Flori - Press

Mire se vini ne faqen tone virtuale "Flori-Press" te moderuar nga stafi redaktues Flori Bruqi, Engjell Shehu,etj.

e diel, korrik 02, 2006

Shkrim me pak vonese,apo dicka ma ndryshe?

Problemet e shtetit ende pa lindur

KOLË BERISHA I VOGËL DHE KARRIGA E TIJ E MADHE!

nga Bardhyl Metaj, Zurich

Një evidentim i Migjen Kelmendit në editorialin e tij në numrin e fundit të gazetës “Java”, ku theksonte se Rugovistët nuk mund t’ia bëjnë hallall Kryesisë aktuale të LDK-së zëvendësimin e një akademiku (Dacit), me nji mësues katuni (sic! Kolë Berishën), më kujtoi një thënie të përtypur shumë shpesh në etazhet menaxhuese të koncerneve gjermane e zvicerane… Fjala është për të ashtuquajturin „Principin Petersen“ (Petersen Prinzip), të filozofit e sociologut të njohur, i cili për fenomenin karrierave te tipit, a la Kolë Berisha, kishte konstatuar se: „Të gjitha karrierat e tilla kanë diçka shumë të përbashkët – përfundojnë në jo-kompetencë!“

Shikuesit e mbledhjes së fundit të Parlamentit Kosovar, ku raportohej mbi bisedimet në Vjenë, përveç absurdeve tjera të shumta, nuk kishte si të mos i bie në sy edhe një detaj, i cili pasqyronte Principin e Petersenit në politikën aktuale kadrovike të Kryesisë së LDK-së. E kam fjalën për ndërhyrjen briliante intelektuale që bëri Sabri Hamiti ndaj një paraqitjeje të padenj e me shumë kualifikime e kategori të paqëndrueshme të Enver Hoxhajt. A thua ka këso reflekse intelektuale Kolë Berisha? A ka ai në të vërtetë, përvojën, nivelin dhe refleksin e nevojshëm politik për postin që e mori me shumë vullnet? A ka elokuencën e nevojshme diplomatike si dhe përvojën në këtë segment kaq të theksuar e të nevojshëm, për menaxhimin e detyrave të shumanshme të Kryetarit të Parlamentit, i cili do të jetë porta kryesore kah do të përbirohen të gjitha përfundimet (në formë ligjesh) e bisedimeve të Vjenës?
Kolë Berisha e din më së miri përgjigjen…bile, më duket se ai edhe u përgjigj, në dilemat serioze të shtruara më lartë, kur deklaroi: „…jam i vogël për atë karrigë të madhe…“! Sado që ai fliste për karrigën e veturës, të gjithë, e më së shumti ai vet, e dimë se edhe ai mendonte në atë karrigën në Parlament.
Të dy, Sabri Hamiti sikur dhe Kolë Berisha, janë zgjedhur në Kryesi të Kuvendit të njejtën ditë. Derisa për Sabri Hamitin Kryesia e LDK-së kishte propozuar postin e anëtarit të kryesisë, Kolë Berishën e njëjta Kryesi dhe në të njejtin turrë, e katapulton në postin më të lartë shtetror, atë të Kryeparlamentarit! Asgjë më shumë nuk e lartëson apo rrënon një politikë, se sa personalitetet që ajo (politikë) vetë ka zgjedhë - që ta përfaqësojnë.
Vetëm nëse është kërkuar, ndërkaq, një përfaqësues i „merhaba filozofisë“, jo në kuptimin fetar, por atë të mendësisë, atëherë, me këtë është bërë zgjedhje e mirë. Por, duke pas parasysh se nuk ishte fjala për zgjedhjen e një kryeplaku në odë, por për Kryeparlamentarin e Kosovës, në kohërat kur çdo ligj (nga ato të Vjenës) balsamon fatin e gjeneratave që do të vijnë, atëherë kjo përzgjedhje s’ka si të miratohet…

Natyrisht, unë si funksionar i LDK-së dikur, dhe si veprimtar e votues i saj deri sot, jam i vetëdijshëm se në në LDK ka shumë shtresa meritokracie personalitetesh, nga të gjitha kohërat…dhe e kuptoj se ato duhet shpërblyer! Por, assesi me poste kaq të ndieshme. Assesi!

Në kohën kur bota po ecën me shpejtësi marramendëse në zhvillim ekonomik, kur shtetet e ish bllokut të Lindjes, si Sllovakia ta zëmë, po bëjnë hapa gjigant dhe bile edhe po arrijnë të destabilozojnë ekonomikisht Gjermaninë, duke ia tërhequr shumicën e kolosëve industrial në vendin e tyre përmes koncepteve origjinale për investues, dhe në kohën kur ta zëmë Moskva, për vetëm 5 vite arrin që të mahnit Europën me një shkallë pa-punësie prej vetëm 0.7%, e bile edhe me 600.000 gastarbejterë të punësuar nga jashtë, me koncepte që po tërheqin investitorët europianë me nga 25 miliardë në vit, mendoj se edhe Kosova duhet të të shqyrtojë me urgjencë, kend po e vë në krye të shtetit, në formim.