Flori - Press

Mire se vini ne faqen tone virtuale "Flori-Press" te moderuar nga stafi redaktues Flori Bruqi, Engjell Shehu,etj.

e diel, korrik 02, 2006

Shkrim me vonese por i sakte?

Pas largimit të Agim Çekut

Nuredin Lushtaku, deshi të bëhej komandant në TMK

Lushtaku, kohëve të fundit mbahet mend më tepër si një prej komandantëve të njësive të TMK-së i cili ka refuzuar urdhrin e komandantit të TMK-së gjenerallejtënant Agim Çekut për të sjellë Gardën e Nderit në ceremoninë e nderit me rastin e vdekjes së presidentit të Kosovës dr.Irahim Rugovës.



Largimi i gjenerallejtënant Agim Çekut nga Trupat Mbrojtëse të Kosovës ka zgjuar tejmase orekset e udhëheqësve të strukturave ilegale të veprimit në Kosovë për t’u involvuar drejtpërdrejt dhe personalisht në radhët e ushtrisë së ardhshme të Kosovës. Kështu përderisa orkestra politike e opozitës në Kuvendin e Kosovës pos që ia mohoi meritat e gjenerallejtënant Çekut në luftë dhe pas luftës, i fërkoi duart me plot gëzim se më në fund do të marrin “pushtetin” në një prej Institucioneve të Kosovës, siç është TMK-ja.

Përpjekjet e para për marrjen e “bastionit” të TMK-së janë bërë me imponimin e Nuredin Lushtakut, komandantit të Gardës së Nderit të TMK-së për komandant të Trupave Mbrojtëse të Kosovës. Lushtaku, kohëve të fundit mbahet mend më tepër si një prej komandantëve të njësive të TMK-së i cili ka refuzuar urdhrin e komandantit të TMK-së gjenerallejtënant Agim Çekut për të sjellë Gardën e Nderit në ceremoninë e nderit me rastin e vdekjes së presidentit të Kosovës dr.Irahim Rugovës. Lushtaku refuzoi urdhrin e gjenerallejtënant Agim Çekut me arsyetimin se nga arkivoli i presidentit Rugova duhet të hiqet flamuri i Dardanisë që është edhe flamur i presidentit të Kosovës i propozuar për flamur të Kosovës. Në rrethanat e një shteti normal Nuredin Lushtaku do të duhej të suspendohej dhe të jepte përgjegjësi për refuzim të urdhrit të komandantit të tij Agim Çekut. Por, kjo nuk u bë. Ndodhi ajo që për një moment, më së shumti e dëshiroi Nuredin Lushtaku. Ish-komandanti i TMK-së Agim Çeku zhveshi uniformën ushtarake dhe veshi petkun politik. Ndërkaq Nuredin Lushtaku u bë gati që të merrte udhëheqjen dhe komandën e TMK-së me shpresë se erdhi dita e tij. Ai dhe suita e tij politike që ka prejardhje opozitare lansuan propozimin që Nuredin Lushtaku të zgjidhet komandant i Trupave Mbrojtëse të Kosovës. Por, apetitet ushtarake e politike nuk u ngopën me kaq.

Një emër tjetër po përgatitej që të veshte edhe zyrtarisht uniformën e TMK-së. Kadri Veseli, i njohur si shef i SHIK-ut (Shërbimit Informativ të Kosovës) përgatitej që fillimisht të merrte komandën e Gradës së Nderit (pozitën e Nuredin Lushtakut), e me vonë mbase edhe të komandës së TMK-së.

Këtë rrezik permanent të involvimit të SHIK-ut në TMK, duket se e vërejtën me kohë vetë strukturat e larta komanduese të TMK-së dhe përgjegjësit e UNMIK-ut për TMK-në, të cilët e fshinë “nga faqja e dheut”emrin e Kadri Veselit. Këta njerëz, individë apo institucione vendore e ndërkombëtare që ndaluan hyrjen e Kadri Veselit, shefit të SHIK-ut në Kosovë, në Trupat Mbrojtëse të Kosovës i kanë bërë një shërbim të madh popullit të Kosovës, ushtrisë së ardhshme të shtetit të Kosovës dhe kanë parandaluar involvimin e strukturave ilegale në Institucionet e Kosovës.

Kadri Veseli është një emër i përfolur në Kosovë i cili megjithëse jo zyrtarisht, në mënyrë indirekte është përmendur si njeriu i parë i SHIK-ut në Kosovë. Ndërkaq SHIK-u si organizatë ilegale në Kosovë është rreshtuar si një strukturë paralele e PDK-së. Në ndërkohë për legalizimin e kësaj strukture ilegale në Kosovë janë angazhuar kryesisht liderët e PDK-së, në radhë të parë Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi. Ata kanë pranuar se SHIK-u ka qenë strukturë organizative e UÇK-së dhe se ka luajtur “...një rol pozitiv gjatë luftës dhe pas përfundimit të luftës në Kosovë”.

Por, se cili ka qenë “roli pozitiv” i SHIK-ut në Kosovë, besojmë se e dinë pjesa dërmuese e popullit të Kosovës. Në ndërkohë, fare mirë dihet se kjo organizatë ilegale vepron edhe sot e kësaj dite në Kosovë.

Në të vërtetë, pas formimit të Ministrisë së Brendshme të Kosovës dhe përpjekjeve të kota të kësaj strukture ilegale që të involvohet në këtë Ministri, qëllimi dhe synimi i SHIK-ut dhe i Kadri Veselit ka qenë që të marrë në duart e veta një prej Institucioneve të Kosovës siç është TMK-ja. Por, duket se edhe kjo përpjekje e SHIK-ut, e Kadri Veselit dhe e pararojës politike që ka ngjyrën politike të opozitës, edhe kësaj radhe ka shkuar huq. Kadri Veseli ka mbetur jashtë uniformës së TMK-së, ndërkaq ata që kanë qenë ithtarë të tij, qofshin brenda TMK-së apo jashtë saj, le të presin një kohë tjetër, sigurisht vitin 2121, kur do të “legalizohet” SHIK-u dhe kur do të “komandohet” Kadri Veseli. Deri atëherë ka kohë, janë edhe nja 115 vjet.