Flori - Press

Mire se vini ne faqen tone virtuale "Flori-Press" te moderuar nga stafi redaktues Flori Bruqi, Engjell Shehu,etj.

e diel, korrik 02, 2006

A do te behet Nexhat Daci president i LDK-se?

Kolumne personale

Daci – E ardhmja e tij?


Akademik Nexhat Daci, kryetari i parë i Kuvendit të Kosovës nën periudhën e administrimit ndërkombëtar, u ndrrue nga funksioni me vendim të Kryesisë së partisë së tij - LDK. Zavendësimi me Kolë Berishën u ba me arsyetimin se këte e kërkoi Zyra e Madhe ndërkombëtare në Kosovë, dhe se ky asht nji test demokratik të cilin duhet me e kalue me sukses Kosova. Gjithashtu thanë se kjo ka me ndikue që të vlersohen mirë standardet për Kosovën dhe se do të raportohet mirë në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkueme…

nga Ramush Tahiri


Krejt kjo ndodhi shumë papritun dhe pak kohë mbas vdekjes së Presidentit emblematik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, dhe pak ditë mbas zgjedhjes së presidentit të ri të Kosovës, Dr. Fatmir Sejdiu. Vet Nexhat Daci ishte shume i befasuem dhe krejt i papregaditun dhe kjo i ra sikur “Reja prej s’kfjellti” kur dy anëtarët e Kryesisë së Lidhjes Demokratike ia kumtuen kët gja. Daci veçsa kishte ardhë nga pushimi mjeksor dhe nga pushimi i merituem mbas gjithë atij organizimi që kishte ba për me e varros dinjitetshëm dhe si burrështeti Presidentin e parë të Kosovës, Ibrahim Rugovën.

Cilat ishin shejat e para?

Menjihere mbas vdekjes së Presidentit të Kosovës Dr. Ibrahim Rugova, Dacit i erdhën fjalët nga njerëzit e LDK se kishe familja e Rugovës nuk po e pranon në ngushllime, mandej nga shefi i nji Zyre Diplomatike u tha se familja e ka caktue nji anëtar të Kryesisë së LDKs për me folë në emnin e saj, mandej se familja Rugova don varrim privat, se kërkon nji muej, pak ma vonë thanë dy javë e plus nja dy zi kombëtare e plot kërkesa të tjera. Dacit iu refuzue dëshira që bile ditën e parë me qëndrue në hollin e Kuvendit në pritje të delegacioneve të hueja…
Ndërkohë, derisa baheshin homazhet për Presidentin e Kosovës, Kryeadministratori Petersen erdhi me ja dorëzue nji letër të mbyllun Dacit, me të cilën ia kishte përshkrue detyrat dhe kompetencat si President zavendësues derisa të zgjedhej Presidenti i ri. Daci nuk i pranoi bisedat për këte punë dhe refuzoi me e pranue letrën me fjalët:

- Ju jeni nën presion. Korniza Kushtetuese asht e qartë: zyra e ime asht ma e mirë dhe ma e aftë se e Jueja. Une i di kompetencat e mia, por nuk kam asnji aspiratë me e ushtrue detyrën e Presidentit dhe askund as nuk e kam deklarue e as nuk do ta deklaroj se jam tue i krye me automatizëm funksionet e Presidentit të Kosovës.

