Flori - Press

Mire se vini ne faqen tone virtuale "Flori-Press" te moderuar nga stafi redaktues Flori Bruqi, Engjell Shehu,etj.

e shtunë, korrik 01, 2006

Partitë e “krahut të luftës” nuk kanë anëtarë sa ka patur LDK-ja luftëtarë të UÇK-së

Astrit Haraqija, anëtar i Kryesisë i LDK-së e ministër i MKRSÇJ-së

Partitë e “krahut të luftës” nuk kanë anëtarë sa ka patur LDK-ja luftëtarë të UÇK-së

Në Qeverinë e Kosovës ka qenë i vetmi ministër me vathë në vesh. Në Kryesinë e LDK-së është konsideruar si “i përkëdheluri” i dr.Ibrahim Rugovës. Nga PDK-ja dhe SHIK-u është akuzuar si pjesëtar i “Sigurimit të Atdheut”. Në disa media në Kosovë, së paku njëherë në javë emri i tij del në faqe të parë, natyrisht për ndonjë “skandal”. Në kabinetin e tij në Ministrinë e Kulturës, Rinisë e Sporteve edhe më tutje mban dy posterë të mëdhenj me portretin e dr.Ibrahim Rugovës. Me një fjalë Astrit Haraqija është ministër “kuller”, rugovistë i favorizuar, pjesëtar i “strukturave kriminale të parapolitikës”, halë në sy të disa mediumeve të Kosovës, fanatik i dr.Ibrahim Rugovës.

Bajrush Morina (Bota Sot)

Bisedën po e fillojmë në kohën kur jeni emëruar ministër. Duke patur parasysh kritikat dhe sulmet e disa mediave ndaj jush, a jeni “pishman” që keni zgjedhë të udhëhiqni ministrinë e Kulturës? Në fakt, sikur të kishit mundësi që sot të zgjidhni për postin tuaj, a do të përcaktoheshe përsëri për Ministrinë e Kulturës?

Në fillim ju falënderoj juve dhe gazetën kombëtare “Bota sot” që e keni parë të arsyeshme të zhvilloni këtë intervistë me mua. Ndërkaq sa i përket pyetjes tuaj, unë mund të them se pavarësisht prej kritikave të një pjese të mediumeve ndaj meje, unë nuk jam fare “pishman” që jam ministër i Ministrisë së Kulturës, Rinisë e Sporteve. Është e vërtetë se unë e kam marrë drejtimin e kësaj ministrie në kohën me te keqe, në kohën kur buxheti i kësaj Ministrie është zvogëluar në mënyrë drastike për rreth 3 milion Euro më pak sesa në kohën e Qeverisë së kaluar. Por unë për nga natyra jam njeri që kërkon sfida dhe që i përballon këto sfida. Prandaj, edhe tash po të më jepet rasti unë përsëri do të zgjedhja që të jem ministër i Ministrisë së Kulturës...dhe jam krenar që jam ministër i kësaj ministrie.

A do të thotë kjo se keni qenë i parapërgatitur më herët për të drejtuar këtë ministri?

Paj, shihni në njëfarë mënyre mund të them se që në kohën kur flitej për emërimin e ministrave të Qeverisë së Kosovës dhe kur përmendej emri im si kandidat i mundshëm i një posti ministror, unë kam patur një “simpati” ndaj kësaj ministrie. Bile duke e patur parasysh moshën time relativisht të re, si 33 vjeçar unë në njëfarë mënyre e kam adhuruar këtë ministri... Unë edhe më parë jam marrë me aktivitete të ndryshme kulturore e sportive prandaj kam dashur që edhe nga pozicioni i ministrit të jap kontributin tim në kulturë, në sport dhe në rini.

Ju jeni ndër politikanët e rrallë gjakovar që keni ardhë në Prishtinë. Juve ju ka propozuar presidenti Rugova për ministër, ndërkaq jeni ndër ministrat më të përfolur të Qeverisë së Kosovës. A mund të merret kjo një prej arsyeve që një pjesë e mediave iu sulmon pandërprerë juve?

Shihni, unë kam deklaruar edhe më parë dhe po e them këtë edhe për lexuesit e nderuar të gazetës tuaj. Unë jam i nderuar që jam ministër i propozuar nga presidenti i Kosovës dhe lideri kombëtar dr.Ibrahim Rugova. Unë besoj se pjesa më e madhe e popullit shqiptar të Kosovës dhe jashtë saj e dijnë se një personalitet siç ka qenë presidenti Rugova lind njëherë në 500 vjet. Me këtë rast unë do ta citoj edhe ministrin shqiptar Bujar Leskajn i cili me rastin e promovimit të kompletit të veprave të presidentit Rugova tha se kombi shqiptar i ka dy profet, Skënderbeun dhe dr.Ibrahim Rugovën. Ndërkaq, ju përmendet edhe prejardhjen time gjakovare. Unë e di se shumëkush ka aversion ndaj Gjakovës dhe gjakovarëve, por unë jam krenar pse jam banor i qyteti të Gjakovës.

