Flori - Press

Mire se vini ne faqen tone virtuale "Flori-Press" te moderuar nga stafi redaktues Flori Bruqi, Engjell Shehu,etj.

e shtunë, korrik 01, 2006

FOKUSI LDK

Fokusi LDK

Elefantën në botën e porcelanit dhe drama „Praptimi i namit të LDK-s”

Shkruan: Bardhyl Metaj

Ditën e ritit tradicional post-mortor të „katërdhjetave“, nga vdekja e Presidentit Rugova, Kryesia e LDK-s apo një pjesë e saj, u kujdes që të gjithë Rugovistët gjithandej në botë, t’i lë gojë-hapur...

Kur në skenë dolën ata, të cilët më vonë do të përjetohen si tre elefantë “legjitim” në botën e porcelanit - Eqrem Kryeziu, flamurtari i ‘grushtetit’, i cili qysh tash po e ushtron postin e pretenduar të Kryetarit të LDK-s, pastaj Kolë Berisha dhe i paharruari për Rugovistët, Naim Jerliu - me kumtin e tyre për shkarkimin e Kryeparlamentarit Daci - mu kujtua një skenë tjetër grushteti në Moskë, skenë e cila atëbotë pat lënë gojë-hapur gjithë rruzullin tokësor.

Derisa presidenti i atëhershëm sovjetik, Mihail Gorbaqov, po pushonte në një vilë në Detin e Zi, puçistët, krahu konservativ komunist, kishin marrë pushtetin dhe kishin okupuar Parlamentin, duke shpallur të “vdekur” politikën e Gorbaqovit...! Atëherë, do të jetë Jelcin, ai, i cili me një guxim admirues do të marrë detyrën e prijësit e të shpëtimtarit, të luftës kundër puçistëve, ku nuk do të kursejë as bombardimin e Parlamentit, në cilin qenë ngujuar puçistët rusë...

Në Kosovë, ndërkaq, a do e marr misionin e shpëtimit dhe përgjigjes kundër-puçiste, zoti Nexhat Daci, të cilit në të vërtetë i mbeti në dorë ky mision...?



Drama “Praptimi i namit të LDK-s”!

“Puçi” kosovar ngjau fillimisht në LDK, për t’u transportuar i paketuar, me ambalazh të trilluar amerikan, e i dekoruar me shumë finesë e kujdes edhe me një “kurdel” të vjetër, që kishte mbetë i harruar nga një pako e mëhershme e z.Kofi Anan.

Me një fjalë, vendimi jo-legjitim i Kryesisë së LDK-s, transportohej si vendim i domosdoshëm “kombëtar”, e i kushtëzuar, ndërkaq, me intervenim misterioz “ndërkombëtar”, dhe si “vendim legjitim, demokratik e i patjetërsueshëm i kryesisë së LDK-s...”, i cili, i adaptuar me një lehtësi të patolerueshme nga Grupi Parlamentar i LDK-s, do të evidentojë zhveshjen nga çdo minimum dinjiteti e ndjeshmërie politike, si dhe mungesën e patolerueshme të respektit përball elektoratit të tyre.

Elektorati Rugovist, në të gjallë të Rugovës, i kishte fisnikëruar këta Parlamentarë, duke i deleguar aty – në organin më të lartë të Legjislativit e të vetëvendosjes kosovare, në Parlamentin e Kosovës - si garanci të vetën dhe të Kosovës, si përfaqësues të legjitimuar konsistence e palëkundshmërie politike.

Por, dëshirat dhe nevojat e votuesve të Rugovës, nuk u treguan të ishin edhe dëshirat dhe nevojat e Kryesisë së LDK-s. Për më keq, as edhe të Grupit Parlamentar të LDK-s.

Pritja dhe durimi i tyre i gjatë, gjersa të shkojë Rugova, gjithë këto vite, zhveshi protagonistët e dinamizmit.



