Flori - Press

Mire se vini ne faqen tone virtuale "Flori-Press" te moderuar nga stafi redaktues Flori Bruqi, Engjell Shehu,etj.

e shtunë, korrik 01, 2006

Pak ma ndryshe ne LDK?! Apo...2 -3 LDK pas Rugoves?

Eqrem Kryeziu: Udhëheqja kolektive është model i Titos-turp për LDK-në !!

Prishtinë, 2 prill 2005 - Nënkryetari i LDK-së dhe kryetar i KK të Prizrenit, Eqrem Kryeziu, ka thënë për numrin e sotëm të gazetës “Lajm” se është turp për LDK-në që të huazojë modele të udhëheqjes kolektive, të cilat modele janë provuar tashmë nga shoku Tito. “E kam thënë publikisht edhe më parë, LDK duhet ta ketë patjetër kryetarin e vet. Udhëheqja kolektive është model tashmë i provuar nga shoku Tito. Është turp për LDK-në të huazojë modele të atilla. Tani me dispozita të statutit, kryetari Rugova e emëron ushtruesin e detyrës së kryetarit të partisë, i cili mund të jetë secili nga anëtarët e kryesisë dhe detyra e tij do të duhej të ishte që në afat sa më të shkurtër ta konvokojë Kuvendin e LDK-së për ta zgjedhur me vota kryetarin e LDK-së. Kur do të bëhet kjo? Unë nuk e di, por e di se vonesa e devalvon LDK-në,” ka thënë ai.

Të shkarkohen nënkryetarët

Unë mendoj se historia me shpalljen e zgjedhjeve është bërë bajat dhe i ka dalë boja këtij muhabeti. Ky proces është bërë si serialet latino amerikane ku një ngjarje përtypet si sakëz me javë të tëra derisa më humb interesimi për të krejt. Më erdh shumë keq kur e pash Eqrem Kryeziun kur kërkonte shtyrje të zgjedhjeve edhe për 3 muaj.

Pse ta bëjë Eqremi këtë? Unë e kam admiru Eqremin vetëm e vetëm pse ka kërkuar legjitimitet dhe respektim të votës dhe nuk e kam pritur që ai të bëhet flamurtar i shthurjes dhe i delegjitimimit. Jam shumë i dëshpëruar me këto zhvillime dhe po më duket se dikush i ka futur LDK-së një hile të madhe në mes. Një hile aq të madhe saqë askush nuk mundet ta zgjidhë më.

A ka mbet dikush në LDK që ka guxim? A ka mbet dikush në LDK që dinë me i ra tavolinës dhe me kërku rregull apo LDK ka mbet në zëra të shterrun. Propozimi im është që degët ta thërrasin këshillin e përgjithshëm dhe ta shkarkojnë Eqrem Kryeziun, Kolë Berishën dhe Naim Jerliun si bllokues të procesit. Eqrem Kryeziu le të bahet prapë Kryetar ama me vota e jo me uzurpim.

Mos ju frikoni votës se me zhbllokimin e procesit vetëm vetes i bani nder dhe jo dikujt tjetër. Mos mendoni se Dacin po e përkrah dikush pse është ma i mirë, por vetëm pse ju jeni bërë cinik dhe silleni si pashallarë.