A mendoni se një nga arsyet për sulme ndaj jush është edhe fakti se keni qenë “i përkëdheluri” i presidentit Rugova. Madje me një rast e veja e presidentit Rugova ka deklaruar se presidenti Rugova ju ka dashur si djemtë e vet? Prej nga kjo afërsi e një gjakovari te presidenti Rugova apo prej nga kjo simpati e presidentit Rugova për një djalë me vath në vesh që vjen nga Gjakova?

Unë nuk jam ndër themeluesit e LDK-së, por në këtë parti jam tash e 13 vjet. Presidenti Ibrahim Rugova gjatë këtyre viteve e ka kuptuar seriozitetin dhe sinqeritetin e angazhimit tim në LDK. Pra, nuk ka asgjë të veçantë në relacionin tim me presidentin Rugova, pos sinqeritetit dhe punës time pa hile dhe pa pretendime për të fituar në emër të LDK-së, siç kanë vepruar dhe veprojnë edhe sot një pjesë e të ashtuquajturve “bashkëpunëtorë” të Dr.Ibrahim Rugovës. Ai e ka vërejtur këtë sinqeritet te unë dhe kështu unë e kam fituar besimin te lideri ynë politik e shpirtëror.

Duke qenë një prej atyre që keni shkuar te presidenti “pa protokoll”, juve ju kanë xhelozuar edhe disa anëtarë të Kryesisë së LDK-së. A mendoni se tash pas vdekjes së presidentit Rugova, sulmet brenda partiake ndaj jush janë shtuar?

Unë i kuptoj xhelozitë e kolegëve të mi brenda LDK-së. Unë e di se për këtë kategori të “xhelozëve” brenda LDK-së nuk ka qenë lehtë që të pranojnë vendimin e presidentit Rugova që një djalë i ri, 33 vjeçar të marrë postin e një ministri. Por, më duhet të përsërit edhe njëherë se unë në LDK jam qe 13 vjet dhe këtë angazhim timin ma ka shpërblyer presidenti Rugova duke më emëruar ministër. Pra, unë nuk jam ndër ata që jam imponuar te presidenti Rugova. Unë kam punuar për presidentin Rugova dhe LDK-në pa u shtyrë me bërryla që të fotografohem pranë tij në momente të caktuara e pastaj t’ia kthej shpinën dhe të merrem me thashetheme. Më lejoni të shtoj edhe diçka. Unë kam pas nderin t’i dëgjoj dy burra të mëdhenj të Kosovës, të ndjerët Fehmi Aganin dhe Bardhyl Çaushin të cilët kanë thënë se dr.Ibrahim Rugova është i përkushtuar për çështjen kombëtare dhe se të gjithë ata që mendojnë dhe veprojnë si ai, presidenti Rugova i çmon dhe i afron afër vetit.

A është e vërtetë se ju jeni ndër të parët aktivistë të LDK-së që menjëherë pas përfundimit të luftës keni hapur zyrën e LDK-së në Gjakovë dhe keni ardhë në selinë e presidentit Rugova në Velani. Madje këtë ndihmë e keni afruar edhe me “kallash” në krah?

Qyteti i Gjakovës është çliruar më 14 qershor të vitit 1999. Për koincidencë 14 qershori është edhe ditëlindja ime. Me përfundimin e luftës unë kam zhveshur uniformën e UÇK-së dhe fillimisht kam dashur të merrem vetëm me çështje private e jo me politikë. Por, menjëherë filluan spekulime të ndryshme në adresë të presidentit Rugova, shpifje monstruoze, kërcënime e shantazhe ndaj LDK-së etj. Pastaj duke qenë vetë pjesëmarrës i drejtpërdrejtë i luftës në Kosovë e dija se kush ishin luftëtarët e vërtetë, e kush ishin ata mercenarë që i kishin blerë uniformat e UÇK-së në Kukës me nga 20 marka dhe silleshin nëpër Gjakovë si “luftëtarë të UÇK-së”. Unë i njohsha këta “patriota” dhe e dija sa ata kishin qenë bashkëpunëtorë të Serbisë e jo luftëtarë të UÇK-së. Dhe çka ishte më e keqja pikërisht këta bashkëpunëtorë të Serbisë, të cilët kishin blerë uniforma të UÇK-së në Kukës paka ditë para se të përfundonte lufta në Kosovë dhe fryheshin nëpër Gjakovë si quranat se gjoja janë “luftëtarë të UÇK-së”, e merrnin nëpër gojë personalitetin e presidentit Rugova dhe e shanin LDK-në. Duke e parë këtë gjendje unë vendosa që përsëri të aktivizohem në LDK dhe vetëm dy ditë pas çlirimit të qytetit, më 16 qershor unë, bashkë me disa aktivistë te tjerë e hapëm zyrën e LDK-së në Gjakovë. Ndërkaq një ditë më pas, më 17 qershor të vitit 1999 kemi ardhë në Prishtinë dhe e kemi mbajtur konferencën e parë për shtyp te selia e Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës ku presidenti Rugova kishte selinë e tij para luftës. Në ndërkohë edhe në Gjakovë por edhe në Prishtinë kemi patur kërcënime, thyerje xhamave të zyrave të LDK-së, por unë dhe kolegët e mi nuk jemi ndalur.

