Flori - Press

Mire se vini ne faqen tone virtuale "Flori-Press" te moderuar nga stafi redaktues Flori Bruqi, Engjell Shehu,etj.

e shtunë, gusht 19, 2006

Cka te re ne web faqen www.mekuli press

ANTI CENSURA

ADEM DEMAÇI:PËRGJIGJE PYETJEVE TË LEXUESVE

ARIF MALA:Zotëri Demaçi, Ju guxoni të na e thoni të vërtetën. A po kantonizohet Kosova?

A.D.- Me këtë indiferencë të thellë e tragjike QË PO TREGON PËR FATIN E VET DHE NËN KËTË HIPNOZË KRIMINALE POLITIKE që po mbahet populli ynë, mund të na ndodhë edhe KANTONIZIMI SI NJË FORMË E BUTË E COPËTIMIT TË KOSOVËS. Por ka edhe më keq se sa kantonizimi. Regjimi çetniko-neofashist i Beogradit është pikërisht duke na e përgatitur atë të keqe më të madhe. Qëllimi i regjimit të Beogradit është që të krijohen sa më shumë komuna të pastra serbe, ose me shumicë serbe dhe kjo, falë vazalëve e qyqarëve tanë të instaluar në intitucionet formale të Kosovës të cilët luajnë sipas urdhërave që vijnë nga lart, dalngadalë edhe po realizohet. Beogradi kërkon TETËMBËDHJETË KOMUNA SERBE dhe si po zhvillohen punët do t’i “nxjerrin” TETË. Kaq komuna ndërkombëtarisht të njohura, kanë për t’u mjaftuar kriminelëve serbë të Beogradit që ta “tollovisin” tërë Kosovën. Ata do të na mbajnë nën trysni permanente krimesh e kundërkrimesh derisa të mërziten Evropa e Amerika dhe krejt në fund, si zgjidhje “solomonike”, regjimi serb do të organizojë një “referendum” në “SRPSKA ZAJEDNICA KOSOVA I METOHIJE” ( BASHKËSIA SERBE E KOSOVËS DHE E DUKAGJINIT) DHE KËTO TOKA DO T’IA BASHKANGJESË SERBISË SË MADHE! Nëse dikush prej nesh mendon se regjimi serb po tallet dhe se do të tallet e ka gabim!

SHABAN MEHMETI: Zotëri Demaçi, Ju lutem na thoni si e shihni veprimin politik të BDI-së në Maqedoni dhe në përgjithësi si e konsideroni situatën në Maqedoni?

A.D.- Zotëri i nderuar, nuk do të thotë se nga Kosova, ndonëse kemi vetëm një “mur midis nesh”, mund të shohim krejt çfarë është e çfarë nuk është e vërtetë në Maqedoni. Sipas njoftimeve të fundit që kam përçarjet shqiptare edhe në Maqedoni, sikundër kudo tjetër në hapësirën shqiptare, janë duke na kushtuar fort shtrenjtë. Zotëri Gruevski, mandatari për të krijuar qeverinë e Maqedonisë, pasi që u bind cok se partitë shqiptare atje më shumë e dashkan pushtetin sesa interesat e popullit të vet, BDI-së dhe PPD-së ua dha mundësinë që në mënyrë demokratike të “kujdesen” për bllokimin e rrugëve, kurse PDSH-së, si “nagradë”, për lojalitet ia hodhi nja katër “sheqerka”, nja katër ministri nga ato më të parëndësishmet e kabinetit të tij! Por, le ta lëmë ironinë e talljen. Tash është fare e qartë se si “shpërblehen” në politikë egoizmat e përçarjet tona. Le të mendojmë se si do të dukej pozita dhe faktorizimi politik i shqiptarëve në Maqedoni po të ishin të bashkuar në një parti, ose në një bllok të përbashkët politik para zgjedhjeve a pas zgjedhjeve. Do të ishin fuqi e tretë politike në Maqedoni. Do të ishin të fortë dhe tërheqës për çdo kabinet qeveritar, por do të ishin të fortë edhe në opozitë. Nga njëqind rrugë e veprime të mundëshme kjo që po bën sot BDI-ja, me protesta për t’u përfshirë në kabinet, është veprimi më i gabuar. Kjo është rruga që çon në një zhvlerësim të vetëvetes dhe është një rrëshqitje në drejtim të “akullit të hollë” në sipërfaqen e lojës politike dhe në sytë e opinionit politik botëror. Ky opinion politik botëror është duke përcjellur me “mikroskop elektronik” çdo lëvizje politike në Maqedoni. Kjo që po bën sot BDI-ja shkon në favor të plotë të politikës maqedonomadhe të z. Gruevski. Përse? Sepse shkaku nismëtar për këto protesta, anipse paqësore, është absurd. Nuk mund të hyni me dhunë në një kabinet nëse mandatari që ka fituar shumicën nuk ju do. Askush në botë nuk ka për t’i marrë parasysh argumentet tona. Rregullat parlamentare janë të këtilla dhe këto nuk mund të ndërrohen sipas qejfit tonë: “kur jam në shumicë i përfill e i pranoj këto rregulla, por kur mbetem pakicë këto rregulla nuk i përfill dhe nuk i pranoj”! Nëse ndodhë që demontstratat e protestat tuaja të eskalojnë në çfarëdo mënyre, opinioni botëror do të fajsojë BDI-në. Qëllimi i maqedonomëdhenjve ishte që forcat politike shqiptare të përçaheshin. Falë ambicjeve personale të liderëve shqiptarë dhe interesave grupore kjo u arrit pa vështirësi. Mirëpo tash qëllimi i maqedonomëdhenjve është që një nga një të izolojnë dhe të çthurin forcat politike shqiptare. Qëllimi është që, në fillim, BDI-në ta izolojnë si brenda si jashtë, pastaj PDSH-në ta urtësojnë, ta nënshtrojnë e në fund ta gllabërojnë fare. Shikoni ju se çfarë ministrishë u janë besuar shqiptarëve! Shëndetësia, Arsimi, Kultura dhe Ekologjia. Asnjë ministri që ka peshë dhe që mban themelet e shtetit nuk i është besuar shqiptarëve! Mos vallë, kjo është rastësi? Aspak! Lidhur me këto ngjarje, këtu, në Kosovë, u dëgjuan disa zëra sikur Arbën Xhaferi ka dhënë ose po përgatitet që të japë dorëheqje nga posti i kryetarit të PDSH-së. Nëse kjo ka ndodhur ose do të ndodhë, kjo nuk do të mund të “paketohet” nën arsyetimin e shkaqeve shëndetësore. Arbën Xhaferi nuk ka kohë për t’u koritur. Ai nuk do të dojë që të bëhet pjesëtar i një mashtrimi e poshtërimi politik nga ana e z. Gruevskit. Nëse do të ndodhte që PDSH-ja të tërhiqej nga koalicioni me VMRO-në, për çfarë si po duket ka pak gjasa, ATËHERË KRIZA POLITIKE DO TË MERRTE NJË KAHJE QË DO TË TEJKALONTE KAPACITETIN E VMRO-së DHE TË Z. GRUEVSKIT PËR TË MENAXHUAR ME SITUATËN DHE ME MAQEDONINË. ATËHERË DO TË SHPËTOHEJ NGA SHTYRJET E PAFUND EDHE “MARRËVESHJA E OHRIT” DHE BOTA NUK DO TË MBETEJ APRIORI ME MAQEDONOMËDHEJNT. Vallë, a do të kenë shqiptarët në Maqedoni kapacitet politik për të faktorizur vetëveten? Por, që të mos u mbetet hatri vëllezërve të mi në Maqedoni, mund ta zgjeroj pyetjen edhe më tej. Vallë, a do të kenë të gjithë shqiptarët, kudo që janë, kapacitet politik për të faktorizuar vetëveten?

XHEMAIL LALA: Si e komentoni kumtesën e fundit të Grupit të Kontaktit lidhur me Kosovën dhe veriun e Kosovës?

A.D.- Kumtesat e GK, njëra pas tjetrës, pakngapak, dalngadalë janë duke zbuluar e duke zbardhur KONTURAT e rezolutës së ardhme të KS lidhur me statusin politik të Kosovës. Kjo ëahtë një mënyrë e përgatitjes të opinionit të palëve në konflikt. Këtë radhë kumtesa e GK ka pasë për qëllim të bëjë një trysni subtile në palën kosovare dhe të njoftojë, ashtu nga larg, opinionin tonë se në çfarë drejtimi janë duke u zhvilluar gjërat. Për ata që marrin vesh nga “temsili” mund të kuptojnë se fati i tokave të Kosovës në veri të Ibardhit po vendoset ashtu si po kërkojnë hegjemonistët e Beogradit. GK si mekanizëm i zgjatur i Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara është duke kryer punën e vet me mjeshtri të madhe. Grupi i Kontaktit po mundohet që të “sheshojë” terrenin midis kërkesave të hegjemonistëve të Beogradit dhe të “mbrojtësve” të interesave të Kosovës. GK po i shtynë herë palën serbe – formalisht, herë palën kosovare -objektivisht që t’i bëjnë lëshime njëra tjetrës dhe të afrojnë qëndrimet sipas kërkesave të konkluzave të Konferencës së Helsinkit esenca e të cilave është se “nuk ka ndryshim të kufijve pa pajtimin e të dyja palëve”! Mirëpo, derisa pala e Beogradit nuk lëshon fare pe, por vetëm sa rritë çdo takim kërkesat e veta, pala e Prishtinës, në çdo takim, han fjalët e veta, tërhiqet dhe lëshon pe nga “frika se mos po këputet peri i bisedimeve”! Ju lutem, lexojeni me kujdes vetëm një pjesë të vogël nga kumtesa e GK sipas agjencisë “Lajme.Net”...”Grupi i Kontaktit vlerëson se decentralizimi i qeverisjes lokale mund t’i ndihmojë komunitetet në veri të Kosovës që ta ruajnë identitetin e tyre dhe të mbrojnë të drejtat e tyre dhe njëkohësisht kjo do të LEHTËSONTE NDIHMËN E OFRUAR NË MËNYRË TRANSPARENTE NGA BEOGRADI PËR TË ARRITUR NJË AUTONOMI MË TË GJERË QË T’IU PËRGJIGJET NEVOJAVE SPECIFIKE TË QYTETARËVE TË VET. Kush është “Bektesh” nuk e ka vështirë që ta marrë vesh këtë qëllim të thënë në mënyrë KREJT TRANSPARENTE të Grupit të Kontaktit. Edhe një herë, o lexuesi im i nderuar, përcilleni çdo fjalë: BEOGRADI DO TË KETË TË DREJTË QË NË MËNYRË TË PAPENGUAR DHE ASHIQARE TË NDIHMOJË PLOTËSIMIN E NEVOJAVE SPECIFIKE TË QYTETARËVE TË VET.(Dmth. të atyre qytetarëve në veri të Ibardhit pjesë e cila objektivisht do të shkëputet nga territori i Kosovës sepse ata qytetarë atje janë qytetarë të vet, dmth, qytetarë të Serbisë!) Sepse, nëse janë qytetarë të vet edhe toka ku ata banojnë do të jetë e Serbisë. dhe këta mjeranat e Kosovës, i ashtuquajturi Grupi i unitetit, i gatshëm për të falur tokat e Kosovës, siç e dini e mirëpriti këtë kumtesë të GK! Po të njëjtën kumtesë, jo për çudi, e priti dhe e tumiri edhe pala e serbëve të Kosovës! Dhe, pse jo? Këta, për më tepër, na thonë hapur se ata nuk janë pakicë në Kosovë! 5% - shi qenka shumicë, kurse 90% - shi na qenka pakicë! Ec e mos plas! O, sa lakmi po ua kam atyre që u vranë e nuk e pritën këtë kohë si unë që ta mësojnë këtë “matematikë”të korruptuar!

ZENEPE LUKA, (Vlorë): Si do t’i gjykonte Demaçi bisedimet në Vienë për çështjen e Kosovës? Shikoni dritën jeshile për pavarësinë e Kosovës?

A.D.- Zonjë e nderuar, falë Ligjit të pandalshëm të jetës, ne jemi në rrugëtim drejt lirisë. Mirëpo në rrugën tonë të pandalshme drejt lirisë ka ndodhur dhe po ndodhë një dukuri e çuditshme sikur ajo e shkëmbit të madh maje maleve që rrokulliset tatpjetë drejt fushës pjellore, por që gjatë rrokullisjeve i shkoqen copat sa majtas, sa djathtas. Sa herë që dikush nga fqinjët tanë u pavarësua mori me vete nga një copë të trungut tonë! Kështu ndodhi me ne pas pavarësimit të Malit të Zi nga sundimi otoman, pas pavarësimit të Greqisë, pas pavarësimit të Serbisë. Kur u pavarësua Shqipëria më 1912-tën kjo humbi 60% të territoreve dhe të banorëve të vet! Ngjashëm po ndodhë edhe TASH gjatë pavarësimit të Kosovës. Një pjesë të tokës së Kosovës, te Debelldeja, me ndihmën e Serbisë dhe të faktorëve ndërkombëtarë, na e mori Maqedonia. Tash, sipas kumtesës së fundit të Grupit të Kontaktit, nën firmën e decentralizimit “shpëtimtar”, po përgatitet edhe cungimi faktik i pjesës veriore mbi lumin Ibardhë të Kosovës. Takimet e Vienës janë vetëm vendi ku shihen dhe ku dëgjojnë palët njëra tjetrën, por bisedimet e vërteta bëhen prapa perdeve dhe me mjete e mekanizma tjera. Për shembull takimet me Grupin e Kontaktit janë format dhe mënyrat më vendimtare ku arrihen ndikimet efektive. Mirëpo, paraprakisht ishin grupet selekcionuese të ndërkombëtarëve të cilët kanë përzgjedhur me kohë personat me të cilët, kur të vinte koha dhe nëse do të tregohej e nevojshme, do të futeshin ose do të shtyheshin në ekipet përkatëse. Faktorët ndërkombëtarë kanë përvojë të madhe për këto punë e këto veprime. Prandaj ka pak gjëra që i lehen rastit. Ndërkombëtarët kanë probleme me Serbinë se atje nuk arritën që të finalizonin, të selekcionin e përzgjidhnin personat me të cilët ata dëshironin e dëshirojnë që të kryejnë punë. Në fazën e pushtetit të Zoran Gjingjiqit, Ndërkombëtarët kanë qenë shumë afër që të instalonin këtë “teknikë”, mirëpo “Cërna Ruka” me gjak e pengoi këtë qëllim. Prandaj, në vendse të ndodhte e kundërta, Serbia po shantazhon Perëndimin dhe po nxjerr përfitime për veten e vet në kurriz të Kosovës. Perëndimi nuk po fshehë dëshirën e qëllimin e vet që edhe Serbinë ta përfshijë në Bashkimin Evropian. Nga andej po dëgjohen zëra se Serbia duhet të përcaktohet për Bashkimin Evropian ose për Kosovën. Këtyre zërave si kërcënues, Koshtunica ua përplasi përgjegjen se NE NUK E JAPIM KOSOVËN SI ÇMIM PËR TË HYRË NË BASHKIMIN EVROPIAN! Nëse dikush në Eropë nuk ka qenë i sigurt se z. Koshtunica është ÇETNIK E SHKUAR ÇETNIKUT, tani e ka përgjigjen e tij të saktë dhe pa lakesa.
Drita jeshile për një pavarësi, që thoni Ju, po shihet, mirëpo shtrohet pyetja e MADHE:ÇFARË DO TË JETË AJO PAVARËSI? Pavarësi e kushtëzuar? Pavarësi e kontrolluar? Pavarësi e mbikëqyrur? PAVARËSI PA SOVRANITET?! Apo një pavarësi invalide që do ta bëjë Kosovën një XHYNAHE TË EVROPËS?!






ADEM DEMAÇI: PËRGJIGJE PYETJEVE TË LEXUESVE


AZEM BERISHA: Çka mendoni lidhur me incidentin që ndodhi më 15 korrik në hyrjen nr.1 të kufirit verior me Serbinë, në Albanik? Kryetari i Asamblesë komunale të Albanikut (Leposaviq), nga policia e SHPK-së është ndaluar për një kontroll të rëndomtë rutinesk, mirëpo kryetari në fjalë, që kishte me vete dhe gruan me dy fëmijë, ka kundërshtuar duke u sjellur fort keq e madje ka nxjerrë edhe revolen. Pas ndaljes dhe marrjes në pyetje, megjithatë, është liruar, pa kurrëfarë dënimi...
A.D.- Z. Kryeministri, Agim Çeku, pas 15 korrikut pati bërë një vizitë në pjesën veriore të Mitrovicës, mirëpo atje sigurimcat e Serbisë nuk ia patën varur fort. Dihet se z.Kryeministër pati kërkuar nga KFOR-i që të merrte masa e të mos lejonte që kufiri midis Kosovës e Serbisë të mbetej kështu “sallamadi” si deri më tash. Unë nuk kam lajme nëse z. Kryeministri ka guxuar që ta vizitonte z. kryetarin e Albanikut dhe të kërkonte, JO SE JO, llogari, por të paktën SQARIME për sjelljen e tij prej huligani. Ju, duhet ta dini, siç kanë bërë të ditur mediat tona, ato katër komunat në veri të “Kosovës”, Leposaviqi, Zubin Potoku, Zveçani e pjesa veriore e Mitrovicës, ka kohë që njohin vetëm Serbinë si shtet të vetin, kurse refuzojnë të njohin Qeverinë e Kosovës. Por unë, me këtë rast pyes veten, përse ata “sllobodanat” e veriut kanë për të njohur një qeveri në kafaz?

NEBIH ADEMI: Si i vlerësoni Ju këto censurime të tmerrshme që ju bëhen Juve, disa figurave kombëtare dhe vetë të vërtetës objektive? Me rastin e protestave të 24 korrikut të VETËVENDOSJES, të disa organizatave të dala nga krahu i Luftës Çlirimtare dhe të disa deputetëve të Kosovës, përkundër vapës përcëlluese ( 30 shkallë Celsius!) dhe përkundër pushimeve verore, ishin të pranishëm mbi 1000 veta. Të tri programet tona televizive, sidhe gazeta e Batonit “Ekspress” dhe “Koha Ditore”, të cilat shtiren si të pavarura, dezinformuan keqas shikuesit e lexuesit e vet duke thënë se ishin vetëm 200 veta! A mos vallë në këto mediume punojnë UDB-ashë, titistë, rankoviçistë, apo djemtë e nipërit e tyre? Sepse ndryshe nuk po e kuptoj këtë censurë të hatashme...

A.D.- Zotëri Nebih, më falni, por jeni gabim kur i krahasoni këta hyzmeçarë të sotëm me ata hyzmeçarët e kohës kur në këto hapësira të gjithë pushtetin e kishte UDB-ja famëkeqe. Atëherë për mosbindje regjimit gjakatar të shkonte koka, ose e haje burgun. Kurse, këta hyzmeçarët e sotëm po shesin ndërgjegjen e vet njerëzore, kombëtare e profesionale për para dhe për ca poste të shkreta. Por, mos u habitni, kjo është KOHA KALIMTARE e vlerave të rreme, e njerëzve të rremë, e patriotëve të rremë, e gazetarëve të rremë, e shkrimtarëve të rremë dhe e liderëve të rremë. Megjithkëtë, mos u dëshpëroni sepse kjo fazë, me vlera të rreme në sipërfaqe, ka për të qenë shkollë e vërtetë për popullin tonë me energji e vitalitet të hatashëm, por me dije të kufizuar e me vetëdije ende të fjetur.

ZENEPE LUKA(Vlorë): Cili do të ishte komenti i Adem Demaçit për situatën politike në Shqipëri pas incidentit të fundit në Parlamentin shqiptar dhe çfarë është pasoja që vjen për Kosovën? Një këshillë e Mandelës shqiptare për të kapërcyer krizën?

A.D.- Fort e nderuara zonja Zenepe! Ne Shqipërinë e duam dhe e përjetojmë si një tërësi të pandarë në krahina, në fe e në parti. Mirëpo kur ndonjëherë dalin në sipërfaqe ndarje të këtilla ne dëshpërohemi fort. Edhe këto që pamë para disa ditësh në Kuvendin e Shqipërisë na pikëlluan e na dëshpëruan. Ne, gatise jemi mësuar, prej vitesh që të shohim skena të padenja në Kuvendin e Shqipërisë, mirëpo kjo e fundit ishte tepër e “fortë”. Ne përkrahim me gjithë zemër përpjekjet z. Kryeminiatër Sali Berisha dhe të Qeverisë së tij që të pastrojë Shqipërinë nga mafia dhe krimi i organizuar, sepse të njëjtin hall kemi edhe ne këtu në Kosovë, mirëpo nuk e kuptojmë sa duhet rezistencën e fortë në të cilën ka hasë kjo politikë nga ana e opozitës ose nga ana e opozitës së bashkuar. Si duket edhe atje, në Shqipëri, sikundër këtu në Kosovë, mafia e kriminaliteti i organizuar kanë lëshuar rrënjët në vetë Kuvendin e Shqipërisë, përkatësisht në Kuvendin në saksi të Kosovës. Mirëpo, derisa mbi Kuvendin në saksi të Kosovës qëndron administrata ndërkombëtare e cila nuk lejon që gjërat të arrijnë PIKËN E VLIMIT, atje në Shqipëri, lufta e tërbuar për pushtet, pikërisht aty ku nuk duhet, po i ngritë tensionet deri në pikën e vlimit e të turpit. Sa për ndonjë këshillë që thoni Ju, nuk ka nevojë sepse të gjithë ata deputetë dhe këta “deputetë” nuk kanë nevojë sepse që të gjithë janë të zgjuar, mirëpo që të gjithë janë kapur pas interesave individuale të cilat janë më të forta se çfarëdo këshillash. Por, mos u dëshpëroni sepse me kohë populli ynë, këndej e andej Bjeshkëve të Nemuna, do të mbushet mend dhe NUK DO T’UA FALË BESIMIN ATYRE QË INTERESAT E TYRE VEHTIAKE I VËNË MBI E PËRPARA INTERESAVE TË PËRGJITHSHME KOMBËTARE E NJERËZORE.

SHEMSIE BEKA: Ju lutem, kam dëshirë të dëgjoj edhe komentin Tuaj lidhur me kërcënimet e nënkryetarit të PARTISË RADIKALE SERBE, Tomisllav Nikoliq. Ai tha përafërsisht se për Kosovën Serbia duhet të luftojë nëse bashkësia Ndërkombëtare ia njeh pavarësinë! A është ky njeri tamam me mendët e kresë?