Agim Kukovci

Titullari i ri

Motiv për këtë shkrim u bë intervista e një pretendenti për kreun e LDK-së

Interesant, shumë interesant, madje ishte edhe një kënaqësi për mua….!! ose slogani i përditshëm dhe bajat i titullarit të ri, made in Prizren, që u bart në Prishtinë-LDK. Ndoshta më në fund e përjetoi kënaqësinë e të qenit titullar “i livadhit të pa zot”. Tash e tutje këtij titullari të ri, të vetëshpallur, si mbetet gjë tjetër, vetëm t’i bind “delet” e livadhit të tij qw të rrinë të qeta, ta respektojnë, nderojnë dhe votojnë shpëtimtarin, meqë ai pafundësisht dhe vazhdimisht do t’i demokratizoi. Do t’i demokratizoi në radhë të parë “ogiqët” e më pastaj “kopenë”e tërë . Të gjitha “delet e perëndisë”që kanë fatin të jetojnë në “livadhin e titullarit të ri” (i cili desh plasi që nuk arriti t’i bëhej titullar - epror i Dr.Ibrahim Rugovës) duhet ta marrin për model dhe ta kenë për shembull demokracinë që “titullari i ri “aplikon në çifligun e tij të quajtur “Pallati i Bardhë”. Për çudi “titullari i livadhit të pa zot”, këtë pallat të ëndrrave (intrigave) e ndërtoi para Shtëpisë së Bardhë që ishte nismë dhe ide iniciuar qëmoti nga presidenti Ibrahim Rugova. Dhashtë zoti “ogiqët” dhe “delet” e “livadhit të pa zot” të mos shohin ëndrra të këqija për “titullarin e ri”dhe Pallatin Bardhë, sepse do ta pësojnë dhe ta përjetojnë fatin e ish miqve të tij .Ish miqve të “titullarit të ri “që shihen në prapavijë të fotografisë, të publikuar në ballinën e gazetës “Bota sot” të datës 17.04.2006. “Ogiqët dhe delet” e livadhit - feudës së tij s’është mire të ëndërrojnë ose të mendojnë ndryshe nga “titullari i ri” ngase do t’ia prishnin qetësinë dhe mëpastaj ai, s’do të ishte në gjendje për t’ia shpjeguar miletit ëndrrat dhe sehiret e tija. Kështu do të ndodhte ndonjë keqkuptim në mes ‘titullarit të ri “dhe miletit ë gjorë dhe do ta detyronin “titullarin e ri” që me “delet e veta”të bëjë ndonjë eksperiment demokratik dhe automatikisht miqtë e vet t’i konvertoj në ish miq. Ose edhe më keq, “titullari i ri “do të detyrohet të veproi siç pat vepruar Neroni në kohën e tij. Ndoshta ky është misioni i tij ….

Hafiz Mazreku

(23/05/2006)

"Në mes te demokracisë dhe mafias"

Konkludimin se LDK gjendet në mes të demokracisë dhe mafias e nxora nga shkrimi i një aktivisti nga Prizreni të publikuar këtu në rugova.net si dhe në ditoren “Express”. Ajo çka opozita nuk ka arritur ta sintetizojë për vite të tëra, aktivistët e LDK-së nga Prizreni e sintetizuan brenda një muaji dhe me entuziazëm dëshirojnë ta bindin botën se LDK është e tillë. E kam përshtypjen se i shohë duke thënë “Eureka! I gjetëm... urraaaaanniiii se këta janë....”

Nuk ka diçka të keqe këtu sepse natyra njerëzore ka prirje sensacionale, por pyetja është se kush në këtë mes është mafia e vërtetë, natyrisht nëse ekziston diçka e tillë. Duke shfletuar faqen e debatit në rugova.net habitem nga klasifikimet nga më të ndryshmet rreth “mafiozëve” dhe lidhjeve të tyre me politikën. Sihariqi më i madh në këtë debat është teza që po lansohet me të madhe se Ramë Maraj është ai i cili e ka projektuar kampanjën e akademik Dacit dhe se këta të dy janë në një aleancë faktike. Çfarë nonsensi? Unë nuk dua të lë dilema. Ramë Maraj e ka historinë dhe punët e veta dhe si e tillë mua nuk më hynë fare ne punë ai njeri dhe duke e njohur Dacin me vite të tëra e di se as atij nuk i hyn fare ne punë kjo çështje. Ne nuk kemi nevojë për Marajnë. Fenomeni Maraj i nevojitet establishmentit aktual në LDK për ta përdorur emrin e tij si gogol por në të njëjtën kohë duke u përkujdesur që gogoli të jetë përherë aty pari. Nganjëherë e kam përshtypjen se atyre më shumë u pengon Maraj se sa Kadri Veseli dhe SHIK-u.

