Flori - Press

Mire se vini ne faqen tone virtuale "Flori-Press" te moderuar nga stafi redaktues Flori Bruqi, Engjell Shehu,etj.

e shtunë, korrik 15, 2006

Shkelzen Gashi:A ka fituar NATO?!

Prezantime
A ka fituar NATO?!

Ivo H. Daalder dhe Micheal E. O'Hanlon 'Winning ugly – NATO-s war to save Kosovo', Brookings Institution Press, Washington, D.C. 2001

Shkruan Shkëlzen Gashi

'Winning ugly – NATO-s war to save Kosovo' titullohet libri i autorëve Ivo H. Daalder (studiues i politikës së jashtme në Brookings Institution dhe një kohë koordinator për politikë të jashtme i SHBA-ve në Bosnjë e Hercegovinë) dhe Micheal E. O'Hanlon (po ashtu studiues i politikës së jashtme në Brookings Institution, i cili edhe ka specializuar për strategjinë e mbrojtjes së SHBA-ve dhe për intervenimet ushtarake). Ky libër është një rrëfim shumë interesant se si kanë rrjedhur ngjarjet deri në intervenimin e NATO-s dhe se si është bërë ky intervenim. Siç e thotë Timothy Garton Ash (New York Review of Books) në këtë libër ekzaminohet politika perëndimore, e posaçërisht ajo amerikane në luftën e Kosovës. Libri ka gjashtë kapituj dhe përmban një kronologji të ngjarjeve (janar 1998 – gusht 1999), pastaj dokumentet ndërkombëtare që kanë të bëjnë me Kosovën (Rezolutat e Këshillit të Sigurimit, Marrëveshjen Hollbruk-Millosheviq, Marrëveshjen Clark Nauman me autoritetet serbo-jugosllave, Deklaratën e Grupit të Kontaktit për thirrjen e Konferencës së Rambujesë, Deklaratën e NATO-s ku definohen kushtet e NATO-s për ndërprerje të bombardimeve, Marrëveshjen Ahtisaari-Chernomerdyn-Millosheviq, Rezolutën 1244...)...

Sipas autorëve, caku i intervenimit të NATO-s nuk ka qenë një vend, por një njeri: Sllobodan Millosheviq. Ndërsa, qëllimi i fushatës ka qenë që të detyrojë këtë njeri të kthehet në tavolinën negociuese për të gjetur një zgjidhje si dhe për të mbrojtur shqiptarët e Kosovës nga dhuna serbe dhe dominimi politik. Sipas tyre, nuk duket se NATO e ka pasur për qëllim që të shkatërroj forcat a armatosura serbo-jugosllave, të shkaktoj ndryshime në regjimin e Beogradit ose të realizoj pavarësinë e Kosovës, por, duket se qëllimi ka qenë për ta bindur Millosheviqin për negociatat që do të lejonin një forcë ndërkombëtare të armatosur në Kosovë. Dhe objektivi i Aleancës nuk ka qenë asgjë më shumë se një autonomi për shumicën e shqiptarëve etnikë në Kosovë. Po ashtu duhet thënë se Millosheviqit i është premtuar çarmatosja e UÇK-së. Në fillim të fushatës mund të thuhet se NATO e ka humbur luftën kurse shqiptarët e Kosovës e kanë paguar çmimin për këtë humbje. Në traditën e teorisë së luftës së drejtë, siç argumentojnë disa kritikë, ka qenë shumë jo etike nga ana e NATO-s që të zgjedhë taktikat që efektivisht i ruajnë trupat e NATO-s dhe aq u bën për civilët e pafajshëm shqiptarë në emër të të cilëve, në fakt, edhe po zhvillohej kjo fushatë ushtarake. 500 serbë dhe shqiptarë civilë janë vrarë aksidentalisht nga bombat e NATO-s dhe vetëm dy trupa të NATO-s (dy pilotë amerikanë) për 78 ditë. Në mesin e gabimeve që ka bërë NATO, konsiderohet edhe bombardimi më 12 prill i urës në Serbinë veriore derisa po kalonte një tren me udhëtarë duke vrarë kështu kryesisht udhëtarët serbë civilë, pastaj bombardimi më 14 prill i një konvoji të refugjatëve shqiptarë…

