Flori - Press

Mire se vini ne faqen tone virtuale "Flori-Press" te moderuar nga stafi redaktues Flori Bruqi, Engjell Shehu,etj.

e diel, korrik 02, 2006

OFERTOMANIA KOSOVARE !

TENDERIZIMI I KOSOVËS !


Ajo që të shqetëson më së shumti viteve të fundit në institucionet e Kosovës është edhe fenomeni tjetër, i cili nuk ndodh askund në botën e qytetëruar. Pikërisht personat, të cilët kanë bërë më së shumti keqpërdorime dhe ishin të involvuar më së shumti në tenderë, në vend që të suspendoheshin dhe të burgoseshin, në fakt, ata veçse janë avancuar edhe më shumë, madje në institucionet më të larta të vendit

Asnjëherë më parë se sa në pesë vjetët e fundit në Kosovë, nuk është përdorur dhe nuk është konsumuar më shumë fjala e huaj tender, që në shqip do të thotë ofertë. Fjalën tender e dëgjon gjithkund dhe kudo që të jesh. Kjo fjalë përdoret nga ndejat më të thjeshta, qoftë edhe në ndonjë fshat të thellë malor e deri në nivelet më të larta të insitucioneve të Kosovës. Fjalën tender e dëgjon në shtëpi, në zyra institucionesh, në kafene, në kino, në teatër, thjeshtë gjithkund dhe kurdo.

Kështu, Kosova nga dita në ditë po “tenderizohet”, apo thënë më mirë përmes tenderëve, nga dita në ditë po gëlltitet nga një pjesë e pavarësisë së saj. Çështja ka shkuar aq larg, sa po t’i pyetësh personat, të cilët janë të involvuar në përfitime tenderësh dhe që për fat të keq nuk janë të paktë se njëmend ç’kuptim ka fjala “tender”, meqë nga ky nocion ata kanë përfituar shifra marramendëse të parave, të njëjtit persona nuk e dinë ç’do të thotë kjo fjalë dhe mbeten si të nemitur.

Tenderët janë ata që më së tepërmi i kanë stërkequr institucionet e Kosovës dhe pothuaj për shkak të tenderëve, nga dita në ditë po mbetemi edhe pa institucione që funksionojnë. Ky fenomen ka sjellur shumë pasoja deri ne shkarkime ta zëmë të shefave të zyrave të prokurimit, apo janë suspenduar përkohësisht derisa tenderi ka kaluar në favor të padronit, ku ky i fundit ka synuar që ndonjë të “njofshmi” t’ia ofrojë tenderin dhe nga ky i fundit ta marrë “tallin”, për të cilin ka synuar.

Vetëm kur ndahen tenderët, në mesin e atyre që e ndajnë “prenë” nuk ekziston kurrfarë partie politike. Ka ndodhur shpesh që personalitete të larta të partive të ndryshme politike në Kosovë tërë ditën janë sharë midis tyre me fjalorin më të vrazhdë në gazetat e tyre partiake, ndërkohë që pikërisht “preja” e tenderëve i ka bashkuar ata në darka të ndryshme të “punës”!

Kur në një institucion të Kosovës shpallen tenderët përmes mediave të shkruara, për të përfituar nga këta tenderë angazhohen të gjithë punëtorët e të njëjtit institucion, përkatësisht angazhohen nga niveli i pastruesve deri ne nivelet më të larta të udhëheqjes. Çështja ka shkuar aq larg, sa shumica e zyrtarëve të cilitdo nivel, pagat e tyre të vogla i arsyetojnë gjithnjë me “pritje të gjahut”, përkatësisht për të ndërmjetësuar në ndonjë tender dhe për të përfituar para të gatshme!

Shumë kompani dhe ndërmarrje vendore pikërisht për shkak të tenderëve edhe kanë falimentuar! Këto fenomene kanë ndodhur për të vetmin shkak se përqindjen, apo “prenë e gjahut” është dashur ta ndajnë te disa persona, pra për të gjithë ata persona që ishin të involvuar në tenderë dhe kështu shumë pronarë të kompanive vendore edhe kanë falimentuar, pasi ata ishin të detyruar që nga xhepi i tyre të kryejnë projektin e paraparë sipas tenderit të shpallur, pasi fitimi i tyre ishte zero-zero


Kush përfiton nga tenderët e “vegjël” dhe tenderët e “mëdhenjë”?!

Kur është fjala për tenderët e “vegjël” dhe tenderët e “mëdhenjë”, për të parët zakonisht janë përfituese kompanitë vendore, ndërsa për këta të fundit gjithmonë fitojnë kompanitë e huaja, si ta zëmë tenderin për renovimin e ish-Bankës së Bashkuar në Prishtinë, me ç’rast tenderin e ka fituar një kompani e huaja, por që vendorët gjithnjë janë të involvuar në ndërmjetësime të këtilla.

Fenomeni tjetër denigrues është edhe ai i moskryerjeve të punëve nga kompanitë që kanë fituar tenderin në afat dhe veç kësaj kryerja e punëve është bërë shkel e shko dhe pa ndonjë pranim teknik. Kështu, nga kualiteti i dobët që përfituesi i tenderit e ka realizuar projektin, punimet janë dëmtuar shpejtë, si ta zëmë asfaltimi i rrugëve, apo renovimet e ndërtesave të mëdha dhe kështu për të njëjtat projekte intitucionet tona është dashur që ta përsërisin tenderin gjatë vitin vijues!

Fenomeni i tenderizimit të Kosovës ka të ngjarë që do të vazhdojë edhe një kohë të gjatë dhe pse jo kur aktualisht në Kosovë nuk funksionojnë as gjyqet dhe asnjë institucion tjetër, i cili do të duhej të ishte obligativ për kontrollimin e këtyre çështjeve, të cilat çojnë drejt deinstitucionalizimit dhe anarkisë së Kosovës.

Me gjithë vërejtjet e herëpashershme të organit qendror rregullativ të prokurimit dhe njësive prokuruese në institucione të ndryshme, sërisht janë vërejtur dhe janë shënuar shkelje procedurash. Shembulli më eklatant dhe më i freskët njëkohësisht lidhur me këtë është Qendra Klinike Universitare (QKU), me ç’rast është suspenduar drejtori operativ, por që pas këtij suspendimi, edhe këtu gjërat do të heshten dhe do të vazhdojnë me avazin e vjetër.

Ajo që të shqetëson më së shumti viteve të fundit në institucionet e Kosovës është edhe fenomeni tjetër, i cili nuk ndodh askund në botën e qytetëruar. Pikërisht personat të cilët kanë bërë më së shumti keqpërdorime me tenderë, në vend që të suspendoheshin dhe të burgoseshin, në fakt ata veçse janë avancuar edhe më shumë madje në institucionet më të larta të vendit.

Këto dhe shumë fenomene të tjera ndodhin dhe do të ndodhin derisa në Kosovë të mos sundojë rendi dhe ligji. Dhe si të mos ndodhin gjëra të këtilla kur prokurorë të ndryshëm ecin lirshëm rrugëve të Prishtinës si të ishin babaxhanë, derisa kudo në botën e qytetëruar prokurorët në relacionin shtëpi-vend i punës dhe anasjelltas përcillen nga njësite të policisë speciale! Ecin lirshëm, pasi edhe ata janë të involvuar në gjëra të këtilla të paligjshme, derisa pikërisht ata janë të thirrur që ta mbrojnë re! ndin dhe ligjin!

Flori Bruqi