Flori - Press

Mire se vini ne faqen tone virtuale "Flori-Press" te moderuar nga stafi redaktues Flori Bruqi, Engjell Shehu,etj.

e diel, korrik 23, 2006

Nga bota e shkences:Mjekesi

Qeveria amerikane miratoi zyrtarisht tabletën e parë me kombinimin e 3 ilaçeve kryesore kundër Sidës. Tableta, e quajtur Atripla, premton t’ua lehtësojë jetën pacientëve me HIV apo Sidë, të cilët më parë merrnin dhjetëra ilaçe në ditë.

Ilaçi i ri do të shfaqet së shpejti në farmacitë amerikane, dhe më pas do të dërgohet edhe në rreth 15 vende në zhvillim, pjesa më e madhe në Afrikë, ku Presidenti Bush ka premtuar një angazhim më të madh të Shteteve të Bashkuara në luftë kundër Sidës.

Ky produkt i ri i farmaceutikës është shumë i mirëpritur si për punonjësit e sektorit të shëndetësisë dhe vetë pacientët. Studimet kanë treguar se shumë pacientë me Sidë apo Hiv nuk ishin në gjendje të respektonin regjimin e mjekimeve, si pasojë e numrit të madh të ilaçeve që duhet të merrnin. Sa më i vogël numri i ilaçeve të një kure, aq më e efektshme është kura në nivel komunitetesh të mëdha.

Në Shtetet e Bashkuara kostoja e kurës pritet të luhatet rreth 1 mijë deri në 1 mijë e 100 dollarë për muaj, por si rrjedhojë e angazhimit të donatorëve, kostoja për pacientët në vende më të varfra do të jetë shumë më e ulët.

(VOA)


Ilaç i ri kundër kancerit të veshkave

Njerëzit me kancer në veshka tashmë kanë shpresa për shërim. Kështu thuhet në hyrje të një studimi që shpall ilaçin e ri Sutent si shpëtimtar të pacientëve me kancer në veshka.

Kanceri i veshkave vazhdon të jetë një nga sëmundjet më vdekje prurëse, ndërsa vetëm 10 përqind të pacientëve mbijetojnë jo më shumë se 5 vjet. Çdo vit rreth 40 mijë amerikanë preken nga kjo sëmundje dhe rreth 13 mijë prej tyre vdesin prej saj. Ndër format e trajtimit përfshihen, operimi, rrezet dhe kimoterapia, të cilat nuk janë treguar tepër të efektëshme, si dhe terapia biologjike përdoret më shpesh.

Dy studimet e fundit rreth ilaçit të ri Sutent, arrijnë në përfundimin se ky ilaç në përgjithësi mund t’i ndihmojë pacientët me këtë sëmundje shumë më tepër sesa trajtimi standart me interferon. Jo vetëm kaq; ilaçi Sutent mund të ndalë rishfaqjen e kancerit në veshka pas operacionit për të paktën një vit.

Në fakt, ilaçi Sutent nuk sulmon drejt përdrejt qelizat kanceroze, por bllokon kanalet e ushqimit të tumoreve, pra parandalon furnizimin me gjak të qelizave kanceroze.

Duke e pare çështjes nga pikëpamja se sot jetojmë në një kohë kur sëmundjet kanceroze përhapen me shpejtësi dhe gjetja e kurave të reja bëhet jashtëzakonisht e vështirë, një onkologjist thotë se rezultatet që tregojnë suksesin e ilaçit Sutent, janë të shkëlqyeshme.

Meditimi dhe sëmundjet e zemrës

Një studim i ri tregon se një nga format e meditimit, quajtur meditimi transhend, ndihmon funksionimin normal të artereve që furnizojnë zemrën me gjak. Sipas studimit, meditimi rregullon tensionin dhe nivelet e sheqerit në gjak. Rezultatet e studimit duket se përputhen me urtësinë popullore që thotë se meditimi është arti i të shlodhurit dhe meditimi transhend është shlodhja e plotë i trurit.

Shkencëtarët në qëndrën kërkimore Cedars Sinai kryen prova me 2 grupe burrash me sëmundje në arteret e zemrës, duke kërkuar njërit grup të kryente çdo ditë ushtrime medituese, ndërsa grupit tjetër të kryente ushtrime fizike dhe të mbante dietë ushqimore.

Për pjesmarrësit, stili i jetesës qëndroi i njëjtë dhe ata ruajtën të njëtën peshë trupore. Pas 4 muajsh u vu re se burrat që bënin pjesë në grupin e meditimit, kishin një tension gjaku të ulët dhe aftësitë e organizmit për të rregulluar nivelet e sheqerit në gjak u përmirësuan dukshëm. Tensioni i gjakut dhe niveli i sheqerit në gjak janë dy prej faktorëve të sëmundjeve koronare.

