Flori - Press

Mire se vini ne faqen tone virtuale "Flori-Press" te moderuar nga stafi redaktues Flori Bruqi, Engjell Shehu,etj.

e shtunë, korrik 01, 2006

Astrit Baruti:Katër musketarët e LDK-së!

Aktualiteti në LDK

Katër musketarët e LDK-së!

A duhet që LDK të mbahet peng e disa situatave në të cilën mund të ndodhet katërshja e madhe? A duhet LDK-ja të mbahet peng e dëshirës së katërshes që status quoja të vazhdojë?

Nën udhëheqjen e re apo nën udhëheqjen e kryesisë së kryesisë, siç do thoshte Eqrem Kryeziu, apo nën udhëheqjen e katër musketarëve, siç do të thoshte Naim Jerliu, menjëherë pas mbledhjeve “historike” të kryesisë me 8 mars 2006 ku u vendos për ndryshime substanciale në institucionet e Kosovës, kryesia e LDK-së sikur ka rënë në një gjumë të mospunës. Nëpërmjet faqes rugova.net opinioni brenda LDK-së tashmë është mirë i informuar për shprehinë e re të kryesisë së LDK-së, shprehin e anulimit të mbledhjeve të kryesisë. Arsyetimet janë nga më të ndryshmet e deri te më i shpeshti se anëtarët e lartë të kryesisë nuk kanë kohë të lirë.

Opinioni brenda LDK-së me të drejtë pyet se çka po ndodhë kështu dhe cila është arsyeja e ndryshimit të ritmit të punës së kryesisë së LDK-së? Duke u nisur në parimin e logjikës së shëndoshë, një nga arsyet më të natyrshme mund të merret mosdëshira e udhëheqjes së lartë që të ballafaqohet me problemet e grumbulluara e sidomos me kërkesën për mbajtjen e zgjedhjeve. Ky konkludim është më se real dhe i prekshëm, por në këtë histori ekziston edhe një motiv tjetër i cili është i natyrës praktike por edhe rezultat shprehish të grumbulluara. Me kalimin në detyrën e re, z.Kolë Berisha ka edhe obligime shtetërore dhe si rezultat i kësaj angazhimi i tij partiak ka rënë dukshëm, z.Fatmir Sejdiu ka obligime presidenciale dhe as që mund të pritet që të merret me probleme konkrete të partisë, z. Naim Jerliu nuk shquhet për ndonjë forcë konkrete motorike brenda partisë kurse nënkryetari i parë, i cili edhe është lansuar si “shefi i ri” i partisë dhe që nga disa ndërkombëtar cilësohet si aktualisht njeriu kryesor në LDK, z. Eqrem Kryeziu pjesën më të madhe të kohës e kalon në Prizren dhe nuk e ka fort dëshirë që të udhëtojë shpesh në Prishtinë. Me fjalë të tjera, ashtu siç dikur thoshte Eqrem Kryeziu, LDK-ja është një livadh pa të zot.

Në udhëheqjen e tij si Kryetar i degës së LDK-së në Prizren. z.Eqrem Kryeziu karakterizohet me stilin e tij të bazuar në premisën se “kryetari nuk mund t’i bëjë të gjitha”. Kjo premisë është një thënie shumë e qëlluar filozofike por implementimi në praktikë karakterizohet me situatat në të cilat kryetari nuk merr pjesë në mbledhjet e kryesisë së degës, por aty vjen vetëm kohë pas kohe dhe atë për të komunikuar ndonjë vendim të rëndësishëm ose për të elaboruar ndonjë çështje. Një formulë e tillë e udhëheqjes mund të jetë e mirë në menaxhimin e një dege të LDK-së, por assesi nuk mund të aplikohet në menaxhimin e LDK-së si tërësi.

Tani, ta bëjmë një përmbledhje detajesh; largësia nga Prishtina e z.Kryeziut dhe shprehia e tij e mospjesëmarrjes në mbledhje, obligimet shtetërore (mbase edhe të arsyeshme) të z.Berishës dhe z. Sejdiut si dhe mungesa e fuqisë politike të z. Jerliut... të gjitha këto mund të jenë tema debati në ndonjë forum intelektual rreth ndonjë problemi teorik “të asaj se çka mund të ndodhë në një parti të madhe kur ajo menaxhohet keq”, por kjo nuk duhet të lejohet që assesi të ndodhë në LDK.

Është interesante të kujtohet se muaj më herët, zëra nga brenda LDK-së, disa publikisht e disa fshehtazi në bisedë me ndonjë mik ndërkombëtar, e fajësonin Presidentin Rugova për mungesë demokracie të brendshme si dhe për mos krijim të hapësirës së nevojshme që kryesia e LDK-së ta kryente misionin e vet. Me të drejtë pyesim? Kush njëmend ishte fajtori? Me të drejtë pyesim, se a ishte e tërë kjo vetëm një luftë e mjerë që të vihet në situatën e ditëve të sotme ku do të etablohej dhe fuqizohej udhëheqja kolektive dhe jeta e saj të stërzgjatej përtej çdo norme statusore dhe përtej çdo vije të durimit.

A duhet që LDK të mbahet peng e disa situatave në të cilën mund të ndodhet katërshja e madhe? A duhet LDK-ja të mbahet peng e dëshirës së katërshes që status-quoja të vazhdojë? A duhet LDK-ja të shndërrohet në një laborator eksperimentesh dhe testesh sipas tekeve të katër musketarëve dhe miqve të tyre? Assesi jo! Udhëheqja kolektive e stilit të shokut Tito, siç do thoshte dikur z. Eqrem Kryeziu, duhet të marrë fund dhe t’i lëshojë rrugë demokracisë. Nëse kryesia nuk është në gjendje që ta përmbushë misionin e vet, atëherë duhet të mendohet për alternativa tjera të parapara me statutin e LDK-së.

(shënim - Musketarët ishin roje mbretërore mesjetare në Francë. Janë të njohur për atë se lojaliteti dhe misioni i tyre ishte për njëri tjetrin dhe jo për të tjerët)

Astrit Baruti