A.D.- Ai njeri është tamam me mend aq sa ishte Milloshrviqi. Mirëpo, nuk ishte vetëm Millosheviqi ai që bëri mizoritë e gjakderdhjet e pafalshme mbi popujt e qytetarët e pafajshëm. Me të e prapa tij ishin të paktën një milion njerëz që jetonin e bënin pallë mbi kurrizin e dhjetëra milionë të tjerëve. Shesheli e Nikoliqi, me partinë e tyre Radikale ishin të rreshtuar menjëherë pas Millosheviqit. Pastaj vinin Drashkoviqi, Arkani e Dragani, Frenki e Legija me çetnikët e vet, vinte Koshtunica me simpatizantët e vet, vinte Pavli e Artemija me kortezhin e vet; vinin shërbimet sekrete të të gjitha llojeve, vinte inteligjencja e rreme e Serbisë, vinin garniturat udhëheqëse të administratës shtetërore, garniturat udhëheqëse të kapaciteteve shtetërore prodhuese, tregëtare, bankiere, garniturat udhëqëse të sistemit të (ç)edukimit, të (ç)kulturës, të (dez)informimit e krejt në fund vinin armata e policia. I gjithë ky kallaballëk i larëm njerëzish dhe të gjitha strukturat e “paketuara” prej tyre, përkundër pjesëmarrjes së tyre aktive në gjakderdhjet e tmerrshme që shkaktuan githandej ish-Jugosllavisë, me pak përjashitme, mbetën të paprekura dhe po funksionojnë aktivisht brenda sitemit shtetëror të regjimit të Beogradit. Tomisllav Nikoliqi është vetëm një zëdhënës joformal i këtij kallaballëku të larëm. Nëse keni përcjellur paksa me vëmendje reagimin e elitës së regjimit serb, nuk e keni pasur të vështirë të vëreni se me çfarë butësie, me çfarë mefshtësie, me çfarë delikatese iu kundërvunë fjalëve të tij luftënxitëse, vetëm disa individë e disa media. Disa faktorë të rëndësishëm nga bashkësia ndërkombëtare ende janë duke “përkëdhelur” Serbinë çetnike e neofashiste. Regjimi serb ende nuk e ka marrë përgjigen e meritur nga bashkësia ndërkombëtare për krimet e veta monstruoze. Kujtoni çfarë ndodhi në Srebrenicë. Forcat e NATO-s që kishin marrë përsipër mbrojtjen e Srebrenicës u stepën para brigadave të udhëhequra nga gjenerali Mlladiq dhe lanë popullatën e gjorë në mëshirën e bishave çetnike. 13.500 fëmijë, gra e pleq u faruan në mënyrën më mizore! Nuk mendoj se Nikoliqi është vetëm dhe nuk mendoj se kërcënimin e tij duhet marrë me përçmim. Nuk mendoj se Serbinë duhet nënçmuar as sot, as kurrë.

YMRANE DUKAGJINI: Zotëri Adem, Koshtunica tha se për asgjë, madje as për aderimin në Bashkimin Evropian Serbia nuk është e gatshme që të heqë dorë nga Kosova. Çfarë thoni Ju për këtë?

A.D.- Në Serbi ende është aktive “Cërna Ruka”. Ivan Stamboliqi dhe Zoran Gjingjiqi humbën kokat pikërisht sepse ishin të gatshëm që të pajtoheshin me realitetin dhe të shpëtonin popullin serb nga iluzionet e mitet e veta mesjetare. “Cërna Ruka” i ka rrënjët e rrembat e vetë në qarqet e korit të oficerëve të Serbisë, në qarqet e Sigurimit shtetëror, në qarqet e Akademisë së Shkencave e të Arteve, në qarqet udhëheqëse të Kishës Ortodokse dhe në qarqet e Masonerisë ndërkombëtare. Ne, mund të mendojmë çfarë të duam, por Serbia ende ka mbetur burim krizash dhe aventurash politike e kriminale.

SAMI SYLA: Letra e Kryesisë së LDK-së dërguar Agim Çekut, nga mediat tona u shndërrua në “furtunë në tenxhere”! A nuk përtoni që ta komentoni edhe Ju, në mënyrën Tuaj, këtë “mesele”?

A.D.- Me të vërtetë si thoni Ju, ajo letër u bë “mesele”! Para së gjithash, shtrohet pyetja, përse ka pasur nevojë që ajo letër të bëhej publike? Kujt i është dashur një gjë e tillë? Z. Agim Çeku sigurisht që nuk ka pasur nevojë për një letër të tillë. Çdo parti, nëse është parti dhe nëse mendon që të ruaj kredibilitetin para opinionit dhe zgjedhësve të vet e ka obligim që të shikojë se si sillen, si punojnë dhe çfarë rezultatesh tregojnë në postet e tyre ministrat që vijnë nga radhët e saj. Kjo do të ishte dhe është krejt normale, mirëpo të bëhet publike dhe madje të tregohet se cili person është i autorizuar nga PARTIA QË TË BËJË NJË PUNË TË KËTILLË, KJO NUK ËSHTË NORMALE. LDK-ja me këtë gjest, dikujt, ose disave ua dërgoi një mesazh, një selam, apo paralajmërim. Z. AGIM VUNIQI, po shkruan gjërë e gjatë se si LDK-ja, duke vepruar në këtë mënyrë, po e hedh poshtë dhe po e shkelë sistemin parlamentar duke injoruar mandatarin, kryeministrin Çeku, për të formuar e drejtuar qeverinë siç e kërkon sistemi demokratik e parlamentar. Kjo është e vërtetë, mirëpo, z. Vuniqi, nuk po e ka parasysh faktin se LDK-në ende po e kontrollon mafia e brendshme partiake e cila, duke nuhatur rrezikun e humbjes së pushtetit e me qëllim që të rrisë AUTORITETIN E VET E NË MËNYRË QË TË QËNDROJË EDHE MË TUTJE NË PUSHTET është duke bërë veprime tepër nervoze. Me këtë mënyrë, ka mundësi që “elefandët e moçëm” ua kanë bërë me dije anëtarëve të vet që përderisa ata t’i binden “rendit” të vet ata do të jenë të mbrojtur dhe të sigurt. Prandaj ata duhet ta kenë të qartë se prej kujt janë dhe do të jenë të mbikëqyrur dhe se kujt i japin dhe se do t’i japin llogari. Ndoshta LDK-ja, nën peshën e dosjeve të grumbulluara e të vala të UNMIK-ut, ka marrë sinjal nga instancat ndërkombëtare që të bëjë disa “pastrime” e “lëvizje” në institucionet kalimtare të Kosovës prandaj, për të “ruajtur poenat për vete”, del në “mejdan” si forcë që mban situatën në dorë dhe vepron. Ndoshta “elefandët” e moçëm duan të na e bëjnë me dije SE ATA JANË KËTU E JO AGIM ÇEKU! Këto janë finesa politike, por LDK-ja falë finesave edhe ka mbijetuar deri më tash në skenën politike të Kosovës.

BEKIM REXHEPI:Zotëri Demaçi, si e komentoni argëtimin politik të shqiptarëve me vetëdijen e ulët që po tregohet NDAJ ANTINOMISË SË TESTIMEVE ndërkombëtare?

A.D.- Dija e kufizuar dhe VETËDIJA E FJETUR E POPULLIT TONË NA BËJNË FORT TË PËRSHTATSHËM PËR TESTIME E EKSPERIMENTIME ndërkombëtare.




Letra pa ngjyrë dhe pa shije

Paraprakisht kjo letër nën tryezë është puç institucional, ngase zhvelërsohet krejtësisht institucionalizmi parlamentar dhe instalohet centralizmi dhe dogmatizmi në politikë ku vendimi politik është mbi rregullativën parlamentare dhe nuk është aspak në pajtueshmëri me teorinë e demokracisë.

Agim Vuniqi

Një letër “paramilitare” e dërguar nga kryesisa e LDK-së, nën tryezë (e nënshkruar nga nënkryetari i kryesisë z. Kryeziu), e adresuar për kryeministrin Çeku, tregon jo-seriozitetin e pushtetit kosovar, mu në fazën vendimtare të zgjidhjes së statusit final të Kosovës. Se sa janë energjik ideologët partiak të LDK-së, dëshmon për këtë rebelimi institucional, i një kryesie të tërë. Ky jo seriozitet është për çdo kritikë, me këtë akt është godtur rëndë institucioni legjislativ, është eleminuar politikisht parlamenti shumëpartiak i Kosovës, në të cilin ka bazën e përfaqësimit kryetari i Kosoves dhe mandatari i qeverisë, dhe atë në bazë të marrëveshjes për koalicion në mes të LDK-së dhe AAK-së, e zyrtarizuar përmes procedurës votuese nga parlamentarët. Si duket për “paramilitarët” partiakë (nuk është mbajtur asnjë mbledhje me këshillin qendror, edhepse kjo ishte e domosdoshme, vdekja e kryetarit të LDK-së dhe eliminimi politik i z, Dacit, përndryshe i zgjedhur kryetar i kuvendit të Kosovës, që në përbërjen e parë) nuk kanë farë rëndësie zgjedhjet nacionale, ku u verifikuan mandatet e parlamentarëve të cilët votuan kryeministrin dhe ministrat, ndarja e ministrave u bë në bazë të ujdisë për koalicion. Ashtu si veprojë kryesia e LDK-së, fatkeqësisht i hap rrugën e rebelimit edhe të ministrave serb në qeverinë e Kosovës, që mund të qojë edhe në krizë parlamentare, pra serbët të mos e pranojnë kryeministrin Çeku si mandatar dhe të provojnë t’i bashkangjiten qeverisë serbe dhe kryeministrit Koshtunica. Paraprakisht kjo letër nën tryezë është puç institucional, ngase zhvelërsohet krejtësisht institucionalizmi parlamentar dhe instalohet centralizmi dhe dogmatizmi në politikë ku vendimi politik është mbi rregullativën parlamentare dhe nuk është aspak në pajtueshmëri me teorinë e demokracisë. Një letër e tillë eshte dashur t’i adresohet parlamentit dhe për këtë të zhvillohet diskutimi i hapur. Forma e tillë e komunikimit me kryeministrin është metodë staliniste, dhe nuk ka të bëjë gjë fare me demokraci, është improvizm politik dhe formulë e kopjuar nga koha e Titos, kur diktatori jugosllav, diktonte rrjedhat politike me dekrete, duke i dhënë ngjyra letrës, që nënkuptonte zbatimin e urdhërave të diktuara politike, në kohë të caktuar politike. Letra i jep kompetenca shumë të gjëra zevendeskryeministrit kosovar Lutfi Hazirit, ndërsa e fundos politikisht z.Ceku, duke e penguar atë në kryerjen e detyrave qeveritare. Eshtë për habi një veprim i tillë kur kjo kryesi qëndron në kembë të luhatura pa bazë partiake. Eshtë më tepër se një vit që kryesia e LDK-së nuk ka tubuar anëtaresinë për të zgjedhur kryetarin e partisë, ajo vepron sipas modelit ish jugosllav të LKJ-së, partia kishte kryesinë e komitetit qendror të LKJ-së dhe kryesinë e pushtetit qendror, dhe e keqja e tashme është shumë më jostatutare dhe joligjore se ajo që ishte në kohën e “diktaturës proletare”, meqë vendimet politike i merrte Komiteti Qendror i LKJ-së, ndërsa i zbatonte kryesia e LKJ-së. Është brengosës fakti që në përpilimin e kësaj letre kanë marrë pjesë kryetari i Kosovës dhe kryetari i Kuvendit, i pari jep propozimin mandatarit për emrimin e ministrave ndërsa i dyti zbaton ligjshmërinë gjatë procedurës për emrim. Si njëri ashtu edhe tjetri si duket janë vetëm dekor i parlamentarizmit e asgjë tjetër, meqë me pajtimin e tyre u përligjë kjo parodi.




ADEM DEMAÇI: PËRGJIGJE PYETJEVE TË LEXUESVE

AHMET NAMANI: Si e komentoni DEKLARATËN E GRUPIT TË KONTAKTIT LIDHUR ME TAKIMIN NË NIVELIN MË TË LARTË MIDIS PRISHTINËS E BEOGRADOT MË 24 KORRIK NË VJENË?

A.D.- Kjo që thoni Ju, ishte dhe nuk ishte takim. Ishte njëfarë takimi sepse aty, në sallën e mrekullueshme të Vjenës, rreth tavolinës katërkëndshe ishin të pranishme katër palë: dy palët e konfrontuara, përfaqësuesit e regjimit tranzitor të Kosovës në krye me z. Fatmir Sejdiun dhe përfaqësuesit e regjimit të Beogradit, në krye me z. Koshtunicën. Aty ishin edhe pala udhëheqëse, drejtuese e tubimit, në krye me z. Ahtisarin dhe bashkëpunëtorët e tij, sidhe Grupi i Kontaktit, bashkë me disa organizata përcjellëse të botës, në cilësinë e dëshmimtarëve, të kontrolluesve, por besa edhe si të vëzhguesve të opinionit botëror. Në anën tjetër, kjo nuk ishte takim sepse palët e konfrontuara vetëm mund të shikoheshin, por nuk komunikonin me njëra tjetrën. Madje, në opinionin botëror, rrodhi një lajm që thotë se të dy palët konfrontuese as nuk janë çokur midis tyre. Të dyja palët kanë pasur nga 45 minuta për të shtruar qëndrimet e veta para opinionit botëror dhe para opinioneve të vendeve të veta. Serbia ka ofruar AUTONOMI THELBËSORE, kurse Kosova ka kërkuar PAVARËSI TË PLOTË. Bota (Ahtisari me Grupin e Kontaktit), ka shënuar ÇDO FJALË E ÇDO GJEST TË PALËVE TË KONFRONTUARA.
Tash, Ju lutem, lexojeni vetëm një pjesë të shkurtër nga deklarata e Grupit të Kontaktit:”...se duhet bërë të gjitha përpjekjet e mundshme(1) për të arritur një zgjidhje të negociuar(2) gjatë vitit 2006 e cila, ndër të tjera, është e pranueshme për shumicën e popullit të Kosovës(3) dhe e cila do të promovojë një shoqëri demokratike dhe multietnke(4) me një të ardhme të sigurt(5) për të gjithë qytetarët”.
Në deklaratën e Grupit të Kontaktit ka edhe gjëra tjera për t’u komentuar, por unë do të mjaftohem vetëm me nja disa pikë që kanë domethënie më të thellë nëse përqëndrohet vëmendja në to.
...”duhet të bëhen të gjitha përpjekjet e mundshme...” Ky formulim len të nënkuptohet se do të bëhen përpjekje të cilat palët e konfrontuara ( në të vërtetë ende armiqësore për shkak të qëndrimit ende hegjemonist dhe riokupues ndaj Kosovës të regjimit serb) ende nuk i kanë bërë dhe ende nuk i kanë përfunduar. Këto përpjekje nuk ka pushuar që t’i bënte Grupi i Kontaktit edhe deri më tash. Ata, pra GK, i përbërë nga SHBA-të, BRITANIA E MADHE, GJERMANIA, FRANCA, ITALIA DHE RUSIA, PRITËN PLOT 7 (shtatë) vjet që edhe materialisht e objektivisht regjimi i Beogradit të hiqte dorë nga POLITIKA HEGJEMONISTE E KRIMINALE E MILLOSHEVIQIT. Mirëpo, çfarë bëri regjimi i Beogradit për këto shtatë vjet? Ai vetëm ndërroi fjalorin e vet politik zyrtar, duke e shndërruar atë në një retorikë dinake e kozmetike, ndërsa objektivisht duke fshehur, dhe duke minimizuar para opnionit të gjerë serb rezultatet e politikës katastrofike të terrorizmit shtetëror serb ndaj popujve joserb në Serbinë e zgjeruar dhe gjithandej hapësirës së ish-Jugosllavisë. Madje, regjimi serb, pati paturpësinë që të PADISTE në instancat ndërkombëtare edhe Fuqitë demokratike të botës TË CILAT INTERVENUAN KUNDËR VEPRIMEVE MIZORE TË MILLOSHEVIQIT DHE ITHTARËVE TË TIJ NDAJ POPUJVE QË KËRKONIN LIRINË E PAVARËSINË E TYRE TË MERITUAR! GK si përfaqësues i botës, priti kot që regjimi i Begradit të ndërronte, të shpërbënte dhe të zëvendësonte mekanizmat partiake, ushtarake, policore, agjenturore e adminstraative, të cilat kishin frymëzuar, organizuar e ekzekutuar të gjitha veprimet gjenocidale, gjakatare e terroriste ndaj popujve të pafajshëm që kërkonin lirinë e tyre të shkelur e të shtypur me zjarr, me hekur E ME GJAK. Edhe sot, të gjitha këto mekanizma në shtetin serb mbetën e janë të paprekura! Bota demokratike e liridashëse, për shtatë vjet, priti që Serbia të pësonte ndryshime thelbësore e cilësore, por kot. Pas dorëzimit të Millosheviqit në Hagë nga ana e kryministrit të atëhershëm Gjingjiq, bota u tregua tepër dorëlirë ndaj regjimit të Beogradit. Me shpejtësi filmore UNIONI SERBI MALI I ZI U REHABILITUA DHE U PRANUA NË TË GJITHA ORGANIZATAT POLITIKE E FINANCIARE NDËRKOMBËTARE; IU FALËN GJYSMA E BORXHEVE; IU LEJUAN E PREMTUAN KREDI NDËRKOMBËTARE; NGA FIRMA TË NJOHURA PERËNDIMORE, NË FRYMËN E PROJEKTEVE PRIVATIZUESE, U BLENË DISA KAPACITETE TË RËNDËSISHME TË BANKROTUARA, OSE ASO PARA BANKROTIMIT TË SERBISË; U LEJUA DHE MADJE U NDIHMUA NGA SHBA-të DHE TURQIA PËRTËRITJA E MODERNIZIMI I INDUSTRISË USHTARAKE, PJESËRISHT TË DËMTUAR NGA BOMBARDIMET, TË SERBISË! Evropa e Amerika bënë “gjithçka që ishte e mundur” që Sebinë ta kthenin në rrugë të drejtë. Pas këtyre veprimeve të papritshme të shteteve të Evropës Perëndimore e të Amerikës në favor të popullit serb, regjimit serb, si thotë fjala popullore, “i doli tambli mbi përshesh”! Kriminelët e mafiozët e Serbisë menduan se ia hodhën Evropës. Ata, në vendse të bënin atë që priste bota prej tyre, ata bënë të kundërtën! Përsëri në pushtet u instaluan çetnikët e neofashistët dhe kur këta menduan se ishte momenti, urdhëruan “beretat e kuqe” që të likuidonin edhe njeriun që mundohej të kapte lidhjen me Evropën Perëndimere, kryeminstrin Zoran Gjingjiq. Edhe pas këtij krimi monstruoz, Bota demokratike, megjithkëtë, nuk deshi të shihte se nuk kishte bërë asgjë, ose më mirë të themi se kishte punuar fare gabimisht. Ajo, ende kishte iluzione se me lëshime të njëpasnjëshme kriminelët e mafiozët mund të ktheheshin në rrugën demokratike. Kur erdhi radha për të dorëzuar krykriminelët Mlladiq e Karaxhiq, përsëri u pa se bota demokratike nuk kishte bërë asgjë. Koshtunica nuk po i kapë dhe nuk po i dorëzon as Mlladiqin, as Karaxhiqin! Evropës nuk po i duhen dy kriminelë, por po i duhet dhe po pret që Serbia të ndryshojë thelbësisht natyrën e pushtetit të vet kriminal. Prapë luhatje të Evropës!... Tash Evropa, përsëri duke i bërë lëshime Serbisë në llogari të shqiptarëve e të Kosovës, po shpreson se do ta kthejë regjimin serb në drejtim të demokracisë. Prej nesh, ende pa qenë shtet, Evropa e Amerika po kërkojnë që në emër të të drejtave të pakicave, në emër të decentralizimit, në emër të sigurisë e të ruajtjes të objekteve kulturore e fetare Serbisë t’i lejohet që, në zemër të Kosovës, të formojë një mini-shtet serb etnikisht të pastër dhe me anën e tij të bllokojë tërë jetën tonë politike, ekonomike e kulturore. Qëllimi i regjimit kriminal e mafioz serb është që pasi që Kosovën TA MBAJË PËR NJË KOHË NË KRIZË TË PËRGITHSHME E TËVAZHDUESHME, SI “TERAPI” PËR NJË “SHËRIM” TË KRIZËS TË ANEKSOJË PJESËN E “SERBIZUAR” TË Kosovës! Qëllimi i kriminelëve e mafiozëve të Serbisë është që KOSOVA PËRFUNDIMISHT TË PALESTINIZOHET.
Në vendse bota Serbinë, për krimet e panumërta e të pafalshme, ta dënojë, ajo po e merr me të mirë e ne po na shtynë, “duke bërë gjithçka është e mundshme, që me regjimin serb të “GJEJMË NJË ZGJIDHJE TË NEGOCIUAR”! Me kriminelët e mafiozët e Beogradit?! Me çetnikët e neofashistët e Beogradit të “GJENDET NJË ZGJIDHJE E NEGOCIUAR E CILA DO TË ISHTE E PRANUESHME PËR SHUMICËN E POPULLIT TË KOSOVËS” E si të negociojmë, moj AMERIKË E MOJ EVROPË, ME NJË REGJIM QË BËRI GJITHATO KRIME GJITHANDEJ KOSOVËS? SI TË NEGOCINOJMË ME REGJIMIN QË ORGANIZOI E EKZEKUTOI MASAKRIN E PAPARË TË DUBRAVËS? SI TË NEGOCIOHET ME REGJIMIN QË NA I VODH EDHE KUFOMAT E TË VRARËVE PËR TË FSHEHUR KRIMET E VETA FASHISTE? SI TË NEGOCIOJMË ME REGJIMIN QË PO I FSHEHË ÇETNIKËT GJAKATAR DHE QË NUK PO E FSHEHË SE ËSHTË NË ANËN E TYRE? Për të gjetur zgjidhjen që do të vinte në pah VULLNETIN E SHUMICËS SË POPULLIT TË KOSOVËS ekziston instrumenti i verifikuar dhe i pagabuar e ky është REFERENDUMI. PËRSE, PRA, HEZITOHET?
Sa i takon, ...“promovimit të një shoqërie demokratike e multietnike”me ne shqiptarët, për një gatishmëri të tillë, pak ndonjë popull që mund të krahasohet. Prandaj GK dhe disa qarqe botërore, NË KËTË ÇËSHTJE, i “sulen portave të hapura”! Ne jemi ndër popuj të rrallë që në hapësirën tonë kombëtare kemi të inkorporuar tri besime të mëdha botërore, tri kultura të mëdha botërore dhe multietnicitetin e kemi të trashëguar që nga koha bizantine e otomane. Prandaj ne, pa na shtyrë kush, jemi duke ndërtuar dhe përsosur shoqërinë multietnike duke qenë të hapur edhe ndaj pakicës serbe pavarësisht që Beogradi, për qëllimet e veta kriminale, është duke u munduar të pengojë një proces të këtillë. Sa për të ...”krijuar një të ardhme të sigurt” kjo nuk do të varet vetëm prej nesh dhe pakicave që jetojnë në Kosovë. Kjo do të varet të shumtën nëse Serbisë nuk do t’i lejohet që të përzihet në mënyrë arbitrare dhe të palejueshme në rrjedhat normale të Kosovës. Tek e fundit Kosova është një vend i vogël i cili dëshiron që të jetë pjesë e pandashme e Evropës dhe që dëshiron të zhvillohet sipas standardeve evropiane dhe ne shqiptarët e kemi kuptuar që moti se liria jonë është e lidhur ngushtë me lirinë e të tjerëve dhe fati ynë është i pandashëm nga fati i gjithë njerëzimit.

