Flori - Press

Mire se vini ne faqen tone virtuale "Flori-Press" te moderuar nga stafi redaktues Flori Bruqi, Engjell Shehu,etj.

e shtunë, korrik 01, 2006

LIDHJEN DEMOKRATIKE TË KOSOVËS DUHET TA UDHËHEQIN AKADEMIKËT, E JO ATA ME SHKOLLA TË MESME APO ATA ME SHKOLLA TË NATËS

Gani Geci, ish–ushtar i UÇK-së, anëtar i LDK-së në Skenderaj

EQREM KRYEZIU ËSHTË AI QË NA NDAN NË LDKISTA DHE NË RUGOVISTA

LIDHJEN DEMOKRATIKE TË KOSOVËS DUHET TA UDHËHEQIN AKADEMIKËT, E JO ATA ME SHKOLLA TË MESME APO ATA ME SHKOLLA TË NATËS



botuar në JAVA


Fillimisht nuk keni qenë përkrahës i zotëri Dacit, e kohëve të fundit duket se ju keni ndërruar qëndrimin. Cila është arsyeja e ndërrimit të qëndrimit në lidhje me zotëri Dacin?
Jo, ju lutem…ne nuk e kemi ndërruar mendimin për Dacin. Ne Dacin e kemi përkrahur gjithmonë, edhe atëherë kur ka qenë kryetar i Parlamentit të Kosovës. Ne nuk i kemi përkrahur disa ministra të qeverisë së Kosovës, të cilët janë zgjedhur nëpër kafene. Përderisa, sa i përket figurës së Dacit, Daci është akademik…është një figurë e madhe e politikës së Kosovës.

Me fjalë tjera, e keni përkrahur atëherë, mirëpo a e përkrahni edhe sot?
Ne e kemi përkrahur edhe në fillim të karrierës së tij politike, atëherë kur është konstituar parlamenti i Kosovës, në atë kohë disa të ish dalur nga lufta e kanë kërcënuar zotëri Dacin,e ne edhe atëherë e kemi përkrahur. Arsyeja e kësaj përkrahje ndaj tij është se ai është akademik dhe është figurë e fuqishme mbrenda LDK-së.

E kam fjalën kur u shkarkua Daci, e keni përkrahur edhe në atë kohë?
Ahaaaa…sa i përket shkarkimit të Dacit, ne nuk kemi përkrahur disa ministra mbrenda qeverisë, që janë bërë ministra nëpër kafiteri, kjo ka qenë ajo. Përderisa, sa i përket shkarkimit të Dacit, ne gjithmonë kemi qenë kundër këtij shkarkimi. Për shkak se shkarkimi i Dacit ka bërë disa termete brenda LDK-së. Daci është një figurë e madhe e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Dua të sqarohem shumë thjesht: Nexhat Daci i ka fituar zgjedhjet e para elektorale, me mbi 65 përqind në Prishtinë, mandej në zgjedhjet në parti ka qenë i dyti, pas presidentit të Kosovës.

Sipas jush, Daci është person shumë i rëndësishëm për Lidhjen Demokratike të Kosovës?
Lidhja Demokratike e Kosovës pas vdekjes së presidentit të ndjerë Ibrahim Rugova (është fjala për kohën e tashme dhe gjithë këto gjëra që po ndodhin në kohën e fundit), fitimin e këtyre zgjedhjeve e sheh në figurën e Nexhat Dacit. Elektorati është ai që e sheh këtë…Ne duhet të bëjmë një test me elektoratin dhe ta pyesim elektoratin e LDK-së se cilën figurë ata e mbështesin, dhe atëherë do ta shihni se me kend do t’i fitojë zgjedhjet Lidhja Demokratike.

Ngjarjet e fundit brenda LDK-së, të shtynë të kuptosh se Lidhja Demokratike po ndahet në dysh?
Jo…jo…vetëm duhet të ketë zgjedhje dhe pikë. Lidhja Demokratike duhet të mbajë zgjedhjet brenda partisë. Ai që i fiton votat, ai do të jetë kryetar i partisë. Ne, vëllezërit Geci dhe gjithë anëtarësia e Lidhjes Demokratike, do të rreshtohemi pas atij që i fiton votat. Unë po flas për vëllezërit e mi dhe për veten personalisht, ne do të jemi pas atij që i fiton zgjedhjet në kuvend të rregullt të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Ju personalisht jeni pro Dacit apo kundër tij?
Ende s’ka filluar fushata për kryetar të Partisë. Ne jemi në njëfarë forme pak a shumë neutralë, pasi Lidhja Demokratike e Kosovës nuk është prononcuar se do të mbahen zgjedhjet me datën e caktuar apo se do t’i shtyjë ato.