Kryesia me licencë të skaduar e LDK-s dhe keq-kuptimi tragjik

Kryesia e LDK-s, mirëkuptimin dhe presedanin e toleruar njëherë, gjatë ditëve të zisë, rreth nominimit të Presidentit Sejdiu, e paska kuptuar si legjitimim të një kryesie për të bërë çfarë të dojë, të emërojë ministra e të shkarkojë ministra, të shkarkojë e denigrojë kë të dojë. Presidenti i ri, ndërkaq, me një lehtësi të padurueshme propozon Kolë Berishën për kryetar Parlamenti. Kolë Berishën, për të cilin të gjithë e dimë se do ishte shumë më burrnore sikur të ishte tërhequr vetë...

Pse nuk ka debat brenda partie? Pse nuk thiren e këshillohen forumet partiake? Kush kujt po i frikësohet? Pa asnjë procedurë demokratike, ndërkaq, e pa këshillim brenda-partiak, vendoset mbi postet më të larta shtetërore...

Shpija rrëzohet për pak ditë – dhe mjafton me i tubue do miq e jarana por, për ta ndërtuar, duhen ustallarë!

Asnjë kuadër, qoftë edhe i një aktivi në Dragash a bjeshkë të Berishës, d.m.th udhëheqës shumë më minorë se z.Daci, nuk guxon të hiqet, njolloset e eliminohet në këtë mënyrë...

Kurse Kryesia ka zgjedhë të ekzekutojë e shkarkojë personalitetin më të ekspozuar të LDK-s në gjashtë vitet e fundit... D.m.th, kjo kryesi bën politikë dhe ekzekuton ashtu siç nuk bën as edhe një shoqatë apo firmë sadopak serioze - kur duhet nxjerr pune, qoftë edhe “vetëm një” shërbëtore të bufesë.

Në këto pak ditë, kjo Kryesi, kush më shumë e kush më pak, po e hap një varr të madh për LDK-n.



Aklimatizim i shpejtë i parlamentarëve të LDK-s me “misionin dhe mentalitetin e Kryezive...”

Ky akomodim dhe aklimatizim i shpejtë i parlamentarëve të LDK-s me “misionin dhe mentalitetin e Krye-zive...”, duke pranuar që të transformohen në makineri ekzekutuese të vendimeve, të autorëve të politikës së akteve të kryera, të vendimeve të Kryesisë me licencë të skaduar, dhe të ekzekutimit të vendimeve të autorëve të politikës praptuese të kursit frytdhënës Rugovist - nuk ka si të mos na ngjall frikë, pasiguri e, mos e bir Zot, nuk ka si të gjejë mirëkuptimin e elektoratit apo të opinionit të gjerë në Kosovë. Përkundrazi.

Kjo, dramë në tri akte e praptimit në LDK, është një sinjal ogurzi...ngase na e demonstroi se me çfarë lehtësie Grupi Parlamentar i LDK-s u shndërrua në ekzekutues të Rugovizmit, të Dacit e të LDK...dhe natyrisht, në ekzekutues të vetvetes.

Parlamentarëve s`ju dilte në ndihmë as fakti se çdonjëri prej tyre e dinte, apo fundja, kishte mundësinë të mësojë aty, nga Lulzim Zeneli (anëtarë i Kryesisë së LDK-s), se turbo-udhëheqësi i sapoaktivizuar, nënkryetari i LDK-s, Eqrem Kryeziu, “është aty (në Kryesi të LDK-s) vetëm tash vonë, pas vdekjes së Presidentit Rugova”. Se, “Kryeziu në pesë vitet e pasluftës, nuk kishte marrë pjesë në mbledhjet e Kryesisë”. E nga ana tjetër, Kryeziu u bë flamurtari i vendimeve të cilat, tash duhej ekzekutuar Parlamentarët Rugovistë.



Kuvendarët e 1989-tës dhe parlamentarët e sotëm, një mendësi!

Ngjarja, pa dashjen time, ma ri-kujtoi edhe një Dramë tjetër tragjike, ku protagonistë dhe ekzekutorë përmbysës ishin po ashtu Parlamentarë Kosovarë, në vitin e paharrueshëm 1989!