SHAIP HAXHIU: Koshtunica e tha ofertën e vet. Çfarë keni Ju për të thënë?

A.D.- Koshtunica vetëm e ka përsëritur ofertën e Millosheviqit të vdekur. Falë mikut tim Fahri Musliut, korrespondent i shumë mediave nga Beogradi që ma dërgoi fjalimin e Koshtunicës mbajtur në Vienë, pata mundësi të njihesha në mënyrë më të plotë me qëndrimin e pushtetmbajtësve serbë lidhur me Kosovën. Është për t’u habitur se sa transparentë, sa u takon qëllimeve të padrejta, janë hegjemonistët e Beogradit. Është poashtu për t’u habitur fort se sa të paargumentuara janë kërkesat dhe “ofertat” serbe. Nga fjalët e z. Koshtunicës, për njeriun i cili nuk është i njohtuar me problematikën serbo-shqiptare duket sikur ndonjë shqiptari, ashtu kotnasikoti i ka shkuar ndërmend që të ndahet Kosova nga Serbia dhe tani z. kryeminstri sikur ka të bëjë me ndonjë adoleshent, përpiqet ta bindë atë që të heqë dorë nga mendimi i tij që i paskësh lindur kot!
Z. Koshtunica si pa të keq thotë përafërsisht kështu:”se Serbia nuk mund të lejojë që në 15% të territorit të vet të krijojë dikush tjetër një shtet...” Madje ai “sharron” edhe më thellë kur shton se ai nuk njeh ndonjë rast të këtillë e është i bindur se edhe të tjerët nuk njohin ndonjë rast të tillë në botë.
Kur njeriu mbron një qëndrim që është në kundërshtIm me LIGJIN E JETËS, ai, atëherë, më së paku bëhet qesharak. Një herë të shohim për këto rastet që nuk i njihka z. Koshtunica. Vallë, nuk e ditka zotëria, profesor i Univerzitetit nga Beogradi, se si u krijuan shtetet, se si u krijuan perandoritë e se si poashtu u shpërbënë, po shpërbëhen e do të shpërbëhen perandoritë e krijuara dhe të mbajtura me dhunë?! E di ai fare mirë, por bëhet sikur nuk e di se si ishin formuar dhe me kohë ishin shpartalluar Perandoria Mongole, Perandoria Romake, Perandoria Otomane, Perandoria Austro-Hungareze, Perandoria Spanjole, Perandoria Portugeze, Perandoria Angleze. Paj, si është e mundur dhe si e lejon veteen të bëhet aq i padijshëm? Paj edhe vetë shteti serb, është krijuar pas disa kryengritjesh kundër robërisë otomane. Paska harruar, zotëri profesori, kryengritjen serbe të 1804-shit, kryengritjen serbe të 1815-shit, kryengritjen serbe të 1830-shit? Edhe sulltani i atëhershëm thoshte se nuk mund të lejonte që dikush në 1% a 0,5% të territorit të Perandorisë otomane dikush tjetër të krijonte shtet më vete. Mirëpo, çka i kishte hije një diktatori e despot-sulltani të thoshte para dyqind e sa vjetësh, sot, zotëri profesor-“demokratit”, nuk i ka hije aspak. Madje, për të sot, t’i qesë nga goja ato fjalë në njërën nga qendrat e demokracive të avansuara të Evropës, është më tepër se turp, më tepër se kori! Paj, si u krijuan, lum Zotëria i paturp, gati 200 shtete të sotme të pavarura përveçse duke u shpartalluar perandoritë tjera para perandorisë jugosllave, të cilën qiftat e tij u munduan ta mbanin në këmbë me zjarr, me hekur e me gjak.
Por, mos ta çoj më gjatë këtë muhabet, Le të shohim si i bëri Serbia këto territore që pretendon se janë të sajat? Ju e dini këtë punë më mirë se unë, por për hatrin e lexuaesve të nderuar më duhet të kthehem paksa në histori.
Paj, këto që thotë zotëri profesori se janë toka serbe, në të vërtetë të gjitha janë toka të okupuara. Ai e di se kur kanë ardhur sllavët në Ballkan,? Në shekujt e gjashtë e të shtatë. Ai e di se kur është formuar shteti i parë serb i Rashkës? Në shekullin e dymbëdhjetë. Ai e di se si dhe kur janë pushtuar tokat e Toplicës e të Duboçics? Ai e di fort mirë se kur është bërë pastrimi etnik nga shqiptarët të mëse 650 fshatrave (muhaxheria e parë dhe dytë 1875-78). Ai e di fort mirë se kur është okupuar Kosova e Maqedonia nga forcat serbe të udhëhequra nga nga kral Petri e biri i tij Aleksandri. Në tetor-nëntor 1912. Vallë, me të drejtën e forcës e të okupimit qenkanë bërë tokat tona toka serbe?
Zotëri Koshtunica, “me zemërgjerësi na ofron autonomi thelbësore”. Z. Koshtunica po na trajton sikur ne të ishim ndonjë popull idiotësh e debilësh! Popujt sllavë nuk deshën dhe nuk duruan dot që të bashkëjetonin me një serbi gjithashtu sllave, por hegjemoniste e ne që nuk jemi fare sllavë, pas gjithë atyre mizorive që përjetuam nga regjimet serbe, na ofrohet përsëri një “autonomi”-robëri!
E keni Luginën e Preshevës për të treguar se si duket autonomia juaj thelbësore. I keni gjithashtu hungarezët, rumunët, boshnjakët e Sanxhakut e disa popuj tjerë që të tregoni se, me të vërtetë, keni ndërmend të demokratizoheni...

FETAH MALOKU: Pas të gjithave, zotëri Demaçi, a po i vie era PAVARËSI?

A.D.- Era po i vie, por vetëm me erë nuk jetohet, o, lum Fetahu!




ADEM DEMAÇI: PËRGJIGJE PYETJEVE TË LEXUESVE


ARSIM DURIQI: Korrupsioni NË KOSOVË dhe idealizmi i njeriut të quajtur HASAN PRETENI! Çfarë mendoni Ju për këtë fenomen?

A.D.- Mos na lashtë ZOTI pa idealistë! Idealistët e kanë mbajtur dhe e kanë çuar botën përpara. Pak për t’u qeshur, në këto kohëra të vapës sonë politike dhe pak për të zhvilluar një dialog me Ju zotëri Arsim, po Jua tregoj një anekdotë për Nastradin Hoxhën, mjaft të njohur edhe në hapësirën tonë shqiptare. Qet pashai i asaj kohe, për të bërë hoka me njerëzit e memleçetit, një kumtesë:”KUSH MA MËSON GOMARIN PËR TË FOLUR BRENDA KATËR VJETËSH I FITON NJËQIND DUKETË”! Populli qeshte.Kush guxonte që të merrte një ndërmarrje të atillë mbi vete? Dëgjon Nastradini për këtë “ofertë” dhe, pa një pa dy, shkon drejt te pashai. Merr përsipër kushtin dhe me kapistrin përdore, për midis pazarit, po kthehej, nga pallati i pashait. Të gjithë ngarruan rreth tij. “Hej, Nastradin, a je në vete, a mësohet gomari të flasë”? Ai, vetëm vazhdonte rrugës pa kthyr kokën. Dikur u bë kallaballëk i madh dhe hoxha u ndal e tha: “Ikni, bre popull! Më leni rehat! Ju, nuk jeni në vete”! “Si, or Nastradin ne nuk jemi në vete?! Ku ke dëgjuar ti GOMARI të flasë?! Ti nuk je në vete e jo ne”! Nastradin Hoxha, më në fund, kinse i nervozuar, i hypi gomarit dhe i krekosur ngriti dorën lart duke cingërruar lirat në qesen e mëndafshtë e tha:”O, popull tuaf! Paj, BRENDA KATËR VJETËSH, OSE DO VDESË PASHAI, OSE DO VDESË UNË, OSE DO TË NGORDHË GOMARI”! Populli ngeli duke sjellur kokën, ndërsa Nastradini vazhdoi rrugën mbi gomar. E pyetën:”Kah po ia mba o, Nastradin”? “Andej kah e ka bërë mend gomari”.
Duket se në kohërat e Nastradinit katër vjet paskanë qenë goxha të gjatë! Mirëpo, këtu te ne, koha është duke fluturuar dhe shumë shpejt do të shihet se zotëri HASAN PRETENI PASKËSH QENË NJË IDEALIST FORT I GUXIMSHËM. Por, unë kam qenë, jam dhe do të jem me idealistët. Prandaj, disa fjalë dua t’i këmbej me zotëri PRETENIN. Vallë, e di zotëriu se kush janë ata që e kanë zgjedhur në atë post tejet të rëndësishëm? Fakti se ata zotërinjë e kanë zgjedhur z. PRETENIN në atë post nuk do të thotë se ATA KANË NDRYSHUAR NATYRËN E TYRE PREJ KORRUPTUESISH DHE TË KORRUPTUARISH. Ata që kanë përcjellë fjalët e z. PRETENIT mund të binden për ZEMËRBARDHËSINË E TIJ PREJ IDEALISTI. Ai thotë:”Mirëpo më gëzon fakti se si qytetar i thjeshtë, nuk kam qenë i kyçur në asnjë parti politike, por në mënyrë të drejtë kam konkuruar, jam intervistuar dhe jam zgjedhur drejtor pa asnjë intervenim. Kjo tregon se diçka funksionon, nuk është gjithçka keq edhe tek institucionet”. Sa pak duhet që njeriu zemërbardhë të mashtrohet! Vetëm që ta zgjedhin dhe ta vendosin në post! Zotëri PRETENI vazhdon me të njëjtin idealizëm:”Do të tentoj që këtë pavarësi me sjelljen time dhe imazhin që kam krijuar deri më tani ta përcjell dhe ta bart në agjencinë. Të krijoj një agjenci me njerëz të cilët nuk kanë qenë të kyçur në parti politike ose që nuk janë bartës të funksioneve ose të kenë kryer çfarëdo veprimi tjetër në organizata të ndryshme”. Bukur sa s’ka! Po e zëmë se do të gjejë njerëz çfarë premton e mendon z. PRETENI dhe se nuk do të përzihet askush në përzgjedhjen e njerëzve që ai ka ndërmend të angazhojë në punën e tij. Dhe, shikoni Ju si mendon z. PRETENI ta kryej punën e vet qëllimmirë. “Këtu kam parasysh krijimin e një veb-faqeje të Agjencisë ku njerëzit mund të kontaktojnë, të paraqesin ndonjë vepër korruptuese dhe më pastaj do t’i paraqitet prokurorisë”. Ah, fort i dashuri Hasan PRETENI! Mendoni se me aq do ta kryeni detyrën Tuaj? Ju duhet ta dini, ose do ta dini se sa padi e materiale ka nëpër prokuroritë tona të cilat zvarriten me vite pa kurrfarë rezultati. Ju duhet ta dini se kush komandon me prokuroritë e me gjyqet tona, me policinë e Qeverinë tonë, me Prsidencën e me Kuvendin tonë. Pikërisht, për këtë arsye, aty mbeten për të gjetur zgjidhje me mijëra lëndë “prej Shën Mitrit e në Shën Gjergj e prej Shën Gjergjit e deri në Shën Mitër”! A e dini Ju, zotëri zemërbardhë se me dhjetëra mijëra VENDIME TË PLOTFUQISHME gjyqësore presin me vite përmbarimin e tyre? Nuk ka mekanizëm përkatës që t’i ekzekutojë! Përse, vallë? Sepse kushtuakan shumë shtrenjtë ato mekanizma! Prandaj më lirë po kushtuaka që të mos arrestohen e të mos ekzekutohen sanksionet ndaj fajtorëve! Nuk i dini këto, prandaj edhe keni marrë mbi vete një detyrë tejet humane, por edhe tejet të koklavitur. Unë i DHASH vetes të drejtë që, me këto pak fjalë, të Ju përgatisja psiqikisht që të mos sëmureni kur ta merrni vesh të vërtetën e hidhur për funksionalitetin e institucioneve të Kosovës. Dhashtë ZOTI e gjërat ndryshofshin prej momentit kur Ju ta filloni punën Tuaj të rregullt!

ISMAILHAKI IBRAHIMI: Ju lutem për analizën Tuaj lidhur me rezultatet e zgjedhjeve në Maqedoni dhe çfarë më tutje?

A.D.- Zgjedhjet në Maqedoni ishin jo vetëm një ngjarje me rëndësi politike, por ishin edhe një test i fortë për shkallën e vetëdijes politike të popullit atje dhe të elitës politike të popullit atje. Pjesëmarrja zhgënjyese në procesin zgjedhjor të qytetarëve flet se ata shumë shpejt janë lodhur nga politika dhe se nuk iu intereson gjithaq fati i tyre politik. Shumë keq! Sa i takon elitës sonë politike shqiptare atje, u bënë disa gjëra që na dëshpëruan jo pak. “Lufta” për pushtet herë-herë, si këtu tek ne, lente nën hije interesin kombëtar. Në këtë frymë pati madje edhe veprime kriminale. Fort keq! Pas numërimit të votave ishte e qartë se elektorati maqedonas lëvizi në të djathtë. Fitoi partia VMRO-DPMNE e udhëhequr nga z. GRUEVSKI. Mirëpo fitorja e z. Gruevski nuk ishte aq e madhe sa të mund të formonte qeverinë vetë. Partia e tij bëri disa “sondazhe” për të gjetur partnerët e përshtatshëm për një qeveri stabile. PDSH-ja e Arbër Xhaferit nuk fitoi besimin e plotë të elektoratit shqiptar, por fitoi aq vota sa të mund të bëhej një partner i mirë për Gruevskin. Kjo parti edhe para votimeve kishte marrëveshjen me z. Gruevskin për një koalicion eventual. Në anën tjetër, Partia shqiptare BDI e Ali Ahmetit, deri në fund të mandatit të shkuar kishte qenë në koalicion me partinë SDM të z. Buçkovski. Deri atëherë BDI-ja ishte llogaritur si parti e majtë edhepse te ne shqiptarët ende nuk janë kristalizuar sa duhet të majtat e të djathtat. Në botë dihet, të majtat mbrojnë interesat e klasës punëtore, të djathtat mbrojnë kapitalin, partitë liberale mbrojnë shtresat e mesme. Në momentin kur Partia e Gruevskit, nën trysninë e faktorit të jashtëm u luhat për të marrë në koalicion edhe BDI-në, nga PDSH- ja u dëgjuan zëra që bënin të ditur se “lufta” për pushtet e kolltuqe ua mori anën interesave kombëtare e interesave të stabilitietit rajonal. Tingëlloi jo fort bindëse fjala e Arbër Xhaferit kur ai brengosej se mos skena politike e Maqedonisë do të mbetej pa “opozitë”! Por edhe në anën tjetër, dukej një situatë fort e pakëndshme kur Ali Ahmeti, vetëm për hatër të kolltuqeve shtyhej e lakohej për të hyrë në koalicion me Gruevskin e me Arbër Xhaferin! Madje, sipas disa zërave që mbërritën këtu te ne sikur z. Ali Ahmeti, në një moment paska pas thënë se “nëse BDI-ja do të mbetet jashtë koalicionit, në Maqedoni do të ketë probleme”! Trysnia ndrëkombëtare për të përfshirë edhe BDI-në në koalicion, si duket po vazhdon. Si thonë mediat, për t’u mbrojtur e për të forcuar pazarin, z. Gruevski i qenka drejtuar z. Ali Ahmeti me kërkesën që ky të kërkojë falje për deklaratën “kërcënuese” që ky e paska pas bërë. Pak kush dyshon se z. Ali Ahmeti nuk do të formulojë ndonjë fjali në formë të kërkimfaljes. I ëmbël i shkreti pushtet! Me pak fjalë, u pa se interesat po dominojnë mbi idealet! Ne, qytetarët e thjeshtë të Kosovës, vëllezërit tanë kudoqë janë i përjetojmë dhe dëshirojmë që t’i shohim si një terësi e papërçarë sikundër që të tjerët shqiptarë, jashtë Kosovës, ne dëshirojnë të na shohin të bashkuar dhe të papërçarë. Mirëpo, kur politika shndërrohet e zbërthehet në interesa individuale e grupore, atëherë përçarjet janë të gatshme. Duhet t’i shohim realitetet e reja, por nuk duhet t’i pranojmë dhe të mësohemi me to. Sepse edhe nga përvoja jonë më e re e pamë se ku na sollën e sa na kushtuan e sa po na kushtojnë ndarjet e përçarjet në interesa individuale e pjesore me kohëzgjatje të përkohshme.

HAJREDIN BYTYÇI: Ju lutem, “QENDRA ADMINISTRATIVO PROTOKOLARE”, në Gërmi, po ose jo?

A.D.- Zotëri Hajredin, e vërteta nuk është gjithëherë po, ose jo, bardh, ose zi. Rasti i “Qendrës Administrative Protokolare” (QAP) është pasqyrë e mjerë e shoqërisë sonë ku në pushtet vazal, me vota të manipuluara, janë sjellur kojtaxhinjtë, çallëmxhinjtë e dallaverexhinjtë. Të hollat e popullit të mjerë e të shkretë po keqpërdoren në një mijë mënyra. Kjo që u bë me QAP-in është shembulli më i shëmtuar i këtij lloji. Është dëmtuar në mënyrë të pafalshme e vetmja pushimore malore që ka Prishtina. Dmth. është bërë një dhunim i natyrës së bukur e të blertë dhe është cunguar e drejta elementare e qytetarëve të kryeqytetit tonë. Për të bërë zefk nëpër bazene e sauna dhe nëpër apartamente ultraluksoze e për të qitë çallëm Kosova e varfër para Evropës së pasur, është hyrë në investime të hatashme financiare në kohën kur Kosova ka mëse 130.000 pensionistë të cilët duhet të jetojnë me 40 Evro në muaj! Në kohën kur ekonomia kosovare eksporton vetëm 4% ndërsa importon 96%, në kohën kur Kosova ka papunësinë e varfërinë më të madhe në Evro-Azi, ne po na ndodhin skandale të këtilla politiko-ekonomike!
Kuvendi në saksi i Kosovës bëri një gjest hipokrizie. Pasi që janë shpenzuar gati 2 milon Evro dhe u bë sakatosja e ambientit të bjeshkëve të Gërmisë e “studioi situatën” dhe i gjeti arsyet që të vazhdojë e të përfundojë krimin e vet. Është e arsyeshme që nuk do të paguhej në asnjë mënyrë që godina e ngritur, deri diku, të rrëzohet. Por nuk është aspak e arsyeshme që kriminelët që shpërdoruan të hollat e popullit të falen e madje të shpërblehen. Mendoj se shumica e popullit të ndërgjegjshëm të Kosovës janë për rekonstruktimin e godinës dhe për përshtatjen e saj për një destinim tjetër në të mirë të shumicës së popullit të Kosovës. Propozimi i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut që kjo godinë të përshtatet për një QENDËR ANTI – TUBERKULARE të Kosovës është fort i mirë. Por, si po dëgjoj, një qendër e tillë tashmë ekziston dhe funksionon në malet e Pejës, mirëpo kapaciteti i tij shfrytëzohet përgjysëm. Ngritja edhe e një kapaciteti të ngjashëm nuk do të ishte i domosdoshëm dhe për më tepër mirëmbajtja e tij do të ngarkonte tejmase buxhetin e Kosovës. Unë kam një propozim që do të kishte vlerë fort të madhe për Kosovën dhe njëkohësisht, jo vetëm që nuk do të ngarkonte buxhetin e Kosovës, por edhe do të ndihmonte në mënyrë të gjithanshme zhvillimin e Kosovës. Kjo do të ishte: “QENDRA E KULTURËS NDËRKOMBËTARE”(QEKUND). Ose edhe më mirë:“QENDRA E MIQËSISË DHE KULTURËS NDËRKOMBËTARE” (QEMIKUND).
Në këtë mes rol vendimtar do të mund të luante Gjyqi Kushtetues i Kosovës i cili me vendimin e tij të drejtë, duke çfuqizuar vendimin e shtrembër të Kuvendit në saksi të Kosovës për të vazhduar punimet në godinën në fjalë do të mund të shpëtonte nderin e vet si gjyq i paanshëm dhe do të mund të ndikonte që çështja rreth kësaj godine të marrë rrjedhë të drejtë dhe në interes të Kosovës. Pas një vendimi të këtillë eventual, Presidenti i Kosovës do të mund të merrte një vendim special që godina në ndërtim të marrë destinim të pacaktuar deri në përfundimin e veprimeve që do të definonin fatin e saj.
Ja, çfarë, në vija të trasha do të mund të ndërmerrte Presidenti i Kosovës:
1. Të marrë kontakt të drejtpërdrejtë me përfaqësuesit diplomatik të NËNTË SHTETEVE MË TË RËNDËSISHME, MË TË MËDHA E MË TË ZHVILLUARA TË BOTËS. KËTO SHTETE SIPAS TË GJITHA VLERËSIMEVE JANË: SHBA-të, GJERMANIA, JAPONIA, RUSIA, KINA, BRITANIA E MADHE, FRANCA, ITALIA E KANADAJA.
2. Këtyre shteteve Presidenti i Kosovës do t’ua sygjeronte këtë PROJEKT-RPOPOZIM:
3. Godina do të mund të tejtrajtohej në një pallat nëntëkatësh dhe secili nga shtetet e lartpërmenduara do të mund të dispononte me njërin nga katet. Në katin e “vet” çdo shtet përkatës do të mund të mbante një ekspozitë të përhershme historike-gjeografike, teknike-teknologjike, kulturo-artistike e tregëtare-turistike. Kati do ta kishte sallëm e kinemasë ku do të shfaqeshin filmat e produksionit të shtetit përkatës. Atje do të ishte teatri ku do të mund të shfaqeshin pjesë teatrore, opera, balete e koncerte muzikore të autorëve të shtetit përkatës. Në këtë kuadër do të ishte biblioteka adekuate e shtetit përkatës. Nuk do të mungonte edhe salla në të cilën publiku kosovar do të mund të konsumonte pije e ushqime nga kuzhina e shtetit përkatës.
Kjo do të ishte ideja e pakompletuar dhe në vija shumë të trasha. Detalet e modalitetet tjera shërbyese e financiare lidhur me ndërtimin e shfrytëzimin e këtij objekti DO TË MUND TË DISKUTOHESHIN ME SHTETET MIKE. Nëse ndonjeri shtet nga këta të propozuarit nuk do të kishte interes për një bashkëpunim të këtillë do të mund të zëvendësohej me shtete tjera mike që kanë interes për bashkëpunim të këtillë.
Sa di unë një qendër të këtillë nuk e ka asnjë shtet i botës. Edhe një arsye më shumë që të paktën në një punë të hijshme e të mbarë të jemi të parët e botës.
Zotëri Fatmir Sejdiu, ja një punë e dejë për Ju. Por, nuk e di nëse Ju shkohet fjala në këtë Kosovë të korruptuar deri në fyt?



