Flori - Press

Mire se vini ne faqen tone virtuale "Flori-Press" te moderuar nga stafi redaktues Flori Bruqi, Engjell Shehu,etj.

e shtunë, korrik 01, 2006

Cka po ndodhe me LDK-ne?

Cilët janë skenarët që po tentojnë ta shkatërrojnë LDK-në

Surroi, ky “virus” i rrezikshëm për LDK-në e Kosovën

Ose: deri ku ka arritur skenari i Veton Surroit për të shkatërruar LDK-në, partinë më të madhe në Kosovë? Pse në shpirtvogëlsinë e tij, Veton Surroit edhe më tutje ka urrejtje për presidentin Rugova dhe pse presidenti Sejdiu duhet të distancohet nga “lëvdatat” e Surroit që i bën atij, pse Nevat Halili deklaron se për rastin e tij kanë qenë të njoftuar edhe Presidenca e Kosovës, Kuvendi, Qeveria përveç Veton Surroit?

Shkruan: Bajrush MORINA

Në historinë e zhvillimeve të viteve 90-ta dhe të fillim shekullit njëzet, do të mbetet e shkruar një fenomen i veçantë i lëvizjes politike në Kosovë. Një parti politike do të arrijë të homogjenizojë 99% të shqiptarëve të Kosovës në lëvizjen për liri, demokraci e pavarësi. Kjo lëvizje politike apo kjo parti politike do të udhëhiqet për më shumë se 16 vjet nga një lider i pakontestueshëm. Kjo lëvizje politike quhet Lidhja Demokratike e Kosovës, ndërkaq lideri i saj dr. Ibrahim Rugova.
Presidenti Ibrahim Rugova dhe Lidhja Demokratike e Kosovës janë fenomen historike politik për shumë arsye. Më kryesorja është se për më gati dy decenie edhe dr. Ibrahim Rugova edhe LDK-ja ishin në krye të të gjitha proceseve politike e institucionale në rrugëtimin e Kosovës për liri, demokraci e pavarësi. Dr. Ibrahim Rugova dhe LDK-ja u votuan dhe u zgjodhën me shumicë absolute të verdiktit të popullit në të gjitha zgjedhjet para, gjatë dhe pas luftës. Dr. Ibrahim Rugova ka qenë president i parë i zgjedhur me votën e lirë të popullit të Kosovës, para luftës. Ai është zgjedhur president i parë, me votën e lirë të popullit të Kosovës, në e Kosovën e çliruar të pasluftës. Lidhja Demokratike e Kosovës është partia e vetme shqiptare e Kosovës e cila ka fituar në të gjitha zgjedhjet e mbajtura në Kosovë, para luftës, gjatë luftës dhe në 4 palë zgjedhjet e mbajtura në Kosovën e çliruar të pasluftës.
Këto fitore të dr. Ibrahim Rugovës dhe LDK-së janë të një rëndësie të veçantë për faktin se edhe lideri Rugova edhe partia politike LDK-ja janë sfiduar në format më të egra e më të dhunshme nga regjimi serb dhe në format më të ulëta dhe më të ndyta nga një spektër politik i Kosovës. Por, as dr. Ibrahim Rugova e as LDK-ja nuk janë ndalur, nuk janë frikësuar dhe nuk janë dorëzuar përballë këtyre furtunave të egra policore e politike.
Surroi “ndërron dhëmbët” por nuk e ndryshon gjuhën!

Veton Surroi i ka munguar skenës politike të Kosovës, për disa javë. Arsyeja ka qenë shëndetësore: ai ka ndërruar apo ka rregulluar dhëmbët!