Ju i takoni asaj plejade të aktivistë të LDK-së të cilët kanë qenë në LDK para lufte, kanë veshur uniformën e UÇK-së gjatë luftës dhe prapë i jeni kthyer LDK-së pas luftës. A mendoni se kjo është një vlerë e veçantë që jo të gjithë politikanët e sotshëm e kanë këtë vlerë në biografinë e tyre?

Unë kam qenë në LDK para lufte, edhe gjatë luftës kam qenë në LDK edhe pas luftës jam në LDK. Madje mund t’ju them lirisht këtyre partive që u formuan pas luftës në Kosovë e që thirren si “krah i luftës” se këto parti nuk kanë anëtarë të tyre sa ka patur LDK-ja pjesëtarë të UÇK-së apo luftëtarë me armë në dorë. Po e përsëris: ata as sot nuk kanë anëtarë të partive të tyre sa i kemi patur ne luftëtarë të luftës për liri. Por, fatkeqësia jonë është se ata edhe gjatë luftës, por edhe pas përfundimit të luftës kanë bërë një agjitacion dhe propagandë komuniste, ndërkaq ne LDK-ja nuk kemi ditur ta shfrytëzojmë këtë bagazh të madh të luftës. Në fakt atyre u kanë ndihmuar pjesa dërmuese e mediumeve, përveç gazetës “Bota sot”, të cilat kanë bërë propagandë komuniste për këto parti “të krahut të luftës”. Pra nuk është aspak e vërtetë se UÇK-ja është asaj apo kësaj partie të formuar pas luftës në Kosovë. Pastaj duhet të pranohet fakti se anëtarët e LDK-së nuk kanë shkuar në luftë për çështje apo për mburrje personale për çështje të Kosovës, prandaj pjesa dërmuese e aktivistëve të LDK-së, me të përfunduar lufta, zhveshën uniformën e luftës dhe iu kthyen jetës e veprimtarisë politike në LDK. Mu për këtë arsye LDK-ja pas luftës i ka fituar katër palë zgjedhje, ndërkaq partitë e ashtuquajtura “krah i luftës” nuk do t’i fitojnë as pas 40 vjetësh zgjedhjet në Kosovë.

Sipas jush partitë që thirren në emër të luftës së fundit në Kosovë nuk e kanë prejardhjen nga UÇK-ja?

Për mua është demagogji e kulluar dhe ata që thonë se partitë e tyre kanë dalë nga lufta e UÇK-së janë demagoga të mëdhenj. Ata që thonë se gjoja janë udhëheqës të luftës në Kosovë, janë ose “komandantë të Bllacës” “komandanta të plazhës së Ulqinit” ose “zëdhënësa të UÇK-së” që kanë qëndruar gjatë gjithë luftës në hotelet luksoze të Tiranës apo Durrësit. Pra, të tillët nuk e kanë udhëhequr luftën në Kosovë, por të tillët kanë shfrytëzuar propagandën dhe pjesën dërmuese të mediave në Shqipëri dhe në Kosovë për marketing të tyre personal politik.

Le të kthehemi edhe njëherë te relacionet e juaja me presidentin Rugova. E veja e presidentit Rugova, znj. Fanë Rugova me një rast ka deklaruar se presidenti Rugova ju ka dashur si djemtë e tij. Sipas kësaj del se ju jeni “vëlla” i Ukës, djalit të dytë të presidentit Rugova. Për Ukën poashtu janë “quar shumë fjalë” në disa media, por edhe nga një pjesë e anëtarësisë së LDK-së. Si e përshkruani personalitetin e Ukë Rugovës, djalit të vogël të presidentit Rugova?