ADEM DEMAÇI: PËRGJIGJE PYETJEVE TË LEXUESVE

ALBAN GASHI: Z. Demaçi, cila parti, tashpërtash, i ka kuadrot më të “forta”?

A.D.- Po e kuptoj se çfarë doni të thoni me atë fjalën të “fortë”. E kam thënë disa herë, por nuk është keq që ta përsëris të vërtetën e ditur se si është qumështi e tillë është edhe maza:qumështi i dhisë e ka mazën përkatëse, me më pak yndyrë, qumështi i dhenëve e ka mazën përkatëse me më shumë yndyrë. Në këtë drejtim të mendimit mund të përfundojmë se në çfarë niveli është populli në atë nivel përkatës e ka edhe elitën e vet politike. Mirëpo, meqë jemi në fushën e politikës duhet të përcaktohemi edhe për definicionin e politikës. Në përdorim ka shumë definicione, që nga përkufizimi më serioz e deri te përkufizimet më pak serioze e deri te përkufizimi që, fatkeqësiaht është më joseriozi, por edhe më i përhapuri në popullin tonë, që politikën e definon si RRENË, GËNJESHTËR, ose MASHTRIM! Në vazhdën e këtij definicioni të çoroditur rrjedh se POLITIKANI SA MË SHUMË TË RREJË E TË GËNJEJË DHE SA MË SHUMË TË MASHTROJË AQ POLITIKAN MË ZOTI E MË I MADH ËSHTË!

E, në të vëertetë POLITIKË ËSHTË TË VEPRUARIT DUKE PASUR PARASYSH ME MILIARDA E MILIARDA FAKTORË QË VEPROJNË NË SHOQËRI E NË NATYRË. Pra, kush ka kapacitet që të thellohet në këtë definicion e ka të qartë se politika nuk është as rrenë, as gënjeshtër, as mashtrim, por është e kundërta e këtij nocioni. Rrenë, gënjeshtër a mashtrim është vetëm për aq sa shkenca mashtrohet në zbulimin, ose vlerësimin e thelbit të faktorit që merret parasysh. Deri para pesëdhjetë vjetësh, sipas politikës shëndetësore e cila mbështetej në zbulimet e deriatëhershme shkencore, mendohej se mishi e qumështi janë faktorë shëndetësorë për të githë njerëzit. Mirëpo sot, politika shëndetësore e mbështetur në zbulimet më të reja shkencore mendon se mishi jo për të gjithë njerëzit është faktor shëndetësor. Sot politika shëndetësore, në bazë të hulumtimeve më të reja shkencore, thotë se edhe qumështi jo të gjithëve u bën mirë. Sot edhe shumë shtete me traditë të cilat dikur kanë derdhur gjak e gjak për të mbrojtur kufijt e vet, në bazë të interesave të sotme, konkrete, ekonomike, janë duke u përpjekur që të heqin dorë nga kufijt e vet e të bëhen pjesë e Bashkimit Evropian. Me pak fjalë, ndërsa dikur, kufiri i shtetit, për shumë kombe e shtete, ishte faktor stabiliteti e prosperiteti, sot kufiri, për shumë shtete, po bëhet pengesë për një stabilitet e prosperitet edhe më të madh. Mirëpo të gjithë popujt, të gjitha kombet e të gjitha shtetet nuk janë në të njëtën fazë të zhvillimit material e mendor. Prandaj edhe njerëzimi, në rrugën e pandalshme të zhvillimit të vet, po ecën, herë më ngadalë, herë më shpejt, duke kaluar nëpër kundërthënie herë më të vogla, herë më të mëdha. Sikur udhëheqësit e regjimit hegjemonist, çetniko-neofashist serb t’i kishin pasur parasysh të gjithë faktorët politik, ekonomik e vetëdijsorë që vepronin në Kosovë, në Serbi, në ish-Jugosllavi, në Ballkan, në Evropë e në botë, duke u mbështetur në analiza të sakta shkencore, sigurisht që nuk do ta fillonin AVENTURËN E TYRE POLITIKO-USHTARAKE E CILA SHKAKTOI SHPARTALLIMIN E PLOTË TË ISH-JUGOSLLAVISË DHE IZOLIMIN E TYRE TË PLOTË. Sikur në krye të regjimit të sotëm serb të ishin, si thoni Ju, kuadro të “forta”, ata, në rend të parë, do ta kishin parasysh interesin e shtetit serb dhe prandaj kurrsesi nuk do të insistonin në riokupimin e Kosovës. Mirëpo, ata, në rend të parë kanë parasysh interesat e tyre që të vijnë, ose që të mbeten sa më gjatë në pushtet, prandaj edhe valvitin kaq me kokëfortësi flamurin e riokupimit të Kosovës, duke llogaritur në nivelin e ulët të vetëdijes politike të popullit serb. Falë asaj vetëdijeje të ulët ata patën arritur që të merrnin votat e përkrahjen e shumicës së popullit serb që të fillonin AVENTUARËN E TYRE TË PËRGJAKSHME E KRIMINALE. FALË KËSAJ VETËDIJEJE TË ULËT KËTO KUADRA ENDE JANË NË PUSHTET DHE PO I PËRGATISIN POPULLIT TË VET EDHE NJË GJAKDERDHJE TË RE KRIMINALE. Pra, populli serb, si po shihet, ende e ka udhëheqjen dhe kuadrat politike të atilla që mund t’i ketë dhe aso çfarë i meriton.

Edhe ne këtu në Kosovë i kemi partitë dhe kuadrat në ato parti ashtu si jemi ne vetë si popull dhe ashtu si i meritojmë. Cili popull përveç popullit tonë me këtë vetëdije të shkretë do të votonte përsëri për liderët të cilët jo vetëm që nuk morën pjesë në KRYENGRITJEN ÇLIRIMTARE, por edhe bën ç’mos për të penguar kryngritjen tonë çlirimtare, nën udhëheqjen e UÇK-së? Cili popull, përveç popullit tonë me vetëdije të fjetur, do të votonte për liderët të cilët nënshkruan dokumentin me të cilin pajtoheshin që Kosova të mbetet nën integritetin e sovranitetin e Serbisë e cila na i shkaktoi gjithë ato tragjedi e mizori?

Në partitë për të cilat po më pyetni mua, me shumë pak përjashtime, janë grumbulluar individë të cilët, në rend të parë e mbi të gjitha, kanë vënë interesat e veta personale e pastaj interesat e Kosovës.Prandaj, aty mos i kërkoni kuadrat e “forta”. Po, mund të më thoni, si është e mundur që me këto kuadra “jotëforta”, megjithate, po përparojmë ngadalë? E para, ata që ishin shtylla kurrizore e kryengritjes dhe të cilët ranë në vijat e para të fronteve të luftës çlirimtare ishin kuadra SHUMË TË FORTA DHE SHPËTIMIN E SUBSTANCËS SONË KOMBËTARE UA DETYROJMË PIKËRISHT ATYRE. E dyta, lufta jonë çlirimtare, përkundër gabimeve të shumta që u bënë ishte dhe është e drejtë dhe në përputhje të plotë me LIGJIN E JETËS i cili i çon të gjithë drejt lirisë e pavarësisë. E treta, kjo që po dalim, dalngadalë, nga kurthi i Rambuje-Parisit dhe nga Rezoluta 1244 e KS e ka burimin te gabimet TRASHANIKE DHE TË NJËPASNJËSHME TË “CËRNA RUKËS” DHE TË PARTIVE ÇETNIKE-NEOFASHISTE NË SERBI TË CILAT PËRSËRI, PAS LUFTE, U INSTALUAN NË PUSHTET DHE VAZHDUAN E PO VAZHDOJNË POLITIKËN E MILLOSHEVIQIT TË “HEROIZUAR” në Hagë. Pra, vetëdija e popullit serb ende është në shkallë aq të ulët saqë ai ende po PRODHON NJË ELITË TË KËTILLË E CILA ËSHTË VETË “MAZA” E POPULLIT SERB, prandaj ky popull ende nuk po ka fuqi që të lirohet nga ajo, OSE THËNË MË QARTË NUK PO KA FUQI QË TË LIROHET NGA VETËROBËRIMI I VETVETES. Në këtë ecje të vetëdijsimit edhe të faktorit ndërkombëtar ka ndikim EDHE PROTESTA QYTETARE E 17 MARSIT TË VITIT 2004 SIDHE “LËVIZJA VETËVENDOSJE” QË GJITHNJË E MË TEPËR PO PËRKRAHET EDHE NGA GRUPE TJERA QYTETARE. LIGJI I JETËS, NË MËNYRË TË PANDALSHME PO KRIJON E DO TË KRIJOJË SITUATA, PO PJELL E DO TË PJELLË FORCA TË REJA TË CILAT PO NA SHTYJNË, DASHTË E PADASHTË EDHE NE EDHE SERBINË DREJT LIRISË, PAVARËSISË E SOVRANITETIT. POR PIKËRISHT PËR MUNGESË TË KUADRAVE TË FORTA, SEPSE SI POPUJ JEMI ASHTU SI JEMI, PO VONOHEMI TË DYJA PALËT EDHE NE SHQIPTARËT EDHE POPULLI SERB. Ligji i jetës as nuk falë as nuk ndëshkon, por të gjithëve ua jep atë që meritojnë. LIGJI I JETËS QË SËSHTË VETË LIRIA E PAVARËSIA, neve, herët ose vonë, do të na e japë ATË PËR ÇKA PO LUFTOJMË SEPSE JEMI NË PËRPUTHJE ME TË DHE PO SHKOJMË NË TË NJËJTIN DREJTIM ME TË. Popullit serb, Ligji i jetës po ia jep lirinë DUKE E LIRUAR NGA BARRA E POPUJVE QË VETË KISHTE ROBËRUAR DHE QË DISA PREJ TYRE ENDE PO MUNDOHET T’I RIOKUPOJË OSE T’I MBAJË EDHE MË TUTJE NË ROBËRI...

RAGIP FUSHA: Përse Agim Çeku nuk po e pranon ballafaqimin në TV publik me zotëri Kuçin? Ju lutem për komentin Tuaj.

A.D.- Paj, ma merr mendja se z.Agim Çeku nuk ka interes që të hyjë në debate nga të cilat nuk ka argumente për të dalur fitimtar, prandaj nuk don të lodhet kot. Nuk besoj se edhe z. Hajredin Kuçi, po të ishte në postin e z. A. Çeku, do të pranonte ndonjë debat të kësaj natyre me cilindo nga opozita. Z. Agim Çeku ka punë shumë më të rëndësishme se sa “me rrehë ujë në havan”! Por e keqja është se nuk po ka as “havan” as ujë sa duhet!

DRITA BERBERI: Fatmir Sejdiu, para Këshillit të Sigurimit, në Nju Jork, jo si statist, por si ligjërues. Ju lutem, cili është komenti Juaj?

A.D.- Paj, nuk është kjo ngjarje aq e vogël dhe krejt e parëndësishme si mundohen ta paraqesin disa jashtë e brenda Kosovës. Vërtet, kjo do të jetë vetëm një vizitë joformale dhe jozyrtare, sepse s’ka si të jetë ndryshe meqë Kosova ende nuk është anëtare e Kombeve të Bashkuara, mirëpo,megjithatëë kjo është një dalje nga vazhda e deritashme e trajtimit ndërkombëtar të Kosovës. Kjo vizitë e ky nder që i bëhet z. Fatmir Sejdiut ka tre qëllime. Qëllimi i parë është që Kosova të joshet e të gëzohet dhe “nga gulshimi” të mos kursehet me lëshimet e veta ndaj kërkesave të pangopshme dhe të padrejta të Serbisë. Qëllimi i dytë mund të jetë një lloj trysnie ndaj Serbisë që të angazhohet më shumë e më seriozisht lidhur me kapjen e dorëzimin e të pandehurve Ratko Mlladiq e Radovan Karaxhiq në Tribunalin e Hagës. NË TË VËRTETË E NË THELB BASHKËSIA NDËRKOMBËTRE INSISTON NË KËTË KËRKESË ME QËLLIM QË SERBIA TË HEQË DORË NGA FRYMA E VET HEGJEMONISTE, NGA FILOZOFIA E VET PROVINCIALISTE E MESJETARE DHE TË RRËZOJË NGA PUSHTETI, PËRMES VOTËS SË LIRË QYTETARE, “OKTOPODIN” ÇETNIKO-NEOFASHIST. Qëllimi i tretë është që, në një mënyrë, duke nxjerrë Kosovën nga sovraniteti i Serbisë, të shkelet Rezoluata 1244 e KS dhe të përgatitet terreni e atmosfera për nxjerrjen e një rezolute të re lidhur me statusin e ardhshëm të Kosovës. Sa për fjalë z. Fatmir Sejdiu, le të shpresojmë se nuk e ka LËNË KEQ. Ndoshta, me qëllim të kompletimit të argumentologjisë sonë në favor të pavarësisë e të sovranitetit të domosdoshëm të Kosovës, nuk do të ishte e pavend që z. Fatmirit t’ia p;rkujtoja edhe nja dy argumente bazë në favor të pavarësisë e sovranitetit tonë. I pari t’u përkujtohet atyre zotërinjve të qendrave të mëdha vendosëse të botës edhe kjo: NËSE ATA ZOTËRINJ DUAN SERIOZISHT TË LUFTOJNË TERRORIZMIN SHTETËROR NË BOTË, E, DUAM TË BESOJMË SE ATA DUAN, ATA ME QËNDRIMIN E TYRE TË PAKOMPROMIS NDAJ TERRORIZMIT SHTETËROR SERB DUHET T’UA BËJNË ME DIJE TË GJITHË TERRORISTËVE AKTUALË DHE TË GJITHË TERRORISTËVE POTENCIALË TË BOTËS SE TERRORIZMI SHTETËROR E AS GRUPOR NUK DO TË TOLEROHET DHE NUK DO TË SHPËRBLEHET. E dyta, Fuqive udhëheqëse të botës, edhe një herë duhet t’u sqarohet se NËSE ATA DUAN DHE BESOJMË SE DUAN QË SERBIA NJË HERË E PËRGJITHMONË TË MARRË RRUGËN E DEMOKRACISË SË VËRTETË, ATËHERË AJO DUHET TË LIROHET NGA AMBICJET E SAJA HEGJEMONISTE E IMPERIALISTE NDAJ POPUJVE TJERË. SEPSE PËR TË MBAJTUR SERBIA NËN SUNDIMIN E VET POPUJ TJERË ASAJ DO T’I DUHET EDHE MË TUTJE TË RUAJ E TË KULTIVOJË NJERËZ TË CILËT, EDHE MË TUTJE, DO TË JENË TË GATSHËM TË BURGOSIN, TË SHTYPIN E TË VRASIN NJERËZ LIRIDASHËS E TË PAFAJSHËM. E, ME USHTRI E POLICI TË TILLË VRASTARE NUK NDËRTOHET E NUK ZHVILLOHET DOT DEMOKRACIA E VËRTETË. PRANDAJ DHE, LIRIA, PAVARËSIA E SOVRANITETI I KOSOVËS JANË PARAKUSHTE TË LIRISË, PAVARËSISË E SOVRANITETIT TË SERBISË...




ADEM DEMAÇI:PËRGJIGJE PYETJEVE TË LEXUESVE


ALBERT GJONI: Ju lutem, a nuk përtoni që ta bëni një vështrim më të thelluar lidhur me “vlimet” në LDK?