Arsyetimi i Petersenit ishte qesharak: Korniza Kushtetuese e përcakton se Kryetari i Kuvendit të Kosovës i ushtron funksionet e Presidentit të Kosovës vetëm kur ai mungon, por nuk thotë kurgja kur ai vdes - spjegonte Kryeadministratori.
- Le t’i ruejmë raportet e mira që i kemi dhe mos u shtyni ne veprimet që ju thonë të tjerët - e përmbylli Daci.
Të nesërmen letra e kthyeme dhe e pahapun u botue në nji gazetë ditore në faqen e parë.
Kjo gja dëshmonte se në letrën e Petersenit kishin punue edhe tre kosovarë, si i kishin thanë Dacit…
Ditën kur nisej ceremonia e varrimit të Presidentit, Havier Solana para Ekipit të Unitetit për Statusin e Kosovës e hapi çashtjen e zgjedhjes së Presidentit. Daci e mbylli.
- Kemi ditë zie. Rrespektoni traditat tona. Mbas kësaj me procedurë të rregullt do ta zgjedhim Presidentin e Kosovës.
Kështu ia bante edhe të gjithë të tjerëve që dojshin me e hapë kët çashtje…
Ma vonë Kryesia e LDKs, simbas amanetit që Presidenti Rugova ia paska pas lanë nji shefi të nji Zyre të huej, e propozoi Dr. Fatmir Sejdiun për Kryetar të Kosovës. Nexhat Daci për këte u informue prej mediave. Edhe ma herët ishte ba zakon që Dacin asnjihere mos me e thirrë në mbledhjet e Kryesisë së partisë, bile nuk e thirrshin shpeshhere as në mbledhjet e Grupit Parlamentar e as në ato të Degës të LDKs, ku e kishte bazën zgjedhore.
Si e kishte ba shprehi Daci, edhe në takimin e Ekipit të Unitetit me përfaqsuesin e SHBAve Frenk Visner, e lexoi fjalën e tij dhe në te ndër të tjera tha se i jep përkrahje të plotë kandidimit të Fatmir Sejdiut. Pas takimit Daci e njoftoi Visnerin se mbasi ka dëshirë që Presidenti të zgjidhet në raundin e parë, mbledhjen e Kuvendit të Kosovës do ta mbajë pak ma vonë, sepse Hashim Thaçi me disa deputetë të PDKs janë n’Austri dhe dojnë me marrë pjesë. Visner u pajtue me fjalët se vendi i tij ka besim në punën e Dacit. Ky propozim njizanit kaloi edhe në Kryesinë e Kuvendit, sepse kjo në ate kohë nuk ishte e lidhun me mbledhjen e KS të OKBs. E para mbasandej reagoi AAK, e ma vonë edhe partitë tjera dhe kërkuen që mbledhja të mbahej t’Ejten, e jo si kish kërkue PDK t’Hanën, sepse KS i OKB mbahej të Marten.
U nisë nji fushatë denigruese se kishe Daci paska thanë se KS të OKBs e njofton me faks për zgjedhjen e Presidentit.(Edhepse dihet se organet e përkohshme qeverisëse të Kosovës nuk e kanë të drejtën e komunikimit të drejtëpërdrejtë me OKBn, as me organizmat e tjerë ndërkombëtarë). Presionet i bani edhe Peterseni në Konferencë me Vetonin se kishe ma nuk po mujka me e shtye mbledhjen e KS të OKB, në të cilën ai asht thirrë si mysafir, se ate e paska pas shty për nji javë se u ka premtue me e zgjedh Presidentin e Kosovës.(Ai që e din si funksionon OKB, e din se mbledhja nuk shtyhet edhe me pas me u shpall pamvarsia e Kosovës, e jo ma me u zgjedh kryetari i saj).
Presioni tjetër erdhi nga Kryeministri Kosumi, i cili kërcnoi (pa e dijtë çka po i përgaditet atij!), se nuk shkon në Nju Jork nëse nuk mbahet mbledhja t’Ejten. Daci e thirri Kryesinë t’Ejtën dhe në marrëveshje edhe me Hashim Thaçin e caktoi mbledhjen për t’Premten. Kështu Kryesia prap njizani e ndrroi vendimin që e kish marrë dy ditë përpara.
Mbasi u zgjodh Presidenti i Kosovës me dy të tretat e votave, por në raundin e tretë, menjihere u aktivizue plani për me e hjekë Dacin nga skena politike. Me te edhe Kosumin si nji shpërblim që si Kryeministër i parë i Kosovës ishte kanë në Nju Jork. Ma shumë si thyemje e dinjitetit të përfaqësuesve të zgjedhun të Kosovës. Edhe kjo u ba simbas “amanetit të Presidentit Rugova”. Ekzekutuesit e LDKs njashtu si edhe ata të AAKs, i thanë shkurt: nëse nuk jep dorëheqje, të shkarkojmë në mbledhjen e Kryesisë që e kemi mbas dy orësh.
Pa marre dhe pa hezitim.
Daci për dallim prej Kosumit, qindroi dhe tha se nuk jep dorëheqje dhe se nuk mundet me kanë dëshirë e nji shteti të madh mik, heqja e tij. Kjo mbasi nuk asht qëndrim zyrtar mundet me kanë vetëm kërkesë e ndonji qytetari amerikan. Kryesia e LDKs, në praktikën e saj, pa prezencën e tij, e hoqi prej funksionit të Kryetarit të Kuvendit
Kur krejt dashamirtë e përkrahsitë pritshin që Daci ka me qindrue në mbledhjen e Grupit Parlamentar të LDKs, ai u ligshtue dhe nuk hyni në votim me arsyetim se nuk don me e përça LDKn. Po të kishte ba ndryshe, Daci do t’i kishte katërmbëdhetë vota, tue i llogaritë edhe shtatë që e përkrahën publikisht në mbledhje. Me këto vota do të ishte bllokue zgjedhja e Qeverisë së re të Kosovës…