Nexhat Daci është kritikuar për keqmenaxhim dhe jodemokraci brenda parlamentit të Kosovës dhe vetë Lidhjes Demokratike të Kosovës. Si i perceptoni ju këto akuza drejtuar Dacit?
Sa i përket keqmenaxhimeve - është auditimi. Auditimi është edhe në parlament edhe në disa ministri. Pra, auditimi është bërë dhe nuk ka ndonjë argument se zotëri Daci ka bërë ndonjë keqmenaxhim në parlamentin e Kosovës. Unë sa i kam përcjell mjetet e informimit, nuk kam ndëgjuar diçka që argumenton keqmenaxhimin e Dacit. E sa u përket atyre ‘sahatave’, ‘orave’…ato janë diçka tjetër. Sa i përket autoritetit të Dacit, ne jemi duke e shikuar çdo ditë parlamentin e Shqipërisë… Mos po dëshirojmë që të bëhet i njëjtë edhe parlamenti ynë?

Eqrem Kryeziu në një intervistë për media është shprehur se “ka kaluar koha e jodemokracisë dhe ka ardhë koha e demokracisë, të cilën e kemi pritur”. A ka pasur demokraci brenda LDK-së më parë?
Nëse Eqrem Kryeziu ka thënë se nuk ka pasë demokraci brenda LDK-së, atëherë Lidhja Demokratike e Kosovës më parë ka pas një president, të ndjerin Ibrahim Rugova, pra atëherë ai paska qenë fajtor sipas Eqrem Kryeziut pse nuk paska pasur demokraci brenda LDK-së.

Zotëri Daci në njëfarë mënyre është përfshirë në një fushatë e cila në qarqe mediatike po quhet fushatë rugoviane, e në anën tjetër, sipas po këtyre qarqeve mediatike, brenda LDK-së ekziston edhe fryma tjetër e quajtur rryma LDK-iste. Cilën prej këtyre dy rrymave e përkrahni ju personalisht?
Thënë sinqerisht, ne jemi anëtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Ne kërkojmë që të mbahet një kuvend i Lidhjes Demokratike të Kosovës, dhe në kuvendin e rregullt të Lidhjes Demokratike të Kosovës, le të dalin me disa kandidatë. Ne nuk kemi asgjë kundër që kundërkandidat i Nexhat Dacit të jetë Eqrem Kryeziu, e kundërkandidat i të dyve të jetë Sabri Hamiti, apo Ali Lajçi, sikur edhe është duke u përfolur nëpër media. Dhe, ai i cili i fiton zgjedhjet është kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës. Dua një gjë të sqaroj: këto ndarjet në LDK – është vetë Eqrem Kryeziu ai i cili i ka bërë. Pra kjo ndarje në LDK-ista dhe Rugovista. Eqrem Kryeziu është ai i cili bën ndamjet. Unë po flas për atë që po shoh në media. Eqrem Kryeziu po i bën këto ndarje, duke thirrur jo këta janë me mua, ata janë me ata tjerët.

Ju më herët keni kritikuar edhe zotëri Fatmir Sejdiun, kryetarin e tanishëm të Kosovës, në lidhje me një duartrokitje që ai i bën zotëri Rexhep Qosjes. Kjo kritikë lidhet me ndarjet që janë brenda LDK-së, apo lidhet drejtëpërsëdrejti me figurën e Rexhep Qosjes?
Ne kemi punuar 16 vjet që Kosova të frymojë si shtet. Ish presidenti i ndjerë Rugova ka propozuar disa elemente të shtetit, e elemente të shtetit janë himni dhe flamuri. Këto janë simbole të shtetit. Këto kanë qenë propozime të presidentit të ndjerë të Kosovës, zotëri Ibrahim Rugova, e fatkeqëisht i gjithë elektorati i LDK-së është duke e pa vetë që nëpër disa manifestime nuk është duke u kënduar himni dhe nuk është duke u përdor flamuri i Dradanisë. E këto janë elemente të shtetit. E këto elemente një ditë do të vinin përmes një referendumi apo propozimi edhe në kuvendin e Kosovës të miratohen. Fatmir Sejdiu përderisa ishte prezent në manifestimin ku ishte i pranishëm edhe Qosja, ku Qosja nuk la fjalë të keqe pa thënë për presidentin Rugova, Fatmir Sejdiu rrehte shuplakë dhe kjo ka qenë e vërejtur edhe nga mjetet e informimit. Këtë gjest të tij e kanë pa me sytë e tyre e gjithë anëtarësia e LDK-së. Ne s’kemi asgjë kundër Fatmir Sejdiut, mirëpo ajo ka ra në sy tek anëtarësia e LDK-së. Unë duhet të precizoj se ne nuk jemi ata të cilët përkrahin dikend që shan punën 16 vjeçare të presidentit të ndjerë Rugova.