Po është e vërtetë, unë Ukë Rugovën e kam si vëlla timin. Unë Ukën e respektoj shumë, është një djalë ambicioz, me perspektivë, inteligjentë, një djalë që flet katër gjuhë të huaja. Por, mua më dhimbsen edhe Uka edhe Mendimin edhe vajza e vogël Teuta, sepse një pjesë të jetës tyre e kanë kaluar të mbyllur, të kufizuar nga lëvizjet e lira si çdo i ri i Kosovës. Prandaj është turp për ata njerëz të cilët flasin keq për Ukën, apo që shpifin gjithfarë shpifjesh në emër të Ukë Rugovës. Por, me keqardhje më duhet të them se shpifjet kundër djalit të dytë të presidentit Rugova, Ukës, i kanë lansuar disa anëtarë të LDK-së të cilët poashtu kanë shpifur edhe kundër presidentit Rugova. Fatkeqësisht kjo kategori e anëtarëve të LDK-së të cilët merren me këto shpifje, në mënyrë të heshtur, kanë një koalicion me ata demagogë politikë të cilët veten e konsiderojnë si “komandantë të UÇK-së”. Këto shpifje i kanë bërë ata njerëz të LDK-së të cilët në emër të presidentit Rugova, duke qëndruar si “hije” pranë presidentit Rugova, kanë arritur të ndërtojnë pallate katër pesë katëshe e shtëpi luksoze dhe kanë bërë biznes personal. Të tillët, fatkeqësisht edhe sot e kësaj dite janë në LDK, ose së paku shtiren se janë me LDK-në. Por, këto shpifje kundër presidentit Rugova, por edhe kundër familjes së tij dhe në këtë drejtim kundër djalit të tij Ukës, janë bërë me qëllim dhe me një prapavijë të njohur politike. Të tillët e kanë ditur se presidenti Rugova nuk luan as për një milimetër nga parimet e tija kombëtare për Pavarësinë e Kosovës dhe këtë e ka dëshmuar deri në ditën e fundit të jetës së tij.

A mendoni se kjo pjesë “kancerioze” e LDK-së duhet të “operohet”, të hiqet nga pjesa e shëndoshë e LDK-së?

Shini, LDK-ja ka qenë lëvizje e përgjithshme për lirinë e Kosovës. Në LDK, fillimisht kanë hyrë edhe shërbëtorë e argatë të shërbimeve të ndryshme. Edhe përkundër faktit se LDK-ja është pastruar mjaft nga elementë të tillë, brenda saj ende veprojnë individë të dyshimtë që LDK-në e shfrytëzojnë për nevoja personale dhe marketing e biznes të tyre privat politik e ekonomik.

Pas vdekjes së presidentit Rugova, në skenën politike e institucionale të Kosovës ndodhën ndryshime të mëdha. Sipas Eqrem Kryeziut ju keni votuar për këto ndryshime por keni deklaruar se po votoni që edhe veten ta qoni në shtëpi. A e keni parandjerë rrezikun ndaj postit tuaj në momente kur keni deklaruar kështu?

Jo, unë nuk kam ndjerë kurrfarë rreziku për postin tim, sepse unë nuk kam lindur ministër dhe sigurisht se nuk do të vdes si ministër. Më duhet të përsëris faktin se për mua ka qenë nder dhe privilegj që jam ministër i propozuar nga presidenti Rugova. Këtë fakt nuk mund të ma mohojë as Eqrem Kryeziu e askush tjetër. Ndërkaq, më duhet të sqarojë edhe një fakt: unë nuk kam votuar për shkarkimin e askujt. Unë dhe anëtarët e tjerë të Kryesisë së LDK-së kemi votuar që z.Kolë Berisha të jetë kryetar i Kuvendit të Kosovës, ne nuk kemi votuar për shkarkimin e askujt. Pra, në njëfarë mënyre ne kemi votuar për zëvendësime e jo shkarkime apo emërime të reja.

Disa media sot ju akuzojnë se jeni në anën e Nexhat Dacit. Sa ka të vërtetë në këto përfolje?

Astrit Haraqija është me Lidhjen Demokratike të Presidentit Ibrahim Rugova. Astrit Haraqija nuk është me ata njerëz të cilët ditën e kanë plot gojën me emrin e Ibrahim Rugovës dhe natën punojnë kundër Ibrahim Rugovës. Unë do të jem me ata të cilët e vazhdojnë me besnikëri e sinqeritet rrugën dhe veprën e dr.Ibrahim Rugovës, por edhe me ata të cilët do të kujdesen për familjen e presidentit Rugova. A është fjala këtu për Nexhat Dacin, apo për dikë tjetër unë do ta përkrah pa rezervë. Po e përsëris: Astrit Haraqija nuk është me asnjë grupacion brenda LDK-së, unë jam vetëm me Ibrahim Rugovën.