A.D.- Pyetja që bëni Ju, në shikim të parë duket sikur kemi të bëjmë me një çështje që ka të bëjë vetëm me një parti, qoftë ajo edhe partia më e madhe. Mirëpo, duke qenë i vetëdijshëm se kemi të bëjmë me një fuqi politike e cila edhe tash ka ndikim të madh në jetën tonë politike, atëherë e vlen që të merremi më gjerësisht me fenomenologjinë e LDK-së. “Vlimet”, që thoni Ju, janë e për çdo ditë e më tepër do të jenë të pranishme në LDK e në Kosovë. Sepse “vlimet” kanë qenë e janë mbajtur të bllokura gjatë në Kosovë. Dhe, qendra e këtyre bllokimeve ka qenë LDK-ja. Prandaj ato kanë filluar në LDK dhe shumë shpejt do të përfshijnë tërë Kosovën. Për ta kuptuar fenomenin në gjithpërfshirjen e vet, për t’i kuptuar të gjitha ato që kanë ndodhur në Kosovë e rreth Kosovës, për të kuptuar të gjitha këto që po ndodhin sot me ne e rreth nesh, për t’i kuptuar të gjitha ato që do të ndodhin me ne e rreth nesh, duhet të kthehemi paksa në histori.
Ata që mbajnë mend dhe që duan t’i thonë gjërat troç dhe të cilët përveç interesit të Kosovës e të kombit dhe interesit për të vërtetën nuk kanë ndonjë interes tjetër, nuk e kanë të vështirë t’i shohin gjërat qartë. Por, ata që janë të mbërthyer pas interesash të ditës, pas interesash personale e grupore, nga mjegullnaja e krijuar dhe nga kozmetika e përdorur me të madhe e kanë paksa të vështirë të kuptojnë se për çfarë është fjala dhe se ku do të dalë e si do të përfundojnë këto “shtërzime” politike brenda LDK-së dhe jo vetëm brenda LDK-së.
Ata që nuk harrojnë e dinë fare mirë historinë e formimit dhe të lëshimit në veprim të LDK-së. Unë di shumë të vërteta që kam dëgjuar nga dëshmitarë dhe nga individë të ndërthurur drejtpërdrejt në formimin dhe lëshimin në veprim të LDK-së, mirëpo meqë këta individë, të cilët janë gjallë, por që dje frikoheshin nga sigurimi serb e që sot frikohen nga mafia aktuale partiake, nuk duan të flasin, as unë nuk do t’ua përmend emërat. Nuk ua përmend emërat për shkak se më kanë treguar në besë dhe unë nuk dua që të keqpërdor besimin e tyre, pavarësisht nga fakti se unë, ka kohë që nuk komunikoj me ta, pikërisht për shkak të qyqarllëkut të tyre. Dikush prej tyre një ditë do të flasë, por atëherë ka për të qenë vonë si për ata si akterë si për Kosovën të cilës e vërteta sot i duhet më shumë se buka.
E, pra, kur u pa se sistemi i diktaturës njëpartiake komuniste ra në kolaps të pashpëtueshëm, regjimi i Beogradit, për të mos lëshuar “frejt” e pushtetit dhe për t’u mos përfshirë Kosova nga një “vakuum” pushtetor në të cilin do të mund të futeshin elementë të padëshiruar dhe të paverifikuar nga garnitura e Millosheviqit, ftoi Rrahman Morinën dhe besnikët e tjerë që disa prej tyre edhe sot janë gjallë e i urdhëroi:”NË AFAT SA MË TË SHKURTËR, NGA NJERËZ TË VERIFIKUAR TË FORMONI PARTINË ME PARASHENJËN DEMOKRATIKE. NË MOMENTIN E DUHUR DO TË DILNI NË OPINION”. Rrahman Morina, ftoi besnikët dhe të bindurit e vet në Kosovë dhe kërkoi prej tyre që të vepronin në frymën e asaj që u kërkua nga ai. Për një kohë jo të gjatë u formua partia me emër të ri, LDK, por me material të vjetër të partisë së shpartalluar LKK. Në këtë parti, përveç kolonës së parë, të ish-LKK-së, hynë pothuaj të gjithë ANËTARËT TJERË TË ish-LKK-së. Të gjithë këta, bashkë me trupin në LDK sollën edhe mendjen, bindjen, frymën, zanatin, rutinën, gjeturinë dhe pashpirtësinë që kishin mësuar në shkollën titiste. Por, jo vetëm kaq, përveç pjesës më të madhe të LKK-së në LDK hynë edhe të gjithë mekanizmat dhe individët bashkëpunëtorë të sigurimit serb, të cilët edhe sot e kësaj dite mbetën të pazbuluar. Këta shpëtuan duke u maskuar brenda LDK-së dhe prandaj iu dëshmuann me devotshmëri të madhe qiftit RUGOVA-AGANI. Ata u shërbyen me afësitë e tyre organizative dhe për një kohë fare të shkurtër, me rrjetin e tyre partiak-indormativ, mbuluan krejt hapësirën e Kosovës. Populli ynë i entuziazmuar dhe i dalldisur, duke mos pasur zgjedhje tjetër, u turrën drejt në LDK. Edhe unë nga burgu ftoja, në mënyrë naive:të gjithë në LDK! Unë e kuptova dredhinë pas vitit 1992. Disa të tjerë më vonë. Disa zemërbardhë nuk e kanë kuptuar as sot dhe prandaj nuk duhet të heshtim, por ta themi të vërtetën e kulluar ndonëse e hidhur. LDK-ja tuboi rreth vetes edhe 700-800 mijë anëtarë të partisë! Në fazat e mëvonshme, në LDK hynë edhe disa kontingjente të ish të burgosurve politikë zemërbardhë, idealistë, por aty këtu edhe ndonjë karrierist. Bërthama e kamufluar titiste, me anë të agjitacionit të rafinuar, në stilin telallxhinjve, trumbetonte:”Jemi partia me numër më të madh të antarëve në Ballkan e ndoshta edhe në Evropë! Me ne po fillon demokracia dhe me ne po fillon rezistenca e lufta për lirinë e pavarësinë e Kosovës”! Këta dallaverexhinj e “tregëtarë flamujsh”, iu dhanë punës për të diskredituar të gjithë ata që shprehnin çfarëdo dyshimi dhe nuk i bindeshin qiftit RUGOVA-AGANI. Njëkohësisht, këta, në stilin titist, punonin për krijimin e KULTIT TË RUGOVËS. Këta merreshin intenzivisht me krijimin e dirigjimin e grupeve të mbledhjes së “tre përqindëshit” në Kosovë e në diasporë. Merreshin me organizimin e rrjetit të informimit të fshehtë, të përcjelljes KOMPETENTE të oponentëve e herë-herë edhe të eliminimit të ndonjërit nga “grigja” e vet nëse bëhej pengesë për rehatinë e jetën superluksoze të “krerëve” të partisë. Në këtë mënyrë, shumë shpejt arritën të futnin nën kontrollin e tyre tërë jetën politike, arsimore e kullturore në Kosovë e madje edhe në diasporë. Bukvalisht, në Kosovën e robëruar dhe në diasporën e “hipnotizuar”, shqiptarët asgjë nuk mund të bënin pa lejen dhe pa dëshirën e LDK-së. Në këtë punë kishin përkrahjen diskrete të regjimit të Millosheviqit. Këta njerëz vepronin lirisht brenda në Kosovë e jashtë në botë. UDB-ja këta nuk i pengonte, por vetëm i mbulonte. UDB-ja ndiqte dhe eliminonte qiftat e ENVER HADRIT, TË VËLLEZËRVE GËRVALLA E TË KADRI ZEKËS.
Mirëpo, ligji i jetës e ka rrjedhën e vet dhe i vetmi ky ligj është ai që, në fund të fundit, i thyen ligjet e imponuar të njerëzve.
Pas fillimit të kryengritjes në krye me UÇK-në, ky rrjet në shërbim të LDK-së pësoi disa goditje dhe prandaj shumë prej tyre nga frika e likuidimit ikën jashtë. Gjithashtu pas përfundimit të intervenimit të NATOs, nga frika e pushtetit të udhëhequr nga Qeveria Thaçi, shumë prej tyre, mbetën definitivisht jashtë ose u pasivizuan fare. Pas ardhjes së RUGOVËS përsëri në pushtet, besnikët e tij, nga një pjesë të grupeve të Tahir Zemës, formuan një rrjet të sigurimit mafioz, i cili nën mbulimin e pajtimin e RUGOVËS u zgjerua shpejt dhe u penetrua shumë shpejt pothuaj në të gjitha intitucionet kukulla të Kosovës.
Filloi përsëri jeta e çfrenuar luksoze, por tash e financuar legalisht nga buxheti i Kosovës sidhe nga prurjet e përqindjeve nga tenderët. Në Kosovë, pëshpëritej vesh më vesh se asnjë tender nuk mund të fitohet pa ndërmjetësimin e UKË IBRAHIM RUGOVËS! E, ndërmjetësimet e kësaj natyre kushtonin e kushtojnë më së paku dhjetë për qind e mund të arrijnë edhe deri në qind për qind të vlerës së përgjithshme të biznesit përkatës!
Fort i nderuari Albert, një fie histori ishte e domosdoshme për të kuptuar burimin e këtyre që po ndodhin sot dhe të atyre që do të ndodhin nesër. Përsëri ligji i jetës do të prishte idilën e jetës luksoze të atyre që bënin pallë midis varfërisë frapante të popullit të vet. Ibrahim Rugova ishte goditur nga një sëmundje e pashërueshme. Të tjerat, për ata që kanë përcjellur rrjedhat politike e shoqërore në Kosovë, dihen.
Me ardhjen e z. Fatmir Sejdiut në postin e Presidentit, planet e mafisë brenda LDK-së u ngatërruan. Edhe përpjekja për ta shtyrë z. Dacin në vendin e Rugovës dështuan. U bë e çara e madhe në LDK dhe brenda mafisë në LDK. Z. Fatmir Sejdiu prishi përbërjen e bërthamës së trashëguar nga Rugova. Largoi Ramë Marën(këshilltar për sigurim!), Berim Ramosajn(këshilltar për ekonomi!) e Sali Cacajn(këshilltar për gjithçka!) nga ekipi i vet. Mafia u alarmua tej mase. Por erdhi edhe goditja tjetër. Nga posti i Kryetarit të Kuveendit në saksi të Kosovës u rrëzua z. Daci dhe vendin e tij e zuri Kolë Berisha. Bajram Kosumi u rrëtua nga posti i kryeministrit dhe vendin e tij e zuri gjen. Agim Çeku. Adem Slihu u rrëzua nga vendi i zëvendësministrit dhe vendin e tij e zuri Lutfi Haziri. Në media dhe në popull filluan të qarkullonin fjalë për shkarkimin edhe të atyre ministrave të cilët ishin spikatur në kundërshtimin e vendosjes së z. Fatmir Sejdiu në postin e Presidentit dhe në kundërshtimin e rrëzimit të z. Dacit nga posti i Kryatarit të Kuvendit dhe të Adem Salihajt nga posti i z/kryeministrit. Kjo ishte tepër për mafinë, prandaj ajo kërcënoi seriozisht:nëse do të ndodhte që ata të shkarkoheshin, ata nuk do të hezitonin që të shkatërronin edhe degët e partisë prej nga kishin ardhur dhe do ta përçanin krejt partinë. Pushteti është i ëmbël. E dinë vetëm ata që e kanë provuar. Kur u bind LDK-ja se mafia e saj e kishte seriozisht – FRENOI! Por, kur u bind edhe Ramush Haradinaj, Kryetari i AAK-së se LDK-ja nuk po i jepte ministrat e vet edhe ai i mori në mbrojtje ministrat e vet. Gjen. Kryeministri Çeku, nga “MARSHI” u kthye në pozicionin “QETËSOU”!
Mirëpo, në ushtri ka “qetësou”, por në politikë dhe në luftën për pushtet s’ka qetësou. Ai që ndalet, bie! Kështuqë vazhduan “vlimet” në LDK, vazhduan “vlimet” në PDK, vazhduan “vlimet” në AAK dhe po vazhdojnë “vlimet” në krejt Kosovën.
Në LDK ka për të ardhur deri te çthurja më përpara, sepse më përpara edhe u “kristalizuan” dy pole. Poli i ashtuquajtur i “lëdëkëistëve” dhe poli i ashtuquajtur i “rugovistëve”. Cilët, vallë, janë këta që i thonë vetes lëdëkëistë? KËTA JANË ATA QË DUKE U PËRGJËRUAR NË KOKËN E RUGOVËS HISTORIK, DUAN TA VAZHDOJNË POLITIKËN E TYRE TË ZEFKUT, DUKE IU KTHYER “INSTITUCIONEVE” QËMOTI TË “FJETURA” E TË “NDRYSHKURA” TË PARTISË! KËTA JANË “INSTITUCIONALISTËT”! Po, “rugovistët”, vallë, cilët janë? KËTA JANË ATA QË DUAN TA GJEJNË “RUGOVËN E RI” DHE QË DUAN TA VAZHDOJNË POLITIKËN E VJETËR TË RUGOVËS SË NDJERË, DMTH PA NJOHUR AS INSTITUCIONET E PARTISË, AS INSTITUCIONET E KOSOVËS! TË DYJA PALËT JANË IMPROVIZUES, QË DËGJOJNË KËSHILLAT E QENDRAVE TË MËDHA E TË VOGLA TË INTERESIT DHE QË MBËSHTETEN NË MAFINË KOMBËTARE E NDËRKOMBËTARE! Të parët janë “ELEFANDËT E MOÇËM”, kurse të dytët janë “TIGRAT E RI”!
Zotëri NASER RUGOVA, në bazë të shkrimeve e intervistave që pata rastin t’i lexoja këto ditë, len mbresën e një burri shumë të rafinuar, shumë të zgjuar e shumë demokrat, por që ka PROBLEME LIDHUR ME VLERËSIMIN E SAKTË TË INDIVIDËVE E LIDHUR ME ORIENTIMIN NË HAPËSIRË-KOHË! Ky VEPRON jashtë institucioneve. Një organizatë të cilën ai udhëheq len përshtypjen e një organizate gjithmonë të re dhe krejt të padjallëzi. “REFORMA”!
Lexoni se çfarë shkruan “RUGOVA I RI”: Projekti “Reforma” që është përpjekja e vazhdueshme për një LDK moderne, të fortë dhe unike, nuk është projekt që do të ndalet me Kuvendin e ardhshëm zgjedhor të LDK-së, por është një proces që do të vazhdojë edhe në vitet e ardhshme, sepse “Reforma” paraqet BOSHTIN e fuqisë së LDK-së, intelektualët e rinj që e presin të nesërmen duke punuar në të tashmen.(rugova.net)”. Edhe kjo në kllapa që shihni në fund të citatit janë dy fjalë, por që lënë shumë të nënkuptohet. “Rugova i ri” edhe me kaq ka treguar shumë. “Reforma” të cilën ai përfaqëson e promovon, mëton të jetë boshti, thënë pak më popullorçe, MULLARI i LDK-së! Nuk e di nëse “ELEFANDAT E MOÇËM” DO TË PAJTOHEN QË TË SILLEN “RRETH MULLARIT TË TIGRAVE TË RINJ”? Tash për tash “ELEFANDAT E MOÇËM”, nismës së “RUGOVËS SË RI” i kanë dhënë një përgjigje fort të ashpër dhe shumë përjashtuese. Mirëpo në politikë asgjë nuk mund të përjashtohet. Shkatërrimet, përçarjet, e kalbjet mund të shkaktohen nga jashtë, por gjithmonë vijnë e zhvillohen nga brenda. Ligji i jetës thotë se në gërmadhat e së vjetrës lind e reja. Për “lëdëkëizmin” dihet se nuk është asgjë e re, por vallë, a mund të jetë “rugovizmi” me “Rugovën e ri” diçka e re për Kosovën?

IZET GJAKJA:Si i komentoni shpejtimet e “fintat” rreth hartimit të KUSHTETUTËS SË KOSOVËS?

A.D.- Ngutjet e “fintat” flasin për një joseriozitet dhe janë përpjekje për monopolizim të veprimeve dhe të pozicionimeve. Kushtetutën si një KONTRATË kombëtare e qytetare duhet ta hartojnë ekspertë-konstitucionalistë që janë jashtë ndikimeve partiake e ideologjike. Për fat, në Kosovë ka të tillë. Në fund, KUSHTETUTA nuk është dhe nuk duhet të jetë dokument që hartohet e shkruhet njëqind herë. Pasi që të shkruhet KUSHTETUTA duhet t’i qëndrojë kohës gjatë e gjatë. Shikoni se si edhe vetë BASHKIMI EVROPIAN KA PROBLEME ME KUSHTETUTËN E VET. Ai që ngutet dihet se çfarë ndodhë me të, por edhe me atë që vonohet dihet se çfarë ndodhë. Prandaj, as të ngutemi, as të vonohemi! Mirëpo kjo është kulmi i urtisë! Vallë, a e kemi ne atë?

AFËRDITA KODRA:Çfarë mendoni, a do të dihet ndonjëherë e vërteta e saktë se kush është ndër ne doktor i vërtetë shkencash dhe kush është doktor me “bateri”?

A.D.- Dihet edhe tash, mirëpo njerëzit hezitojnë të flasin sepse duan të kalojnë “pa therrë në këmbë”! E dinë kolegët për njëri tjetrin, por ec e fol, kur doktorrë shkencash me “bateri” ka më shumë se doktorrë të vërtetë. Kanë doktorruar njerëzit për tema e teza të kota saqë u vjen turp edhe të tregojnë doktorrantuarat e veta. Disa kanë vjedhur komplet, disa përgjysëm, disa pjesërisht! Disa kanë vjedhur nga autorë rusë, nga autorë kroatë, nga autorë francezë. Nganjëherë qëllon që edhe zbulohen, por “institucionet” nuk reagojnë fare, sepse zakonisht edhe ato janë në duart e doktorrëve me “bateri”! Por, për sistemin tonë të arsimimit në përgjithësi ka shumë çka të flitet. Një nga projektet bazë të pushtuesve tanë, PËR SHKATËRRIMIN TONË ka qenë edhe “prodhimi” i ekspertëve e profesionistëve INVALIDË, NGA NIVELET E ULTA E DERI TE NIVELET MË TË LARTA. Kjo shihet e ndihet kahdo që të kthehesh e çkado që të prekësh. Por ligji i jetës do t’i drejtojë e do t’i pastrojë të gjithë e të gjitha.


ANTI CENSURA

ADEM DEMAÇI: PËRGJIGJE PYETJEVE TË LEXUESVE


AGRON RAMADANI: Çfarë mendoni për provokimin e Koshtunicës më 28 qershor?

A.D. – Ishte ky jo vetëm provokim i kryeministrit të Serbisë, por ishte edhe një çark i tërë provokimesh, shkeljesh ligjore dhe gënjeshtrash.
Edhe për të satën herë u provua se Kosova është një territor i padefinuar, me njëqind porta në të cilin mund të hyjnë derri e dosa dhe mund të hedhin vallet e tyre kriminale. Krejt ky “teatër” ankthi e makthi luhet para syve të botës demokratike dhe në të marrin pjesë marionetat policore dhe kukullat politike ndërsa shumica e popullit shanë e tërrfatë, por megjithatë rrin në kokërr të shpinës e pret “STATUSIN”. Kryeçetnikministrin Koshtunica, kësaj here pa kallashnikov e bartën nga Serbia në Kosovë veturat e blinduara të UNMIK-ut. Disa qindra vasha e djelmosha , me maica të bardha, të VETËVENDOSJES - SIMBOLI I ZEMËRBARDHËSISË SONË, ishin e vetmja mbrojtje e nderit, integritetit e sovranitetit të Kosovës! Marionetat policore të Kosovës u përleshën me anëtarët e VETËVENDOSJES për të liruar Grykën e Merdarit që të mundej okupatori-provokatori të marshonte lirshëm në Kosovën e përvëluar. UNMIK-u na e lëshoi “ujkun në vathë”! Që nga Gryka e Merdarit e deri në manastirin e Graçanicës, në çdo njëqind - dyqind metra nga një postoblok me policë –marionetë me qëllim që mos të lejojnë që eventualisht ndonjë “kec” shqiptar t’ia zërë rrugën okupator-provokatorit nga Beogradi. Në oborrin e manastirit të Graçanicës përplot me serbë të manipuluar, kryeçetnikmistri Koshtunica mbajti liturgjinë politike gjaknxitëse. Ai ndillte gjak, kurse populli i manipuluar rrahte shuplakat! O, popull i mjerë sa shpejt po harron e sa lehtë po mashtrohesh! Hipnotizeri politik nga Beogradi ia dha një infuzion drogë popullit të gjorë: “Në këtë manastir është vendi i vërtetë ku dua të ju them se Kosova e Metohia ka qenë, është e do të jetë Serbi”! Me këto fjalë Koshtunica tregoi qartë se kush ishte, çka është dhe çfarë do të jetë. Ishte njeriu me kallashnikov që mori pjesë në organizimin e grupeve çetnike të cilat vranë e dhunuan me dhjetra mijëra shqiptarë e shqiptare; ishte ndër ata të cilët kallën dogjën e shkrumuan mëse dyqindmijë shtëpi e banesa të qytetarëve të pafajshëm; që organizuan masakrën e paparë në historinë e njerëzimit në kazamatin famkeq të Dubravës; që kidnapuan e zhdukën mëse pesë mijë; të cilët për të fshehur krimet gjenocidale të ushtruara mbi shqiptarët, vodhën me mija kufoma të vrarësh e të masakruarësh dhe ato i dogjën në furrat e shkritoret e Serbisë, kurse një pjesë prej tyre, bashkë me furgonët bartës i zhytën në Savë e në Danub, ndërsa pjesën e mbetur rivarrosën në Petrovo Sello e Batajnicë, jo larg Beogradit. Sot, Koshtunica, me kolonën e vet klero-neofashiste, është vazhduesi besnik i politikës së çmendur të Millosheviqit. Për nesër, ky zotëri me manire të një intelektuali kinse të moderuar, me veprimet e veta, po përgatitë kasaphanën e re në Kosovë dhe jo vetëm në Kosovë. Eshaloni tjetër nga Beogradi, në krye me çetniken, zonjën Sandra Rashkoviq, u ndalën tek kulla në Gazimestan, të ndërtuar më 1953, nga çetnikët e maskuar( gjë të cilën nuk e kishin bërë as në kohën e Jugosllavisë monarko-fashiste!) dhe atje, me fotografitë e bexhet e Milloshviqit, derdhën lot krokodili për Luftën e humbur të Kosovës dhe u betuan se kurrë nuk do ta japin Kosovën(e Metohinë)! Për ata që kanë sy e duan të shohin është e qartë se regjimistët serbë e kanë humbur rrugën e tyre në mugëtirat e shekullit të katërmbëdhjetë! Zoti i shpërbleftë ashtu si e meritojnë!
Por, në të njëjtën kohë, çfarë po ndodhë me regjimistët e Kosovës? Këta kanë humbur rrugën nëpër labirintet e luftës për pushtet pa pasur ende shtet! Këta po e shpenzojnë tërë energjinë e aftësinë e tyre për të ruajtur kolltuqet e veta, kurse po përleshen dhe po i maltretojnë e po i burgosin anëtarët e VETËVENDOSJES e anëtarët e LËVIZJES POPULLORE TË KOSOVËS! Madje, në afshin e turrin e mbrojtjes së kolltukut të vet të ri, ministri kukull i punëve të brendshme të Kosovës, titisti i njohut, FATMIR REXHEPI, VËLLAU I RABIT REXHEPIT, BASHKËPUNËTORIT TË DEVOTSHËM TË SINAN HASANIT, ka dhënë urdhër që të maltretohet e të arrestohet edhe zotëri EMRUSH XHEMAILI, i cili deri më 28 qershor të këtij viti, me naivitetin e vet paskësh menduar se Kosova ka Parlament, se ai është deputet dhe se prandaj ai u dashka të gëzojë imunitet ndaj arrestimeve arbitrare! Zotëri Emrush Xhemaili, me aktin e vet të qytetarit të guximshëm shpëtoi nderin e dinjitetin e vet dhe të parlamentit në saksi. Z. EMRUSH XHEMAILI i ka provuar i ka provuar “pykat e deliramës” të çetnikëve, por më duket se kjo “pyka” e titistit të shvercuar në qeverinë në kafaz të Kosovës i ka shkaktuar dhimbje të padurueshme ! FATMIR REXHEPI, i cili dha urdhër që policia-marionetë e Kosovës të çkarraviste nëpër asfalt, të lidhtes me duar prapa( çka nuk e bënte as policia çetnike e Serbisë), të arrestonte 120 të reja e të rinj kosovarë, të cilët me mjetet më paqësore u vunë në mbrojtje të “vathës” së Kosovës nga “ujqërit” e “dhelpërat” e Serbisë, tash, pas korisë, në vendse të jepte menjëherë dorëheqjen, në mënyrë hipokrite, po kërkon spjegime për ngjarjen e urdhëruar nga vetë ai! Ec mos plas! Edhe poeti e shkrimtari ynë i njohur zotëri SABRI HAMITI, u ngrit në Parlamntin në saksi dhe mori në mbrojtje kolegun e tij EMRUSH XHEMAILI, duke mos qarë kokën për vashat e djelmoshat tjerë që kaluan edhe më zi se zotëri deputeti. O, zotëri SABRI HAMITI, KUR I KE SHKRUAR VARGJET TUA LIRIDASHËSE A TË KA SHKUAR NDËRMEND FARE SE NDOSHTA, NJË DITË, KE PËR TË QENË I DETYRUAR QË T’I MBROSH ATO ME NDERIN E ME GJAKUN TËND? E DI SE ËSHTË FORT VËSHTIRË TË JESH DEPUTET PA SHTET E PA PUSHTET DHE NJËKOHËSISHT TË MBETESH EDHE POET. POR, MENDOJ SE MË VLERË TË MADHE KA NJË POET I VËRTETË I CILI NUK VDES KURRË SESA 99 DEPUTETË PA SHTET E PA PUSHTET, të cilët do të harrohen si bora e vjeme!...

DURMISH TERZIU:Baca Adem, a mund të thoni diçka, nëse jeni në dijeni, rreth rastit që ka ndodhur në Burgun e Dubravës? Si është përfolur në popull, atje para dy vjetësh, me rastin e trazirave të 17 marsit 2004 janë vrarë 5 vetë!

A.D. – Nuk di asgjë për atë që Ju më pyetni, por nëse Ju ose dikush tjetër nga familiarët keni prova, nëse dikush këtu në Kosovë mundohet të fshehë krime të tilla monstruoze, në Evropë e në botë ka gjyqe që merren edhe me çëshje të këtilla. Nëse jeni të sigurt në thënien Tuaj, atëherë mos hezitoni, por lëvizni!

AGIM MALIQI:Para disa ditësh, në SHBA ishte edhe “presidenti” i Kosovës, Fatmir Sejdiu. Ky, gjatë qëndrimit në Amerikë u takua edhe me aktivistë të LDK-së, ku ndër të tjera foli edhe rreth pozitës së partisë së tij në momentin aktual. Me atë rast Sejdiu mohoi zërat se LDK-ja është dobësuar,duke theksuar:”Përkundrazi LDK-ja është më e fiqishme dhe më e gjallë”. Në të njëjtën kohë, në prononcimet e disa zyrtarëve të LDK-së, shumë shpesh theksohet se presidenti tashmë i ndjerë Rugova është i pazëvendësueshëm. Këtu del në shesh një kundërthënie e madhe. Ju lutem për komentin Tuaj lidhur me këto prononcime të ndryshme.

A.D. – Ai që vetvetes i thonte president dhe që tash është i ndjerë, gjithçka që pati mundësi të fuste në dorë, bashkë me mafinë e vet i mbajti nën kontroll të rreptë si në ndonjë frigorifer me ngrirje të thellë! Pas ardhjes së z. Fatmir Sejdiut, ky u lirua nga mafia e Rugovës dhe gjërat dualën nga “frigoriferi me ngrirje të thellë”. Gjërat filluan të lëviznin, dhe disa veprime politike filluan të ngjalleshin. Mirëpo, mafia nuk po dorëzohet. Ajo është duke bërë përpjekje të hatashme që të përforcojë pushtetin e vet mbi LDK-në dhe rrjedhimisht qeverinë. Mafia, duke u fshehur prapa kultit të trilluar të Rugovës dhe duke u munduar të “institucionalizojë” familjen e Rugovës, kohëve të fundit është bërë përsëri mjaft agresive dhe gjërat në politikën e Kosovës, sidomos në qeveri, përsëri kanë filluar të bllokohen. Ky është shkaku kryesor që strategët ndërkombëtarë e larguan nga Kosova Soren Jesen Petersenin dhe në vend të tij kërkojnë një njeri që do të jetë më shumë byrokrat që “pret” se sa diplomat që “ledhaton”! Kështuqë presidenti Rugova, ndonëse falë ndërmjetësimit ndërkombëtar e sidomos amerikanëve, u zëvendësua shumë shpejt e shumë lehtë, la llogari të shumta të papaguara pas vetes. Në anën tjetër, u shkarkuan relativisht lehtë edhe zotërinjtë Bajram Kosumi e Nexhat Daci, mirëpo, me ndërrimin e këtyre tri figurave politike, as nuk u asgjësua e as nuk u zëvendësua mafia e Rugovës, prandaj edhe mafitë tjera në Kosovë mbetën aty ku ishinn! Z. FATMIR SEJDIU ËSHTË MJAFT I ZGJUAR SA QË TË MOS LEJOJË QË TË HYJË NË PËRQAFIME TË MAFISË, MIRËPO KY ZOTËRI NUK ËSHTË MJAFT I GUXIMSHËM QË TË LUFTOJË AS MAFINË E VET, AS MAFITË TJERA në Kosovë. Prandaj dhe kemi e, ende do të kemi prononcime kundërthënëse në Kosovë, sepse edhe interesat janë kundërthënëse midis mafiozëve rugovistë e institucionalistëve fatmiristë.