Pas luftës së parë botërore Serbia dhe Kosova do të integrohen bashkë në shtetin e ri të quajtur Jugosllavi, por, Kosova, me dije qoftë, si pjesë e Serbisë. Kosova ka qenë pjesë e Serbisë më shumë se sa pjesë konstituive e federatës që u shkatërrua më 1990, e nga e cila federatë, republikat e kanë fituar të drejtën e shtetësisë dhe të drejtat sovrane, por jo edhe krahinat autonome të Serbisë edhe pse kanë pasur disa prerogativa të njëjta me republikat. Si rezultat, politika perëndimore karshi Kosovës nuk ka pasur të bëj me vetëvendosjen ose të drejtat nacionale, por me të drejtat e minoriteteve që do të thotë se presioni mbi Beogradin është bërë kryesisht për ta përmirësuar gjendjen e të drejtave të njeriut dhe për të krijuar kushtet për një autonomi dhe vetëqeverisje për shqiptarët. Përkushtimi i SHBA-ve për ta ndaluar dhunën serbe në Kosovë daton që nga vitit 1992 sepse interesi i SHBA-ve për stabilitet në Ballkan daton që nga Doktrina Truman. Pra, përkushtimi amerikan ndaj Kosovës daton që nga paralajmërimi i Krishtlindjeve gjegjësisht letra që ja pat dërguar Xhorxh Bushi i Parë Millosheviqit ku, ndër tjera, pat thënë se në rast të konfliktit në Kosovë të shkaktuar nga forcat serbe, Shtetet e Bashkuara do të jenë të përgatitura që të përdorin forcën ushtarake kundër serbëve në Kosovë dhe pasurisë së Serbisë.

Trupat tokësore

Në fillim që të gjithë kanë qenë kundër futjes së trupave tokësore në Kosovë duke menduar se nevojiten shumë pak ditë për ta bindur Millosheviqin që ta pranojë planin e paqes. Faza e parë e sulmeve ka qenë në sistemin ajror të mbrojtjes, pastaj faza e dytë sulmet në forcat serbe në dhe rreth Kosovës dhe faza e tretë sulmet në objektet ushtarake strategjike të Serbisë përfshirë Beogradin dhe, për fat të keq, nuk ka pasur – deri pothuajse në fund të fushatës – fazë të katërt: trupat tokësore. Qysh me të filluar bombat e NATO-s Klintoni në fjalimin e tij drejtuar kombit ka thënë se nuk e ka ndërmend t’i dërgoj trupat tokësore në Kosovë. Madje, edhe Al Gori më 9 prill 1999 ka thënë se opsioni i përdorimit të trupave tokësore nuk është në konsiderim. Kur Kryeministri i Britanisë së Madhe, Tony Blairi, më 21 prill, do të shkojë në Amerikë për ta bindur Klintonin se duhet të ndërhyjë me trupa tokësore, ai do të dështojë në misionin e tij. Përfundimisht më 10 maj vendoset që të ndryshoj retorika e administratës për sa i përket përdorimit të trupave të NATO-s dhe përllogaritja do të jetë: nevojiten 175 mijë trupa për ndërhyrje tokësore, ku 100 mijë do të jenë trupa të SHBA-ve, ndërsa për herë të parë në takimin e ministrave të Grupit të Kontaktit më 27 maj 1999 do të diskutohet për rreth shtatë orë mundësia për intervenim tokësor dhe këtu më këmbëngulësja do të jetë Britania e Madhe, e cila ka premtuar se për ndërhyrje tokësore ofron 54 mijë trupa dhe për të treguar se është e gatshme ta bëj një gjë të tillë ministri i mbrojtjes George Robertson ka thënë se ka përgatitur 30 mijë letra për tu dërguar rezervistëve. Ç’është e vërteta, liderët ushtarakë të SHBA-ve kurrë nuk e kanë konsideruar invadimin tokësor si opsion deri para se të fillojë fushata ajrore. Berger ka thënë se Klintoni ka qenë i përgatitur për të mos humbur dhe ka qenë rrjedhimisht edhe i përgatitur për invazion tokësor, e këtë e ka thënë edhe vetë Klintoni, por, një ditë pas përfundimit të bombardimeve. Zaten, kërcënimi me invadim tokësor dhe presioni diplomatik rus ka bërë që Millosheviqi të dorëzohet. Bombardimi i objekteve civile dhe ekonomike rreth Beogradit dhe në tërë territorin e Serbisë ka qenë një tjetër faktor që e ka shtyrë Millosheviqin që të dorëzohet. Sipas autorëve rezultati i intervenimit të NATO-s do të jetë protektorati ndërkombëtar për Kosovën, edhe pse legalisht Kosova do të mbetej pjesë e Jugosllavisë me arsyetimin se pavarësia e Kosovës është faktor destabiliteti sepse do të destabilizohej Maqedonia dhe kështu do të ngjalleshin ambiciet e fqinjëve të saj Bullgarisë, Greqisë dhe Serbisë dhe më pas do të destabilizohej edhe Bosnja, ku serbët do të kërkonin pavarësi. Vendosja e trupave të NATO-s në Kosovë është bërë me qëllim që të demilitarizoj UÇK-në, të mbrojë shqiptarët nga Serbia dhe që të dy këto qëllime, sipas autorëve, janë arritur.