Projekti për shkatërrimin e LDK-së

Akademik Daci e bazon projektin e tij në forcat e veta dhe në miqtë e tij të cilët mendojnë se Daci ka koncept më të mirë për LDK-në se dikush tjetër. Ky projekt është projekt publik dhe fakti se pse është publik është i lidhur ngushtë me idenë se vetëm kampanja publike i zvogëlon jehonat e thashethemeve politike. Unë ju ftoj. Nëse e keni dëshminë më të vogël për këto gjëra atëherë ju ftoj në debat, jo vetëm me shkrime, por edhe publik para kamerash. Kam menduar më thellë rreth asaj se pse establishmenti aktual i LDK-së e përdor fenomenin Maraj si gogol për partinë? Është shumë e thjeshtë! Ata kanë nevojë t’i thonë opinionit se në LDK ka mafia, ka krim të organizuar dhe se testuesit demokratik janë shpëtimtarët. E tërë kjo bëhet sepse satanizimi i LDK-së është projekt që ka kohë të tjerët kanë dështuar ta realizojnë ndërsa tani me sukses po implementohet nga “kryesia e kryesisë”. Është për t’u habitur sepse e di sigurt se Ramë Marajn te Presidenti për herë të parë e ka dërguar Kolë Berisha. E di që do të habiteni, por kjo është e vërtetë. Falë Zotit që të dy janë gjallë dhe shëndoshë.

Prizreni dhe rënia

Unë nuk i njoh mirë rrethanat në Prizren, siç po i thonë “skaji i perandorisë”, por më ka lënë përshtypje kur kuptova me sa zell “luftohej” atje mafia. Me demagogji boshe dhe thashetheme në çarshi. Mos të harrojmë se kemi të bëjmë me degën që ka rënë në 34 % dhe që ka të gjitha prospektet që ta vazhdojë rënien dhe që LDK në Prizren të kalojë në opozitë. Kjo është për të ardhur keq sepse edhe akademik Daci nuk mund të qëndronte indiferent ndaj punës së bukur në Prizren, por aty ka dicka që nuk shkon. Dega e LDK-së nuk di ta menaxhojë veten e as imazhin e vet në qytet. Duke e analizuar këtë unë e kuptojë shumë mirë fanatizmin e aktivistëve nga Prizreni. Për ta katapultimi me parashut ekspress në Prishtinë është rasti i fundit para se të dështojnë tërësisht. Shpëtim të vetëm e kanë zhvendosjen në Prishtinë në pozita udhëheqëse dhe ta vazhdojnë aty implementimin e modelit të tyre politik. Mosmbajtja e mbledhjeve, paralizimi i aktivitetit dhe bërja sehir tërë ditën me çaj dhe muhabet.

Demagogjia

Eqrem Kryeziu ka bërë mjaft propagandë, pothuaj se deri në nivel të agjitacionit kundër Presidentit Rugova, që në LDK të mbaheshin zgjedhjet dhe thoshte me plot gojën se koha për demokraci nuk pret. Ku i ka fjalët tani? Natyrisht se nuk i konvenon. Demokracia mund të pret, thotë ai tani sepse Ibahim Rugova më nuk është këndej pari dhe njeriu nuk ka më kë ta fajësoj, natyrisht pos vetes.

Eqrem Kryeziu ishte shembull në retorikën e tij kundër nepotizmit dhe familjarizimit në emërime publike. Kë e emëroi ai? Kushëririn e tij, dhëndrin e tij, i cili njëherit është edhe punëdhënës i të birit të tij të madh. A nuk është kjo nepotizëm dhe familjarizim?

Eqrem Kryeziu ankohej se politika në LDK nuk zhvillohet në zyre të LDK-së por gjetiu tjetër. Ku zhvillohet sot politika në LDK? Në zyre jo. Ato janë në pritje të thirrjeve për anulimin e mbledhjeve. Disa miq që i kam krijuar rishtazi në Prizren, njerëz me karakter dhe guxim politik nga dega e LDK-së në Prizren, tregojnë me dëshpërim se në degën e LDK-së politika bëhet në dy kafene që nuk dua t’i përmend (vende prej ku me telekomandë për interesa personale dirigjohet LDK-ja në Prizren) dhe jo në zyret e LDK-së.

