjerë të mëparshëm që bënë histori të keqe në Europë.
A e di më thotë ai me nxitim, unë kam ndenjur, diskutuar, debatuar, admiruar për veprime të drejta, por dhe jam rrahur nga këta të dalldisur prej dehjes pushtetore. Sëbashku me disa të tjerë miq të mitë, kemi shkruajtur dhe dënuar ashpër uzurpimin fuqiplotë të institucioneve dhe partive të tyre nga këta të intoksikuar deri në konvulsione pushtetore vetvrasëse.
Vazhdoj të ndjehem i dëshpëruar, e nget muhabetin, që disa prej miqve të mi, të rrahur dhe përplasur më shumë se unë, që shkruanin dhe bënin publiçistikë për tu lakmuar, e nuhatën aromën e mushtit politikë që po fryhej e ziente dhe e lanë publiçistikën, i mohuan ato që kishin argumentuar si të padrejta para masës dhe kërcyen, u kacavirën, gllabëruan vëndin e njëshit, duke u thënë turmave që Unë jam ai që u duhet në këtë katrahurë politike, shpëtimin e së cilës shikojeni tek farfurit tek Unë.
Nuk e di, vazhdon më tej, se ku filloi të nuhasë aromën e njëshit edhe ky i Gjati i Jugut, se deri dje ishte shërbëtor i mirë i vegjëlisë, por siç duket këshilli i atyre që përzgjedhin njëshat, në kundërshtim me kriteret e mjeshtrit somelier të politikanëve, e nuhatën aromën e rrushit të Edvinit, e ngatërruan me aromën që nxiste frymëmarrje të thellë të publiçistikës së tij dhe e gjykuan se e vetmja verë politike që mund të konkurojë rrushin e hazdisur të të Gjatit të Veriut ishte qytetari i parë i kryeqytetit. Erdhi si numër një me disa kapërcime të papritura në tavolinën politike, por humbi aromën jetësore të lirisë publiçistike, kur na mbërthente mëndjen me analizën argumentuese, të saktë si bisturia e kirurgut, deri në demaskim të të gjitha deformimeve që vinin nga të dy krahët, si nga rrondokopi i Jugut ashtu edhe nga Gjatoshi i Veriut. Dhe ta them unë mik vëllai që për të mbyllur gojën e këtyre publiçistëve dhe për tu shitur demokratë të kulluar e vlerësues të kontributeve të këtyre intelektualëve, Njëshat përdorin taktikën e dhënies së karrigeve pushtetore, përsëri i ulin tek karrigia me numër Një, duke na bërë që t'i quajmë nga ky moment jo më publicist, por me shprehjen e goditur angleze Chair’s Pubass-ist.
Ndërkohë këta pubassist nga euforia e karriges zyrtare duan të na mbushin mëndjen neve grigjës se do bëjnë maksimumin për të rivendosur rregullat e lojës demokratike, si me thënë do përpiqemi të gricemi si miza me demin.
Dhe a e di se nga kush e kam dëgjuar për herë të parë një shprehje të tillë, ngazëllehet miku im, - nga një prej këtyre ish pubass apo njeri i letrave siç i pëlqen tani ta quajnë, i cili pasi kish qënë në një nga këto karrige edhe pse për pak kohë, i ishte çfaqur majasëlli me pasojat e tij dhe nuk shijonte dot më verë e raki si unë e si ti, por me të njohur më thellë rregullat e kryemjeshtrit Frojd, u kthye mes nesh dhe tani shqepemi në biseda të lira pa teklif e publikime shkrimesh sa herë që Njëshat dhe pasuesit e tyre bëjnë marrëzinë e radhës.
Dale pak o Dori, se ti sillesh nga sillesh dhe u jep gjërave ca shprehje të ngatërruara nganjëherë, i them. Kjo shprehje më tingëllon me kuptim shumë të dyshimtë, se duket sikur nuk janë as ashtu dhe as kështu, pra nga mendon se anojnë më shumë këta individë, nga seksi femër apo mashkull.
Po këtu është bukuria o ditëbardhë, më rreh krahët Teodori, se këta janë ata që quhen Hermafroditë Politikë, herë me zë të hollë femre dhe herë me zë të trashë mashkullor me tonalitete në ulje deri në shuarje, sipas nivelit të glukozës apo thartirës që përmban rrushi i Njëshit. Por ky lloj varieteti hibrid ka pamjen në tavolinë dhe shijen kur e ha, me atë lloj të kultivuar në fermën me emër Central Komitet.
