Flori - Press

Mire se vini ne faqen tone virtuale "Flori-Press" te moderuar nga stafi redaktues Flori Bruqi, Engjell Shehu,etj.

e diel, korrik 02, 2006

Presidenti Rugova vazhdon të jetë i rrezikshëm për kundërshtarët e tij ne LDK etj.

Pse ende shpifet për Presidentin Rugova?

Presidenti Rugova vazhdon të jetë i rrezikshëm për kundërshtarët e tij ne LDK etj.



Presidenti Rugova nuk është vetëm themeluesi i LDK-së, por ai ishte dhe vazhdon të jetë vet LDK-ja. Ai ishte institucion në vete dhe shtyllë e bazë e gjithçka në LDK. Vet aftësia e tij për të krijuar një autoritet të tillë të pakontestueshëm ishte problemi më i madh i kundërshtarëve të tij dhe njëherit edhe caku kryesor i tyre. Ata e kanë ditur gjithnjë se për ta rrënuar LDK-në së pari duhet ta rrënojnë autoritetin e Presidentit Rugova dhe për këtë arsye edhe janë projektuar dhe më pas janë ekzekutuar me qindra skema të shpifjeje dhe skandaleve të paqena për të treguar një realitet të paqenë dhe për ta bindur popullin e Kosovës në diçka që Presidenti Rugova asnjëherë nuk ka mundur të jetë. Shtypi i majtë me vite të tëra ka shkruar për “kokën e krimit”, “rrjetin mafioz” etj që donin ta ndërlidhnin me emrin e Presidentit Rugova dhe me familjen e tij. Janë bërë përpjekje çnjerëzore për ta bindur opinionin dhe çdo herë janë dëshpëruar sepse Presidenti asnjëherë nuk ka rënë në provokim. Me një qetësi të madhe ai ka arritur që tërë atë energji negative t’ua kthente atyre që e kishin nisur. Është shkruar e është thënë krejt çka njerëzit kanë mundur të fantazojnë, por të gjitha ishin pa sukses sepse Presidenti të gjithë i sfidonte me durimin, heshtjen dhe qeshjen e tij. Ai ishte i paprekshëm nga të gjitha përpjekjet për ta lënduar autoritetin dhe projektin e tij politik. Sa herë u shpall “tradhtar”, sa herë u shpall i “vdekur”, sa herë u tha se ai nuk ka më asgjë të re për të thënë dhe përsëri, radhas përsëri, Presidenti ringritej dhe çdo herë ishte më i madh se të gjithë kundërshtarët e tij së bashku.
Ajo që më brengos shumë sot është përpjekja në vazhdim që kjo praktik të vazhdohet edhe sot, madje edhe pas vdekjes së tij. Edhe i vdekur, Presidenti Rugova vazhdon të jetë i rrezikshëm për kundërshtarët e tij. Edhe i vdekur Presidenti Rugova e mban bashkë frymën e LDK-së dhe nuk lejon që disa ta shkatërrojnë trashëgimin e tij. Ata e dëshirojnë LDK-në të shkatërruar, por Presidenti, edhe për së vdekuri, na mban së bashku dhe kjo është e papranueshme për ata. Kjo është arsyeja pse nuk pushojnë përpjekjet kundër Presidentit sepse nëse vetëm pak ekziston një lidhje në mes të LDK-së dhe Presidentit, atëherë LDK vazhdon të jetë kala e pamposhtur.
Me habit fakti kur lexoj e dëgjoj njerëz, disa fatkeqësisht edhe të LDK-së, duke thënë se me vdekjen e Rugovës ka ardhur edhe fundi i disave, u është tharë grazhdi dhe kaçepi etj (nëse nuk besoni, lexoni komentet e ndryshme). A e dinë këta njerëz se çka janë duke thënë? A do të thotë kjo se Presidenti ishe ai që u mbante kaçepin ngopur disave, a do të thotë kjo se Presidenti ishte ai që e mbushte grazhdin? Nëse i pyet ata thonë, “jo Presidenti, por të tjerët” dhe kështu tani ata dëshirojn të thonë se Presidenti ishte kukull! Oh, Perëndi, është pothuaj se dëshpërues fakti kur e sheh se sa ulët mund të shkojë njeriu në smirën e vet.
Është kjo kohë e stuhive të mëdha dhe në stuhi bien të gjitha maskat. Të faleminderit President që me urtin tënde i lejove që ta tregojnë fytyrën e vërtetë. Më mirë që i njohim tash sesa t’i kishim njohur më vonë.