Ku është mafia?

Mafia punon nën dhe. Mafia ik nga rrezet e diellit. Mafia e do terrin dhe kthinat dhe jo hapësirat e gjëra e më së paku tavolinat ku ulen shumë njerëz dhe debatojnë. Projekti i akademik Dacit, dhe i atyre që janë kundër establishmentit aktual, është publik. Aktivitetet janë publike dhe i ofrohen anëtarësisë për debat. Kush është mafia këtu?

Ndaluni o njerëz para se të bëhet vonë. Anëtarësia ashtu e kështu është e dëshpëruar pas vdekjes së Presidentit dhe nuk ka nevojë për dëshpërim shtesë. Ndaluni para se të shkatërrohet gjithçka që e kemi krijuar bashkërisht për 16 vjet. Ju ftoj në debat, ju ftoj në garë konceptesh, në krahasim programesh, por mos e bazoni strategjinë vepruese në shpresat se kush do të shkojë në burg dhe në kampanja për satanizimin e kundërshtarëve.

Atw ditë kur ta mbushni opinionin me teza për mafian në LDK, ky opinion do të kthehet edhe kundër jush dhe do ju thotë, "edhe ju jeni mafia". është cështje kohe kur opozita do të thotë, "a ju kemi thënë se janë të tillë. Shihni vetë po e dëshmojnë". Mos e luani lojën e tjetërkujt. Një ditë do të kthjelleni, por druaj se do të jetë vonë.

Lis Saqipi

(20/05/2006)

Nga skaji i perandorisë së Kosovës

KARRIGA E “ZBRAZUR” NË LDK

Abdullah Thaçi (www.ldkpz.com)

Nënkryetari i parë i LDK-së,mr.Eqrem Kryeziu këtyre ditëve së bashku me kryeparlamentarin e Kosovës,z.Kolë Berisha, kryesuan delegacionin e shtetit të Kosovës në SHBA.

Mungesa e Eqrem Kryeziut në Kosovë për këto ditë u shfrytëzua nga disa njerëz për hyrje (i)legale në “territor të Eqës”...
A ky paska qenë qëllimi a?!!! Vaj halli për ata që pretendojnë me iluzione ta qeverisinë (lexo: kontrollojnë) LDK-në.
Për të qenë ma konkret e kam fjalën për akad.Dacin dhe bashkpunëtorët e tij që viztuan Korishën në përvjetorin e dhëmbjes,qe besa vizituan edhe familjen e komandatit Ekrem Rexha – Drinit.
Unë e kosiderojë se një vizitë e tillë ishte e mirëseardhur kaher në këto familje të dëshmorëve dhe martirëve jo veq në Korishe dhe Prizren po në tërë Kosovën.
Ku ishte z.Daci dhe suita e tij deri sa ishin në poste udhëheqëse,kur dihet fakti se viktimat në Korishës kanë qenë që nga ’99,ky ishte përvjetori i shtatë për 77 viktimat e Korishës, kjo ishte vizita e parë e Nexhat Dacit në Korishë.
Nuk e them këtë pse ky është “territor i Eqës”, por është territor i Komunës ku Eqa është kryetar,është territor ku LDK-ja bashkëqeverisë me qytetarin dhe bashkëmenaxhon paranë publike të qytetarit.
Vizita e Dacit në Korishë dhe Prizren për qëllime private përsonale e jo për ngushëllime nuk janë tipare të liderit të LDK-së siq ishte Presidenti Dr.Ibrahim RUGOVA. LDK-ja që nga themelimi nuk ka keqëpërdor viktimat,në emër të patriotizmit për të fituar votat siq bënë fushatë pas fushate rivalët e LDK-së,por kurr nuk morën besimin e qytetarëve,sepse sytë e tyre gënjyen vazhdimisht.
Ky privatizim i LDK-së me“Spin off - special” me siguri është misioni i Dacit dhe atyre që ta dërgojnë LDK-në në një pauzë disa vjeqare largë nga pushteti.!!