Të rikujtojmë: atëherë, edhe përkundër sistemit njëpartiak, kishte një debat shterrues, të organizuar e publik, prej bashkësisë lokale e më lartë...në gjithë Kosovën...debat ku merrnin pjesë edhe Kuvendarët e atëhershëm të Kuvendit të Kosovës e ku, në mënyrë plebishitare, hidheshin poshtë e publikisht nga të gjithë ndryshimet e imponuara nga Serbia...por me gjithë atë, kjo nuk ndihmoi Kuvendarët Kosovarë të asaj legjislature të vitit 1988-89, me ndonjë përjashtim të vogël (si Melihate Tërmkolli), që të mos ngrinin dorën e hipokrizisë dhe duart e vetëvrasjes...

Kështu bëri edhe Grupi Parlamentar i LDK-s ditë më parë. Pra, jo të udhëhequr nga parimet, ta zëmë nga lojaliteti ndaj statutit partiak, statutit i cili ishte shkelur me të dy këmbët nga kreu i partisë me rastin e nominimit të Fatmir Sejdiut, me rastin e shkarkimit të Nexhat Dacit, sikurse edhe me rastin e nominimit të Kolë Berishës, tutje të nominimit të Fatmir Rexhepit, me rastin e kërkesës dhe të trysnisë ndaj Parlamentarëve që të ekzekutojnë këtë urdhër jolegjitim në Parlament, e kështu me radhë...

Kuvendarët e vitit 1989-ës sikurse edhe këta sot, aparatçikë të një makinerie a uzine ekzekutuese, formalizojnë (që të përdorë vokabularin aktual), rrënimin e subjektivitetit juridik të Kosovës atëherë – njëjtë sikur ditë më parë, një makineri tjetër votuese, por e prodhimit më të ri, në emër të një uniteti të rremë, rrënonte namin e autoritetin e përfaqësuesit të vet dhe natyrisht edhe të partisë. Në emër të unitetit...



A do bëhet korrigjimi?

Kuvendarët e vitit 1989, ndërkaq, përkundër kërcënimit nga likuidimi fizik, megjithatë konsoliduan vetvetën. Mirëpo u desh që korrigjimin fatlum e historik të aktit të parë praptues, ta bëjnë jashtë parlamentit...

Grupi Parlamentar i LDK-ës, ndërkaq, ka rrethana krejtësisht të tjera...bile gëzojnë edhe mbrojtje të NATO-s, mbrojtje fizike, ligjore e morale...Andaj, në dritën e këtyre fakteve, mungesa e përgjegjësisë individuale duket tragjike dhe e pajustifikueshme.Të shpresojmë të jetë të paktën e riparueshme...sado nuk e kam asnjë ide se si mund të bëhet kjo.

Desha me këto shpalime të them një fakt të pafavorshëm për të gjithë ne...Kosovarët:

Kosovarët nuk kanë, nuk kishin e as do të kenë ndonjëherë, në mungesë të një super-ushtrie të strukturuar, të armatosur e të fuqishme sovrane - ndonjë garancë tjetër demokratike, si promovuese, apo të paktën mbrojtëse të vullnetit të tyre – pos mendësisë dhe moralit të Parlamentarit.



SHALA dhe SURROI – “Interpretët” e kalorësisë amerikane

Është tragjike sikur dy partitë e mëdha, LDK dhe PDK, të praktikojnë apo akceptojnë në rradhët e tyre funksionarë partiak që, me të gdhirë, bile para zyrtarëve të huaj, pinë kafet e mëngjesit në zyrat e huaja, duke pritur diplomatët aty...

Këtë domen, “me të drejtë të transkriptimit dhe lojës me zyrat e huaja”, partitë si PDK dhe LDK duhet t’ua lënë Surroit dhe Blerim Shalës. Atyre u mungojnë votat.

Kjo kulturë pakurrizore, kjo ligësi ku çdo aparatçik i ndonjë zyre të huaj mund të ketë më shumë ndikim se Kuvendet e forumet më të larta partiake, se vota e elektoratit, nuk ka pasë asnjëherë traditë në LDK, as në rrethana shumë më të vështira. As atëherë kur miqtë tanë, nga zyra më e madhe deri te më e vogla, na sugjeronin me shumë intensitet, që të merrnim pjesë në zgjedhjet për rrëzimin e Milosevic’it. Apo të bashkoheshim me Paniqin, e gjimnastika të tjera me projektues, shpeshherë, kosovarë. Rugova nuk lëshonte pe në këso sugjerime, “sado dashamirëse”, si i quante. Ai kishte paktin me elektoratin e tij dhe qytetarin e Kosovës...Me sovranin. Kjo politikë u shpërblye në shtigje më të gjata – si nga verdikti i kosovarëve, poaq edhe nga ndërkombëtarët. Me një fjalë, u gjykua politika e eksperimenteve.