Pak ditë pas vdekjes së presidentit Rugova ju keni deklaruar se do të botoni dorëshkrimet e presidentit Rugova. Dikujt “i ka djegur miza nën kapuç“ me këtë deklaratë, përkatësisht me botimin e këtyre dorëshkrimeve apo memoareve të presidentit Rugova?

Po kjo është e vërtetë. Për dorëshkrimet e tjera të presidentit Rugova unë kam biseduar me vetë presidentin me rastin e dorëzimit të kompletit të veprave të presidentit në vjeshtë të vitit të kaluar. Në fakt, i kam propozuar presidentit që të vazhdojmë serinë e kompletimit të veprave të tija edhe me dorëshkrimet e tija të reja si dhe me disa intervista të cilat presidenti u ka dhënë mediave në gjuhën shqipe apo në gjuhë të huaja. Presidenti është pajtuar me këtë ide dhe më ka premtuar se do të mi ofrojë këto dorëshkrime. Ne kemi planifikuar që serinë e dytë të veprave të presidentit ta promovojmë në dhjetor të vitit 2006, me rastin e ditëlindjes së presidentit Rugova. Por, fatkeqësisht presidentin e mori Zoti dhe tash këto dorëshkrime gjenden te familja e tij. Është në dorën e familjes së presidentit të vendos për botimin e këtyre dorëshkrimeve. Por ajo që mund të them unë është fakti se unë kam parë me sytë e mi pjesën dërmuese të këtyre dorëshkrimeve të presidentit Rugova. Janë dorëshkrime origjinale të presidentit, të shkruara nga dora e tij..

Nëse publikohen këto dorëshkrime, a do të thotë kjo se disa do të skuqen nga përmbajtja e këtyre dorëshkrimeve?

Po, sigurisht se do të skuqen...

A janë këta në strukturat udhëheqëse të LDK-së?

Po ka edhe që janë në strukturat udhëheqëse, edhe anëtar të Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së.

Të vazhdojmë intervistën edhe pak për personalitetin e presidentit Rugova dhe te familjes së tij. A mendoni se pothuaj të gjitha strukturat udhëheqëse politike e institucionale të LDK-së, në njëfarë mënyre sikur e keni harruar paksa presidentin Rugova dhe familjen e tij? Psh. Kryesia e LDK-së nuk po i mban mbledhjet më në Velani, himni i propozuar nga presidenti nuk po intonohet, as në ceremonitë e organizuara nën patronatin e presidencë së Kosovës...?

Presidentin Rugova dhe familjen e tij mund ta harrojnë ata “parashutistë” të LDK-së, por jo anëtarësia e gjerë dhe udhëheqja e sinqertë e besnike e presidentit Rugova. Unë jam vetë anëtar i Kryesisë së LDK-së por sinqerisht nuk e di arsyen e vërtetë përse nuk po mbahen edhe më tutje mbledhjet në selinë e presidentit në Velani. Unë megjithatë e falënderoj familjen e presidentit Rugova për gatishmërinë e tyre që ne të vazhdojmë të mbajmë mbledhjet në shtëpinë e tyre, ndërkaq jam i bindur se shumë shpejt ne do të vazhdojmë t’i mbajmë mbledhjet në Velani, aty ku i kemi mbajtur sa ka qenë gjallë presidenti Rugova. Mos të harrojmë se në Velani, në selinë e presidentit Rugova është themeli i Pavarësisë së Kosovës. Sa i përket himnit të presidentit Rugova më lejoni që në vend të përgjigjes për mosintonimin e himnit të presidentit, të bëjë të ditur një detaj për herë të parë për lexuesit e gazetës kombëtare “Bota sot”. Himni “Kur ka ra kushtrimi” i presidentit Rugova për herë të parë është intonuar në Gjakovë dhe është kënduar nga Shkelzen Jetishi – Xeni në një takim të Forumit Rinor të LDK-së. Prej këtij momenti ka vazhduar të intonohet pothuaj në të gjitha tubimet e LDK-së. Ndërkaq, pse nuk është intonuar në tubimet e fundit përkujtimore të mbajtura nën patronatin e presidentit Sejdiu, unë dua ta konsideroj këtë fakt si gabim teknik, jo ndryshe. Por, simbolet dhe himnin e presidentit Rugova ne duhet të insistojmë që të zyrtarizohen.

Ju mendoni se Ibrahim Rugova ka vdekur vetëm fizikisht për LDK-në?

