Flori - Press

Mire se vini ne faqen tone virtuale "Flori-Press" te moderuar nga stafi redaktues Flori Bruqi, Engjell Shehu,etj.

e diel, korrik 02, 2006

A ka frige Eqrem Kryeziu?

Frika nga LDK Demokratike


Eqrem Kryeziu shpalos idenë për shtyrjen e zgjedhjeve në LDK. Kërkon të matet pulsi në terren, nëse anëtarësia është e gatshme të vazhdojë ritmin e ndryshimeve që filluan me largimin e Nexhat Dacit.



Eqrem Kryeziu nuk e ka përfunduar ende misionin e tij. I ngjallur pas vdekjes së Presidentit Ibrahim Rugova, ai vazhdon tutje betejat për organizimin e brendshëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës, ndonëse roli dhe figura e tij kontestohet nga një pjesë e partisë. I ardhur nga Prizreni që të ndihmojë për ndryshime në institucionet e vendit, kishte habitur opinionin kur në çast ishte shndërruar në një prej njerëzve që marrin vendime me peshë në skenën politike. I dha zjarr largimit të Nexhat Dacit, ndonëse arsyetimin e tij për "testin demokratik" e la të mjegullt. Javën e kaluar, ndërkaq, u shpërblye me një takim, në Prizren, me Frank Wisner, Emisar Amerikan për Statusin e Kosovës. Pjesa e dytë e rrëfimit për njeriun nga periferia vazhdon me një tjetër tentativë - shtyrjen e zgjedhjeve të brendshme në LDK. "Do të kërkoj që të shtyhen zgjedhjet. Na duhet kohë për t'u përgatitur. Por, ky është vetëm një propozim imi. Ta shohim se si do të vendosë Kryesia", ka thënë ai, të shtunën, për Express. Kjo temë ende nuk është hapur në Kryesinë e LDK'së. Eqrem Kryeziu është i bindur se ka argumente të mjaftueshme që zgjedhjet të shtyhen për dy muaj. Dita që do ta përcaktojë Kryetarin e LDK'së, me gjasë, ka filluar t'i frikësojë zyrtarët e kësaj partie, ndonëse publikisht thonë se do ta pranojnë votën e lirë, në përballje për betejën për fron. Vetë anëtarët e Kryesisë së LDK'së e dinë se është tepër e vështirë të gjendet një Kryetar si Ibrahim Rugova, i cili do të mund të jetë aq i popullarizuar dhe aq unifikues për partinë. Eqrem Kryeziu, megjithatë, nuk pranon se bëhet fjalë për frikë, por thotë se ka nevojë për disa sqarime. "Jo, absolutisht. Është një borxh yni që t'ua shpjegojmë njerëzve pse Kryesia e LDK'së ka marrë vendim për ndryshime". Rikujton se LDK është tronditur nga vdekja e liderit të saj, ndërsa zhvillimet e fundit nuk kanë lënë kohë për partinë që të merret me vetveten. "Na duhet kohë, tash pas zhvillimeve që kishim për përshpejtimet e proceseve demokratike. Pikërisht këto zhvillime kërkojnë punë. Njerëzve duhet t'u sqarohet se cilin kurs do ta zgjedhë LDK në të ardhmen". Shtyrja e zgjedhjeve të brendshme të LDK'së, që do duhej të mbaheshin në qershor, sipas rregulloreve të OSBE'së, varet nga vendimi për zgjedhjet lokale - të parapara për nëntorin e këtij viti.

