Flori - Press

Mire se vini ne faqen tone virtuale "Flori-Press" te moderuar nga stafi redaktues Flori Bruqi, Engjell Shehu,etj.

e shtunë, korrik 01, 2006

Huzim nga web faqja virtuale :http://rugova.net/kolumne/Bmorina4.htm

Debate politike

Krenaria politike e LDK-së dhe nervoza e arsyeshme e PDK-së

LDK-ja edhe më tutje mbetet partia më e madhe në Kosovë, prandaj ka pse të krenohet, ndërkaq PDK-ja edhe më tutje mbetet parti opozitare prandaj ka arsye të zemërohet!



Shkruan Bajrush MORINA

Një sondazh i realizuar këto ditë nga Index Kosova dhe qendrës “Gani Bobi” ka nxjerrë në sipërfaqe edhe një të vërtetë të pamohueshme të realitetit politik në Kosovë. Këto dy qendra të hulumtimit kanë realizuar edhe më parë hulumtime të tilla dhe përkundër faktit se disa herë janë treguar të një anshme e madje edhe favorizuese për ndonjë parti apo medium të caktuar, nuk kanë mundur të mohojnë faktin se Lidhja Demokratike e Kosovës edhe më tutje është partia më e madhe dhe më e besueshme në Kosovë.

Edhe në hulumtimin e fundit të publikuar ditë më parë, LDK-ja del partia më e madhe në Kosovë, madje partia që është dy herë më e madhe sesa të gjitha partitë e tjera të vogla në Kosovë. Edhe pse sipas disa burimeve të sigurta, ky rezultat i LDK-së është zvogëluar në një masë bukur të madhe (flitet se LDK-ja ka besim e 52% të elektoratit në Kosovë e jot ë 42% siç ka dalë në këtë hulumtim) prapëseprapë edhe me këtë rezultat ajo mbetet parti e madhe, parti e parë dhe parti e vetme e cila ka besimin shumicës së elektoratit shqiptar në Kosovë.

Ky rezultat i lakmueshëm i LDK-së vjen përkundër një fushate të egër dhe të paskrupullt që një pjesë e mediave dhe opozita po i bën kundër LDK-së dhe kundër koalicionit qeverisës së Kosovë. Kjo fushatë etiketuese po përcillet edhe me publikimin e disa raporteve te dyshimta të auditimit, të cilat në të shumtën e rasteve janë vetëm një konstatim i një gjendje normale, por që në opinion jepen si gjoja shkelje të procedurave të prokurimit apo si shpenzime të pakontrolluara të buxhetit.
Në ndërkohë opozita politike në Kosovë, e në radhë të parë PDK-ja ka lansuar një arsenal kritikash e madje ka hartuar edhe “dosje speciale” kundër pjesës dërmuese të ministrave të Qeverisë së Kosovës, veçanërisht ndaj ministrave të LDK-së. Dosjet e tilla janë dorëzuar edhe në UNMIK, por ato i ka mbuluar pluhuri për shkak se në përmbajtjen e tyre ka patur vetëm shpifje pa asnjë argument të vërtetë.

Ky rezultat i lakmueshëm për LDK-në vjen edhe pas vdekjes së presidentit Rugova, pas ndryshimeve në krye të Kuvendit të Kosovës dhe pas “fërkimeve” mediale të një pjese të kreut të LDK-së, e sidomos pas shpifjeve mediale të një pjese të media të shkruara dhe elektronike në Kosovë me tendencë që të fusin përçarje në LDK.

Pra, pas gjithë këtyre “fortunave” politike e mediale, LDK-ja edhe më tutje mbetet parti më e qëndrueshme dhe më e besueshme në Kosovë.

Ndërkaq, përderisa vërehet një rritje e lehtë e besimit të AAK-ja, dy partitë e tjera opozitare, PDK-ja dhe ORA, kanë pësuar rënie drastike. Madje ORA ka rënë në fund të pusit, me vetëm 2.7% të elektoratit.

Kriza e identitetit politik dhe mbyllja hermetike e proceseve demokratike të partive opozitare është një prej faktorëve kryesorë që këto parti kanë marrë teposhtëzen e tyre. PDK-ja ka kohë që nuk po reflekton ide të mirëfillta politike opozitare. Ajo sikur është bërë “hije” e Qeverisë së Kosovës dhe pos që mrizon në hije, në të shumtën e rasteve flenë në gjumë të thellë.

Edhe “ojq”-ja ORA pas një “blic”-i të papritur politik, ka filluar të amortizohet politikisht dhe të vetmen “ide brilante” të kësaj partie, përkatësisht të liderit të saj është falja e 800 hektarëve tokë të shqiptarëve për Manastirin e Deçanit dhe gatishmërisë për të pranuar edhe një pavarësi të kushtëzuar të Kosovës. Pra duke dalur haptas kundër Pavarësisë së plotë të Kosovës dhe duke ia falur Manastirit të Deçanit 800 hektarë të pronës private të shqiptarëve, Surroi ka humbur pjesën dërmuese të elektoratit shqiptar, e ndoshta ka fituar ndonjë poen politik në elektoratin serb!

Sidoqoftë, Lidhja Demokratike e Kosovës,e posaçërisht liderët e kësaj partie duhet ta kanë të qartë se edhe më tutje gëzojnë përkrahjen më të madhe të shqiptarëve të Kosovës. Ky fakt i pamohueshëm duhet të jetë një sinjal i qartë për liderët e saj që të shtojnë përgjegjësinë e tyre ndaj këtij elektorati. LDK-ja dhe udhëheqësit e saj edhe më tutje duhet të sillen si fitues dhe në këtë drejtim kanë arsye që të krenohen me rezultatin e tyre elektoral. Por, edhe PDK-ja e ORA kanë arsye që të mërziten, të shqetësohen, të nervozohen e mbase edhe të korrigjohen. Këto parti politike nuk po i do dhe nuk po i voton elektorati shqiptar tash e 7 vjet pas luftës në Kosovë dhe kjo është një shenj e keqe për ata, por duket e mirë për situatën e përgjithshme politike e institucionale të Kosovës.