NATO-UÇK

Sipas autorëve njëri ndër opsionet pas dështimit të Rambujesë, përveç vazhdimit të negociatave në formë më ndryshe është dashur që të armatoset UÇK-ja për ta kthyer kështu Kosovën në një Afganistan evropian. Mirëpo, vendet anëtare të NATO-s kanë pasur frikë se intervenimi ushtarak do ta forcoj UÇK-në. Bile-bile, William Cohen, në intervistë me autorët e librit ka thënë se “shqetësimi i SHBA-ve ka qenë se nëse ndërmerret ndonjë aksion, atëherë duhet të jemi shumë të sigurt se jemi tërësisht neutral dhe se UÇK nuk do ta shfrytëzoj NATO-n për qëllimet e saj, pra nuk do të jemi forcë ajrore e UÇK-së. Qëllimi i këtij aksioni ka qenë ruajtja e integritetit territorial të RFJ-së dhe jo pavarësia e Kosovës, e UÇK duhet ta di këtë ngase NATO dhe SHBA e ka bërë të qartë këtë”. Pra, ideja e armatosjes së UÇK-së është kundërshtuar sepse kjo ide mund t’i ketë shtyrë ushtarët e UÇK-së të mendojnë se ata po armatosen për të luftuar për pavarësi dhe se NATO po e përkrah pavarësinë, e ky pozicion do të ishte në kundërshtim me pozicionin e NATO-s se Kosova është pjesë e Serbisë. Në Kosovë, në fakt, kanë qenë dy luftëra, të cilat nuk kanë të bëjnë shumë njëra me tjetrën: Serbia ka kryer luftë kundër popullit shqiptar të Kosovës dhe kundër UÇK-së, kurse NATO ka kryer luftë kundër Serbisë. NATO, përveç në Rambuje (ku edhe do të defaktorizohet UÇK-ja) asnjëherë nuk e ka konsideruar UÇK-në si palë dhe përjashtimi i UÇK-së dhe palës shqiptare nga marrëveshja Hollbruk-Millosheviq, sipas Hollbrukut, është bërë pjesërisht për shkak se nuk ka pasur lidership shqiptar për të negociuar me ta. Duhet thënë se Hollbruku në intervistë me autorët e këtij libri ofron detaje interesante, si për shembull, se Rugova ka pranuar që të takohet me Millosheviqin më 15 maj të vitit 1998 vetëm pasi që Hollbruku i ka premtuar një takim me Klintonin…