Jo vetëm për LDK-në por për mbarë popullin shqiptar, dr.Ibrahim Rugova nuk është i gjallë vetëm fizikisht, ndërkaq vepra dhe amaneti i tij do të na udhëheqin dhe mbajnë gjallë edhe për shumë vite, mbase edhe për një shekull.

A jeni për mbajtjen e zgjedhjeve në LDK. A mendoni se do të ndodhin ndryshime të mëdha me këto zgjedhje?

Çdo herë ka nevojë për ndryshime. Ndryshimet janë të domosdoshme edhe në LDK. Ne duhet ta pranojmë faktin se me vdekjen e presidentit Rugova, LDK-ja nuk është më ajo LDK që ka qenë më herët. Tash duhet ta profilizojmë partinë në të githa nivelet. Pra unë jam për mbajtjen e zgjedhjeve, por që këto zgjedhje të mbahen patjetër dhe vetëm sa për t’u mbajtur. Ne nuk duhet të mbajmë zgjedhje vetëm për t’ia mbushur qejfin dikujt, qoftë edhe OSBE-së apo për shkak të presionit të mediave. Na duhen zgjedhje të reja dhe demokratike.

A jeni optimist se LDK-ja do të jetë parti më e madhe edhe në të ardhmen?

LDK-ja e presidentit Rugova do të jetë edhe në të ardhmen parti më e madhe në Kosovë, por them LDK-ja e Ibrahim Rugovës, e jo e “parashutistëve” në LDK.

Po kthehemi edhe njëherë të akuzat ndaj jush. Lirak Çelaj ju ka akuzuar për keq menaxhim të Ministrisë, në ndërkohë që sipas informatave të sigurta, auditimi për komunën e Gjakovës gjatë kohës a keni qenë kryeshef i komunës kanë qenë pozitive?

Fillimisht po them se është e vërtetë se me rastin e auditimit të komunave të Kosovës, komuna e Gjakovës ka dalë komuna e dytë për nga menaxhimi i drejtë e i suksesshëm në nivelin komunal. Ky auditim është bërë për periudhën kur unë kam qenë kryeshef ekzekutiv i komunës së Gjakovës. Ndërkaq, sa për akuzat e ministrit tëi “qeverisë në hije” Lirak Çelaj, unë e di se ai ka për detyrë të lexojë kumtesat dhe deklaratat që ia shkruan dhe ia servon lideri i tij Hashim Thaqi. Me sa e di unë Lirak Çelaj është aktor e jo financier, prandaj nuk merr vesh në financa. Pra, akuzat e Hashim Thaqit e Jakup Krasniqit për mua nuk qojnë peshë. Dhe as që mërzitem për këto akuza. Më këtë rast më duhet të citoj gjyshin tim i cili shpesh thoshte: mos u mërzit kush çka të thotë, por shihe kush po të thotë. Hashim Thaçi e Jakup Krasniqi të më akuzojnë mua është turp për ata. Hashim Thaçi i ka humbur katër palë zgjedhje në Kosovë. Ai më akuzon mua për korrupsion, për krijimin e do farë strukturash parapolitike, për shfrytëzim të fondeve publike! Ani kush, Hashim Thaçi!? Ai duhet të japë llogari para popullit për shfrytëzimin e fondit “Vendlindja thërret”. Ku janë paratë e këtij fondi, sa para janë mbledhur për këtë fond, sa janë shfrytëzuar për nevoja të luftës, sa kanë mbetur, ku janë tretur? Prandaj unë i propozoj Hashim Thaçit dhe Jakup Krasniqit që të formojmë një komision hetimor ndërkombëtar apo parlamentar dhe të verifikojmë se çfarë pasurie kanë patur para luftës Hashim Thaçi e Jakup Krasniqi e çfarë kanë tash dhe çfarë kam patur unë e Melihate Tërmkolli e çka kemi tash?

Në një intervistë televizive keni thënë se disa politikan të Kosovës kanë ardhur në Prishtinë për herë të parë me bicikël. A keni aluduar me këtë rast në Hashim Thaçin dhe Jakup Krasniqin?

Po, është e vërtetë. Unë mbaj mend Jakup Krasniqin kur e kemi emëruar edhe si kryetar të Degës së LDK-së në Drenas, edhe kryetar të këshillit për Financim, edhe kryetar të Lidhjes së Arsimtarëve shqiptarë për atë komunë e të gjitha këto “poste” ia kemi dhënë vetëm sa t’ia ngjesim pak dorën, që t’i ndihmojmë njërit për të tejkaluar gjendjen e vështirë financiare. Pra, Jakup Krasniqi para luftës i ka patur kushtet mizerie....

