Flori - Press

Mire se vini ne faqen tone virtuale "Flori-Press" te moderuar nga stafi redaktues Flori Bruqi, Engjell Shehu,etj.

e diel, korrik 02, 2006

NGARKESA POLITIKE

KOSOVA DHE PARAGJYKIMET ETNIKE

NGARKESA POLITIKE

Paragjykimet etnike lidhen me projektin e statusit final të Kosovës, ajo që është zgjidhje për njërën palë, nuk është zgjidhje për tjetrën
Shkruan: Alma Lama

Ana Mari është një serbe që ndryshe nga kolegjia e saj shqiptare A. që punon në një media së bashku me serbët, pranoi të japë intervistë. A. që është vetëm 18 vjeçe thotë se nuk mund të flas realitetin pasi që ka frikë se serbët me të cilët punon i hakmerren. Ndërsa Ana Mari e cila ka lindur në Kosovë dhe tani punon së bashku me shqiptarët, në radion “Blue Sky” në Prishtinë thotë se në punë nuk e ndjen erën e paragykimeve etnike. “Para lufte kam menduar se paragjykimet e serbëve për shqiptarët ishin shumë të forta, edhe tani ekzistojnë, por më vonë kuptova se edhe shqiptarët kanë mjaft paragjykime ndaj serbëve”.

ËNDËRRA

Ana Mari thotë se profesioni i gazetarës dhe bota e informacionit ka qenë një ndihmë e madhe për të dalë nga bota e paragjykimeve. “I dashuri im është shqiptar”, thotë ajo duke treguar se është me të që prej dhjetë vitesh. Për të, të jetosh jetën, kjo është e rëndësishme. Ja pse ajo nuk kishte pranuar që të dalë në ekran si spikere, sepse nuk do që të njihet nga njerëzit, por do që të lëvizë e lirë. Kur njerëzit të kuptojnë këtë gjë, thotë ajo, atëherë paragjykimet do të kapërcehen. Dhe ka të drejtë, por realiteti është kokëfortë. Të jetosh jetën në një vend ku problemet përfshijnë në çdo fushë të jetës është si një ëndërr e destinuar të mbetet vetëm e tillë. Në kushte e një frustrimi të madh ekonomik, social edhe shpirtëror, siç janë qyetarët e Kosovës, shqiptarë, serbë apo të komuniteteve të tjera, paragjykimet etnike marrin krahë.

Studiuesit thonë se paragjykimi përfshin ruajtjen e bindjeve të krijuara më parë mbi një individ apo grup, bazuar më tepër në atë që thuhet sesa në fakte reale, bindje që i rezistojnë ndryshimeve, madje edhe një informacioni të ri. “Paragjykimi vepron kryesisht nga përdorimi i të menduarit stereotip”, përcakton Anthony Giddens, autori i libtit të famshëm “Sociologjia”.

Në bisedat e përditshme në Kosovë dëgjon shpesh këtë togfjalësh: “nuk ka serb të mirë”. Ky është një shembull tipik i mendimit stereotip. Dhe nëse pyet dikë se pse mendon se nuk ka serb të mirë, të numëron njëmijë arsye të cilat lidhen me shpërngulje, vrasje, persekutim të vazhdueshëm të shqiptarëve, sidomos gjatë shekullit të njëzet. Është e vështirë të gjesh një shqiptar të Kosovës të mendojë ndryshe.

Madje ka nga ata që mendojnë se paragjykimi është një gjë e natyrshme. Krenar Gashi , një student shqiptar nga Prishtina thotë se gjithkund në botë njerëzit e etnive te ndryshme shikohen pak me "ndryshe" dhe ky fakt nuk është edhe aq shqetësues ngase është i natyrshëm. Një person tjetër që nuk i pëlqen që të identifikohet thotë se shqiptarët nuk kanë paragjykime për serbët, pasi gjithçka ata mendojnë për to është realitet. “Ne, thotë ai, kemi qenë viktima të paragjykimeve të serbëve, viktima që kemi paguar me shumë jetë”.

Paragjykimet etnike në Kosovë ekzistojnë më së shumti midis shqiptarëve dhe serbëve. Komunitetet e tjera nuk kanë probleme të tilla.