Çka don me ba tash Daci?

Edhepse ligshtimit të Dacit i kishte parapri nji bisedë e gjatë në katër sy me shefin e Grupit Parlamentar, Alush Gashi, i cili e kishte zakon me i thanë, “Kurrë prej meje mos e ruej shpinën…”, e gjithë procedura e matutjeshme ishte shumë nënçmuese për te. Ate ditë në zyrat e tij e jo në hapsinat e zakonshme, u mbajtë mbledhja e Kryesisë. Ate ditë u zbrazë i gjithë kabineti, pa pranim-dorëzim ceremonial të detyrës ndërmjet dy kryetarëve, për me vazhdue mos me i dhanë asnji beneficion si ish-udhëheqës, edhepse të tjerët jo me dy mandate, por me tre muej mandate i gëzojnë beneficionet. Nisi me u tall prej Kolës: “Nuk kemi ligj për Kryeparlamentarin, sepse edhe vet jam i interesuem”; (ndërsa, ky prej fillimit i shfrytëzon dy automobila të blinduem dhe ka dyfish roje ma shumë se Daci), thotë “jam i vogël me u ulë në karrigën e madhe të automobilit të Dacit”; me shpif, “Daci nuk i ka kthye asnji përgjigje Auditit”, edhepse përgjigja asht në dokumentacionin e Kolës…
Mandej nisi me u tallë prej Eqremit: “Testi demokratik po ia mundëson Dacit me kalërue anembanë Kosovës…”
Katërshja e LDKs, jashtë procedurave, kërkoi me i shty zgjedhjet në LDK. “Për dy muej”, thanë. Jemi të zanë me çashtjet e statusit. Mbasi po shtyhen zgjedhjet lokale, nuk ka nevojë me i mbajtë ato partiake. T’i shtyejmë për dy muej e gjysë me i spjegue anëtarsisë ndryshimet dhe me pa a po i përkrah apo jo.”

Njohësit e rrethanave e dijnë se tash me ba me u thirrë Kshilli i Përgjithshëm i Lidhjes Demokratike, nuk ka kohë me u mbajtë zgjedhjet për Qershor. Nëse ato caktohen për Shtator, atëhere nuk ka kohë me udhëheqë fushatë gjatë muejve të verës, prandej duhet me u shtye për Nandor. Por në Nandor hapet çashtja e statusit dhe nuk ban me u marrë me probleme dytësore si janë zgjedhjet e partisë, prandaj këto zgjedhje duhet me u mbajtë simbas krejt rrethanave, në Mars të vitit 2007…