Instalimi i kësaj kulture të re nga Kryesia e LDK-s, kësaj politike të eksperimenteve, që kishin rastin së fundi ta përjetojmë, frikohem se është jo vetëm fundi i LDK-s, por edhe fundi i kuptimësisë së votimeve...I vlerës së votës së kosovarit. Dhe, fillimi i Banana Republikës....fillimi i parlamentit të zulluve...



Evidentimi i shkeljeve nga Fatmir Sejdiu dhe papërvoja e Grupit Parlamentar të LDKs!

Ajo që binte në sy menjëherë, sapo i lëshoje një sy transkriptit të famshëm të GP të LDK ishte mungesa e përvojës politike e parlamentarëve të LDK-s.

Këto janë pyetjet që dalin me leximin e transkriptit, e të cilat ata (Parlamentarët e LDK-ës) duhej ti sqaronin:

1. A e kanë konsultuar flamurtarët e ndryshimeve Këshillin e Përgjithshëm të LDK-s për ndryshime kaq radikale në postet më të larta shtetërore?

2. A e kanë konsultuar Këshillin e Përgjithshëm të LDK-s, për ekzekutimin e “projekteve të pazbardhura asnjëherë në organet partiake, të ndryshimeve dhe të kursit politik partiak”, për të cilat fliste dhe trumbetonte në tubimin e famshëm me aktivistët partiak të Degës së LDK-ës në Gjermani, Eqrem Kryeziu?

3. Nga zoti Kryeziu duhej kërkuar të deklarohet me shkrim për thëniet e publikuara në mediume, p.sh. në “Bota Sot” të datës 6 Mars 2006 dhe “Bota Sot” të datës 7 Mars 2006, ku veç tjerash nënkryetari i ri-aktivizuar vetëm pas vdekjes së Rugovës , pas pesë vitesh mungese në Kryesi të partisë, deklaronte se: “Projekti i këtyre ndryshimeve që ndodhën këto ditë, është një projekt më i vjetër, vetëm që tashti filloi të realizohet”!

3. Duhej evidentuar e protokolluar, gjithashtu, përgjigjja e Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë, Fatmir Sejdiu se a është e ligjshme pozita e Nënkryetarit të Parë, dhe tutje prezenca e e tij, zotit Eqrem Kryeziu, edhe pas pesë vitesh mungese në mbledhjet e Kryesisë së LDK-s?

4. Duhej evidentuar e protokolluar, gjithashtu, përgjigjja e Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë, Fatmir Sejdiu, nëse si Sekretar i Përgjithshëm i LDK-s ishte i ndërgjegjshëm se është obligim i Kryesisë dhe i tij personalisht si Sekretar Partie, që të thërrasë e organizojë mbledhjet e Këshillit të Përgjithshëm, e jo e kundërta, që Këshilli i Përgjithshëm të gjejë forma e nismëtarë për t’u organizuar e tubuar?

5. Duhej evidentuar e protokolluar, gjithashtu, përgjigjja e Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë, Fatmir Sejdiu nëse ai është koshient, se Këshilli i Përgjithshëm, pas të gjitha shkeljeve që ai i bëri në mënyrë koshiente të statutit të Partisë, se po ky Këshill i Përgjithshëm i LDK-s, jo vetëm ka të drejtë, por ka obligim të shkarkojë e pezullojë gjithë kryesinë qendrore të LDK-s si dhe sipas qëndrimit të miratuar, të shpall jovalide të gjitha vendimet e marra nga Kryesia, të pasvdekjes së Presidentit dhe Liderit partiak, për shkak të tejkalimit masiv të kompetencave të ekzekutivit?

