Flori - Press

Mire se vini ne faqen tone virtuale "Flori-Press" te moderuar nga stafi redaktues Flori Bruqi, Engjell Shehu,etj.

e diel, korrik 02, 2006

U harrua Rugova, si dhe ra “Kushtrimi...”

Harrohet himni i Ibrahim Rugovës “Kur ka ra Kushtrimi n’ Kosovë”

Vdiq Rugova, ra “Kushtrimi...”

Deputeti i LDK-së Fadil Geci e mbron me forcë “Himnin” e Rugovës. Poashtu edhe zëdhënësi i LDK-së, Lulzim Zeneli. Por Presidenca i bishtnon pyetjes se përse e ka mënjanuar intonimin e melodisë, që ish-presidenti i vendit, Ibrahim Rugova, e pati ideuar si himn shtetëror, në vend të Himnit Kombëtar.



Me vdekjen e presidentit Ibrahim Rugova si duket janë harruar edhe propozimet dhe amanetet e tij. Himni “Kur ka ra kushtrimi n’ Kosovë” i ideuar pikërisht nga Rugova nuk intonohet më në manifestimet që organizohen nën patronatin e presidentit aktual Fatmir Sejdiu. Kështu në dy akademi përkujtimore që janë mbajtur në këtë muaj me rastin e manifestimit “Ditët e Shqipes” nuk u intonua fare ky himn, ndonëse në vitet e kaluara intonohej krahas atij kombëtar “Rreth flamurit të përbashkuar”.
Me rastin e shtatëvjetorit (19 prill) të rënies së dëshmorit Sali Çekaj mosintonimi i himnit të ish-presidentit Rugova ka kaluar me mospajtime dhe revoltë te disa anëtarë të LDK-së, të cilët ishin të pranishëm në akademi. Kjo është hera e dytë që në manifestimet e organizuara nën patronatin e kryetarit Sejdiu nuk intonohet himni i ish-presidentit Rugova. Një gjë e tillë ka ndodhur edhe me rastin e akademisë përkujtimore me rastin përvjetorit të rënies të dëshmorit Agim Ramadani.
Zyrtarë të LDK-së mendojnë se në çdo akademi apo manifestim që organizohet nën patronatin e Presidencës duhet që të intonohet ky himn sepse, siç shprehen ata, është “simbol shtetëror i Kosovës”.
Fadil Geci, deputet nga radhët e LDK-së, ndonëse nuk ka qenë i pranishëm në këto dy akademi, thotë se është bërë gabim që nuk është intonuar himni. Sipas tij, patjetër duhet të intonohet himni në të gjitha manifestimet në Kosovë, sepse ky është një projekt nacional e jo partiak.
“Para këtij himni dhe para flamurit dardan është ngritur në këmbë edhe Evropa dhe Amerika me rastin e varrimit të Rugovës, ndërsa tash del dikush dhe e mohon”.
Geci mendon se ai që e do Kosovën duhet t’i respektojë edhe simbolet e saj, e që në këtë rast hyn edhe himni “Kur ka ra kushtrimi n’Kosovë”. LDK-ja me këtë program, sipas deputetit Geci, i ka mbajtur të gjitha manifestimet, referendumin edhe zgjedhjet që kanë qenë shembullore, prandaj rruga e vetme që ka shpirt nacional është rruga e Ibrahim Rugovës. Për intonimin e himnit nëpër akademi dhe manifestime që organizon Presidenca është edhe zëdhënësi i LDK-së, Lulzim Zeneli. Ai ka qenë i pranishëm në të dy akademitë që nuk u intonua himni, por thotë se nuk e di arsyen pse nuk u intonua.
“Unë nuk e di përse nuk është intonuar himni, por simbolet shtetërore janë projekt i programit nacional të LDK-së, ku hyjnë edhe këto simbole dhe askush nuk ka mandat që të sillet jashtë këtij programi”.
Organizatorët e këtij manifestimi nga Presidenca e Kosovës, të martën nuk ishin në gjendje të thonë asnjë fjalë lidhur me këtë çështje. Këshilltari i presidentit Sejdiu, Samed Dalipi, pasi dëgjoi pyetjen e “Lajmit”, tha se kompetent për të folur me gazetarë është këshilltari Muhamet Hamiti. Ndërsa ky i fundit tha se më nuk është zëdhënës i Presidencës, por përgjigjen duhet kërkuar te Samed Dalipi, pasi që ai e ka organizuar këtë manifestim. Ndërkaq Dalipi në orët e pasdites ka shkyçur telefonin e tij nga rrjeti.