Autoritetet e Lidhjes Demokratike nuk dojnë as me e nda veçant zgjedhjen e Kryetarit. Bile ata me ekspertë të huej janë tue i ba ndryshimet në statut dhe në dokumentet programore të LDKs, për me mujt me ble kohë, por edhe me krijue rrethana të tjera konceptuale, sepse si thotë Kryeziu, “na kanë dhimbtë duert tue i duertrokitë autoritetit karizmatik”.
Ndërkohë Lidhja Demokratike mësohet me Nexhat Dacin përjashta saj. Disa mendojnë se mësohet edhe Daci dhe e humbë vullnetin. Llogarisin se në këte ka me i ndihmue edhe raporti i Auditit të jashtëm, i cili besojnë se ka me gjetë argumente për keqmenaxhim të financave të Kuvendit, ku ma shumë se gjysa shkojnë për financim të partive politike të cilat nuk i kontrollon Kuvendi. Mandej llogarisin se mbas Auditit mundet me hy Guardia di Finanza, dhe derisa ajo mos ta kryej punën, Daci nuk mundet me u kandidue në asnji funksion se nuk asht i pastër…
Për çudi, Nexhat Daci ma përpara nuk kishte asnji mospajtim apo mospërputhje me askend përmbrenda LDKs. Dhe e pati përkrahjen e sigurt të Presidentir Rugova. Edhe në kritikat e Surroit kundër Dacit për punën në Parlament, që i paraqiti në Ekipin e Unitetit, Rugova u përgjigj: “nuk jemi zavendsim i institucioneve…”

Dacit i mbetet me u nëpërkambë apo me marrë vendim dinjitoz

Njana zgjidhje lehtsuese do të ishte me u dorëzue. Si intelektual dhe akademik i dëshpruem dhe i moskuptuem, me iu kthye vetvetes e familjes. Me thanë faleminderës. Po i kthehem punës shkencore. Nëse ju nuk keni nevojë për mue, une edhe ma pak kam për juve. Nuk due me kanë bashkëpjesmarrës për ngjarjet që do të vijnë. Nuk kam luftue asnjihere për pozitë. Politikën e kam pasë ideal. Unë për punën e deritashme i jap llogari kohës dhe historisë. Nuk kam asnji veprim të damshëm e me pasoja për Kosovën dhe për popullin tim…
Nëse kjo ndodhë, atëhere pritet se ata që janë bashkë kundër Dacit në LDK, tash do të përlahen ndërmjet vedi. Përçamjet mosrrespektimi i procedurave demokratike, humbja e orientimit dhe e vizionit të qartë do ta denojshin LDKn në vota. Nëse në zgjedhje, kurdo që mbahen ato, LDK i merr 20-25 deputetë, nënkryetarët në nënqeshje do të thojnë: “Ky asht vullnet i sovranit popull. Kaq na ka vlersue. Boll kemi ndejt në pushtet. Në mandatin tjetër mundet me ndrrue përkrahja.” Populli mundet mos me dal në votime nëse tradicionalisht ka votue për LDKn, e tash nuk don me ia dhanë votën tjetërkujt.