Rambujeja

Sipas Ivo H. Daalder dhe Micheal E. O'Hanlon konflikti ka mundur të evitohet sikur të ishin bërë presione më të mëdha ndaj Millosheviqit gjatë vitit 1998, sanksione, kërcënime me sulme ajrore qysh në pjesën e parë të vitit 1998, pra para operacionit të Millosheviqit për pastrim etnik. Në vijim të kësaj duhet parë edhe atë që më 7 tetor Hollbruku i thotë Allbrajtit për Millosheviqin: This guy is not taking us seriosly (Ky njeri nuk po na merr seriozisht). Një strategji negociuese më kreative, sipas autorëve, do ta kishte evituar luftën. Kjo ka logjikë. NATO e ka bërë të pamundshme marrëveshjen me Millosheviqin duke kërkuar që trupat e saj të kenë qasje në tërë territorin e Jugosllavisë dhe, sipas autorëve, gabimi tjetër i NATO-s është mbajtja e referendumit për të ardhmen e Kosovës tri vite pas hyrjes në fuqi të kësaj marrëveshjeje. Siç do të dëshmohet më vonë, KFOR nuk ka pasur nevojë që të ketë qasje në Serbinë jugore dhe qendrore për të realizuar misionin e tij në Kosovë. Por, ideja që trupat e NATO-s të kenë qarkullim në tërë territorin e Jugosllavisë nuk ka pasur të bëjë asgjë me realizimin e misionit të NATO-s në Kosovë. Ç’është e vërteta, shumë autorë, si për shembull, Micheal Mandelbaum, sugjerojnë se Rambujeja ka mundur të mos dështojë sikur SHBA-të të kishin ofruar që në Kosovë të ketë mision të Kombeve të Bashkuara, të hiqet kërkesa e referendumit dhe të fshihet dispozita në aneksin ushtarak, e cila i jepte NATO-s të drejtën që të ketë qasje në tërë territorin e Jugosllavisë. Autorët e këtij libri thonë se trupat e NATO-s nuk kanë të drejtë që të futen në tërë territorin e Jugosllavisë, por qëllimi i tyre sipas autorëve ka qenë Kosova. Kjo nuk është e vërtetë. Krejt qëllimi, në fakt, ka qenë futja e trupave të NATO-s në tërë territorin e ish-Jugosllavisë. Kjo gjë do të arrihet gjashtë vite më vonë, saktësisht më 18 korrik 2005, kur në Beograd do të nënshkruhet dokumenti “Në mbështetje të paqes në Ballkan” mes autoriteteve të SMZ-së dhe NATO-s, i cili dokument nënkupton trupim të papengesë dhe të pa pagesë të trupave të NATO-s, pajisjeve dhe mallrave, materialit, armëve, municionit, eksplozivit, automjeteve, helikopterëve dhe avionëve të NATO-s nëpër territorin e SMZ-së.

Me të pranuar që të shkojnë në Rambuje, palët i kanë pranuar 26 parimet që sekretari i jashtëm britanik u kishte dërguar më 30 janar menjëherë pas takimit ministerial të Grupit të Kontaktit. Mirëpo, më pas, siç dihet, pala serbe nuk do ta nënshkruaj Marrëveshjen e Rambujesë edhe përkundër shumë përpjekjeve për ta bindur Millosheviqin për një gjë të tillë. Këtu vlen të përmenden, mes tjerash, përpjekjet e ambasadorit Hill, i cili për tri orë bisedime me Millosheviqin i ka prezantuar atij tërë planin, përfshirë edhe aneksin e sigurisë, të cilin delegacionet në Rambuje nuk do ta shihnin deri një ditë më pas dhe, për më tepër, Hill edhe do ta ndryshoj planin duke inkorporuar disa shqetësime të delegacionit të Serbisë dhe duke shkelur kështu rregullën themelore: draft dokumenti mund të ndryshohet vetëm nëse palët pajtohen. Mirëpo, edhe pas këtyre ndryshimeve të pakta për palën serbe nuk është nënshkruar dokumenti nga Millosheviqi dhe, për më keq akoma, kur Hill ka tentuar ta takoj edhe një herë Millosheviqin, më 19 shkurt, ai ka refuzuar dhe pas refuzimeve të vazhdueshme deri më 23 mars, NATO më 24 mars 1999 (NATO me një personel ushtarak aktiv prej 4 milionësh dhe me shpenzime vjetore për mbrojtje 450 miliardë dollarë) do të ndërmarrë fushatë ushtarake ndaj një vendi me një buxhet vjetor për mbrojtje prej 1.5 miliard dollarë dhe me afërsisht 110 mijë forca ushtarake (faqe 103). Bindja e autorëve është fushata ushtarake ndaj Serbisë nuk ka pasur për qëllim që të bëhet konflikt ushtarak, por vetëm të shfrytëzohet si një mënyrë për të bindur Millosheviqin që ta pranoj Rambujenë. Pesë objektivat e NATO-s janë arritur në Kosovë. Meqë më sipër u përmend referendumi, duhet thënë se autorët vënë në dukje se përveç vullnetit të popullit (edhe pse këtu nuk specifikohet se për cilin popull bëhet fjalë) duhet që të merrem parasysh edhe opinioni i autoriteteve relevante, përpjekjet e së cilës palë për implementimin e marrëveshjes, dhe Akti Final i Helsinkit. Albright në një letër delegacionit të Kosovës thotë se shprehjen “vullnet i popullit” SHBA do ta konsiderojë si e drejtë e popullit të Kosovës për referendum, por Albright ju ka bërë të qartë atyre se edhe vota për pavarësi nuk do të thotë se pavarësia është e garantuar. Duhet thënë se kjo letër e Albrightit ka qenë valide vetëm nëse delegacioni i Kosovës e nënshkruan Marrëveshjen e Rambujesë më 23 shkurt dhe, siç duhet, pala kosovare nuk e ka nënshkruar deri më 18 mars Marrëveshjen e Rambujesë. Autorët thonë se Millosheviqi ka siguruar që Kosova legalisht të jetë pjesë e Serbisë dhe ka arritur që trupat e NATO-s të jenë jashtë Serbisë, pra, të jenë vetëm në Kosovë. Roli i NATO-s në Kosovë është shumë i madh se sa që do të ishte sikur Millosheviqi ta pranonte Marrëveshjen e Rambujesë para bombardimeve.

