Flori - Press

Mire se vini ne faqen tone virtuale "Flori-Press" te moderuar nga stafi redaktues Flori Bruqi, Engjell Shehu,etj.

e diel, korrik 23, 2006

Ne takimin e Vienes shkon i gjithe Grupi Negociator me ne krye presidentin Sejdiu

Të gjithë anëtarët e Ekipit Negociator do ta përfaqësojnë Kosovën në “takimin e elefantëve”, që do të mbahet me 24 korrik në Vjenë. Vendimi është marrë sot në mënyrë unanime. Kryetari i Kosovës, Fatmir Sejdiu, kryeparlamentari Kolë Berisha, kryeministri Agim Çeku si dhe liderët e opozitës Hashim Thaçi dhe Veton Surroi, do të jenë pesëshja kosovare, ndërsa në Vjenë do të udhëtojnë edhe të gjithë anëtarët që kanë marrë pjesë në takimet e mëhershme në Vjenë ku janë diskutuar çështje teknike.
Delegacioni i Kosovës do të drejtohet nga kryetari i i vendit Fatmir Sejdiu i cili tha sot se Ekipi i Unitetit ka vendosur në mënyrë unanime për të shkuar në takimin e nivelit të lartë, ku do të jenë edhe përfaqësuesit e Serbisë dhe ata të bashkësisë ndërkombëtare.“Është një qëndrim unanim i të gjithë pjesëtarëve të delegacionit të Kosovës dhe mund të them se ne kemi një mandat dhënë nga Kuvendi i Kosovës që do ta përmbushim në plotni gjithmonë dhe në këtë fazë të zhvillimeve- që është pavarësia e Kosovës dhe përpjekja jonë që ta bëjmë Kosovën shtet sa më parë”, tha Sejdiu.
Sipas numrit një të vendit ky është mandati kryesor i delegacionit dhe nga kjo nuk ka asnjë lëvizje, pasi në Vjenë nuk po negociohet pavarësia, por po shkohet për ta përshpejtuar atë. Ai tha se ndihej mirë që do ta udhëhiqte delegacionin në këtë fazë të procesit, meqë mbronte një mandat të fuqishëm të popullit, siç u shpreh ai.”Ndihem shumë, pasi kam mandat shumë të fortë dhe të fuqishëm të popullit të Kosovës dhe jemi i gjithë ekipi dhe e kemi mandatin për ta bërë pavarësinë e Kosovës”, u shpreh ai.
Delegacioni i Kosovës pritet të niset për Vjenë të dielën, në mënyrë që të hënën të hyhet në fazën e re të përcaktimit të statusit të Kosovës, atë të bisedimeve për çështjet që kanë të bëjnë drejtpërdrejtë me statusin, pasi që nga muaji shkurt ka pasur tetë raunde bisedimesh ndërmjet delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë për çështje teknike që kanë të bëjnë kryesisht me pozitën e pakicave.