Nuk e di se shoqërusit e Dacit a e kanë ditë se KK i Prizrenit i udhëhequr nga Mr.Eqrem Kryeziu nuk fletë por vepron për familjet e atyre që dhanë shumë për Kosovën.
Nuk e di se këta turistë sezonalë të familjeve të martirëvë dhe dëshmorëve a e dinë se pikërisht Eqrem Kryeziu ka ndarë një parcelë (pronë e KK të Prizrenit) për ngritjen e shtëpisë për familjen e Komandant Drinit në lagjën Ortakoll,a e dinë se KK i Prizrenit i udhëhëqur nga Eqrem Kryeziu për familjet e martirëve në Krushë të Vogël,muajin që e lamë pas nga bugjeti komunal ka nda një shumë të konsideruar mjetësh për ndërtimin e 19 shtëpive për gratë kryefamiljare,a e din këta turistë se KK i Prizrenit për familjet e dëshmorëve ka një kujdes të vazhdueshëm për gjëra elementare për jetë,sidomos në stinën e dimrit.
A e din Daci dhe suita pas tij se dëshmorët e kombit pushojnë shumë rehatëshëm në banesat e tyre në “territorin e Eqës”.Shumë rehatëshëm z.Daci do ti gjeni edhe në lagjën “Tusus” falë kujdesit të vazhdueshëm të kryetarit Kryeziu.....
Karriga e “zbrazur” e liderit të LDK-së ka verbuar z.Daci dhe njerëzit rreth tij të prirë nga epshi dhe instikti me të vetëmin qëllim për të kontrolluar LDK-në.
Lidhja Demokratike e Kosovës aktualisht nga një lëvizje gjithëpopullore aktualisht është në mes demokracisë dhe mafias.Unë e dua një LDK demokrtatike.Daci nuk e garanton këtë fatkeqësisht.!!

(autori është anëtar i kryesisë së FR të LDK-së në Prizren)

(18/05/2006)

Tallava ( muzikë ) politika
LDKORISHA + DACI = SHOW POLITIK

Daci shkeli LDKorishën për herë të parë ne jetën tij mu në shtatë vjetorin e tragjedisë së 77 martirëve të këtij fshati që ndodhi në luftën e fundit të Kosovës (edhe kësaj radhe, i ra atij që të sakrifikohet për çështjet e madhe dhe të ndjeshme...) .
Daci mund të mos kishte dëgjuar kurrë më parë ( as edhe kur ishte kryeparlamentar ) për tragjedinë e Korishës, por si thotë një fjalë “Shpresa vdes e fundit”, dhe papritmas në një mëngjes të freskët pranveror ndodhi mrekullia, dhe atij i erdh haberi nga LDKorisha për t’ia “nderuar” atyre manifestim përkujtimor.
Daci, si gjithmonë i qetë , i mblodhi rreth vetes shokët e idealit ( pa e harruar këtu edhe Lulin e vockël ) dhe ia lexoi atyre me shumë emocione “Ftesën” e bërë ( flitet se njërit prej tyre i kishin shpëtuar lotët...) , dhe pa asnjë votë kundër, morën vendim që ti përgjigjen pozitivisht kësaj ftese. Dhe ndodhi ajo që është ( kanë ) dashur të ndodhë. Daci erdhi në Korishë. Shumë mirë...edhe unë po i them që nga këtu “Mirë se na erdhe”...Po çka ka të keqe këtu...unë shumë njerëz nuk po mundem ti kuptoj. A sikur Daci të kishte ardhur në vakt të bostanit a të specave, e që në fund të takimit ta mbushte bagazhin e kerrit, plotë me zarzavate nga kjo tokë pjellore, atëherë muhabeti do të ishte krejt ndryshe...
Sigurisht se ishte “respekti” i jashtëzakonshëm për këta martirë (fëmijë, gra e pleq ) që i shtyri këta nga shehri i madh me ra për vizitë, në këtë skaj të perandorisë së Kosovës.
“Tërësia është më e madhe se shuma e pjesëve” thënie shumë e qëlluar. Por në dilemë më ka ra djali im 2 vjeçar, se Luli i vockël ( me shokët e idealit) a e përfaqëson Tërësinë apo Vockëlsinë ...?
Qëndroni në linjë... Mirë se shihemi në Lagjen e Trimave (Tusus) ...