Nexhat Daci edhe mundet me kalue në sulm. Me deklarue se ka përgjegjsi për LDKn dhe për popullin e Kosovën. Me ia nis fushatës. Jo si tash, me shkue në përkujtime e përvjetorë, por me i hy fushatës taman. Mos me folë ma vetëm për çashtje partiake, por edhe për ato të përgjithshmet. Me u deklarue për statusin e Kosovës, për bisedimet, për decentralizimin, për çashtjet ekonomike, për shkollimin, shëndetësinë… Pra, me dalë me nji platformë e program kombëtar dhe me shkue deri në fund. Jo me e përça partinë, por me e ruejt ate që e krijoi dhe e pati synim Presidenti Rugova. Thjesht por qartë: “Nuk ka bisedime për statusin e Kosovës. Nuk ka kompromis me vullnetin e popullit. Kërkojmë njohje formale të pamvarsisë nga shtetet individuale. Kosova do të jetë nji shtet normal si shtetet e tjera europiane me respektimin e të drejtave të njeriut dhe të drejtave kolektive të bashkësive të tjera etnike…” Vendosmënisht e pa frigë. Në këte udhë mundet që Daci nuk merr ma shumë se 15-20 deputetë, por ndoshta edhe ia rikthen shkëlqimin LDKs për ta përfundue së bashku me të tjerët misionin historik të pamvarsimit të Kosovës.
Nexhat Daci ishte i pari udhëheqës i Lidhjes Demokratike që vlerësoi luftën e UÇKs, që vizitoi Haradinajt, Jasharajt, që shkoi në tubimet përkujtimore edhe në Drenicë edhe në Dukagjin edhe në Karadak edhe në Qyshk… e çdokund tjetër. Këte ai e bani me kohë. Nga bindja e jo nga frika e as nga kalkulimet politike. E bani si vlersim të drejtë historik. Askund nuk lejoi t’i nëpërkambet Presidenti Rugova. Në Kuvend, nën udhëheqjen e tij, u morën shumë vendime të randësishme, u nxorrën disa Rezoluta, erdhën e folën diplomatë të nderuem, Presidenti i Kosovës mbajti fjalën e tij vjetore… të gjitha këto u kryen me sukses dhe i dhanë Kuvendit të Kosovës vendin kyç në vendimarrje dhe në vendosje të fatit të Kosovës.

Çka mundet me ndodh?

Mundet me ra Qeveria. Ka shumë mënyra me e futë në votëbesim. Këte tash nuk po e ban opozita, e cila ma përpara pengesën për me ardhë në pushtet e shifke te figurat e Rugovës dhe Dacit, porse tash prej Zyrave nuk po guxon me u ndie. Ban shumë zhurmë, por nuk ka asnji veprim as procedural. Mirëpo, në Qershor mundet me ndodh që e ndrron mendjen.
Mundet që edhe Behxhet Pacolli me partinë e tij me tërhjek deputetë dhe me krijue Grupin e ri parlamentar. Shtatë deputetë i nevojiten me u ba faktor e mos me i pritë zgjedhjet mbas nji vjeti. E bile me e rrxue edhe tash Qeverine e Kosovës.
Nji tjetër mundësi asht me vendos Kryeministri me i hjek ministrat. Këte nuk e ban para decentralizimit, por ma vonë edhe mundet me e ba. Edhe nëse e rrezikon Qeverinë, sepse ai llogaritë se edhe në Qeverinë teknike do ta mbajë postin e njejtë.
Gjithashtu në Kosovë munden me ndodhë trazina, si mospajtim i thellë e i arsyshëm me procesin e decentralizimit dhe me procesin e negociatave për statusin e Kosovës, i cili ma në fund do të kuptohet se nuk do të jetë pamvarësi e plotë. Kosova e lirë, shtet i pamvarun e sovran. Në këtë rast udhëheqja do të dilte e papërgjegjshme dhe e delegjitimueme. Do ta humbte edhe përkrahjen ndërkombtare. Zgjidhja atëhere kishte me qenë Qeveria teknike gjithëpërfshmse.
Pyetja kryesore mbetet: a mundet me u konsolidue Lidhja Demokratike e Kosovës?
A do të jetë edhe në të ardhmen partia kryesore, apo LDKja do të humb përkrahjen dhe do të zvoglohet. Apo ndoshta edhe do të frakcionohet apo do të ndahet. Dhe ma në fund, shtymja e zgjedhjeve do t’i ndihmojë procesit të konsolidimit apo humbjes së besimit në Lidhjen Demokratike?
Largimi i Dacit a do ta forcojë apo do ta zbehë imazhin dhe ndikimin e LDKs, dhe Kosova a ka nevojë për nji parti të madhe si ishte LDKja, apo ka nevojë për tri parti pak a shumë të barabarta, që detyrohen në kompromis e bashkëqeverisje?
Dhe, cili asht orientimi i Zyrave dilpomatike në Kosovë: me e forcue apo me e dobësue LDKn? Dhe ORAn. A u nevojiten Zyrave partnerë në Kosovë apo zbatues.
Kjo deri në fund të Qershorit do të shihet. Me dronë reale se a do të mund kontrollohen proceset.