Dhe e blejnë me çmim të lartë, sepse merret për atë rrush safi që prodhon ferma me emër E Djathta Reale e Munguar.
Më hidh ca verë i them, e mbaje mënd muhabetin se dua të bëj një parantezë për të thënë diçka që e ka thënë mjeshtri me shumë rezervë.
Frojdi e ka përmëndur, por disi i rezervuar që edhe këta Njëshat kanë shumë rrallë një moment sinqeriteti disi të shtyrë nga hyjnitë.
Dhe jep shëmbuj nga vëndet e mëdha, e unë bëj analizën e këtij vëndit tonë të vogël për të gjetur këtë sinqeritet hyjnor të Njëshave. Dhe më del që edhe ish Njëshi ynë e ka një moment të tillë kur filloi të shkruante librin Kur hidheshin themelet e pushtetit të ri popullor. Pra themelet e pushtetit të tij. Ai e filloi me gurin e themelit sinqeritetin e tij, duke na thënë që nëse doni të vini gur në themel, më të fortë, më solid e të pa shkatërrueshëm nga natyra është guri i madh i pronës private. E vazhdon të shtjelloj idenë që këtë gur ua mora të mundurve dhe e vura në themelin tim. Tani që duam të ndërtojmë godinën e demokracisë, meazallah se do Njëshi dhe kllounët e tij që të vënë këtë gur në vëndin e vet, prandaj dhe nuk bëhet godina, nuk mban dheu dhe na rrëshqasin institucionet gjithmonë drejt ekstremit të majtë me pasoja shkatërrimtare sociale.
Kështu më del miqtë e mi, analiza e çastit të sinqeritetit të ish njëshit tonë. Por edhe e këtyre njëshave të sotëm që i përdridhen pronës, gurit të themelit, si ato valltaret e pubeve që mezi presin ti ndukin spektatorët. Dhe në delir u deklarojnë të entusiazmuarve nga përtej detit në mes të Tiranës që juve mund t'jua japim tokën për Njëshka.
Por e bukur është se këtë dërgatë e përshëndeti përfaqësuesi i njëshit me fjalimin me titull:
Kemi cjepër me këmborë/
edhe tufa blegërin/
ky behar me këtë vapë/
Nëno, kokrra e rrushit po na ndrin.
Në kllapa -të tillë verë e raki i dhanë edhe dërgatës 400 figurëshe të përtej oqeanit para ca ditësh dhe ata të dehur pa e pirë akoma mirë filluan të kërcejnë valle të ansamblit Na bashkoi Rrushi Popullor tek Piaca përballë Skëndërbeut.
Por le ti kthehemi bisedës ku e lamë e unë dua të të pyes për këta që janë shkëputur nga njëshat dhe s’u kanë lënë gjë pa thënë ish bashkëluftëtarëve të tyre partiakë pas ndarjes dhe na çfaqen si desh të rinj që duan këmborë për të prirë kopenë që blegërinë pa pushim për Ata.
E kuptoj për kë më pyet, më thotë Dori, pasi e kthen një herë gotën e merr pak djathë nga mezeja.
Tërhiqet pak përpara dhe më thotë: më dëgjo me vëmëndje se edhe vet e kam pasur ca të vështirë për ta formuluar këtë mendim dhe sa më shumë kohë kalon, aq më shumë e çmoj këtë mjeshtrin e psikanalizës.
Ia hodhën sirenat e pushtetit në kopësht Ismail Gjirokastritit dhe ç’nuk bënë ato për ta joshur Malon, ia zbërthyen para syve Malos të gjitha kopsat e karriges pushtetore, i treguan edhe modele europiane nga ato më shpirtkëputëset me dizenjo nga kompania numër një e modës, Presidencia, e kërkuan që të flinte me disa prej tyre në pallatin e kësaj kompanie, ku aromat frojdiane të dehin e bije në kllapi parajsore.
Po unë e kam thënë me kohë që nuk e ha atë kokërr ulliri Malua, se jo vetëm që ai fle në një pallat tjetër me aroma dehëse pavdekësore dhe shijon çlirim total frojdian, por ka edhe meritën që i studjoi mirë përcaktimet psikanalitike të mjeshtrit, i fitoi atij zemrën dhe ustai e mori pranë duke i thënë që rri këtu me mua, se ti ke pothuaj po atë thumb intelekti si unë që injekton tharmë të lartë. Më duhesh o Ismail, për të përgatitur tavolinën e madhe të politikës shqiptare dhe goditi sarahoshët me rregullat e mija, të cilat i ka vërtetuar koha dhe historia e tani njerëzit më thërrasin kryemjeshtër i kohës moderne dhe janë penduar që nuk më dëgjuan kur jepja përcaktimet e mija për liderat europianë, të cilët ekzaltonin turmat në sheshet e Berlinit, Romës, Moskës e më pas Tiranës, Budapestit, Sofies, etj, etj.