ORHAN GASHI (www.ldkpz.com)

(19/05/2006)

Reagim

Daci së paku erdhi!

Tekstin e mësipërm e kam marrë nga faqja zyrtare e degës së LDK-së në Prizren. Në këtë tekst ka shumë gjëra të debatueshme, megjithatë dilema më e madhe, për mua dhe bashkëfshatarët e mi, lindi nga paqartësia për ta kuptuar se a është ky shkrim edhe opinion zyrtar i degës së LDK-së në Prizren apo vetëm mendim privat i shefit të protokollit të Kryetarit Eqrem Kryeziu. Shkrimi në fjalë nuk e bënë të qartë këtë.

Sido që të jetë, ky shkrim reflekton disa premisa të cilët duhet të vështrohen me kujdes:

Ish Kryeparlamentari Daci ka ardhur në Korishë me ftesë të nëndegës së atjeshme të LDK-së dhe më e rëndësishmja është se ai e ka parë të arsyeshme që t’i përgjigjet kësaj ftese. Kujtojmë shtatë vjet që liderë lokal, për të cilët LDK-ja në Korishë dha dhe sakrifikoi shumë, e që nuk e kanë parë të udhës që të vijnë dhe të shprehin respektin e tyre për viktimat dhe martirët e këtij fshati. Pse ka ndodhur kjo? Le të përgjigjen liderët dhe harresa e tyre. Fshati Korishë ka sakrifikuar dhe ka dhënë shumë dhe meriton më shumë respekt. Nuk duhet të harrohet se Qeveria e përkohshme nuk ka arritur të instalojë struktura të veta në Korishë kurse tubimi i parë i LDK-së pas luftës është mbajtur mu në Korishë. Ku është sot Korisha në agjendën e liderëve lokal? Çka kanë bërë ata për Korishën? ... Ndoshta kanë qenë të zënë... plot 7 vjet!

Ish Kryeparlamnetari Daci e ka mbajtur një fjalim shumë dinjitoz dhe aspak politik duke e bërë sintezën e të gjitha përpjekjeve tona për liri. Ky fjalim përkonte shumë me traditën e trevës ku ishte sepse Korisha është një nga shembujt ku LDK-ja ishte edhe bartëse kryesore e luftës së armatosur. Për fjalën e tij dhe qëndrimin dinjitoz si dhe për vizitat në familjen e dëshmorëve dhe martirëve ai meritoi respekt.

Ish Kryeparlamentari Daci ishte në vizitë edhe te familja e komandant Drinit prej ku dërgoi mesazhe unifikuese dhe për asnjëherë gjatë tërë ditës nuk tha diç të keqe për rivalët e tij. Pse? Sepse ajo çka po ndodh në LDK është përpjekje platformash e jo luftë për jetë a vdekje. Siç duket disa po e kuptojnë edhe si të tillë!

Pika më e rëndë për t’u kapërdirë është karakterizimi që z.Gashi i bënë LDK-së në Korishë, që ai e quan LDKorisha (Lidhja Demokratike Korishë) si bartëse të “tallava politikës”. Nëse kjo premisë shndërrohet në diçka veçmë të etabluar atëherë kjo paraqet uverturën e kalimit nga përpjekja normale e platformave në pozicionimin në anë të ndryshme të barrikadave. Fundja, kështu pretendon edhe z.Gashi sepse LDK-ja në Korishë për të është LDKorisha! Guxim i tepruar! Megjithatë, nuk e besoj se dikush që i ka dy fije mend e dëshiron krijimin e hendekut të pakapërcyeshëm me LDK-në në Korishë. Nuk e besoj se z.Gashi e dëshiron këtë, së paku jo për hir të tij!

Albatros Rexhaj (nga familja Rexhaj - Korishë)