Por ai tash ka shtëpi në lagjen “Tasligje” të Prishtinës?

Po, pikërisht për këtë arsye unë kërkoj që të bëhen hetime edhe për Jakup Krasniqin? Pikërisht për këtë arsye ai tash më akuzon mua, sepse gjatë mandatit të tij 3 vjeçar ai ka arritur edhe të blejë shtëpi që kushton rreth 300 mijë euro. Unë me rrogë të ministrit prej 935 Eurosh nuk po mund të blejë shtëpi në Prishtinë, ndërkaq Jakup Krasniqi le të deklarojë para opinionit se ku i mori të gjitha paratë për të blerë shtëpi në Prishtinë? Prandaj, unë kërkoj që “Guarda di Financia” të merret me prejardhjen e pasurisë së Jakup Krasniqit e Hashim Thaçit?

Një dosje e hartuar një vit më parë nga PDK-ja, juve ju ka akuzuar si një ndër pjesëtarët e “Sigurimit të Atdheut”. Lideri i PDK-së edhe sot ju akuzon si personifikim i krimit në Qeverinë e Kosovës?

Këto akuza edhe në atë kohë kanë qenë qesharake. Mua më kujtohet kur thonin se Astrit Haraqija ka bërë ushtrime ushtarake në Velani më vitin 2000 - 2001, se kam jetuar gjysmën e jetës në Ferizaj etj, se nëna ime është prej Beogradit, se e kam gjuajtur bombë në shtëpinë e Fahri Morinës etj. Por unë e di pse ata më kanë akuzuar mua dhe disa ministra të tjerë të LDK-së. Edhe ata e dinë se kundër kujt i kanë drejtuar këto akuza. Astrit Haraqija dhe ata që janë akuzuar në këtë “dosje të PDK-së” e dinë se ne nuk jemi bërë argat të tyre dhe nuk jemi frikësuar nga kërcënimet dhe shantazhet e tyre. Ne as sot nuk frikësohemi. Sa i përket “Sigurimit të Atdheut” unë për këtë emër kam lexuar për herë të parë në një gazetë serbe, më duket më vitin 2003. SHIK-u dhe PDK-ja kanë shfrytëzuar këtë emër nga gazetat serbe dhe na kanë veshur neve se gjoja jemi pjesëtarë të këtij farë “Sigurimi...” vetëm për të fshehur veprimet e tyre të fshehta kriminele. Por PDK-ja me këto shpifje vetëm sa po e fundos vetveten. Në parim ata nuk po ndryshojnë asgjë, janë të njëjtit që po i humbin rresht zgjedhjet në Kosovë, vetëm sa janë thinjur pak më shumë dhe i kanë blerë do kravata më të shtrenjta. Prandaj të tillët ne do t’i mundim edhe katërdhjetë herë në zgjedhje. Po më vjen keq pse duhet t’i mbajë leksion politik PDK-së, por ky është realiteti. Një parti që 3 muaj pas Kuvendit nuk ka mundur të zgjedhë Kryesinë e vet, është një fakt pë gjendjen alarmante që ekziston në këtë parti. PDK-ja dhe Hashim Thaçi i kanë humbur katër palë zgjedhje në Kosovë. Tash duan qeveri teknike, zgjedhje të parakohshme, marrje të pushtetit sipas metodës së “Revolucionit të Vlorës” apo “Revolucionit të vonuar demokratik” të Rexhep Qosjes, banda të llojit të Zani Çaushit etj. Jo, koha e atyre “revolucioneve” ka mbaruar. Në Kosovë do të qeverisin ata që i kanë fituar zgjedhjet e jo ata që duan të bëhen “bajraktarë” me hatër a me zor!

Në vallen e atyre që po ju sulmojnë ka hyrë edhe Bujar Bukoshi. Çka i keni “borxh” Bukoshit, ku dhe kur ia keni turbulluar ujin ju Bukoshit?

Unë Bujar Bukoshit nuk i kam borxh asgjë. Ajo që di për Bujar Bukoshin është se për dhjetë vjet rresht ka mbledhur para nga mërgata shqiptare në emër të Qeverisë së Kosovës ndërkaq pas luftës asnjë Institucioni nuk i ka dhënë llogari. E di gjithashtu se para luftës, disa firmave u ka dhënë para me fajde, me kamatë...

Po flisni për periudhën sa ka qenë kryeministër i Qeverisë në ekzil?

Po, për këtë periudhë!

A keni argumente për këto që i thoni?