Por, Surroi nuk ka ndërruar vesin e tij të njohur politik e gazetaresk: sulmet dhe përgojimet e herëpashershme të presidentit të Kosovës dr. Ibrahim Rugovës. Një shkrim i botuar më 28 qershor në “Kohën ditore” ka nxjerrë në pah edhe njëherë “helmin” patologjik që Veton Surroi ka në shpirtvogëlsinë e tij, ndaj dr. Ibrahim Rugovës. Përmes një letre lamtumirës që i dërgon Soren Jessen Petersenit, në shkrimin e tij të titulluar “Mandati i dy presidentëve”, Veton Surroi, prej fillimit e deri në fund e ka në shënjestër dr. Ibrahim Rugovën. Ai i rikujton z. Petersen takimin e parë me dr. Rugovën, me njeriun, siç shkarravit Surroi “… i cili po e humbiste kontrollin e pushtetit, qoftë ai edhe i quajtur moral”, i cili “me vite të tëra përsëriste refrenin për njohjen formale të pavarësisë”. Surroi do t’i rikujtojë z. Petersen se dr. Rugovën “…do ta takojë pas luftës, tashmë kryetar i zgjedhur i vendit, si njeri i cili u rikthye në pushtet, sepse populli i frikësuar nga arrogance e revolucionarëve të rinj”. Surroi do të vazhdojë të përqeshë edhe më tutje dr. Ibrahim Rugovën duke e quajtur butësinë e paraqitjes së tij si “kurth”, si “paraqitje të varfër”, se njeri që është “…njëkohësisht kryetar Partie edhe kryetar Shteti, edhe pse as partia e as Shteti nuk ishin tamam për t’u shprehur me shkronja të mëdha”, se “..ai (Rugova) do të tërhiqej nga Partia, ndonëse jo Partia nga ai” se kjo “idile” do të vazhdonte edhe më tutje sikur të mos ishin ngjarjet e marsit të vitit 2004.
Këto vlerësime e mendime të ndyra nga goja e lapsi i Surroit kemi pasur rastin t’i dëgjojmë e t’i lexojmë edhe herëve të tjera. Por, se këto kundërmime të tilla mund t’i përjetojmë edhe tash, pas vdekjes së presidentit Rugova, kjo është për të ardhur keq për shpirtvogëlsinë e tij të zymtë, të mjerë e plot urrejtje.
Në këtë shkrim, Veton Surroi përdor stilin e tij armiqësor “Divido et impera!”. Ai përkujton, z. Petersen se “..në fund të kësaj jave do të përcjellë si shef shteti, kryetari i Kosovës Fatmir Sejdiu. Kur mbërrite në Kosovë u prezantove fillimisht te kryetari i Kosovës, dr. Ibrahim Rugova. Ndryshimi për këto dy vjet është epokal, dhe ky, ndonëse i lidhur me fatin përfundimtar biologjik të njeriut, vdekjen, është i lidhur edhe me atë se si u menaxhuar periudha pas vdekjes”. Kjo fjali, ndonëse në përbërje duket shumë e ngatërruar, në përmbajtje ka të njëjtën përbërje helmuese të gjuhës së Surroit kundër dr. Rugovës. Prandaj është në nderin kryetarit të Kosovës, dr.Fatmir Sejdiut që të distancohet nga kjo “lëvdatë” e hetueshmë e Surroit që ka për kreytarin Sejdiu që shprehet më fjalët për “ndryshime epokale” që lidhen me “fatin biologjik –vdekjen” e presidentit Rugova dhe me mënyrën e menaxhimit të përiudhes së pas vdekjes. Kryetarit Sejdiu nuk i duhen “lavdet” e Surroit, të shprehura në të njëjtin artikull në të cilin tentohet të përgojohet me fjalorin më të ndotur e më të ulët, personaliteti i dr. Ibrahim Rugovës.
A është Nevzat Halili një “mashë e Surroit” kundër LDK-së?

