Flori - Press

Mire se vini ne faqen tone virtuale "Flori-Press" te moderuar nga stafi redaktues Flori Bruqi, Engjell Shehu,etj.

e shtunë, korrik 01, 2006

Loja me auditimin

Aktualiteti i hidur në LDK

Loja me auditimin

Është për tu habitur deklarata e tij pas raportit të auditorit për komunën e Therandës / Suharekës se nëse është nevoja çdoku do e bëjmë nga një test të vogël demokratik. Ka ardhur koha të hapim sytë sepse këtu nuk bëhet fjalë as për Dacin e as ndonjë tjetër që sot u ka nxënë rrugën, bëhet fjalë për secilin prej nesh sepse të gjithë ne jemi në radhë për t’u shpallur armiq dhe hajna sepse kjo është LDK-ja që ata e duan. Ky është testi!

Mjafton të lexosh disa nga mendimet e atyre që aderojnë në linjën brenda partiake që e kundërshton kandidimin e akademik Dacit për postin e kryetarit të LDK-së (shikoni linkun DEBATI) dhe një lexues nga anash do të krijonte përshtypjen se të gjitha shpresat e kundërshtarëve të akademik Dacit janë të mbështetura në dëshirën e tyre që të “argumentohet” se ka pasur keqpërdorime në punën e Kuvendit dhe se akademik Daci e ka vendin në burg. Një gjë e tillë nuk do të ishte aspak habitëse sikur këtë ta thonin aktivistët e ORA-së e jo aktivistë dhe veprimtarë të LDK-së. Kampanjës së ORA-së kundër akademik Dacit tash i është bërë një argat i fuqishëm nga kryesia e kryesisë, dhe në veçanti nga kryetari aktual i parlamentit z. Kolë Berisha. Në detyrën e tij të re si kryetar parlamenti, Kolë Berisha në mënyrë të njëanshme ka shpallur luftë dhe i mprehë shpresat për një gjetje spektakulare të auditimit.

Ku kemi arritur kështu? Sipas interpretimit të “kryesisë së kryesisë”, kundërshtari politik nuk duhet të mundet me koncepte dhe me vizion por me thika pas shpine dhe me marifete e dallavere. Kundërshtari politik duhet tërësisht të mënjanohet nga rruga dhe nëse është e nevojshme të shpallet armik, përçarës, keqbërës, kriminel dhe çkado që ju bie në mend.

A është kjo traditë e LDK-së? A është kjo LDK-ja që ne e duam? Nuk e besoj. Çdo ditë e më tepër po bindem se Presidenti Rugova ka pasur të drejtë kur pothuaj se asnjë nga kryesia aktuale nuk e ka deleguar në ndonjë pozitë me rëndësi. E kam përshtypjen se ai e ka ditur fort mirë se më ka pasur punë. E ka ditur se sikur këtyre tu lejohet vetëm pak hapësirë do të ushtronin të gjitha prapësitë dhe skemat që i kanë në mendje e që nuk marrin erë asgjë tjetër pos totalitarizëm.

Në vend se të mendojnë për atë se si të dëshmojnë se janë më të mirë dhe pse e meritojnë të jenë në udhëheqje të partisë, “kryesia e kryesisë” është e zënë me projektimin e skemave dhe gjetjen e çkadohit për të realizuar montimet e tyre. Në dorë të kujt dëshirojmë ta lëmë LDK-në? A është e sigurt LDK-ja në këto duar? Jo, askush nuk është i sigurt sepse ju garantojë se posa të largojnë grupin e parë të kundërshtarëve, do t’i kthehen të dytëve, pastaj të tretëve dhe në fund vetvetes. Misioni i tyre, ndoshta i ngulitur në të pavetëdijshmen e tyre, është shkatërrimi i LDK-së dhe i traditës së Presidentit Rugova.

Loja me auditimin nuk është e rrezikshme aspak për akademik Dacin, përkundrazi ajo është e mirëseardhur sepse popullit të Kosovës do t’i dëshmojë fytyrën e vërtetë totalitare të liderëve aktual të LDK-së. Loja me auditimin është e rrezikshme për vetë ata dhe për LDK-në. Euforia histerike që të krijohen hajna, kriminel, matrapaz ku ka dhe ku nuk ka është goditje e rëndë për kredibilitetin e LDK-së dhe besimin që LDK-ja ka në popull. E tërë kjo është skemë e përgatitur nga të tjerë e më së paku në LDK për ta shkatërruar përfundimisht LDK-në.

Kolë Berisha, në vend se të ruajë autoritetin e tij dhe të ruajë vazhdimësinë e vijës institucionale të LDK-së merret me çështje të montimeve dhe i bënë argat ORA-së. Eqrem Kryeziu, që e kishte gojën përplot demokraci dhe zgjedhje, tani fshihet prapa fjalëve të veta dhe është shndërruar në fabrikë për krijimin e armiqve. Është për tu habitur deklarata e tij pas raportit të auditorit për komunën e Therandës / Suharekës se nëse është nevoja çdoku do e bëjmë nga një test të vogël demokratik. Naim Jerliu, vazhdon me lojën e tij e cila që nga 1999 nuk është më e LDK-së. Ka ardhur koha të hapim sytë sepse këtu nuk bëhet fjalë as për Dacin e as ndonjë tjetër që sot u ka nxënë rrugën, bëhet fjalë për secilin prej nesh sepse të gjithë ne jemi në radhë për t’u shpallur armiq dhe hajna sepse kjo është LDK-ja që ata e duan. Ky është testi!

Astrit Baruti