ISAK BEDRIU:Në pjesën veriore të Kosovës (matanë Ibrit), pas mobilizimit tashmë të hapur të serbëve, kinse për t’u mbrojtur nga sulmet eventuale të shqiptarëve(!), ata kanë paralajmëruar edhe shpalljen e autonomisë lokale. Nga ana tjetër, kinse-institucionet e Kosovës paraqiten sikur nuk ndodhë asgjë. Si e spjegoni Ju, baca Adem, aktualitetin politik në Kosovë dhe çfarë mund të pritet në të ardhmen?

A.D. – Aktualiteti politik në Kosovë është në një amulli e mish-mash të vërtetë. Veriu i Kosovës, përtej Ibrit, duke shpallur haptazi se nuk e njeh qeverinë kukull të Kosovës, ka hyrë plotësisht nën sqetullën e regjimit serb; ndërsa në veri të Kosovës, në Luginën e Llapit, në Merdar pranohen kufomat e atyre që çetnikët e Beogradit i kishin vrarë e masakruar dhe që për të fshehur krimet e veta mnstruouze i kishin bartur e fshehur në hapësirat e Serbisë, në qendër të Prishtinës, me këngë e valle, përcillej zotëri Soren Jesen Petersen; pra në veri vajë e lot, në qendër këngë e valle, ndërsa në qarqet mafioze të Kosovës dhe në zyrat e institucioneve kukulla pritet me ankth e me ethe njeriu që do të zëvendësojë Soren Jesen Petersenin e dekoruar me dekoratën më të lartë të Kosovës nga z. Fatmir Sejdiu.

LUNDRIM VESELI:Pala shqiptare e Kosovës në bisedimet e Vjenës përditë është duke lëshuar pe ndaj kërkesave të Serbisë dhe të Bashkësisë ndërkombëtare. Një herë gënjehej populli se nuk do të bisedohet për decentralizimin; pastaj thanë se do të ofrojnë vetëm dy-tri komuna për minoritetin serb; ndërkohë u pa se edhe kjo kishte qenë gënjeshtër duke ofruar madje edhe 5-6 komuna të reja për minoritetin më të privilegjuar në botë, pra për minoritetin serb. Gënjeshtra tjetër e palës shqiptare- kosovare ishte se në Vjenë nuk do të diskutohet statusi i Kosovës, duke theksuar se pavarësia është e panegociueshme. Mirëpo edhe këtij mashtrimi i doli “boja”, ngase tashmë, sipas informacioneve është caktuar edhe data e fillimit të bisedimeve për statusin e ardhshëm të Kosovës. A thua çka po ndodhë kështu me ne, o i nderuar baca Adem dhe deri kur populli do t’i gëlltisë gjithë këto gënjeshtra të këtyre kinse-institucioneve të Kosovës?

A.D. – Mos u habitni, zotëri i nderuar! Ju edhe vetë po e ditkit se këto janë vetëm institucione kukulla dhe ato kërcejnë dhe do kërcejnë e do flasin varësisht se si dëshirojnë e i tërheqin penjtë ata që qëndrojnë prapa tyre.

RAGIP GUARAZIU: Për Mahmut Bakallin dhe Fadil Hoxhën keni dhënë mendimin Tuaj, por çka mendoni për Asllan Fazliun?
A.D.– Asllan Fazliu i ka takuar eshalonit të dytë të komunistëve kosovarë.Ai vjen nga ana e Therandës. Meqë ishte treguar si i zgjuar, Ramë Bllaca, deputet i atëhershëm në Skupshtinën e Jugosllavisë monarko-fashiste e kishte pas përkrahur Asllanin e ri materialisht dhe e kishte regjistruar në fakultetin e drejtësisë në Beograd. Si duket ky atje e atëherë, ka ra në kontakt me lëvizjen studentore nën ndikimin e Partisë Komuniste të Jugosllavisë, e cila, në atë kohë, me fjalë e parolla e merrte në mbrojtje popullin e shtypur shqiptar. Pas vendosjes së sundimit titist Asllan Fazliun e shohim si aktivistë të disciplinuar e besnik të Partisë Komuniste. Diku, në vitet e gjashtëdhjeta të shekullit të kaluar, ndërsa ishte kryetar në komunën e Therandës, doli nga shtypi një libër me këngë popullore të paraluftës, hartuar nga Kadri Halimi e Vojisllav Dançetoviqi. Në këtë libër ishte një këngë edhe për Ramë Bllacën. Ky burrë, ndënëse deputet i krajlit, ishte shndërruar në tribun të popullit të shtypur shqiptar dhe fryma e tij ishte bërë pengesë për politikën antishqiptare të regjimit serbomadh, i cili punonte me të gjitha forcat e mjetet për të shpërngulur shqiptarët për Turqi e për Shqipëri. Prandaj, “Cërna Ruka” bleu një shqiptarzi dhe e vrau Ramë Bllacën. Kjo këngë këndonte të vërtetën për Ramë Bllacën dhe për sundimin monarko-fashist serb. Mirëpo, a do ti, në të njëjtën kohë kur doli libri edhe regjimi diktatorial komunsto-çetnik, titisto-rankoviqist, ishte në vlugun e vet më të madh për të shpërngulur sa më shumë shqiptarë për në Turqi. Atëherë, Asllan Fazliu, si aktivist i dëgjueshëm i Partisë, pati shkruar, në disa vazhdime, në gazetën e vetme në shqipet “RILINDJA”, për librin në fjalë duke shprehur e mbrojtur “vijën e Partisë” e duke shitur interesat e Kosovës. Pas shkrimeve të Asllan Fazliut, libri qe ndaluar dhe Kadri Halimi e pati paguar me shumë vjet burgje të rënda “diversionin e vet nacionalist”! Deri në rënien e Rankoviqit, pas plenjumit të Brioneve, në verën e viti 1966, Asllan Fazliu pati ndejtur urt, por pas kësaj qe bërë një aktivist i vyer në interesin e Kosovës dhe nuk ka qenë i shikuar me sy të mirë nga çetnikët e kamufluar të Serbisë.


ADEM DEMAÇI: PËRGJIGJE PYETJEVE TË LEXUESVE


BUJAR BAJRAMI:Muharrem Mustafa-Remi, ka kërkuar që PDK-ja të tërhiqet nga negociatat me Serbinë. A do të thotë kjo se “opozita” në Kosovë ka filluar të këndellet?

A.D.- Paj, i nderuari Bujar, unë nuk po shoh se në Kosovë ka as pozitë, as opozitë. Këto ditë, njëri nga këta zotërinjtë në këtë Grupin e quajtur negociator, në një moment sinqeriteti e pranoi se negociatat me Serbinë na janë imponuar nga Ndërkombëtarët. Kosova, siç e dini edhe Ju vetë, është nën administrimin e Kombeve të Bashkuara, prandaj këto forma që shumica jonë i përjoton si institucione, në fund të fundit, janë pa efekt serioz. Me shpenzime e salltanate janë institucione e shkuar institucioneve, por sa i takon ndikimit real për fatin e Kosovës janë fort pak institucione. Sa i takon këndelljes së z. Remit, po besoj, por nuk besoj se janë këndellë edhe disa të tjerë të cilët nuk kanë as nge që të bëjnë analiza të ftohta e të jenë esull. Ata që kanë hyrë në procesin e veprimeve të pandalshme nuk kanë nge të mendojnë për asgjë tjetër përveçse si ta shpëtojnë interesin e vet.

BEQIR BEJTULLAHU: LDK-ja dhe ata që përkrahin këtë parti shpesh herë thirren në REFERENDUMIN e mbajtur në vitin 1991 me ç’rast shumica dërmuese e qytetarëve u deklarua për PAVARËSINË e Kosovës. Me shkaurjen në Vjenë, në negociata me Serbinë a mendoni se tanimë e kemi humbur të drejtën që të thirremi në këtë REFERENDUM?

A.D.- Me shkuarjen tonë në Rambuje ne kemi shkelur VULLNETIN E SHPREHUR TË POPULLIT, në vitin 1991 dhe kemi hyrë nëpër fellutat e “negociatave” që më parë të humbura. Prandaj po na duhet që të përjetojmë këto që jemi duke përjetuar. Prandaj po na duhet gjithmonë që të përpiqemi e të flijohemi për korrigjimin e gabimeve e të “gabimeve” të bëra nga pararendësit tanë. Politika është një proces i pandërprerë dhe të gjitha veprimet, qofshin të mençura, ose të gabuara, hyjnë në substancën e përfshirë nga procesi përkatës. Nuk është kurrfarë idealizmi nëse thuhet se shumica dërmuese e njerëzve dëshirojnë lirinë, pavarësinë, sovranitetin dhe përparimin e tyre kolektiv e personal. Mirëpo, gjatë procesit, në të cilin, si në rastin tonë, përzihen shumë faktorë të brendshëm e të jashtëm, bëhen vlerësime, veprime e hapa të gabuar, sikurse që edhe bëhen vlerësime, veprime e hapa pozitivë. Të gjitha këto hyjnë në rrjedhën e përgjithshme drejt arritjes së qëllimit përfundimtar. Në këtë substancë që i thonë popull janë të stivuara e të pranishme edhe përcaktimet e veprimet e gabuara edhe para dhjetëra, qindëra e mijra vjetësh, sepse në këtë botën e gjithësinë tonë asgjë nuk zhduket e nuk humbet, por vetëm ndryshon format e ekzistimit dhe të shfaqjeve të veta në forma të panumërta. Ata popuj që kanë bërë gabime më pak kanë arritur qëllimet e veta më shpejt dhe me më pak “shpenzime”. Ata popuj që kanë qenë përkah vetëdija e tyre më të prapambetur ua kanë hapur rrugën më shpesh e më shumë përzierjeve të faktorëve të jashtëm në punët e tyre të brendshme. Historia e njerëzimit, por edhe ngjarjet e sotme politike botërore janë përplot shembuj të këtillë të atyre që arrijnë me lehtësi qëllimet e veta dhe të atyre që ende presin që të mbledhin mend për të arritur edhe ata një ditë qëllimet e veta të drejta politike, ekonomike e shoqërore. Ne shqiptarët jemi shembulli më tipk e më tragjik i popullit që mëson shumë ngadalë dhe arritjen e qëllmeve të veta i pagoi dhe i paguan me çmimet më të larta. Prandaj, nuk jemi rastësisht të ndarë në gjashtë pjesë dhe ende objekt i eksperimentimeve ndërkombëtare. Në momentin që ne si popull, të arrijmë kapacitetin që të jemi të aftë të mësojmë nga përvoja e të tjerëve afër e larg nesh, atëherë qëllimet tona të mbara e të mira do t’i arrijmë lehtë e shpejt. Kryegabimi ynë që kemi bërë pas shpartallimit të diktaturës komuniste ishte ai që “lejuam”individë nga mbeturinat e LIDHJES së shpartalluar KOMUNISTE TË KOSOVËS të kallamitej LIDHJA DEMOKRATIKE E KOSOVËS. Në të vërtetë ishte regjimi çetniko-neofashist serb i cili, me anën e “mashave” të veta në Kosovë, ngriti e formësoi LIDHJEN DEMOKRATIKE TË KOSOVËS. Ishim shumica prej nesh që pa rezerva u rreshtuam prapa kësaj sajese, ose përkrahëm naivisht këtë “kalë të Trojës” serbe! “Produktet” e atij kryegabimi po na zvarriten si jargët edhe sot në zhvillimet e jetës sonë politike. Individë e grupe individësh, të “farkuar” e të frymëzuar gjatë vazalizmit e servilizmit të tyre në periudhën e gjatë të sundimit titist ende po zënë vende udhëheqëse ose fort të rëndësishme në hallkat e pushtetit vazal, ose në mekanizmat e rëndësishme ndihmëse të këtij pushtei vazal. Kjo na ndodhi dhe po na ndodhë sepse aq ishte dhe ende është kapaciteti ynë si popull dhe si qytetarë. Prandaj “jargët” tona intelektuale e gjysëmintelektuale politike janë të gatshme që të përshtaten në të gjitha situatat politike e konjunkturale, vetëm e vetëm që të ruajnë kolltuqet, zyret dhe privilegjet e veta në shërbim të atyre që kanë pushtetin real e në kurriz të popullit të vet të hutuar e të hipnotizuar.

SYLEJMAN BAHTIRI: Çfarë mendoni për KËSHILLIN KOMBËTAR TË SIGURISË që është në formim e sipër?

A.D. – Ky Këshill do të jetë i tillë dhe ashtu varësisht nga ata që e propozojnë dhe që e përligjin. Çdo shtet që pretendon të jetë shtet e ka dhe duhet të ketë një organ të këtillë me rëndësi të dorës së parë. Parashihet që në fillim të formohet dega për sigurinë e pakicave në Kosovë. Këtu nuk ka asgjë të keqe, anipse, është fort mirë e ditur se edhe siguria e pakicave varet fort nga siguria e përgjithshme kombëtare. Mirëpo, nëse ky organ propozohet, zgjedhet e përligjet nga njerëz mafiozë, kriminelë e dallaverexhinj edhe vetë do të jetë i tillë. Sikur Kosova jonë të ishte shoqëri që don të mbështetet në baza demokratike atëherë anëtarët e këtij këshilli do të duhej të diheshin para se të zgjedheshin në atë këshill. Emrat e biografitë e tyre do të duhej të shoshiteshin në të gjitha mediat tona. Kështu si jemi, deri në këtë moment, ka pak gjasa që të ndodhë dçka e këtillë. Sepse mafitë e instaluara në të gjitha partitë e organet parapushtetore të Kosovës, nuk e duan dhe nuk mund ta duan transparencën dhe demokracinë.

ZENEPE LUKA(Vlorë): Çfarë ka ndodhur gjatë luftës në Mitrovicë? Si mendoni se do të zgjidhet ky problem kyç me shpalljen e pavarësisë së Kosovës?

A.D. – Mitrovica ka pësuar fatin e vet fort të vështirë dhe të përgjakshëm sepse ndodhej midis zonave të lira nga forcat e UÇK-së dhe ato ishin fushëbeteja të përditshme me pushtuesit çetnikë. Këta barbarë kanë djegur e shkrumuar me kuarte të tëra të qytetit. kanë vrarë me qindra njerëz të pafajshëm dhe kanë detyruar me dhjetëra mijra qytetarë që të largoheshin nga shtëpitë e tyre dhe në kolona të pafund të merrnin rrugët në drejtim të Malit të Zi e të Shqipërisë. Qyteti u vodh e u plaçkit pa mëshirë nga militarët, paramilitarët dhe kriminelët serbë si dhe nga një pjesë e romëve të manipuluar nga policia çetnike.
Pas përfundimit të luftimeve dhe pas tërheqjes së forcave pushtuese serbe nga Kosova, forcat e KFOR-it francez nuk lejuan që njësitet e UÇK-së të kalonin lumin Ibar(dh)! Në këtë mënyrë, pjesa veriore e qytetit të Mitrovicës dhe pjesa veriore e Kosovës, tej lumit, ra nën kontrollin e plotë të forcave franceze. Këto forca nuk njoftën kufirin administrativ serbo-kosovar të deriparaluftës si kufi shtetëror serbo-kosovar të pasluftës. Shumë shpejt, pjesa veriore e Mitrovicës u shndërrua në vendstrehues të kriminelëve serbë nga Kosova, kurse si ndihmë kadrovike, në këtë pjesë u vendosën më shumë se pesëqind sigurimca nga Serbia. Këta ndihmuan që të bëhej organizimi i popullatës serbe dhe të fillonte përndjekja dhe përzënja sistematike nga shtëpitë e banesat e tyre të popullatës me kombësi shqiptare e boshnjake. Brenda vetëm disa ditëve, para syve të forcave të KFOR-it francez, nga pjesa veriore u shpërngulën për në pjesën jugore të qytetit të Mitrovicës mëse 2500 familje, ose mëse 16.000 frymë. Ky operacion u zhvillua i përcjellur me rrahje plagosje dhe vrasje të qindra banorëve shqiptarë e boshnjakë. Në përfundim të verës 1999, nga e gjithë Kosova u grumbullua një popullatë e madhe e cila mori rrugën drejt veriut të Kosovës me qëllim që të çlironte pjesën veriore të Mitrovicës. Mirëpo KFOR-i francez i ndihmuar edhe nga forca tjera nga Kosova e zmbrapsi këtë popullatë të mllefosur e cila u kthye e zhgënjyer atje prej nga kishte ardhur. Të gjitha fushatat e mëvonshme për të çliruar pjesën veriore të Mitrovicës dështuan një nga një dhe më vonë u hoç dorë fare nga veprime të këtilla. Si janë duke u zhvilluar gjërat kohëve të fundit, në horizont është një amputim, ose shkëputeje e pjesës veriore të Mitrovicës e të Kosovës. Sipas të dhënave që dëgjohen aty-këtu, Grupi i ashtuquajtur i negociatorëve të Kosovës, tashmë është pajtuar me ndarjen e Mitrovicës në Komunën veriore, përtej Ibrit, që do të vazhdojë të jetë plotësisht nën pushtetin serb dhe në komunën këtej Ibrit që do të jetë nën administratën e Kosovës, por që të dyja këto pjesë do të jenë nën mbkëqyrejn e një personi ndërkombëtar. Pra, si po shihet perspektiva për zgjidhjen fatlume të çështjes së Mitrovicës edhe pas pavarësimit të pjesshëm të Kosovës vështirë se do të mund të ndodhë.

ABEDIN BAJRAMI: Çfarë po ndodhë me zgjedhjet vendore në Kosovë? A po mbahen në afatin ligjor, apo po shtyhen?

A.D. –Në bazë të një letre që Z. Petersen ua ka dërguar partive kryesore të Kosovës bëhet me dije se zgjedhjet do të shtyhen dhe ato do të mbahen gjashtë muaj pas përcaktimit të statusit të Kosovës. Në fillim z. Petersen sikur ua pati lënë në kompetencë partive që të përcaktoheshin për një gjë të tillë. Këtë e bëri që të duket sikur kompetencat nga UNMIK-u po kalojnë në duart e vendorëve. Mirëpo pasiqë z. Petersen e pa se gjërat mund të shkojnë në drejtim të gabuar e la demokracinë në një anë dhe përsëri mori frenjtë e pushtetit në duart e veta dhe mori vendimin që e shkruam më lart. Përse e bëri këtë. Këtë e bëri me qëllim që në komunat serbe që do të krijohen padrejtësisht dhe joligjërisht, në ndërkohë, të krijohet mundësia që të mbahen zgjedhjet e ardhme dhe në këtë mënyrë ato komuna të pastra serbe të përligjen dhe të njihen ndërkombëtarisht. Për këto komuna parashihen kompetenca të gjera: policia e pastër serbe, gjyqet e pastra serbe, sistemi i shkollimit me program të terësishëm të shtetit serb, shëndetësia e ndarë, kultura e ndarë, buxheti i financuar nga Serbia dhe nga Kosova. Këto komuna do të kenë të drejtë që të krijojnë Bashkësinë serbe dhe të lidhen edhe vërtikalisht me shtetin serb, me qendër në Beograd! Prandaj do të shtyhen zgjedhjet. Prandaj vazalistët tanë lëpijnë buzët dhe fërkojnë duart. Ata edhe për një kohë do të kenë mundësi të vazhdojnë me zhvatjet dhe abuzimet e tyre, në grazhdet e UNMIK-ut.

XHEVAT TAHIRI: Çfarë dini për Agjencinë Antikorrupcion?

A.D. – Korrupcioni në Kosovë ka marrë aq hov dhe është zgjeruar aq fort saqë organet e rregullta policore nuk mjaftojnë për ta luftuar. Prandaj është bërë e domosdoshme që të themelohet edhe organizmi i posaçëm, AGJENCIA ANTIKORRUPCION. Për këtë organizëm u bë fjalë këto ditë, ndërsa doli në shesh se ekzistuaeka KËSHILI ANTIKORRUPCION, por u dashka tani që ky këshill të zgjedh drejtorin a shefin e vet. Antarët e Këshillit nuk janë të njohur për opinion dhe këta të panjohur duhet të zgjedhin shefin e vet të njohur! Nëse edhe ky, ose edhe kjo do të zgjedhet ashtu si u zgjodh ministri i punëve të brendshme të Kosovës, atëherë falja dreqit edhe këtë AGJENCI ANTIKORRUPCION!

BLERIM BEQIRI: Komentet Tuaja lidhur me demonstratën e organizuar nga LËVIZJA VETËVENDOSJA dhe arrestimet e fundit, Ju lutem.