Arrestimi i Ahmet Alishanit, këshilltar për siguri i ish-krye parlamentarit Nexhat Daci, është bërë një nga “top temat” e kësaj jave të nxehtë politike në Kosovë. Madje RTK-ja, ky institucion “i pavarur” e “100% i Kosovës” e fillon ditarin e lajmeve kryesore me këtë ngjarje duke lënë nën hije takimet dhe vizitat e rëndësishme të kryetarit Sejdiu dhe të kryeministrit Çeku në Kosovë dhe jashtë saj.
Duke mos tentuar që të sqarojmë “rastin Alishani” për arsye se është Gjykata ajo që do të thotë fjalën përfundimtare. Por, koha, momenti si dhe dëshmia e iniciuar dhe deklaratat “kontraverze” të thëna nga Nevzat Halili, japin dyshime për implikimet e porositura politike në këtë rast. Dhe këto implikime, në instancë të fundit kanë prejardhjen e “klanit” apo “qendrës koordinuese” të Veton Surroit.
Halili, i arrestuar nga KFOR-i për implikime në “aktivitete terroriste” më vitin 2003, në një prononcim të tij për “Kohën Ditore”, ka nxjerrë në sipërfaqe gjithë prapavijën politike të kësaj ‘afere”. “Për punën e dhënie-marrjes së 20 mijë eurove e kanë ditur të gjitha partitë e Kosovës, Presidenca, Kuvendi, edhe njerëzit e Qeverisë, përveç Veton Surroit”. Veçimi i emrit të Veton Surroit, sipas Halilit, jep të kuptojmë se të gjithë “kanë faj” vetëm Veton Surroi jo! Nevzat Halili, megjithëse deklaron se “ky denoncim nuk ka të bëjë me politikë”, fakti se ai e ka iniciuar çështjen në prokurori vetëm dy ditë para skadimit të afatit të mundshëm ligjor, se këtë inicim e ka bërë gati 3 vjet pas kohës kur janë dhënë paratë si dhe përpjekja për të implikuar në këtë rast njerëz nga Presidenca, Kuvendi e Qeveria e Kosovës, e mbi të gjitha përjashtimi nga ky implikim i Veton Surroit, të bën të dyshosh në qëllimin e pastër personal të Halilit, gjegjësisht në skenarin e tij politik, të hartuar dhe të dizajnuar nga Veton Surroi. Fundja, pse Nevzat Halili i përmend njerëzit nga të gjitha Institucionet e Kosovës dhe pse e veçon vetëm Veton Surroin? A thua Nevzat Halili paska qenë “personaliteti” më i rëndësishëm në trojet shqiptare më vitin 2003, prandaj paskan qenë të informuar për rastin e tij edhe njerëzit e Presidencës (në kohën e dr. Ibrahim Rugovës) edhe njerëzit e Kuvendit të Kosovës ( në kohën e akad. Nexhat Dacit) edhe njerëzit e Qeverisë së Kosovës (përmendet emri i ministrit Lutfi Hazirit)??? Cila është e vërteta e dhënies së këtyre parave dhe pranon dikush të marrë ryshfet duke u nënshkruar në letër me të dhënat e sakta për shumën e parave dhe për numrin serik të parave? Deri më tash dihet se në aferat e ryshfeteve e korrupsioneve nuk ka nënshkrime e letra! Askush deri më tash nuk ka pranuar që me vetëdije të plotë “të korruptohet me letra”. Prandaj pse paska pranuar një gjë të tillë Ahmet Alishani? Cili ka qenë destinacioni i fundit i këtyre mjeteve, të cilat i ka pranuar Alishani dhe për të cilat ka vënë nënshkrimin e tij në letrën me të cilën argumentohet dorëzim-pranimi i këtyre mjeteve?
Për këto dhe pyetjet e tjera duhet të përgjigjet vetë Nevzat Halili në seancat eventuale gjyqësore që ndoshta do të mbahen rreth këtij rasti.

Shfletimi i historisë

Si e njoha Sali Çekun?