6. Duhej evidentuar e protokolluar, gjithashtu, përgjigjja e Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë, Fatmir Sejdiu nëse ishte koshient se të gjitha këto shkelje të ligjësisë e statutit, pra shkelje të ligjeve të vendit dhe atyre partiake, po i bënte vetëm disa ditë, pas dhënies së betimit si President, se do të mbrojë ligjet dhe ligjshmërinë...etj!

Evidentimi dhe protokolimi i këtyre përgjigjeve, nga parlamentarët nuk ngjau, por ky shkrim, është gjithsesi kontribut modest në atë drejtim.



Rreziku për shkatërrimin LDK-së!

Me gjithë optimizmin, më duhet të pranoj se në mungesë të menaxhimit të mirë të një procesi shumë të gjatë konfrontimesh publike e të prapaskenës deri në Kuvend - rreziku për shkatërrimin LDK-s apo edhe parcializimi do të vazhdojë dhe sforcohet çdo ditë e më shumë...dhe ky kërcënim ka gjetë folenë dhe ushqehet nga vetëbesimi i protagonistëve të ngjarjeve të fundit, në politikën e tyre të akteve të kryera, si dhe në heshtjen apo adaptimin e pjesës tjetër.

Shumica hesht, kur s`ka ku të flasë! Kur njerëzit e obliguar që të rivitalizojnë e dinamizojnë organet e partisë, për shkak të interesave personale, i bllokojnë ato. Kur s`ka prijatarë. Kur s`ka nismëtarë.

I vetmi sinjal se LDK do të ruhet, mbetet karizma, karakteri i tij si garanci principieliteti dhe profili shumë i fuqishëm politik dhe akademik i z.Nexhat Daci. !

Pa këtë element, e në mungesë të prononcimit të pjesës së heshtur të kryesisë qendrore, të Ministrave Haziri e Haraçia, Tërmkolli e të tjerë, pa mbledhjen dhe prononcimin e Këshillit të Përgjithshëm rreth shkeljeve statutare, procedurale e deklaratave, të cilat nga Degë e funksionarë të LDK-së, kolumnistë dhe analistë nga më të ndryshmit, po kualifikohen si fillim i praptimit të namit, trashëgimisë politike e të mendësisë së Rugovës në vet LDK, pra, pa të gjitha këto prononcime, debatime, vendime e sqarime: politika dhe egzistanca e LDK-së e humb edhe kuptimësinë e funksionimit karshi elektoratit të saj.

Se sa absurde është situata në Kryesinë e LDK-së, tregon fakti se realisht kësaj Kryesie i duhen tre zëdhënës, për të bërë publike politikat e fraksioneve aty brenda... Thjesht, nga fakti se nuk mund të kërkosh nga Lulzim Zeneli, ta zëmë, të bëhet zëdhënës i politikës së denigrimit të Rugovës nga Eqrem Kryeziu e Fatmir Rexhepi...



Alternativë tjetër, ndërkaq, mbetet formalizimi i pakulturës politike të Eqrem Kryeziut!

Si të formalizohet kjo pakulturë, si të formalizohet e legjitimohet kjo politikë e akteve të kryera, e krijimit të gjendjeve të jashtëzakonshme - që të pranohen vendimet e jashtëzakonshme...e akuzave të trilluara gjoja amerikane, për solucione e reforma të trilluara... si të formalizohet ajo që disa funksionarë e Degë të LDK-ës, si dhe shtypi tashmë e kanë identifikuar si “ambicie e tre Nënkryetarëve që të hakmerren ndaj Rugovës për shtypjen dhe margjinalizimin e tyre shumëvjeçar”?

Si të formalizohet koncepti reformues i Eqrem Kryeziut, i cili në shtyp deklaronte se në LDK duhet kthyer të gjithë ata të cilët janë detyruar të largohen nga dhuna dhe terrori?!