A.D.- UNMIK-u ka ardhur në Kosovë me mandat të qartë dhe të shkruar si mision qeverisës i OKB-së për të jetësuar Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit. Rezoluta 1244 e njeh Kosovën juridikisht si territor nën integritetin dhe sovranitetin e – (tash në fund, pas shkëputjes së Malit të Zi) –Serbisë. LËVIZJA VETËVENDOSJA, duke vlerësuar, në bazë të rrjedhave dhe në bazë të disa realiteteve që po jetësohen në Kosovë, prej më shumë se një viti, po kërkon që kjo administratë ndërkombëtare të largohet nga Kosova. Nga disa organizata botërore, me autoritet e kredibilitet të lartë, kjo organizatë, UNMIK-u pra, është kritikuar dhe është fajsuar për të gjitha dështimet kryesore në Kosovë. Lista e këtyre dështimeve është e gjatë dhe e hidhur. Pas shtatë vjetësh Kosova ende ka probleme serioze lidhur me furnizimin e qytatarëve me energji e me ujë. Problemi i zhvillimit ekonomik duke përfshirë këtu të gjitha degët, po thellohet dhe po merr forma të padurueshme. Gjysma e tokave e kullosave pjellore të Kosovës qëndrojnë të pashfrytëzuara. Industria dhe kapacitetet e rralla industriale pothuajse janë paralizuar fare. Eksporti kosovar memëzi kap shifrën prej 4%, ndërsa importi kap shifrën fantastike prej 96%! Papunësia kap shkallën mbi 70%! Varfëria e skajshme, sipas institucioneve autoritative ndërkombëtare përshinë 20% të popullatës. Varfëria përfshinë mëse 55%. Arsimi e shëndetësia lëngojnë nga shumë të meta. Kriminaliteti i të gjitha llojeve kap shkallë alarmante botërore. Të gjitha institucionet politike e administrative, qëndrore e komunale, janë të përfshira nga korrupcioni dhe abuzimet marramendëse. Mafitë partiake, kombëtare e ndërkombëtare, me rrjetat e tyre nuk lejojnë që asgjë të lëviz nga vendi. Madje edhe kur bëhen publike rezultatet e organizatave kredibile kontolluese “pushtetarët” qëndrojnë të paralizuar dhe nuk kanë guxim sa fuqi që të ndërmarrin asgjë. UNMIK-u disponon me dosje komplete të verifikuara për shumë krime, abuzime e mafiozitete, mirëpo ai nuk ka guxim që të përballet me të gjitha këto të zeza, sepse, si duket edhe shumë prej individëve e grupeve të veta janë të implikuar në këto punë të liga. Pastaj UNMIK-ut i duhen njerëz të tillë që janë të ndotur dhe që nuk do të guxojnë të refuzojnë detyrat! Ja, shembujt: Kosovës i imponohen bisedime me Serbinë në krye të së cilës qëndrojnë të instaluar çetnikët, neofashistët dhe kolaboracionistët me kriminelët të cilët i kërkon kot Tribunali i Hagës! I imponohet Kosovës, para përcaktimit të statusit të pavarësisë, decentralizimi sipas vijave etnike. Kjo bëhet me qëllim që Serbisë t’i bëhet e mundur edhe një aneksim i tokave shqiptare. Dmth. që regjimi gjakatar i Beogradit të shpërblehet për krimet e papara që bëri gjithandej ish-Jugosllavisë dhe mbi kosovarët e pambrojtur. Duke qenë e vetëdijshme se ky skenar, herët a vonë, do të çonte në një gjakderdhje edhe më të madhe në këto hapësira, duke parë e duke qenë e bindur se vazalistët, regjimistët dhe servilistët shqiptarë të instaluar në grazhdet e institucioneve formale të Kosovës e nën pushtetin despotik të UNMIK-ut, nuk kanë ndërmend që të dalin në mbrojtje të interesave të Kosovës, LËVIZJA VETËVENDOSJA DOLI NË RRUGË PËR TË MBROJTUR INTERESAT THELBËSORE TË KOSOVËS, INTERESAT DEMOKRATIZUESE TË SERBISË DHE INTERESAT PAQËSORE E HUMANE TË EVROPËS.
Në fund, zotëri Blerim, tingëllojnë me të vërtetë si demagogji e kulluar, fjalët, përndryshe të një njeriu fort inteligjent, fjalët e një diplomati, me të vërtetë fort virtuoz, kur aktron e bëhet naiv duke pyetur: “ME TË VËRTETË NUK E KAM TË QARTË, ÇFARË KËRKOJNË KËTA DJELMOSHA E KËTO VASHA? A E DINË ATA SE VEPRIMET E TYRE DO T’I GËZOJNË ARMIQËT E LIRISË SË KOSOVËS”?! PAJ, ZOTËRI I NDERUAR PETERSEN, NËSE KEMI EDHE ASI ARMIQËSH QË JANË AQ MIOPË, ATËHERË EDHE ATA RROFSHIN SA MALET E BARDHA TË EVROPËS!




ADEM DEMAÇI: PËRGJIGJE PYETJEVE TË LEXUESVE


BESNIK REXHA: Çfarë mendoni lidhur me thirrjen e Lëvisjes VETËVENDOSJE që ka të bëjë me bojkotimin e mallrave të Serbisë që shiten në Kosovë?

A.D.- I nderuari Besnik, lufta për liri, pavarësi e sovranitet edhe kur është paqësore, si na porositë dhe si kërkon prej nesh LËVIZJA VETËVENDOSJE, KA FORMA TË SHUMTA. Njëra nga format fort efikase që ka dhënë REZULTATE të mëdha gjatë luftërave qytetare tek popujt e shumtë të botës, është edhe REFUZIMI I BLERJES SË PRODHIMEVE E SHËRBIMEVE TË PUSHTUESIT OSE TË AGRESORIT. Këtë formë të refuzimit të blerjes të mallrave të pushtuesve kolonialë britanikë e ka pasë rekomanduar, në kohën e vet, i madhi MAHATMA GANDI, në Indinë e pushtuar. Kjo formë ka pasë dhënë rezultate fantastike. Shifrat të cilat na i prezantoi Shërbimi informativ i VETËVENDOSJES, ishin frapante për atë se sa thellë ka depërtuar në tregun tonë ekonomia e shtetit serb! Armiku më i madh i lirisë, pavarësisë e sovranitetit tonë - shteti serb qenka pikërisht edhe partneri ynë më i madh tregëtar. Ne paguajmë me Evro, me paranë më të fuqishme të botës, kurse nga Serbia blejmë mallra të padoganuara dhe shpesh herë edhe të pakontrolluara! Si spjegohet kjo që kemi bërë deri më tash? Spjegohet me padjallëzinë dhe me zemërbardhësinë tonë të skajshme. Edhe unë, edhe unë, i nderuari Besnik, disa vjet kam pirë ujë të PROLLOMIT, të importuar nga Serbia, derisa një ditë m’u “ndezën llampat”! Një pjese të mirë të tregëtarëve tanë do t’u duhet të riorientojnë importet e tyre, por edhe ata duhet të mësohen dhe duhet ta kuptojnë se liria, pavarësia e sovraniteti i Kosovës janë më të rëndësishëm se xhepat e tyre. Ne, si konsumatorë, do të na duhet që disa artikuj ndoshta t’i paguajmë pak më shtrenjtë, mirëpo mos të harrojmë se robëria që po mundohet të na e imponojë edhe një herë regjimi çetniko-neofashist serb do të ishte çmim një milion herë më i lartë e më i egër se çdo çmim tjetër. Me këtë rast duhet të thuhet se si është e mundur që, përkundër gjithë këtyre “partive”, “institucioneve” e “shërbimeve” që ka sot Kosova, t’i vijë radha pikërisht e vetëm LËVIZJES VETËVENDOSJE që të na i “hapë sytë me gisht”?! Si duket, “partitë” e “institucionet”, në luftën e tyre të tërbuar për “pushtet” i kanë harruar popullin e Kosovën fare! Fali, o Zot, të gjthë ata që ende mendojnë e besojnë se ka pasur e se ka parti e institucione që kanë menduar e që mendojnë për lirinë, pavarësinë e sovranitetin e Kosovës!

ISUF MEHMETI: Cili është komenti juaj lidhur me pavarësimin e Malit të Zi? Dhe, përse edhe ne shqiptarëve nuk na njihet e drejta e referendumit. Përse bota po na detyron që përmes negociatave të zgjidhet çështja e statusit tonë duke na imponuar shumë kompromise në dëm tonin?

A.D.- Ngjarja e PAVARËSIMIT të Malit të Zi, për Ballkanin e edhe më gjerë, shënon epokë. Me këtë akt po shpartallohet përfundimisht edhe një perandori e dhunshme e quajtur me të drejtë “burgu i popujve”. Por, jo vetëm kaq, me pavarësimin e Malit të Zi, po perëndon edhe një mendësi evropiane e trashëguar nga kohërat kur shumë prej shteteve të saj mendonin se popujt e vegjël nuk janë për të qenë shtete, prandaj duhet të bëhen shtojca të popujve më të mëdhej. Me pavarësimin e Malit të Zi vdiç edhe ideja e jugosllavizmit dhe një pjesë e idesë së pansllavizmit. Me pavarësimin e Malit të Zi Evropa e Bota fitoi dëshmitarin më të besueshëm se shteti serb nuk ka dhe nuk mund të ketë vend për popuj joserb. Me pavarësimin e Malit të Zi, populli serb u lirua përfundimisht nga iluzioni se është një popull i zgjedhur. Vetëm pas pavarësimit edhe të Kosovës, populli serb mund të fillojë demokratizimin e vet të brendshëm e të shndërrohet në faktor paqeje, bashkëpuni dhe stabiliteti në këtë pjesë të Evropës. Me pavarësimin e Malit të Zi Kosova fitoi një shtet fqi i cili është i lirë nga psikologjia grabitçare sllavomadhe dhe që don të jetojë sipas kritereve e vlerave demokratike e humane. I nderuari Isuf, Ju mund ta dini dhe mund edhe të mos e dini se një shkrimtar i madh, por edhe një çetniko shovinist edhe më i madh i Serbisë, Dobrica Qosiq, në bashkëpunim me grupe të zeza politike të Serbisë, nuk përjashtonte mundësinë që të përdorte qarqet serbomëdha në Mal të Zi për të copëtuar Kosovën. KËTA ISHIN TË GATSHËM QË SI SHPËRBLIM MALIT TË ZI PËR MBETJEN E TIJ NË BASHKËSI ME SERBINË T’I NJIHEJ E DREJTA QË KY TË ANEKSONTE PJESË TË MËDHA TË RRAFSHIT TË DUKAGJINIT! Fitorja e Malit të Zi demokratik e human është fitore e madhe edhe për Kosovën, në të ardhmen, demokratike e humane. Prandaj ndihmesa që dha bashkësia shqiptare e Malit të Zi, duke u përcaktuar në favor të lirisë, pavarësisë e sovranitetit të Malit të Zi, ishte një provë e madhe e pjekurisë politike të popullit tonë atje. Ky investim politik i popullit tonë atje ka një vlerë fort të madhe në favor të krijimit të klimës paqësore midis popujve të Ballkanit dhe të Evropës. Askund më shumë se në politikë nuk provohet thënja e njohur se mirëkuptimi midis njerëzve e popujve nxitë mirëkuptimin, përkrahja përkrahjen dhe besimi besimin...Sa i takon pjesës tjetër të pyetjes Suaj mund të them se ne as si popull e as udhëheqjet e popullit tonë sa i takon shkallës së vetëdijes politike, kombëtare e qytetare dhe sa i takon cilësisë e aftësisë udhëheqëse nuk mund të krahasohen me popullin Malazez e me udhëheqjen e tij. Kjo është kështu sepse Mali i Zi gjatë historisë së vet ka kaluar nëpër rrjedha, zhvillime e rrethana tjera më të favorshme se sa populli ynë. Prandaj me ne po ndodhë ajo që Juve po Ju duket e padrejtë. Mirëpo, duhet ta kemi të qartë dhe ta kuptojmë sa më shpejt se ne, jo për fajin tonë, në shumë drejtime jemi popull i vonuar. Prandaj prej nesh po kërkohet që të përmbledhim të gjitha forcat që, në të gjitha drejtimet, të ecim më shpejt në mënyrë që ta zëmë hapin me botën rreth nesh dhe më gjerë. Si? Duke i besuar Zotit seriozisht, sepse ata që besojnë Zotin seriozisht nuk i frikohen vdekjes, sepse vdekje nuk ka, por ka vetëm ndryshim të formave të ekzistencës sonë. Prapë, si? Duke studiuar shkencat të cilat na ndriçojnë rrugën e përparimit më të shpejtë e më të lehtë drejt lirisë e lumturisë kolektive dhe drejt lirisë e lumturisë individuale.

FADIL BERISHA: Si e komentoni deklaratën e Presidentit Fatmir Sejdiu dhënë Agjencisë së lajmeve KOSOVAPRES, më 22 maj se në biseda të drejtpërdrejta me Beogradin do të shkonte vetëm pas ftesës zyrtare nga ana e Bashkësisë Ndërkombëtare për një takim të tillë. A do të thotë kjo se z. Fatmir Sejdiu kinse duke refuzuar ftesën e udhëheqjes së regjimit të Serbisë për biseda të drejtpërdrejta, në të vërtetë, memëzi pret që të takohet me Tadiqin në katër sy lidhur me statusin e Kosovës? Dhe, a do të thotë kjo se shqiptarët kanë ra kaq poshtë saqë të detyrohen të pyesin Serbinë nëse ajo do të pranojë pavarësinë tonë?

A.D.- Zotëri Fatmir Sejdiu është një burrë fort mendjehollë, pragmatist i madh i cili din relativisht mirë të orientohet në hapësirë e kohë, por ai nuk ishte dhe as nuk është munduar që të bëhet ndonjë vizionar, sepse për një gjë të tillë këtij, sikurse pararendësit të tij, i ka munguar guximi. Gjatë veprimtarisë së vet mjaft të gjatë politike ky, kahjen e vet politike e ka përshtatur me raportin konkret të forcave konkrete politike. Ky, prore ka mbajtur anën e më të fortit si në kohën titiste, si në kohën Millosheviqiane, si tash, në kohën e UNMIK-ut. Ky e di fare mirë se pa UNMIK-un, do të ishte veçse një Fatmir, por me UNMIK-un bashkë ky bëhet faktor dhe, sa i takon dijes me të cilën është i pajisur, ka kapacitet të bisedojë me kë të duash. Z. Fatmiri nuk është politikan i rrezikimeve. Ai është politikan i ndëgjueshëm. Si thotë ajo fjala e urtë toske:”Urtë e butë e plot tiganin”!... Sa i takon asaj që thoni Ju se “a kanë ra shqiptarët aq poshtë...” po Ju them se shqiptarët, duke shkuar pas politikanëve frikacakë, servilë e jokompetentë, ka kohë që kanë rënë shumë poshtë. Mirëpo, FALË LËVIZJES VETËVENDOSJE, në rend të, pastaj falë rrebelimit të qytetarëve të Kosovës më 17 mars 2004, por edhe falë asaj që politikanët çetniko-neofashistë serbë ranë edhe fort më poshtë se ne, po na shfaqen disa mundësi, QË TË ARRIJMË THELBIN E SYNIMEVE TONA.

HAJRULLAH KRASNIQI(Nga Xërxa): Përse gjithmonë ke qenë rival i Rugovës kur e din se shumica e popullatës ka qenë me të dhe se e ka pasur një përkrahje të madhe në botë?

A.D.- Ah, o i nderuari Hajrullah! Si pikë e parë, po më dhimbseni, por në anën tjetër po ju dua fort që duke bërë pyetje të këtillë dhe në këtë mënyrë po e tregoni zemërbadhësinë Tuaj të madhe. Si pikë e dytë, po Ju them që nuk kam qenë gjithmonë rival i Rugovës. Jam bërë rival i tij vetëm atëherë kur jam bindur qindpërqind se ai ka hyrë në politikë jo për t’i ndihmuar po- pullit të vet e për t’u flijuar për Kosovën, por për të bërë zefk e sefa! Janë shumë gjëra që do të duhej të sqaroheshin që ju ta kuptoni se nuk është e thënë se gjithmonë janë të mirë ata liderë që u shkojnë shumica e popullit mbrapa. Shembulli më i freskët për ne është Millosheviqi. Edhe atij për dhjetë vjet shumica e popullit serb i shkoi mbrapa dhe katër herë ia dhanë shumicën e votave! Edhe shumica e botës i shkonin mbrapa, madje pas negociatave të Dejtonit e patën shpallur edhe “paqebërës”. E shpallën “paqebërës” edhepse pas vetes kishte luftën me Slloveninë, Kroacinë dhe tragjedinë e Bosnjes e të boshnjakëve! Mirëpo, në fund doli se e paskësh marrë më qafë Serbinë dhe veten e vet! Në histori ka plot shembuj të këtillë kur shumica e popullit janë manipuluar. Edhe Titon e pati përkrahur krejt bota, por më vonë u muar vesh se ai paskish qenë një diktator i cili pas vetes la popuj të armiqësuar të cilët me gjakderdhje e vështirësi të mëdha memëzi arritën që të ndaheshin, kurse ne shqiptarët, me fajin e tij, ende nuk e kemi lirinë, pavarësinë e sovranitetin e sigurt!..Se si mashtrohen popujt e se si vehet në lojë bota është një shkencë e madhe dhe për këtë ka shumë libra të shkruar, por nuk e di nëse do të kishit nge për t’i lexuar dhe nuk e di nëse keni kapacitet të mjaftueshëm për t’i kuptuar, sepse Ju, si po duket nuk keni nge të mendoni me kokën Tuaj, por më me qejf shkoni pas kallaballëkut, sepse keni frikë dhe përtoni që të ndaheni nga shumica.

ARTAN GASHI: Sipas teje, kush ëahtë politikani më i mirë i Kosovës?

A.D.- Ai që e do më shumë Kosovën e popullin sesa vetëveten; ai që dha prova të forta të mendjehollësisë e të trimërisë në burgjet e tmerrit dhe para gjyqeve të “kasapit të Ballkanit”; ai që përditë po jep prova të punës së palodhshme për të vetëdijsuar politikisht, kombëtarisht e qytetarisht popullin e Kosovës; ai që po tregon kapacitet të lartë intelektual dhe aftësi organizative; ai që po di të orientohet drejt në kohë-hapësirë dhe që ka vizion të qartë për të ardhmen e popullit të vet dhe të mbarë njerëzimit demokratik e human. Ky është politikani më i mirë i Kosovës dhe emrin e ka ALBIN KURTI.

ARSIM SYLA: Çfarë mendoni për mgjarjet e përgjakshme në Krushën e Vogël?

A.D.- Po flas në emër të UKSHIN HOTIT TË PAVDEKSHËM: TURP I MADH PËR NDËRKOMBËTARËT! MARRE E MADHE PËR ZAGARËT DHE SAHANLËPIRËSIT E VENDIT! FAQE E BARDHË PËR TRIMAT E MËDHEJ TË KRUSHËS SË VOGËL !




PËR UKSHIN HOTIN HESHTËN TË GJITHË !

Sheradin Berisha

-„A është gjallë apo i vrarë Ukshin Hoti?“ Kjo është pyetja, që më së shumti është shtruar, në këto shtatë vitet e pas luftës në Kosovë.
-“Kërkojmë lirimin e Ukshin Hotit!“ - është thirrur qindra herë, nëpër protesta të organizuara nga shoqatat e dalura nga lufta...


Ukshin Hoti

***
Më 16 maj 2006 u bënë plotë shtatë vjet, që kur nuk dihet fare për fatin e Mr.Ukshin Hotit,këtij njeriu të madh të dijes politike shqiptare. Atë ditë maji 1999, atij i kishte mbaruar afati i vuajtjes së dënimit prej 5 vjetësh, që ia kishte shqiptuar gjykata serbe në Prizren. Dhe bashkëvuajtësit e tij thonë, se ishte ditë e diele (një ditë e pazakonshme për lirim nga burgu), kur Baca Ukë (kështu e thirrnin ata) në përcjellje të tre punëtorëve të sigurimit serb është nxjerrë nga ambientet e burgut të Dubravës.

Dhe, sot e atë ditë, nuk dihet asgjë..., për fatin e këtij atdhetari të shquar!

***
Për shtatë vjet rresht, mijëra familje shqiptare kanë pritur në ankth një lajm të mirë, për bijtë e tyre të zhdukur, a të marrë peng, nga forcat militare e paramilitare serbe. Dhe për fat të keq, sot dihet se shumica e të zhdukurve gjatë luftës, janë gjetur nëpër varrezat masive në Serbi, ndërsa për qindra të tjerë, që mbaheshin peng nëpër burgjet serbe, tashmë janë liruar.

Dhe, edhe pas kësaj gjëme të rëndë kombëtare, akoma nuk dihet se ku është Ukshin Hoti.

***
Familja e profesor Ukshinit,(motra Myrvetja dhe vëllai i tij Afrimi), për të mësuar të vërtetën rreth fatit të Ukshinit, kanë trokitur në shumë dyer të institucioneve, të UNMIK-ut dhe ato të Kosovës, mirëpo përveç fjalëve të ëmbla e premtimeve të dhëna, duket se nuk kanë bërë asgjë në këtë drejtim.

Për prof. Ukshin Hotin akoma asnjë gjurmë, ndonëse ka shumë spekulime për fatin e tij !

***
Në këtë përvjetor asnjë tubim përkujtimor s´u mbajtë për këtë simbol të sakrificës shqiptare! Në këtë përvjetor asnjë fjalë s´u tha për vendndodhjen e tij!

Në këtë përvjetor, mbretëroj heshtja!

Heshti UNMIK-u ! Heshti KFOR-i ! Heshti policia ! Heshti gjyqësia ! Heshtën institucionet e Kosovës ! Heshti persidenca,qeveria,kuvendi i Kosovës,...por heshti edhe opozita !

Pra, për Ukshin Hotin e madh, heshtën të gjithë! Kjo është e çuditshme, shumë e çuditshme !!!

Më 25.05.2006





Shpalosja në tërësi e dokumentit që e solli në Prishtinë Albert Rohan. Lexoni se në cilat fusha UNOSEK beson se janë arritur marreveshje në parim, si dhe sugjerimet për zgjidhjet e mundshme të kompromisit.

MARRVESHJET DHE SUGJERIMET

Prishtinë, 29 mars 2006

Zyra e Emisarit të OKB ‘së për Statusin e Kosovës, pas dy raundeve të diskutimeve mes Prishtinës dhe Beogradit, në një dokument që tashmë u është sjellë të dy palëve, ka identifikuar fusha ku mendon se janë arritur marrëveshje në parim, si dhe ka sugjeruar një numër të konsiderueshëm zgjidhjesh të mundshme të kompromisit.

PARIMET E DECENTRALIZIMIT

Në pjesën e parë të dokumentit, në lidhje me parimet e decentralizimit, thuhet se dy qëllimet kryesore të decentralizimit në Kosovë janë shtimi i qeverisjes së mirë dhe efikasitetit të shërbimit publik në tërë Kosovën, si dhe adresimi i shqetësimeve dhe aspiratave të komuniteteve pakicë.

" Qeverisja lokale në Kosovë bazohet në dispozitat e Kartës Evropiane të Vetëqeverisjes Lokale; Komunat e Kosovës kanë të drejtë të angazhohen në asociacionet përfaqësuese dhe në kuadër të fushave të tyre të kompetencave edhe në partneritete funksionale bashkëpunuese; Nuk do të ketë shtresë shtesë të qeverisjes në Kosovë".

Parim tjetër është se nuk do të ekzistojë asnjë entitet i posaçëm në Kosovë dhe nuk do të ketë ndarje të saj.

"Çdo bashkëpunim me Beogradin duhet të jetë i orientuar në çështje përkatëse, të jetë transparent dhe duhet të jetë në pajtim me sistemin dhe strukturat juridike të Kosovës. Elementet kryesore të decentralizimit garantohen me Kushtetutë".
Sipas zyrës së Martti Ahtisaarit, për të gjitha këto parime ka marrëveshje.

KOMPETENCAT

UNOSEK beson se është arritur pajtim, në parim, që në kuadër të kornizës ligjore dhe institucionale të Kosovës, komunat duhet të ushtrojnë kompetencat e tyre vetanake dhe të deleguara, si dhe të gëzojnë të drejtat e tyre pjesëmarrëse.
Po ashtu, se kompetencat e komunave duhet të përcaktohen me legjislacionin vendës të Kosovës.

Zyra e Emisarit sugjeron si zgjidhje kompromisi që kompetenca vetanake shtesë mund t‘u barten komunave, përfshirë edhe një numër të përcaktuar të komunave ose partneriteteve të komunave.

Ajo beson se është arritur marrëveshje që komunat do të ushtrojnë një numër të madh të kompetencave vetanake.