Ai që i pari e shkroi Statusin e komunës së Deçanit në bazë të Kushtetutës së Kaçanikut dhe ai që i pari e theu kufirin Shqipëri – Kosovë, ka vetëm një emër: Sali Çeku!

nga Bajrush Morina

Takimi në Deçan…

Me njeriun që hartoi i pari Statutin e komunës në bazë të Kushtetutës së Kaçanikut dhe me komandantin legjendar të Betejës së Koshares jam takuar dy herë. Herën e parë në Deçan dhe herën e dytë në Shtutgard të Gjermanisë.

Ishte fillimi vitit 1991. Një grup intelektualësh e juristësh të Deçanit kishin hartuar dokumentin e parë për funksionimin e komunës në bazë të Kushtetutës së Kaçanikut. Ishin disa veta që kishin marrë pjesë në hartimin e Statutit të komunës së Deçanit, por ishte vetëm një emër që më së shumti përmendej. Ishte Sali Çeku.

Në një zyrë të një avokati (kërkoj falje se nuk më kujtohet emir i avokatit) në rrugën që qon drejt manastirit të Deçanit, Sali Çekaj më jep një kopje të këtij statuti. Më pas kjo punë bëhet “e madhe” në gazetën javore “Zëri” ku punoja. Mbase, nuk është momenti që të them një “fshehtësi” të asaj kohe, por disa prej atyre emrave që kanë marrë pjesë në hartimin e këtij statute, me t’u publikuar emrat e tyre në gazetë, erdhën në redaksi dhe kërkonin të bënin një reagim. Ishte Sali Çekaj ai që nuk pendohej për punën dhe fjalët që kishte thënë. “E vërtetë është, ne e kemi hartuar Statutin e komunës së Deçanit në bazë të Kushtetutës së Kaçanikut”, thoshte i vendosur Sali Çeku. Më pas Salihun nuk e kam takuar në Kosovë.

në Shtutgard të Gjermanisë dhe…

”Eja të prezantoj me një njeri të urtë e të mençur! Është Sali Çeku, prej Deçanit!’ Kështu më ka folur në maj të vitit 1993, i ndjeri dhe i madh Azem Shkreli, në një takim me bashkatdhetarët tanë në Shtutgard të Gjermanisë. Nga dëshira që ta takoj edhe në dhe të huaj këtë burrë të urtë e të qetë dhe nga kërshëria që të “provokoja” kujtesën e Sali Çekajt, u bëra sikur nuk e njoh Salihun. “Fshehtësinë” e njohjes tonë e zbuloi vetë Salihu. “Ne njihemi prej Kosove”, i tha Salihu, Azem Shkrelit.

Më pas kam qenë tepër i nderuar që të jem mes dy burrave të mëdhenj të Dukagjinit që tash janë heronj të Kosovës. Njëri është i penës e tjetri i pushkës. Azem Shkreli e Sali Çeku.

…në pritje të një takimi të ri me Sali Çekun!

I gjetur përballë furtunës së soldateskës serbe, derisa Sali Çeku bënte luftë për të thyer kufirin e ndarjes Shqipëri-Kosovë, si gjysma e popullit shqiptar të Kosovës edhe unë me familje deportohesha me dhunë nga kufijtë e Kosovës. Nën strehën e një cerade të UNHCR-it, kam marrë lajmin më të hidhur për atë kohë. Lajmin për rënien e Sali Çekut në Koshare.

Dikush është i madh në jetë, dikush ka të madhe vdekjen.

Sali Çekaj ishte i madh në jetë, të madhe sa bjeshkët e Koshares ka edhe rënien.

Shkoni në Koshare nëse dëshironi të takoheni me komandant Sali Çekajn. Ai atje ka jetën, veprën dhe rënien e tij madhështore. Ai nuk banon në Prishtinë, në Deçan. Nuk është deputet i Parlamentit e as ministër i Qeverisë. Sali Çekaj është pjesë e historisë së lavdishme të luftës për liri e pavarësi.

Sa i madh është sot Sali Çekaj! Lum ai për jetën! Lavdi për rënien!