Flori - Press

Mire se vini ne faqen tone virtuale "Flori-Press" te moderuar nga stafi redaktues Flori Bruqi, Engjell Shehu,etj.

e shtunë, gusht 19, 2006

A duhet të hapen dosjet ?

Rruga e ndërtimit dhe e konsolidimit të demokracisë nuk është e lehtë, aq më tëpër në një vend si Shqipëria, ku për një kohë të gjatë u punua për mbjelljen e armiqësisë nëpërmjet të të ashtuquajturës "luftë e klasave".

Natyrisht, demokracia vendoset nëse të gjitha forcat politike të vendit arrijnë konsensusin që nëpërmjet rrugës së dialogut politik, të veprimeve ligjore të ndërtojnë një shtet juridik, ku të gjithë të kenë mundësinë haptazi dhe me vullnet të lirë të kontribuojnë në zhvillimin e përparimin e shoqërisë.

Një pengesë e madhe në arritjen e këtij qëllimi mund të bëhen ata njerëz, të cilët me dashje, por ndoshta edhe pa dashje, kanë shërbyer si bashkëpunëtorë të padeklaruar në shërbimet sekrete të ish shtetit komunist. Ata mund të pengojnë për shumë arsye, midis të cilave mund të përmendim disa. Duke qenë se kanë një të kaluar jo të lavdishme, shumë prej tyre përpiqen ta mbulojnë atë me ekstremizëm, të tregohen si partizanët më të flaktë të demokracisë dhe antikomunistët më të vendosur, aq sa depërtojnë jo vetëm në radhët e partive të ndryshme, por nganjëherë të zënë ndër to edhe poste me mjaft përgjegjësi, duke u bërë kështu shkak i shumë luhatjeve brenda këtyre partive, i shfaqjes së ekstremizmave, që gjithnjë janë të dëmshme për zhvillimin demokratik të shoqërisë.

Përveç kësaj, bashkëpunëtorët e fshehtë të shërbimeve sekrete, kanë patur një organizim të përsosur dhe një lidhje mjaft të fortë me qendrën që i ka drejtuar. Kush mund ta sigurojë shoqërinë tonë se këto lidhje nuk mund të shfrytëzohen në çaste të caktuara, aq më tepër që drejtuesit e këtyre shërbimeve mund të përdorin edhe kërcënimin për zbulimin e bashkëpunimit të dikurshëm të këtij apo atij personi dhe në këtë mënyrë ta detyrojnë nën kanosjen e demaskimit të kryejë misionet që mund t'i ngarkohen. Ish shërbimet sekrete komuniste me rrjetin e gjerë të bashkëpunëtorëve të tyre të padeklaruar përbëjnë gjithnjë një rrezik potent për zhvillimin e demokracisë në Shqipëri në të gjitha fushat, të politikës dhe të ekonomisë.

Çdo shtet ka shërbimet e veta sekrete, por shërbimi sekret i ish regjimit komunist ka qenë një aparat i pashembullt dhune psiqike dhe fizike, terrori dhe frike, duke dalë shpesh herë edhe mbi ish partinë komuniste që sundonte me të njëjtat metoda.

Hapja e dosjeve për t'i bërë të ditur opinionit publik shqiptar se cilët kanë qenë bashkëpunëtorët e fshehtë nuk duhet të bëhet për qëllime hakmarrjeje. Natyrisht, ata do të pësojnë moralisht, por bashkëpunëtorë të tillë është mirë që të njihen dhe kështu t'u hiqet mundësia për të patur funksione publike apo për t'u marrë me punët publike. Në të njëjtën kohë ky do të ishte edhe një shpëtim për ta, pasi asnjë kërcënim nuk mund t'i detyrojë më që t'u shërbejnë qëllimeve të errëta.