Marrëveshja NATO-RFJ

Kur Presidenti i Rusisë e ka parë se uniteti i NATO-s po ruhet dhe nuk e ka ndërmend të prishet, atëherë, një dita para samitit të NATO-s e ka telefonuar Klintonin dhe ka kërkuar prej tij që të gjendet një marrëveshje për krizën duke ka propozuar që: të vazhdoj sovraniteti serb mbi Kosovën; administrues i Kosovës të jetë UN; një sektor serb të jetë në Kosovë nëse është e mundshme; dhe të ketë rol balancues mes trupave të vendeve të NATO-s dhe trupave të vendeve jo të NATO-s. Është me rëndësi të thuhet se pas samitit të NATO-s Klintoni ka thënë se ka tri objektiva: të fitojë ushtarakisht mbi Serbinë, ta ruaj unitetin brenda NATO-s dhe të mos prishen marrëdhëniet mes SHBA dhe Rusisë… Në realitet, qysh në fillim Rusia ka kërkuar ndërprerjen e menjëhershme të këtij “agresioni të papranueshëm” dhe ndjenja antiamerikane në Rusi pas sulmeve të NATO-s është ngritur nga 23% në 49% sepse në intervenimin e NATO-s 70% e në disa raste edhe 95% e arsenalit ushtarak është mbuluar nga SHBA dhe kjo sipas autorëve nuk ka qenë korrekte. Sidoqoftë, individët që kanë bërë punën për definimin e marrëveshjes finale mes NATO-s dhe RFJ-së janë Strobe Talbott, Viktor Chernomyrdin dhe Martti Ahtisaari. Ata janë pajtuar në tri pika: sovraniteti dhe integriteti i Jugosllavisë është i paprekshëm; në Kosovë duhet të vendoset një administratë nën UN dhe refugjatët do të lejohen të kthehen... Me dije qoftë që problem ka qenë se nën komandën e kujt duhet të jetë forca që duhet të dislokohet në Kosovë, pra a duhet të jetë nën komandën e NATO-s, e që rrjedhimisht do të thotë se Komandanti i KFOR-it duhet t’i raportojë drejtpërdrejtë NATO-s. Fillimisht Cernomerdini ka thënë se Beogradi nuk pranon vendosjen e trupave të vendeve që kanë marrë pjesë në bombardim dhe, po ashtu, se duhet të ketë trupa ruse në Kosovë, por këta trupa nuk duhet të jenë nën komandën e UN-it dhe në zonën veriore të Kosovës nuk duhet të ketë trupa të NATO-s fare. Ideja që të ketë zonë ruse (sektor) në Kosovë ka qenë e papranueshme duke pasur parasysh rrezikun që mund të ketë kjo ide, pra se mund të bëhet një zonë serbe dhe një ditë edhe të ndahet nga territori i Kosovës. Ideja e rusëve ka qenë që forcat e vendeve të NATO-s do të ishin në komandën e NATO-s derisa forcat e jo vendeve të NATO-s do të ishin nën komandën e UN-it. Mirëpo, sipas amerikanëve, forca ndërkombëtare ushtarake duhet të jetë nën komandën e NATO-s dhe, për fat të mirë, nuk ka pasur divergjenca mes evropianëve dhe amerikanëve në këtë pikë, të cilat divergjenca do t'i shfrytëzonte Rusia.