Projekti i tij i Reformave, për të cilin trumbetonte se qenkësh i vjetër, pa shpaluar as edhe një element të tij, më kujton një figurë dhe kohë tjetër, atë të vitit 1981. Projekti i Reformave të cilat trumbeton Kryeziu më kujtuan - Lazar Mojsovin. Më kujtuan Lazar Mojsovin, i cili për të shpallur gjendjen e jashtëzakonshme, valëviste nja 600 faqe tekst, të cilat kurrë s’patën parë dritën e opinionit publik, por arritën atëherë të krijojnë klimën se çdo gjë ishte e dokumentuar dhe e detajizuar, se udhëheqja e dinte ekzaktërisht çka duhej bërë...se gjendja ishte nën kontroll dhe se ekzistonte strategjia dalëse...Sepse, duke u nisur nga këto faqe të pa-zbardhura, lypsej aplikimi i gjendjes së jashtëzakonshme, që natyrisht kërkoi edhe masa të jashtëzakonshme...



Çfarë priste dhe pret nga udhëheqja e LDK-së në të ardhmen, elektorati Rugovist?

Po e theksoj edhe njëherë, kishte dhe ka shumë nevojë për kumtin se në LDK do të procedohej me ndjeshmëri dhe me durim se tërë trashëgimia Rugoviane do të ruhej e mbahej si e tanë...se forumet partiake, tash në mungesë të prijësit, do të rivitalizohen, dinamizohen e promovohen si mekanizma të patejkalueshëm, pa asnjë përjashtim dhe në asnjë rast - në mënyrë që të kompensohet sadopak mungesa e vizionarit, Prijësit, frymëzuesit e përbashkuesit – Ibrahim Rugovës.



Strategjia e rimobilizimit Post-Rugovist

Mjeshtri dhe strategji do kishte qenë që gjithë atë lum njerëzish që nderoi dhe nderon Rugovën, me e shndërru në energji ndërtuese dhe rrjedhimisht në vota...Kjo lypsej prej strategëve e trimave aty...LDK s`ka as nuk kishte nevojë për të krijuar artificialisht elektorat të ri. Diçka që domosdoshmërisht lypet tek partitë e oponentëve të saj.

Rugova u la shumë...Por Kryesia saj po tregohet praptuese e tërë kësaj trashëgimie.



Trashëgimia Rugoviste si koncept në zgjedhjet e ardhshme?

Me një fjali mund t’jua transkriptoj atë Testamentin e pasurisë së trashëguar dhe strategjinë të cilën do të duhej zgjedhur për të fituar zgjedhjet e ardhshme: fakti i ditur botërisht se ka më shumë Rugovistë sesa ka dhe do të ketë ndonjëherë LDK-ist! Dhe kjo u demonstrua edhe gjatë varrimit e pas tij.

Atyre, pra, Rugovistëve, duhej dhanë kumti...Atyre duhej hapur dyert e dritaret, atyre duhej dhënë shansi demokratik, duke kanalizuar me kujdes energjitë, kreativitetin e përkushtimin për forcimin e LDK-së, duke vijëzuar procesin e ndërtimit e bashkë-krijimit të strukturave të fuqishme partiake, të përbashkuara rreth frymës Rugoviane. Kthimi eventual i Editës dhe Bukoshit do të sillte aq pak vota, sa ata realisht kanë sot, pa siglën Rugoviane të LDK-së.

Por, kthimi i tyre ndërkaq do të ishte humbje e votave nga të gjithë ata të cilët janë anemikë nga kritikat e sulmet publike disavjeçare, të shqiptuara nga këta të dy, ndaj Rugovës.

Strategjia e kumteve përbashkuese e mobilizuese e Public Relations - është kalkulim e jo spekulim...

Kjo ishte detyra e udhëheqjes së LDK-ës. Kaq pak po pritej.



Shansi i fundit për konsolidimin e LDK-së. Si të organizohet Kuvendi i LDK-së

Kah demokracia shkohet vetëm me mendësi dhe procedurë demokratike. Me një fjalë, mendoj se forumet vendimmarrëse partiake, duke respektuar me përpikmëri procedurat e ndërlikuara demokratike, statutin, dhe duke ofruar transparencë të jashtëzakonshme, duhej të kishin burrninë, jo si bëri Kryesia e po propagandon e paraqet Kryeziu, dhe si ekzekutonte Alush Gashi - që si akt të parë testi e sprove të shkarkojnë Dacin e rrënojnë diçka – por, si akt të parë të ndërtojnë konsensusin Rugovist mes fraksioneve, domethënë, të legalizojnë dhe bëjnë publike e transparente pretendimet e të gjitha fraksioneve brenda LDK-së, si dhe të identifikojnë publikisht bartësit e tyre. Paralelisht të arrihet marrëveshja në Këshillin e Përgjithshëm mbi rregullat dhe procedurat parazgjedhore si dhe ato zgjedhore të Kuvendit.