Shkencëtarët thonë se meditimi mund të afektojë pozitivisht përgjigjen fiziologjike të organizmit ndaj stresit, në të njëjtën mënyrë si ushtrimet fizike.

Për meditim nuk duhet shumë kohë e përpjekje. Sipas studimit, përkushtimi 20 minuta në ditë për të qetësuar mendjen mund t’a ndihmojë njeriun të bëjë një jetë të plotë e të shëndetëshme.
Arti lehtëson simptomat e alcajmerit

Ndërsa për sëmundjen e alcajmerit nuk ekziston ndonje kurë, disa shkencëtarë kanë zbuluar një mënyrë të re jo të zakonëshme për të lehtësuar simptomat e rënda të kësaj sëmundjeje.

Irena Brenton vuan nga alcajmeri. Megjithatë ajo qesh, duke komentuar rreth kësaj pikture të quajtur “Dhoma e ngrënies së mëngjesit”.

“Me siguri, artisti e ka pikturuar menjëherë pasi ka ngrënë mëngjes”, thotë Irena.

Zakonisht, pacientët me alcajmer dallohen nga ajo që mjekët e quajnë 4 A-të: Ankthi, Agresiviteti, Apatia dhe Axhitimi ose në shqip, shqetësimi i jashtëzakonshëm.

“Babai im ka qënë shkrimtar e redaktor”, thotë Sheila Barns, e cila ka humbur kujtesën afatshkurtër për shkak të alcajmerit. Ajo bisedon rreth të kaluarës ndërsa ndalon duke parë një kryevepër franceze dhe shlodhet përpara piktures “Roma duke fjetur” të Rusoit. Ajo thotë se kjo pikturë krijon paqe e besim të ndërsjellë midis kafshës dhe njeriut.

Katër A-të sikur fashiten përmballë artit, dhe pacientët gjejnë qetësi, thonë mjekët. Kujtesa emocionale gjallërohet dhe kthehet tek këta pacientë duke i bërë ata të lidhen me ngjarjet e njerëzit që kanë njohur në të kaluarën.

"Pas vizitave të tilla në muze pacentët me alcajmer ndjejnë më pak apati e ankth", thonë pjestarë të familjeve dhe ata që kujdesen për këta të sëmurë.

Bashkëshorti i Irenës, Majron Brenton pohon se Irena filloi të flasë pas shumë kohësh dhe thotë se do të fillojë të merret me fotografi. Dikur ajo ka qënë fotografe.

Shtrohet pyetja; Përse pikturat kanë këtë efekt?. Shkencëtarët thonë se kanë zbuluar se shumë prej kujtimeve ruhen në tru si imazhe dhe nuk shkatërrohen nga alcajmeri.

Shkencëtari Xhon Zeisel thotë se alcajmeri nuk shkatërron kujtesën, por kjo sëmundje dëmton atë pjesë të trurit që i lejon njerëzit të tërheqin kujtimet. Pra nëse mund të thuhet se kujtimet mbyllen në një kuti, për të prekurit nga alcajmeri mund të thuhet se ata ka humbur çelësin e kësaj kutie. Dhe shkencëtarët thonë se arti mund të shërbejë si çelësi për hapjen e saj. Megjithatë, shkencëtarët theksojnë se këto piktura nuk janë kurë për alcajmerin, por një trajtim për lehtësimin e simptomave.

Gjumi ndihmon kujtesën

Çdo njeri fle mesatarisht 6 orë në natë dhe studim i ri vë në dukje se gjumi mund të jetë kyç për përmirësimin e kujtesës.

Shkencëtarët në shkollën mjekësore të universitetit Harvard në bashkëpunim me ata të universitetit të Pensilvanisë studiuan për 1 vit e gjysëm rreth 60 të rinj për të parë e në ç’mënyrë gjumi afekton kujtesën.

Ata u dhanë personave pjesë leximi për t’i mësuar përmendësh dhe pas një pushimi 12 orësh u kërkuan atyre të thonin atë që mbanin mend.

Nga ky studim doli se ata që ishin lejuar të flinin gjatë pushimit kishin një kujtesë më të mirë sesa të tjerët që kishin qëndruar zgjuar gjatë pushimit 12 orësh.

Autorët e studimit thonë se kur personi fle pasi ka mësuar diçka të re, ky gjum ndihmon për ruajtjen e këtij informacioni në tru.




(Pergatiti :Astrit Lulushi,VOA)