Për të bërë presion më të madh mbi liderin serb, Rusia i ka thënë Millsheviqit që edhe ajo beson fuqimisht se NATO është shumë e gatshme që ta invadojë ushtarakisht territorin, kështu që është më mirë ta pranojë planin e paqes dhe më 30 maj 1999, Sergei Stepashin, Kryeministër i Rusisë, i ka telefonuar Klintonit dhe i ka thënë që duhet marrëveshje sa më parë që është e mundshme, ndërsa, më 1 qershor 1999, Strobe Talbott, Viktor Chernomyrdin, Martti Ahtisaari janë takuar në Petersburg, pra jashtë Bonit për disa orë në përpjekje për të gjetur një marrëveshje. Gjatë tërë ditës dhe tërë natës negociatat janë fokusuar në dy çështje: duhet të largohen të gjitha trupat serbe nga Kosova apo jo dhe çështja e dytë trupa ushtarake ndërkombëtare që do të vendoset në Kosovë do të jetë komandë të NATO-s apo jo. Dhe, më pas, është arritur marrëveshja që një numër i trupave serbe të kthehet më vonë në Kosovë, pra qindra, jo mijëra, për pastrimin e minave dhe ruajtjen e monumenteve serbe. Chernomyrdin dhe Ahtisari e kanë takuar më 2 qershor liderin serb për katër orë rresht. Ahtisari i ka thënë Millosheviqit që nuk mund të ndryshohet dokumenti që ja ka prezantuar, por vetëm duhet të zgjerohet dhe janë shumë interesante detajet e bisedës mes Millosheviqit, Ahtisarit dhe Chernomyrdinit, të cilat detaje i ofrojnë autorët në këtë libër (faqe 173-174):

Millosheviq: A do të jenë Kombet e Bashkaura autoritet në Kosovë në vend të NATO-s…
Ahtisari: Po, por NATO do të ketë komandën operacionale të forcës së sigurisë ndërkombëtare…
Millosheviq: A do të jetë teksti i Rambujesë operativ edhe më?
Ahtisaari: Jo, sepse marrëveshja e G8 e ka zëvendësuar atë…
Atëherë, Millosheviqi kthehet kah Chernomyrdini dhe e pyet: Është kjo ajo që unë duhet të bëjë për t'u ndalur bombardimet?
Chernomyrdin: Po, kjo është më e mira që mund të nxjerrësh. Vetëm bëhet më keq për ty nëse e refuzon…
Millosheviq: Qartë. E pranoj!

Fundi

Dhe me 3 qershor këtë dokument e ka votuar Parlamenti i Serbisë me 136 vota pro dhe 74 kundër. Më pas do të bëhet Marrëveshja Tekniko Ushtarake mes NATO-s dhe RFJ-së dhe më 10 qershor 1999 Këshilli i Sigurimit do ta miratojë Rezolutën 1244. Moska do të vendoset në Aeroportin e Prishtinës në mënyrë që të jetë në gjendje të sjellë mijëra trupa përforcime nga Rusia dhe më pas ta vendos sektorin rus në Kosovën veriore, i cili sektor nuk do të ishte nën komandën e NATO-s. Mirëpo, fqinjët serbë nuk kanë lejuar që trupat e Rusisë të kalojnë në zonën e tyre fluturuese. Dhe për këtë, më meritori, siç edhe e thotë Stephen Schwartz në librin e tij “Kosova – prejardhja e një lufte” fakti se plani për zonën ruso-serbe nuk u zbatua, ishte rrjedhojë e guximit dhe e qëndresës së Bullgarisë, e cila refuzoi t’u jap leje ish-patronëve të vet për kalimin e 7.000 trupave ruse. Pas 33 orëve bisedime mes ministrave të mbrojtjes të vendeve përkatëse (Rusi – ShBA) është arritur një marrëveshje më 18 qershor për lejimin e afërsisht 4 mijë trupave ruse në Kosovë, por këto trupa do të dislokohen në sektorin amerikan, francez dhe gjerman, pra jo të kenë një sektor të vetin…

Krejt në fund, duhet thënë se ky libër është libri më fascinant për intervenimin e NATO-s në Kosovë. Mes shumë faktorëve që e bëjnë të tillë këtë libër, është edhe fakti se autorët janë kritik dhe kanë qasje objektive duke vënë në pah edhe dështimet e Aleancës, mes tjerash, dështimin që në negociata të sjellin edhe Millosheviqin apo dështimin për të ndalur fushatën e spastrimit etnik që do të thotë se fushata ajrore, në fakt, ka qenë e pafuqishme për t’i ndalur krimet që ka bërë Millosheviqi ndaj shqiptarëve të Kosovës.