Bartësit e procesit nuk mund të jenë assesi anëtarët e kryesisë, si prejudikon Eqrem Kryeziu, e preferon Kolë Berisha me tarafin e tyre. Ngase këta keqpërdorën këtë periudhë 60-të ditore praptuese post-Rugoviste. Bartës të procesit zgjedhor duhet të jetë një trup i zgjedhur nga Këshilli i Përgjithshëm, e ku mund të ketë edhe dy tre përfaqësues të fraksioneve ekzistuese në Kryesi.

Ky Trup duhet të procedojë me procesin zgjedhor...i cili do të çojë deri te Kuvendi, deri te ndërrimet e nevojshme në statutin partiak (ku duhet të sforcohet edhe më shumë roli i Këshillit të Përgjithshëm, të themelohen Grupet Punuese për Anti Korrupsion (që nga nëndegët e deri në Kryesinë Qendrore), Grupet Punuese për Strategji zgjedhore, për Relacione publike, pastaj për Public Affairs dhe marrëdhënie me partitë simotra, ato europiane e amerikane, si dhe asociacionet europiane të partive, dhe kështu të shkohet deri në zgjedhjet partiake, të cilat pastaj do të japin udhëheqjen e parë të LDK-së Post-Rugoviste.

Ajo që lexova këto ditë se Dacin po e kandidoka kjo apo ajo Degë është krejtësisht e panevojshme...

Daci, si personalitet me më së shumti vota në Këshillin e Përgjithshëm, si njeriu të cilit Rugova i kishte besuar postin më të lartë shtetëror pas atij të Presidentit, si figura më mediatike dhe e profiluar e LDK-së, si pjesëmarrësi më kreativ i Real Politikës në LDK-në e 6 viteve të fundit, ka të drejtë ta kandidojë vetveten, siç bëhet në gjithë botë, dhe të shpalojë projektin e tij...E njëjta gjë vlen edhe për Lutfi Hazirin.

Kështu bëhet në gjithë botën, fraksionet nuk janë të mshefta e ilegale, përkundrazi, çdonjëra lobon për konceptet, qasjet dhe figurat e ndryshme ...

Vetëm kështu stimulohet dhe shpërblehet kreativiteti e puna në njërën anë, kurse elektoratit partiak i shpalohet një shumësi zgjedhjesh në një atmosferë krejtësisht kritike e transparente.

Vlerat identifikohen më lehtë, vetëm kur ke mundësi krahasimi...

Kjo është real-politikë dhe demokraci e mirëfilltë...Dhe këtu duhet gjetur shansi i riparimit dhe ngjitjes...krijimit të kritereve të sistemit të ri të vlerave, konform kërkesave të kohës.



Bardhyl Metaj, ka qenë Sekretar i Përgjithshëm i Degës së LDK-së në Zvicërr në periudhën, 1992-1995, si dhe përgjegjës për organizimin brendapartiak në vitet 1992-1996;

Ka qenë edhe Sekretar i Fondit të Tre Përqindëshit i emëruar nga Qeveria e Kosovës, prej vitit 1992 deri më 1996;

Në Konferencën e Degëve të LDK-ës për Europë, SHBA dhe Australi,, ka qenë Kryetar i Komisionit të Konkluzave;

Në periudhën 1992-1996 ishte edhe udhëheqës i Qendrës për Informim të LDK-ës për Zvicër;

Ka qenë, ndërkaq, Drejtor Ekzekutiv në disa shtëpi Botuese ndërkombëtare, si në Koncernin Bertelsmann Schweiz AG; në agjencitë për Relacione Publike: Tel-Express dhe në Emozio AG; Shef i Marketingut dhe Relacioneve Publike në shtëpinë Botuese Vogel Verlag AG, si dhe Drejtor Gjeneral në Car4you Internacional AG;