Ka kohë që më japin të drejtë se nuk më dëgjuan kur u thoja që mos duartrokisni ata që kapërcejnë brënda natës nga njëri pallat partie tek tjetri ekstrem, mos u joshni nga ata që vënë të tjerët për tu përhapur famën dhe lavdinë boshe, mos mbështesni ata që kanë vrima boshe në proçesin botëkuptues arsimor, aq më tepër mos duartrokisni ata që eleminojnë bashkëpunëtorët e orëve të para sot, sepse nesër e keni radhën ju, brënda çatisë tuaj. Dhe u sakatosën me njëra tjetrën këto turma derisa një ditë dërguan përfaqësues në pallatin tim me pikësynim njohjen dhe studimin e rregullave të mija, për të mos lejuar përsëritjen e marrëzive shoqërore.
E kupton tani i dashur mik, më pyet mendueshëm Teodori, se ku e kanë hallin ca avoketër, pubass, ca rrondokopër kokëmisha kërcimtar e shkërdhatarë parlamentar, që bëjnë sikur nevrikosen dhe tërbohen nga diktati i njëshave, por gjithë merakun dhe nepsin jargavitës e kanë tek numri Një. Vetëm kur binden që kanë për ta siguruar me një mijë marifete dhe delegime alla lesiane, tërhiqen në ndonjë ambasadë këshilluese dhe mbas ca firmave surrogatosh, na çfaqen me parti të re ku kryetari, megjithëse i dhjerë mbahet krenar me kollare të trashë e që i ulur në Chair’s Pubassin e njëshit i kënaqet pamjes prej ofiqari dhe kostumit e limodhesë me ngjyrë të verdhë, që mezi e lejon të bëj frymëmarrjen e lirë.
Tani, më thotë Dori, do ta mbyllim se unë jam miku dhe ne e kemi traditën që miku e mbyll, por le të përmëndim edhe një fakt tjetër: Kur në erën e lirisë u çfaq Papa dhe më pas në mes të katrahurës misioni i San Exhidos nga përtej detit, epo thashë tani filluan t’i mbledhin dhitë njëshat tanë dhe do mësojnë pak nga eksperienca e tyre. Mendoja se do nxinin ca mëntë nga fakti shumë domethënës i shëmbullit të tyre, që kanë një shtet me popullsi 2 miliard banorë dhe nuk i kemi parë asnjëherë në historinë e shoqërisë që të bëjnë fushata elektorale si këto që bëjmë ne.
Sa pak zhurmë, sa shumë heshtje, studim e meditim dhe lutje në tavolinën e politikës kristiane.
Mbyllen dyert për publikun dhe fillojnë të çmitizojnë ata që kanë manifestuar delirin e madhështisë së njëshit, pasi të parin e grigjës e kanë të zgjedhur që më parë dhe sipas mësimeve të historisë e principeve psikanalitike është ai, i pari, që i shërben më shumë kauzës, duke u lutur përditë për të shpurë misionin e ngarkuar në destinacionin e njerëzve të thjeshtë, me të parin, si shërbëtori mes shërbyesve të kauzës.
Le të presim dhe aq kohë më thotë mysafiri, sa duhet për të ardhur të paintoksikuarit nga deliret, me mëndje shërbëtori të njerëzve deri në fund, pa fallcitete, me norma qytetarie perëndimore, që respektojnë institucionet si shtylla të ngrehinës jetësore.
E kemi vet në dorë që t’i mbajmë pranë apo t’u japim shtymën, të mos i lëmë që të ngrihen apo t’i thërrasim në detyrë, t’iu besojmë institucionet si të shënjtat vlera shoqërore, apo ti ndjekim pas duke u rritur madhështinë e Njëshit.
Kështu, or mik, po nuk u gjënd rrush politike ( jo pa fara, për stafidhe) me Farën e Dorëheqjes brënda, këtë lloj vere e raki do pijmë përditë o miqtë e mi.


Minella Aleksi