Fituesit gjithmonë kanë arsye që të kremtojnë, e humbësit të mërziten e të ankohen!

Krimi dhe dënimi

Dosjet e SHIK-ut dhe shpifjet e PDK-së

Një vit pas hartimit të dosjes së SHIK-ut kundër Qeverisë së Kosovës, me theks të veçantë kundër disa ministrave të LDK-së dhe dorëzimit të kësaj dosje nga ana e PDK-së në policinë e UNMIK-ut, ka ardhur koha kur dikush duhet të japë përgjegjësi për hartimin e dosjeve dhe për shpifjet e paargumentuara.

Shkruan Bajrush Morina

Nëse vërtetohen shënimet e “dosjes 300 faqesh” të PDK-së kundër Qeverisë së Kosovës, disa prej ministrave do të shkarkohen. Por, nëse kjo dosje nuk do të ketë bazë hetimore, atëherë dikush do të shkojë në burg. Kështu përafërsisht është thënë dhe është shkruar një vit më parë, kur doli në skenë “dosja e SHIK-ut” e publikuar nga zyrtarët e lartë të PDK-së.

Tash ka kaluar më shumë sesa një vit prej se dosja e hartuar nga SHIK-ut, (Shërbimi Informativ i Kosovës) kundër Qeverisë së Kosovës, me theks të veçantë kundër disa ministrave të LDK-së, por e përvetësuar dhe e politizuar nga Partia Demokratike e Kosovës është dorëzuar në selinë e UNMIK-ut, përkatësisht në komandën e policisë së UNMIK-ut në Prishtinë dhe asnjë hetim, shkarkim apo arrestim eventual nuk ka ndodhur. Kjo do të thotë se kjo dosje ka qenë vetëm një shpifje, ndërkaq për shpifje shkohet edhe në burg.

Fillimisht zyrtarët e PDK-së patën thënë se këto “informata të sigurta” i kanë mbledhur nga aktivistët e tyre në terren. Më pas shtuan se “vëllimi” prej më shumë se 300 faqesh është shkruar nga e ashtuquajtura organizatë “Sigurimi i atdheut”. Në përpjekjet për humbur gjurmët e hartimit të dosjeve të tilla, vetë sekretari i përgjithshëm i PDK-së, Jakup Krasniqi, pos që pranoi ekzistimin dhe legalizimin e SHIK-ut, nuk e mohoi faktin se PDK-ja ka bashkëpunim me SHIK-un. Kështu sipas një logjike të thjeshtë, del se vetë krerët e PDK-së e pranojnë faktin se në hartimin e “dosjes” inkriminuese kundër disa ministrave të Qeverisë së Kosovës, në radhë të parë kundër ish-kryeministrit Adem Salihaj dhe ministrave Melihate Tërmkolli, Agim Veliu e Astrit Haraqija, kanë kontribuar hetimet dhe shënimet e pjesëtarëve të SHIK-ut. Një dosje e tillë, duket se është porositur nga PDK-ja dhe është “materializuar” nga aktivistët civilë të SHIK-ut.

Por, pavarësisht qëllimit opozitar të PDK-së kundër Qeverisë së Kosovës dhe kundër koalicionit LDK-AAK, një çështje që duhet të zgjidhet në këtë drejtim është vërtetësia e kësaj dosje hetimore e dorëzuar në policinë dhe hetuesinë e UNMIK-ut dhe pasojat eventuale për një shpifje të tillë.

Ajo që është më kryesorja, kjo dosje është dorëzuar te UNMIK-u, përkatësisht të policia e UNMIK-ut, pra te institucionet më kompetente ndërkombëtare. Ky fakt, hartuesve të kësaj dosje nuk u jep mundësinë për dyshime në implikime politike të koalicionit qeveritar për të penguar hetimet eventuale, për arsye se UNMIK-u nuk është në “koalicion” e as në “opozitë” as me Institucionet e Kosovës e as me opozitën.
Ndërkaq fakti, se policia dhe hetuesia ndërkombëtare e UNMIK-ut, deri më tash nuk ka gjetur asnjë bazë dhe argument për vazhdimin e hetimeve eventuale, jep të kuptojmë se në “librin e bardhë 300 faqesh” të SHIK-ut, alias të PDK-së nuk ka patur asgjë të vërtetë dhe se gjithçka ka qenë vetëm një grumbull rrenash e shpifjesh më monstruoze. E nëse vërtetë, një vit më parë dikush ka shpifur dhe këto shpifje i ka dorëzuar të shkruara në një organ kompetent për hetime gjyqësore e policore, atëherë ky “dikushi” duhet të japë përgjegjësi për këto shpifje. Aq më tepër kur kjo përgjegjësi tashmë është rregulluar më dokumente juridike. Siç dihet Kuvendi i Kosovës ka miratuar në parim Projektligjin civil kundër shpifjes dhe fyerjes ndërkaq edhe Kodi Penal i Kosovës, sanksionon shpifjet dhe shpifësit.

Një vit pas publikimit të kësaj dosje plot shpifje e denoncime irituese, iniciatorët, hartuesit dhe “zëdhënësit” politikë të kësaj dosje duhet të japin përgjegjësi morale, politike e juridike. Në shtetin që po e ndërtojmë edhe fjala publike por edhe dosjet e shkruara plot shpifje e denoncime të paargumentuara duhet të sanksionohet.