"Përcaktimi i prioriteteve ekonomike lokale dhe promovimi i zhvillimit ekonomik; Planifikimi urban dhe rural dhe shfrytëzimi i tokës; Licencimi i ndërtimeve dhe zhvillimi tjetër i tokës; Mbrojtja lokale e mjedisit; Implementimi i rregulloreve dhe ndërtimi i standardeve të kontrollit të ndërtimeve; Ofrimi i shërbimeve në lidhje me shërbimet komunale lokale dhe infrastrukturën përfshirë furnizimin me ujë, ujërat e zeza dhe kanalizimin, trajtimin e ujërave të zeza, menaxhimin e hedhurinave, rrugëve lokale, transportit lokal dhe skemave lokale të nxehjes".

Po ashtu, që komunat të kenë MARRË kompetenca për përgjigje emergjente lokale dhe shuarje zjarresh; menaxhim të pronës komunale; arsimim parashkollor, fillor dhe të mesëm; kujdes shëndetësor primar; shërbime sociale dhe banimin; mbrojtje të konsumatorit dhe shëndeti publik; licencimi të shërbimeve dhe objekteve, përfshirë edhe objektet e zbavitjes, ushqimit, tregjet, shitësit e rrugës, transportit publik dhe taksive, gjuetisë dhe peshkatarisë dhe restoranteve dhe hoteleve.

"Panairet dhe tregjet; emërtimi dhe riemërtimi i udhëve, rrugëve dhe vendeve tjera publike; siguri-mi dhe mirëmbajtja e parqeve publike dhe hapësirave të hapura dhe varrezave; turizmi; aktivitetet kulturore; sportet dhe pushimi; aktivitetet rinore; kujdesi i fëmijëve".

Sipas UNOSEK, ka marrëveshje edhe për kompetencat e deleguara.

"Regjistrat kadastrale; regjistrat civil (regjistrimi dhe dokumentacioni); regjistrimi i votuesve; regjistrimi dhe licencimi i bizneseve; pagesat e ndihmës sociale; mbrojtja e pylltarisë".

KUJDESI SHËNDETËSOR

Zyra e Ahtisaarit ka sugjeruar që komuna ose partneriteti i komunave të jenë përgjegjëse për ofrim-in e një spektri të plotë të shërbimeve të kujdesit shëndetësor sekondar në zonat e banuara me shumicë të serbëve të Kosovës.
Ndërkohë mendon se marrëveshje është arritur që Ministria e Shëndetësisë do të jetë përgjegjëse për bërjen e politikave, zhvillimin dhe implementimin të strategjive gjithëkosovare të shëndetësisë.

"Do të themelohet gjithashtu mekanizmi koordinues ndërmjet Ministrisë së Shëndetësisë dhe komunave / partneriteteve të komunave me përgjegjësi të kujdesit shëndetësor sekondar".

ARSIMI

Në fushën e arsimit, UNOSEK mendon se Ministria e Arsimit e Kosovës do të jetë përgjegjëse për çështjet e tërësishme të arsimit në tërë Kosovën.
Ajo, ndërkohë, sugjeron se komuna ose partneriteti i komunave mund të jetë përgjegjëse për çështjet që kanë të bëjnë me menaxhimin e arsimit, përfshirë edhe rekrutimin e mësimdhënësve, pagat dhe përzgjedhjen e administratorëve arsimor, përfshirë edhe drejtorët arsimore në pajtim me ligjin e Kosovës.
Zyra e Emisarit beson se është arritur marrëveshje që komunitetet kanë të drejtë të themelojnë dhe menaxhojnë institucionet e tyre private arsimore dhe të trajnimit, si dhe që strukturat arsimore të Kosovës të sigurojnë arsimin e lartë në gjuhën serbe.

"Komuna me shumicë serbe të Kosovës ose partneritet i komunave

MARREVESHJET

janë përgjegjëse për universitetin në gjuhën serbe në kuadër të kornizës së sistemit arsimor të Kosovës".

KULTURA DHE POLITIKA SOCIALE

UNOSEK mendon se është arritur marrëveshje që në përgjithësi komunat administrojnë me kompetencat në fushën e kulturës, pavarësisht nga roli i qeverisë qendrore (që duhet të definohet më vonë) në menaxhimin e tërësishëm të lokacioneve të trashëgimisë kulturore dhe aktiviteteve kulturore gjithëkosovare.
Në fushën e politikave sociale, beson se është arritur pajtim që ndihma sociale të administrohet nga niveli qendror dhe që sigurimi i pagesave aktuale të ndihmës sociale, përfshirë këtu edhe pensionet, do t‘i delegohet komunave.
"Pensionet nga Beogradi duhet të udhëhiqen nëpërmjet aranzhmaneve për ofrimin e fondeve nga Beogradi që është paraqitur më poshtë nën B 4", sugjeron ndërkaq UNOSEK.

Por, shton se është arritur marrëveshje se sigurimi i shërbimeve publike, siç janë kujdesi për popullatën e cenueshme, familjet dhe të moshuarit (foshnjoret, çerdhet, qendrat e kujdesit ditor dhe kujdesit në shtëpi) dhe qendrat lokale të punës sociale, i barten nivelit komunal.

POLICIA

Dokumenti që ka sjell Rohan në Prishtinë thuhet se UNOSEK beson që është arritur marrëveshje që përbërja e policisë në kuadër të komunës do të reflektojë përbërjen e popullatës të asaj komune, do të ruhet zinxhiri i unifikuar komandues i shërbimeve policore.

"Këshillat lokal të përbërë nga përfaqësuesit e komunave dhe të policisë, përfshirë këtu edhe shefat e stacioneve lokale policore, do të themelohen me qëllim të lehtësimit të bashkëpunimit ndërmjet shërbimeve policore dhe organeve komunale/udhëheqësve të komunitetit lokal. Këshillat kryesohen nga përfaqësuesit e komunave; Kuvendet komunale si dhe organet qendrore (Ministria e Punëve të Brendshme të Kosovës), do të kenë një rol të rëndësishëm në përzgjedhjen e komandantëve lokal të policisë".

Por, në fushën e policisë, Zyra e Ahtisaarit ka edhe një numër sugjerimesh për zgjidhje të mundshme kompromisi.

"Ministria e Punëve të Brendshme pas konsultimeve me kuvendin komunal propozojnë tre emra për shef të stacionit lokal të policisë, së paku dy nga të cilët i përkasin komunitetit shumicë të komunës. Kuvendi komunal përzgjedh më tutje një kandidat nga kjo listë. Në rast se asnjë nga kandidatët nuk janë të pranueshëm për kuvendin komunal, ministria ofron një listë të re të kandidatëve për
shqyrtim nga kuvendi komunal. Gjatë tërë kohëzgjatjes së pranisë ndërkombëtare, çfarëdo bllokimi i vazhdueshëm do t‘i referohet pranisë ndërkombëtare për vendim përfundimtar".

Po ashtu sugjerohen që shefi i stacioneve të policisë lokale - t‘i përkasë komunitetit i cili për-bën shumicën në atë komunë.

"Si rregull e përgjithshme, kufijtë ndërmjet distrikteve të stacioneve të policisë - do të jenë në pajtim me kufijtë komunal. Në situatat kur distriktet e stacioneve mbulojnë më shumë se një komunë, atëherë do të specifikohen mekanizmat për atë se si duhet të përfshihen komunat pa stacione policore në përzgjedhjen e shefave të policisë nën autoritetin e të cilëve bie komuna përkatëse".

DREJTËSIA

Në fushën e drejtësisë, bazuar në dy takimet e zhvilluara në Vjenë, Zyra e Ahtisaarit beson se është arritur marrëveshje që institucionet gjyqësore të Kosovës të pasqyrojnë përbërjen etnike të fushave të tyre të juridiksionit dhe se veprimi afirmativ ndërmerret me qëllim të korrigjimit të nën-përfaqësimit të komuniteteve pakicë në mesin e gjyqtarëve, prokurorëve dhe stafit të gjykatës.
" Me qëllim të sigurimit të qasjes së barabartë në drejtësi në rastet penale dhe civile, dispozitat e posaçme implementohen për t‘i vënë në dispozicion
gjyqtarët/prokurorët për të gjitha komunitetet dhe sigurimin e gjyqtarëve/ prokurorëve, kur një gjë e tillë është e mundshme, nga radhët e të njëjtit komunitete sikurse komuniteti shumicë në atë komunë
(Zyrat ndërlidhëse të gjykatave, ditët e gjykatave, etj)".

Mirëpo, UNOSEK ka edhe sugjerime.

"Një apo më shumë gjykata të qarkut mund të caktohen si gjykata të apelit për gjykata komunale që janë përgjegjëse për komunat me shumicë serbe të Kosovës; Komunitetet minoritare do të kenë fjalën e tyre në përzgjedhjen e gjyq-tarëve/prokurorëve. Modalitetet për të arritur këtë adresohen në kontekst të masave për mbrojtjen e komuniteteve".

SHËRBIMET KOMUNALE PUBLIKE/NDËRMARRJET SHOQËRORE (NSH)

Në këtë pikë nuk ka asnjë marrëveshje.

"Me procesin e korporatizimit të ndërmarrjeve të Kosovës që janë në pronësi publike (NP), që është në zhvillim e sipër, përfaqësimi i komunave në bordet mbikëqyrëse të ndërmarrjeve publike të furnizimit me ujë, të hedhurinave dhe ujitjes, sigurohet sikurse ed-he përfaqësimi i palëve të interesuara dhe i ekspertëve në këto borde. Në kohën të duhur, pronësia e disave nga shërbimet komunale publike do t‘i bartet çoftë komunave apo partneriteteve të komunave; Do të shqyrtohen mekanizmat për lehtësimin e bartjes së disa ndërmarrjeve shoqërore në pushtetin e komunave apo partneriteteve të komunave", sugjeron UNOSEK.

FINANCAT LOKALE

Sipas dokumentit, janë arritur pajtime për të gjitha aspektet e të hyrave vetanake të komunave. "Vetëqendrueshmëria financiare e komunave shtohet nëpërmjet legjislacionit të duhur të Kosovës; Duke parashikuar burime të reja të të hyrave lokale, (tarifat dhe ngarkesat shtesë); duke themeluar një mekanizëm të përbashkët të të hyrave nga tatimet në të ardhura të mbledhura në nivel qendror; Legjislacioni përkufizon saktë burimet e të hyrave që i caktohen qeverisë lokale, që grupohen në kuadër të tatimeve lokale, tarifat/ngarkesat dhe të hyrat nga burimet jotatimore, duke i dhënë komunave të drejtën për të përcaktuar nivelin e tyre në baza vjetro; Mbledhja e taksave të administruara në nivel qendror, siç janë tatimet në të ardhura, mbetet nën përgjegjësinë e administratës qendrore tatimore të Kosovës; Të gjitha të hyrat lokale që mblidhen në nivel qendror derdhen drejtpërdrejtë në xhirollogaritë komunale, përfshirë këtu edhe opsionet e xhirollogarive komunale të hapura ne bankat komunale".

Po ashtu, edhe për sistemin e granteve.

"Ndarja e granteve komunave të Kosovës do të jetë e drejtë, e parashikueshme, transparente dhe me mundësi të paraqitjes së ankesës nga komunat pranë
gjykatave administrative/gjykatës kushtetuese. Formulat e granteve rregullohen me legjislacion më aranzhime përkatëse të llogaridhënies ndaj ministrive qendrore dhe përfaqësimi i gjerë i komunave në komisionet e granteve; Sistemi ekzistues i granteve të shënuara (rezervuara) gradualisht do të zëvendësohen me sistemin bllok )ku shumica e granteve nuk janë të shënuara (rezervuara) duke lejuar një autonomi më të madhe komunale në shfrytëzimin e fondeve qendrore".
Sa i përket përshkrimit të rolit të qeverisë qendrore në komuna, UNOSEK beson se është arritur marrëveshje që aftësia për të menaxhuar me burimet vetanake financiare - është parakusht për një pushtet efektiv lokal, përderisa transparenca dhe llogaridhënia e tërësishme ka nevojë të sigurohet në pajtim më ligjin e Kosovës.

"Operacionet financiare të autoriteteve lokale për të shtuar vetëqendrueshmërinë komunale ose akomodimi i financimit speci-fik nga donatorët menaxhohet nga autoritetet lokale, përfshirë edhe opsionin e hapjes së xhirollogarive në bankat komerciale".

UNOSEK ka sugjeruar që bankat komerciale të cilat mund të pranojnë depozitat e autoriteteve lokale - duhet të certifikohen nga Autoriteti Bankar dhe i Pagesave. "Xhirollogaritë në bankat komerciale shfrytëzohen për procedimin e financimit nga Beogradi (shih B 4) do të certifikohen në bashkëpunim me autoritetet e trezorit të Beogradit; Çdo rishikim i transaksioneve të kryera në sferat e kompetencave vetanake do të jetë i barazuar vetëm në sigurimin e ligjshmërisë; po të rezultojë një rishikim i tillë në atë që vendimi i komunës konsiderohet ilegal, autoriteti mbikëqyrës mund të sfidojë vendimin në gjyq".
Mirëpo, beson se është arritur pajtim që modalitetet për sistemin revizioni / auditimi neutral dhe objektiv do të përfshijnë - që komunat duhet të kenë obligim ligjor që të kryejnë një revizion të brendshëm së paku një herë në vit, që revizioni i brendshëm duhet të kryhet nga shërbimi i brendshëm autonom, ose, edhe më mirë, nga një firmë e pranuar revizioni / auditimi.
Zyra e Ahtisaarit ka sugjeruar ndërkohë që revizionet e jashtme të komunave duhet të kryhen nga një organ qendror i pavarur.

"Revizioni i jashtëm duhet të kryhet në mënyrë të rastësishme; në kryerjen e detyrës së tyre, auditorët duhet të kenë qasje në të gjitha informatat e nevojshme në lidhje me aktivitetin e autoriteteve lokale. Organi i revizionit nuk mund të sanksionoje autoritetet lokale; megjithatë, nëse zbulon veprime
ilegale, dihet t‘i raportoj ato tek autoritetet kompetente. Raportet e revizionit, së bashku me përgjigjet e autoriteteve komunale, duhet të bëhen publike".

Në fushën e financimit nga Beogradi, Zyra e Emisarit beson se është arritur pajtim që Beogradi mund të japë ndihma financiare, me kusht që ato të jepen në mënyrë transparente dhe të kufizuara në fusha të veçanta të kompetencave komunale.
Ndërsa ka sugjeruar që këto ndihma (subvencione) duhet të pasqyrohen në buxhetin e komunave /partneriteteve përkatëse.
Ajo beson se palët janë pajtuar që ndihmat financiare nga Beogradi nuk duhet të zëvendësojnë/kompensojnë shpërndarjen e granteve të siguruara për komunat nën formulën e granteve të Kosovës.

Si dhe ka sugjeruar që shpenzimet e përsëritura, duke përfshirë edhe pagat, duhet të jenë shpenzime të lejuara për ndihma të tilla, me kusht që ato të menaxhohen përmes buxhetit komunal.

Sipas dokumentit, UNOSEK mendon se është arritur pajtim që Prishtina duhet të sigurojë se financimet nga Beogradi të kenë tretman preferencial ("statusin e donatorit të preferuara"), duke përfshirë lirimin nga taksat dhe ngarkesat.
Ndërsa ka sugjeruar që një marrëveshje në mes të Beogradit dhe Prishtinës duhet të caktojë elementet esenciale të financimeve të donatore të Beogradit, duke përfshirë këtu edhe bashkëpunimin në mes të thesareve.

MARRËDHËNIET NDËRKOMUNALE

Zyra e Emisarit të OKB‘së për Statusin e Kosovës ka bindjen se palët janë pajtuar që sipas Kartës Europiane për Vetëqeverisje Lokale, komunat kosovare duhet të kenë të drejtë të bashkëpunojnë me krijimin, brenda fushës së kompetencave të veta, e partneritet bashkëpunues për të kryer detyra me interes të përbashkët (bashkëpunim funksional) e gjithashtu të jenë pjesë e ndonjë asociacioni përfaqësues për mbrojtjen dhe promovimin e interesave të përbashkëta (rol të evokimit politik).

Në pikën e bashkëpunimit funksional përmes partneriteteve, UNOSEK mendon se Prishtina dhe Beogradi janë pajtuar që e drejta e komunave për të bashkëpunuar, duke krijuar partneritete, duhet të jetë e njohur me kushtetutë dhe se partneriteti ose partneritetet duhet t‘u nënshtrohen një legjislacioni të veçantë (Ligji për Vetëqeverisjen Lokale) aty ku duhet, sikurse që ato duhet të kenë personalitet ligjor.

Mirëpo, sipas dokumentit, sugjerohet që komunat të kenë të drejtën e krijimit të partneriteteve pa aprovim paraprak nga ndonjë autoritet qendror dhe se ato duhet t‘i nënshtrohen mbikëqyrjes së ligjshmërisë.

"Partneritetet komunale mund të jenë të shumëqëllimta, përfshirë arsimin, kujdesin mjekësor, mirëqenien sociale, kulturë, shërbimet publike etj; Vendimet e marra nga partneriteti në fushën e tyre vepruese duhet të konsiderohen veprime të marra nga komunat anëtare; Çdo kompetencë e pavarur komunale mund të delegohet tek partneriteti me përjashtim të detyrave themelore të autoritetit komunal, siç janë zgjedhjet, buxheti, veprimet normative të zbatueshme për qytetarët në përgjithësi", sugjeron UNOSEK.

Duke u ndalur në aspektin e transparencës dhe përgjegjësisë, Zyra e Emisarit sugjeron për zgjidhje eventuale që partneritetet të kenë një organ vendimmarrës të krijuar nga personat e emëruar nga asambletë komunale të autoriteteve lokale pjesëmarrëse.

"Veç kësaj, ato mund të kenë bordin (et) ekzekutiv(e) të përbërë nga profesionistë të cilit i raportojnë organit vendimmarrës; Çdo vendim duhet të jetë i nënshtruar ndaj kërkesave të raportimit dhe mbikëqyrjes së ligjshmërisë, si vendimet e zakonshme komunale brenda fushës së kompetencave vetanake të komunës, duke përfshirë vendimet për krijimin, prishjen, anëtarësimin, adoptimin e dokumenteve kryesore financiare, strukturën e stafit, zotimet financiare në nivel të caktuar, procedurat e tenderimit dhe transaksionet e patundshmërisë", sugjero-het nga ekipi i ndërmjetësit ndërkombëtar.

Sa i përket menaxhimit, UNOSEK sugjeron se partneriteti mund të marrë vendime të menaxhimit të resurseve njerëzore në fushat e kompetencave të veta, duke përfshirë punësimin, gradimin, transferimin dhe largimin e stafit nga puna.
Ajo, po ashtu, thotë se beson që është arritur marrëveshje që komunat do të kenë të drejtë që t‘i përkasin një asociacioni për mbrojtjen dhe promovimin e interesave të tyre të përbashkëta dhe asociacioneve ndërkombëtare të autoriteteve lokale; dhe se e drejta e komunave dhe e zyrtarëve të tyre për t‘u kyçur në asociacione në mënyrë vullnetare duhet të garantohet me kushtetutë.
" Anëtarësia në asociacione përfaqësuese të komunave duhet të kufizohet në komunat kosovare. Asociacionet e tilla mund të marrin pjesë në bashkëpunime ndërkombëtare. Asociacionet mund t‘u ofrojnë anëtarëve një numër shërbimesh, siç janë trajnimet dhe ngritja e kapaciteteve, hulumtime në tema lidhur me kompetencat komunale, rekomandime në politika, furnizim me shërbime këshillimi dhe teknike".

UNOSEK mendon se zgjidhje kompromisi do të ishte që komunat pjesëmarrëse duhet të bëjnë publike informatat në lidhje me aktivitetin e asociacioneve dhe buxhetin e tyre.
" Aktivitetet e asociacioneve nuk duhet të jenë të nënshtruara ndaj mbikëqyrjes administrative të qeverisë qendrore; megjithatë dokumentet e tyre kryesore financiare duhet të jenë publike dhe t‘i nënshtrohen mbikëqyrjes në pajtueshmëri me ligjin e aplikueshëm për organizatat vullnetare".

BASHKËPUNIMI PËRTEJKUFITAR

Dokumenti që Rohan ka sjellë në Prishtinë nënvizon se UNOSEK mendon që është arritur marrëveshje që në pajtueshmëri me ligjin e Kosovës, komunave ose partneriteteve të komunave, duhet t‘u jepet e drejta të angazhohen, në fushën e tyre të kompetencave, në bashkëpunim përtej-kufitar me homologët e tyre jashtë vendit.

Zyra ka sugjeruar që komunat ose partneritetet e komunave duhet të njoftojnë Administratën e Ministrisë së Qeverisë Lokale për ndonjë marrëveshje bashkëpunimi ndërkufitar e cila duhet t‘i nën-shtrohet vetëm kontrollit të ligjshmërisë në pajtim me strukturën ligjore të Kosovës.

"Marrëdhëniet ndërkufitare mes komunave kosovare ose partneriteteve të komunave kosovare me agjensionet e qeverisë qendrore të Beogradit, duhet të definohet si marrëveshje Beograd/Prishtinë (Memorandum i Mirëkuptimit). Elementet kryesore të një bashkëpunimi të tillë duhet të jenë konkretizimi i bashkëpunimit të paraparë në fushat e specifikuara, duke përfshirë arsimin, kujdesin mjekësor dhe kulturën, statusi i donatorit të preferuar për Beogradin, mekanizmi i procesimit të financimit, duke përfshirë bashkëpunimin e autoriteteve të thesarit të Prishtinës/Beogradit, furnizimi me staf dhe pajisje e aranzhime procedurale, me mbikëqyrje të institucioneve qendrore të Kosovës të kufizuara vetëm në mbikëqyrjen e ligjshmërisë së këtyre aranzhmaneve me strukturën ligjore të Kosovës", sugjeron UNOSEK.

Në dokument po ashtu mendo-het si zgjidhje - propozimi që marrëveshja duhet gjithashtu të nxjerrë mekanizmat për të siguruar transparencë me qeverinë qendrore të Kosovës dhe komunat që pranojnë fonde të tilla, p.sh. kërkesat për njoftim të transfereve të cilat tejkalojnë një prag të caktuar, raportet gjashtëmujore të transfereve të bëra, paraqitja e synimeve të financimit, etj.
"Marrëveshja gjithashtu duhet të themelojë komision(e) të përbashkët(a) Beograd/Prishtinë (mundësisht me ndihmë ndërkombëtare) për të ngritur çështje të veçanta të ndjeshme, siç janë programi mësimor i serbëve të Kosovës për arsimim në shkolla fillore/mesme, tekstet shkollore, statusi i universitetit në gjuhën serbe, mbrojtja e monumenteve të luftës, aplikimi i rregulloreve të shërbimeve publike etj", përfundojnë sugjerimet.