Enver Hasani, studiues dhe profesor i të Drejtës Ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës thotë se paragjykimet etnike në Kosovë janë dy llojesh, historike dhe një pjesë janë politike, si pasojë e zhvillimeve më të mëvonshme. Sipas tij një i huaj i ngatërron këto dy kategori. “Analizimi i tyre ka shkuar në atë pikë që është menduar se paragjykimet janë vetëm historike, por më vonë është kuptuar se ishin të lidhura me ish- Jugosllavinë. Ata kanë kuptuar se serbët kanë ndërtuar një identitet me paragjykime të fuqishme dhe miti është bërë realitet”, thotë profesori.
MITI

Ndërsa Ramush Tahiri, publicist i njohur dhe këshilltar politik i kryetarit të Parlamentit, mendon pak më ndryshe. Për të, paragjykimet etnike në Kosovë, të cilët për nga intensiteti janë mjaft të larta, kanë ngjyrime politike. Sipas Tahirit, paragjykimet etnike në mes shqiptarëve dhe serbëve fillojnë pas vitit 1912 dhe lidhet me mitin për Kosovën. Paragjykimet shqiptaro- serbe janë të dyanshme, thotë ai, dhe shkojnë deri në mosdurimin e njëri- tjetrit. “Paragjykimet etnike lidhen me projektin e statusit final të Kosovës, ajo që është zgjidhje për njërën palë, nuk është zgjidhje për tjetrën”, shton Tahiri. Sipas tij, paragjykimet etnike në Kosovë nuk shprehen me aksione konkrete, nuk ka rrahje në mes tyre, por ka sharje për serbët për shembull “i keq”, “i pabesë” etj.

Ka dhe një kategorizim tjetër që duhet të bëhët në lidhje me këtë çështje, ka paragjykime për serbët e Serbisë dhe paragjykime për serbët e Kosovës, të cilët ndryshojnë nga njëri- tjetri. Paragjykimet për serbët e Serbisë janë rritur shumë të shqiptarët gjatë dhe pas luftës. Por, si duket “buka” e përditshme e këtij problemi është politika. Kjo e fundit i vë në lëvizje paragjykimet. “Në Serbi thuhet se Kosova është “djep i Serbisë” dhe klasa politike përdor këtë sllogan për qëllime ditore”, thotë studiuesi Hasani. Nga ana tjetër edhe partitë politike shqiptare në të gjithë fushatën elektorale, në zgjedhjet e fundit në Kosovë, nuk u fol për kthimin e serbëve të zhvendosur, pavarësisht se trajtimi i minoriteteve është standardi kryesor që Kosova duhet të përmbushë për të filluar bisedimet për statusin përfundimtar. “Frika nga hakmarrja e zgjedhësve në të dyja rastet është ajo që e shtyn polikën të ndjekë një rrugë të tillë”, shpjegon Hasani. Në Kosovë ka paragjykime edhe ndaj romëve, por ato duket se janë më shumë racore, si në të gjithë Ballkanin dhe botën. Por, në Kosovë romët kanë një precedent. Ata akuzohen se kanë bashkëpunuar me serbët gjatë luftës, për të kryer krime ndaj shqiptarëve. Këtu buron edhe urrejtja për ta. Por, a mund që të tejkalohen paragjykimet etnike? Sipas Krenarit “zhdukja absolute e tyre është një mision i pamundur”. Sipas profesor Enver Hasanit, paragjykimet etnike mund të tejkalohen nëse do të ketë ndriçim të agjendave politike të palëve që paragjykojnë. “Ndërrime mund të bëhen nëse popujt futen në konkurencë të mirëfiltë kulturore dhe ekonomike. Parimi territorial varet nga konkurenca ndërmjet kulturave dhe progresi që bëhet”, thotë Hasani. Duhen gjetur pikat e përbashkëta, ashtu sikurse bën biznesi dhe krimi i organizuar, megjithëse ky i fundit është një proces negativ. “Ndërtimi i projekteve të përbashkëta është mënyra më e mirë për tejkalimin e paragjykimeve etnike, shkolla, banesa, punë”, thotë Tahiri. “Sa për politikën ajo mund të luajë një rol të madh në këtë çështje, duke i margjinalizuar paragjykimet etnike”.