Po kam mjaft argumente. I di disa firma që janë nga Gjakova që kanë marrë para nga Bujar Bukoshi e që sigurisht as sot e kësaj dite nuk ia kanë kthyer këtë borxh. Bujar Bukoshi është tmerri i Kosovës. Për shkak të viteve që ka dhe moshës time po më vjen rëndë të them këto fjalë por ashtu është. Bujar Bukoshi edhe para luftës, edhe gjatë luftës, edhe pas përfundimit të saj është marrë vetëm me spekulime e shantazhe me të vetmin qëllim që të fsheh gjurmët e veta dhe të shantazhojë presidentin Rugova.

Ju akuzuat më parë Hashim Thaçin se duhet të japë llogari për fondin “Vendlindja thërret”. Tash po e akuzoni edhe Bukoshin për fondin e e 3% të Qeverisë së Kosovës?

Po. Bukoshi nuk mund të shpjegojë me 15 minuta debat televiziv shpenzimet e fondit në të cilin janë derdhur mjete nga mërgata shqiptare për 10 vjet rresht. Prandaj, patjetër duhet të formohet një komision hetimor që duhet të bëhet një auditim për fondet “Vendlindja thërret” dhe “Fondin e 3%” të Bukoshit. Astrit Haraqija nuk ka menaxhuar dhe nuk menaxhon fonde të tilla të grumbulluara nga djersa e mërgatës shqiptare. Thaçi e Bukoshi i kanë keqpërdor këto fonde. Për shpenzimet që i bën Astrit Haraqija si ministër, është i njoftuar Parlamenti i Kosovës i cili ka votuar për buxhetin, Ministria e Ekonomisë e Financave, mbi 100 veta brenda Ministrisë së Kulturës i shohin letrat e financave. Pra, unë e menaxhoj buxhetin e Ministrisë në mënyrë transparente. Thaçi e Bukoshi e dinë se me cilat banda i kanë shpenzuar mjetet e grumbulluara para dhe gjatë luftës në Kosovë?

Një “selam” i keni dërguar edhe Behxhet Pacollit. I keni thënë se e di fort mirë Pacolli se kush është Astrit Haraqija. A na thoni pak më shumë për “relacionet” e juaja me Pacollin?

I kam quar fjalë edhe Behgjet Pacollit edhe të gjithë atyre që më sulmojnë pa argumente se nëse ata i kanë bërë nga 2 lekë pasuri, Astrit Haraqija nuk “blehet” me pare dhe nuk bëhet argat i askujt. Nëse Pacolli i ka dy lekë, Astrit Haraqija i ka tre lekë. Pacolli e di fare mirë se kush është Astrit Haraqija. Unë nuk jam takuar as me Slobodanin e as me Branislavin. Unë nuk kam marr pjesë ne procesin e privatizimit në Serbi për t’i blerë objektet shtetërore të Kosovë. Kjo do të dokumentohet më vonë.

Pacolli ditë më parë ka formuar partinë e tij politike dhe ka deklaruar se do të fitojë besimin e me shumë se 60% të popullit të Kosovës?

Jo. Vota nuk mund të blihet me para në Kosovë. Këtu nuk është Rusi dhe nuk është në pushtet Boris Jelcini. Ju i dini deklaratat e tija të dhëna mediave serbe në Kosovë dhe reagimet e tija se gjoja ma kanë keqinterpretuar intervistën!

Z.ministër, të flasim pak edhe për kulturën. Nëse nuk do të shkarkoheni para mandatit, për çka do të mbaheni mend si ministër i Kulturës, Rinisë e Sportit?

Ministri Haraqija do të mbahet mend për shumëçka pozitive në këtë mandat qeveritar. Unë e kam vazhduar punën aty ku e ka lënë ish-ministri Behxhet Brajshori. Unë e kam thyer monopolin në fushën e kulturës dhe u kam dhënë rastin edhe atyre që nuk kanë patur “lidhje” dhe “të njofshëm” në Ministri. Unë kam bërë ndryshime edhe programore edhe strukturore në Ministrinë e Kulturës. Unë do të jem ministri i cili do të vejë themelet e sallës koncertale në Prishtinë. Falë mirëkuptimit të Kuvendit Komunal të Prishtinës që na i ka dhuruar 2 hektarë e gjysmë për këtë objekt, ne shumë shpejt do ta shpallim edhe tenderin për këtë objekt të rëndësishëm kulturor për Kosovën

Në fund edhe një pyetje. A do të merret me politikë edhe në të ardhmen Astrit Haraqija?

Po, unë do të merrem edhe më tutje më zbatimin e politikës së dr.Ibrahim Rugovës. Do të nisem përsëri nga baza ime deleguese, nga nëndega e 7 e komunës, do të kandidohem për kryetar të Degës në Gjakovë e kështu me radhë.