Soren Jessen-Petersen i ka sugjeruar Ekipit Negociator që zgjedhjet komunale të shtyhen për në maj të vitit 2007, me arsyetimin se procesi i statusit mund të jetë ende nën zhvillim. Ai është duke konsultuar liderët e partive politike dhe një memorandum pritet të sqarojë nëse zgjedhjet lokale dhe parlamentare mbahen bashkërisht. Nëse ndodh kështu, atëherë Eqrem Kryeziu e ka ndërmend ta hedhë në tavolinë propozimin për shtyrjen e zgjedhjeve në LDK. Kryetari i Komunës së Prizrenit, i cili vitet e fundit nuk kishte marrë pjesë në takimet e Kryesisë së LDK'së, pohon se është tejet i interesuar që të vazhdohet me ritmin që nisi gati dy muaj më parë. Vazhdimisht e përmend fjalinë - "përshpejtim të proceseve demokratike". "Po përpiqemi ta mbajmë këtë ritëm, që ka përkuar me ndryshimet në bartësit e institucioneve. Këto unë i quaj - zhvillime të vrullshme demokratike", ka deklaruar Kryeziu. Lidhja Demokratike e Kosovës, pas gjashtëmbëdhjetë vjetësh, do ta hapë një garë të fuqishme brenda vetes - për kreun e partisë, e cila gjithmonë ishte udhëhequr nga Ibrahim Rugova. Por, vdekja e tij - ka ndryshuar gjërat përnjëherë. Problemet e grumbulluara përgjatë viteve - kanë shpërthyer edhe me shkarkimin e Nexhat Dacit nga posti i Kryetarit të Kuvendit, duke bërë që partia të fillojë një përçarje të vogël. Ky është shkaku kryesor pse kërkohet shtyrja zgjedhjeve të brendshme të LDK'së, përveç frikës se kush do ta marrë fronin. Eqrem Kryeziu ka pohuar të shtunën për Express se duhet të matet pulsi në terren për ndryshimet e fundit. "Ne jemi të interesuar që këtë frymë të zhvillimeve ta kultivojmë dhe ta sensibilizojmë anëtarësinë tonë. Tash varet prej anëtarësisë - a e pranon këtë zhvillim, a jo?, Duhet të shpalojmë se cilat janë arsyet e një dinamizmi të tillë të jetës politike në Kosovës, në LDK, por për pasoj edhe në Kosovë". Deri më tash zyrtarë të LDK'së nuk kanë dalë fare në terrenin ku shtrihet partia, për t'u ballafaquar me vendimet, ndonëse degët veç e veç kanë shprehur mendimet e tyre të ndryshme. "Prandaj po kërkojmë kohë shtesë, për ta marrë disponimin e njerëzve: nëse janë për këtë ritëm apo nuk janë?", ka thënë Kryeziu. Por, a nuk mund ta tregojnë votat në Kuvendin Zgjedhor disponimin e anëtarësisë së LDK'së nëse mbështet ndryshimet? Eqrem Kryeziu ka një përgjigje. "Puna politike nuk ka tjetër gjë, nuk merret me arpaxhik, vetëm këto gjëra i bën". E konsideron jokorrekte nëse nuk kontaktohen kryesitë gjithandej Kosovës, ndërsa thotë se ato do të kenë mundësinë të zgjedhin vetë. "LDK është një mekanizëm i madh. Duhet të fillohet prej aktiveve, nëndegëve, degëve, forumeve, e pastaj ajo finalja. Bajagi është një mekanizëm i zorshëm, sepse ne nuk jemi një autobus njerëzish". Ideja për shtyrjen e zgjedhjeve në LDK ka ardhur pas ndryshimeve në institucionet e Kosovës, duke ridefinuar tutje edhe strukturat brenda partisë.

Meqë Rugova kurrë nuk ka qenë vetëm kryetar partie, dhe, meqë LDK kurrë nuk është kuptuar vetëm parti politike, situata me trashëgimi të postit nuk do të jetë edhe aq lehtë për t'u zgjidhur. Gara për kreun e partisë mund të fillojë mes figurave të fuqishme brenda saj. Nexhat Daci, Alush Gashi, Lutfi Haziri dhe Eqrem Kryeziu - tash për tash - janë emrat të cilët përfliten se do të hidhen në betejën e votave, të bindur se mund ta marrin nën drejtim partinë më të madhe në vend. I konsideruar si militant i LDK'së në kohët më të vështira, i cili pas luftës kishte ndërmarrë një fushatë në Prizren për riorganizimin e partisë, Eqrem Kryeziu, duke zgjedhur një fjalor të kujdesshëm, ka pranuar se mund të jetë njëri nga kandidatët për kryetar partie. "Varet nëse ka kërkesa... Nëse thotë dikush që unë vyej diçka.... unë duhet t'i mat punët e mia, të pranoj apo jo. Tash për tash nuk e kam në rendin e ditës që ta sqaroj këtë dilemë", është përgjigjur ai. Pranon të thotë se mund ta fitojë garën madje edhe Nexhat Daci, nëse ka kualitetet e veta, edhe pse largimi i tij ishte bërë pikërisht me arsyetimin e mungesës së afiniteteve demokratike. "Nëse ai e bind anëtarësinë që ka kualitetet, pse të mos fitojë? Këtu nuk ka kurrfarë inati. Por, praktikisht, tash për tash, ka dy orientime: ata që kanë qenë kundër ndryshimeve dhe shumica që është për ndryshime". I ringjallur para dy muajsh, Eqrem Kryeziu, duke fituar simpatinë e një pjese të LDK'së dhe duke humbur respektin nga një pjesë tjetër që nuk ka përkrahur vendimin për shkarkimin e Nexhat Dacit, ka përsëritur të shtunën fjalinë që ishte shndërruar në përfolje në media - "mallin për demokracinë". "Edhe partitë tjera opozitare po na e kanë lakmi, e lere më anëtarësia jonë. Është shume e vërtetë se na ka marrë malli për demokracinë. Të gjithëve na ka marrë malli. Edhe neve. Edhe juve".