Flori - Press

Mire se vini ne faqen tone virtuale "Flori-Press" te moderuar nga stafi redaktues Flori Bruqi, Engjell Shehu,etj.

e diel, qershor 04, 2006

Trupa ndërkombëtare në kosovë

KFOR thotë se do të rivendoset në bazën e saj në veri të Kosovës.


Forca paqëruajtëse e NATO-s ka konfirmuar se do të rivendoset në bazën e saj në veri të Kosovës, afër kufirit me Serbinë. Zyrtarë të KFOR-it thanë se kjo bëhet për arsye operacionale.

Zëdhënësi i KFOR-it, koloneli Pio Sabetta përjashtoi mundësinë që rivendosja e trupave paqëruajtëse në veri të Kosovës të ketë lidhje me procesin e zgjidhjes së statusit të Kosovës.

I pyetur përse është marrë një vendim i tillë ai tha: "Sepse ne e shohim nevojën për të pasur më shumë fleksibilitet në këtë zonë, prandaj ne planfikojmë të shfrytëzojmë njërën nga bazat që është mbyllur, por kjo nuk është e lidhur me asnjë situatë në veçanti", tha koloneli Pio Sabetta.

Nga ana tjetër, diplomatë anonimë citohet të kenë thënë se "nëse Kosova bëhet e pavarur, mund të ketë lëvizje të njëanshme nga ana e serbëve për ndarjen e Kosovës".

KFOR-i është tërhequr nga baza ushtarake në veri të Kosovës para disa vitesh, por trupat paqëruajtëse kanë qenë të pranishëm atje me ekipe lëvizëse.

Zëdhënësi i forcës paqëruajtëse të NATO-s në Kosovë, koloneli italian Pio Sabeta thotë se KFOR-i vepron njësoj në tërë territorin e Kosovës.

"Ajo që dua të theksoj dhe e kam thënë edhe më herët është se KFOR-i nuk është ndalur asnjëherë së vepruari në veri të Kosovës dhe ne nuk e konsiderojmë pjesën veriore ndryshe nga pjesët tjera.
Ne veprojmë në gjithë territorin e Kosovës", deklaroi ai.

Vendimin e KFOR-it për t'i rivendosur në pjesën veriore të Kosovës, zonën më të trazuar të vendit, e ka mirëpritur qeveria e Kosovës.

Zëdhënësja e qeverisë Ulpiana Lama ka thënë se "ky vendim demonstron përkushtimin e KFOR-it për ta ruajtur sigurinë dhe kontrollin e kufinjëve, veçanërisht në kohën kur Kosova po kalon në procesin e zgjidhjes së statusit të saj".