Në bazë të kësaj që thoni ju, domethanë rregullat e presidentit Rugova po shkilen nga vetë anëtarët e LDK-së?
Kryesia e Lidhjes Demokratike, po flas për kryesinë e cila është tani në këtë kohë, dhe kryesia e cila do të vie, mendoj që vizion do ta kenë rrugën e presidentit të ndjerë Rugova, pasi Rugova ka qenë presidenti më i fuqishëm në politikën rajonale, jo vetëm atë kosovare, por rajonale. Tani jemi në prag të zgjidhjes së statusit. Dua të potencoj se këta njerëz të cilët asokohe kanë vizatuar harta, presidenti i Kosovës i kishte pyetur se kush jeni ju që të shkoni dhe të vizatoni harta në Angli. Këtë presidenti asokohe ia kishte thënë Lutfi Hazirit. Pra, e kam fjalën për Lutfi Hazirin.

Ju doni të thoni se nga vetë anëtarët e LDK-së ka pas mendime që kanë rezultuar me dalje nga binarët e përcaktuar nga presidenti i ndjerë i kësaj partie, zotëri Rugova?
Binarët e kësaj partie kanë qenë që Kosova të jetë shtet i pavarur. Ju e dini, filozofia më e shkurtër ka qenë, “sa më shpejtë që të njihet pavarësia e Kosovës, aq më shpejtë do të qetësohet kjo pjesë e rajonit dhe e botës’.

Kohëve të fundit negociatat të cilat po zhvillohen nuk garantojnë një status decidivisht të atillë çfarë e ka menduar edhe vetë Presidenti i ndjerë Rugova. Çka mendoni ju në lidhje me këtë?
Ne nuk dëshirojmë një Qipro. Anëtarësia e Lidhjes Demokratike nuk dëshiron Qipron Veriore dhe Qipron Jugore, nuk dëshiron Mitrovicën Veriore dhe Jugore. Mitrovica duhet të jetë një qytet i gjithë qytetarëve që banojnë aty, qofshin ata serbë shqiptarë apo nacionalitete tjera. Po ashtu, ne jemi kundër asaj që Qagllavica të marr gjysmën e Prishtinës dhe të bëhet një komunë e madhe.

Parregullsitë të cilat i cekët edhe vetë ju, si çështja e himnit, pastaj Rexhep Qosjes… a janë përçarje në vetë LDK? Nëse po, kjo përçarje a kishte me e rreziku LDK-në që në zgjedhjet e ardhshme të humb votat?
Ju lutem…ne nuk flasim për përçarje këtu. Jemi para një kuvendi të Lidhjes Demokratike, para një kuvendi të madh të LDK-së, pasi ne kemi humbur një burrë të madh të shtetit të Kosovës, e ai ka qenë presidenti i ndjerë, i nderuari Ibrahim Rugova. Dhe, meqë jemi para një kuvendi, nuk domethënë se jemi të përçarë, sepse po e potencoj, pas kuvendit ne do të jemi prap një, do ta ndëgjojmë kryetarin që do të zgjidhet me votën e lirë dhe besoj se të gjithë anëtarët e LDK-së do të rreshtohen pas tij.

Një numër i anëtarëve të LDK-së është shprehur pro mbajtjes së zgjedhjeve të brendshme partiake, përderisa një numër ka qenë kundër mbajtjes së zgjedhjeve.Çka mendoni, a duhet të shtyhen këto zgjedhje apo duhet të mbahen?
Unë them se ata që janë prononcuar për shtyrjen e zgjedhjeve janë ata anëtarë që frikohen nga këto zgjedhje.

Ju mendoni se duhet të mbahen këto zgjedhje?
Po, unë mendoj dhe thërras që këto zgjedhje të mbahen sa më parë që është e mundur. Arsyeja kryesore është se ne jemi e vetmja parti pa kryetar, përderisa të gjitha partitë tjera i kanë kryetarët. E kanë zotin e shpisë, edhe ne duhet ta kemi.

Sipas jush, kush do të jetë kryetari i ri i Lidhjes Demokratike të Kosovës?
Unë mendoj se do të jetë ai i cili fiton shumicën e votave në kuvendin e rregullt.

Ju nuk keni ndonjë anëtar për të cilin supozoni se do të fitonte?
Jo, ende nuk ka filluar fushata. Meqë ende s’ka filluar fushata, ne ende s’jemi përcaktuar që ta përkrahim këtë anëtar apo atë anëtar. Por, ne jemi të mendimit që Lidhjen Demokratike të Kosovës duhet ta udhëheqin akademikët, e jo ata me shkolla të mesme apo ata me shkolla të natës.

intervistë e mëhershme e Gani Gecit

Huazuar nga :http://rugova.net/intervista/ganigeci1.htm