Flori - Press

Mire se vini ne faqen tone virtuale "Flori-Press" te moderuar nga stafi redaktues Flori Bruqi, Engjell Shehu,etj.

e diel, qershor 04, 2006

Sa i mprehtë është 'largimi i trurit'?

(BBC)

Mijëra ekspertë largohen nga vendet e tyre çdo vit
Kohë më parë në Londër u zhvillua një konferencë ndërkombëtare ku u diskutua fenomeni i largimit të trurit nga vendet më pak të zhvilluara.

Mijëra akademikë dhe ekspertë largohen nga vendet e tyre çdo vit në kërkim të një jete më të mirë në Evropën Perëndimore apo Amerikën e Veriut.

Më i mprehtë ky problem është në Afrikë, ku vlerësohet se 30% e të gjithë të diplomuarve largohen nga ky kontinent.

Konflikti i armatosur në ish-Jugosllavi, po ashtu, bëri që edhe shumë pjesëtarë të kësaj kategorie të largohen nga vendlindja.

Shkollimi i një individi deri në përfundim të universitetit i kushton shumë një shoqërie, prandaj pjesë e debatit është edhe çështja nëse këto vende duhen kompensuar.

Përfaqësues të Sindikatës së Lektorëve Britanikë që organizuan konferencën në Londër, thonë se është e rëndësishme që këta ekspertë të kthehen në vendet e tyre pasi të jenë kualifikuar më shumë në Britani apo vende të tjera.

Po ju çfarë mendoni për fenomenin e largimit të trurit?

A jeni vetë personalisht i prekur nga kjo dukuri?

Si mendoni se mund të frenohet largimi i inxhinierëve, profesorëve apo mjekëve nga vendi juaj?

Na shkruani në adresën tonë të e-mailit: albanian@bbc.co.uk

Mendimi juaj

Është e natyrshme që të ikësh nga një shoqëri si ajo shqiptare e cila udhëhiqet (jo vetëm sot) nga njerëz që politikën e shohin vetëm për përfitime personale...Është turp që në shqipëri njerëzit e veshur me pushtet, shetisin me makina qindra mijëra euro, ndërsa po të vizitosh laboratorët e fakulteteve të Tiranës të duket sikur je në shekullin XVIII...
Donat Arbanasi, Zarë, Kroaci

Po jam personalisht i prekur nga kjo dukuri. Largimi i trurit bëhet sepse në vendet e prekura, korrupsioni dhe pasiguria e jetës nga kriminaliteti është shumë i madh. Po ashtu, është e pamundur të gjesh rrugë për të ecur përpara me dijen dhe punën tënde. Pa një përkushtim të qeverisë dhe vendit për ta bërë më të mirë jetën e trurit (inteligjencisë), kjo dukuri nuk do të pushojë së ekzistuari.
Astrit Selimi, ShBA

Unë mendoj që kjo pjesë e shoqërisë në një vend jo shumë të zhvilluar ndoshta moralisht është shumë e vrarë nga momenti që merr vendimin për t'u larguar nga vendi i tyre, por arsyet janë politike dhe ekonomike, mendoj unë. Politike sepse ndoshta ata nuk janë të lirë që të shprehin vullnetin dhe pasionin e tyre të lirë 100% dhe më kryesore janë arsyet ekonomike. Këta njerëz janë e ardhmja e çdo shoqërie dhe si të tillë ata duhet që të kenë të ardhura të mjaftueshme të përballojnë mënyrën e jetesës në vendet ku ata jetojnë. Mendoj se nëse secili prej këtyre njerëzve do t'i kishte këto dy faktorë, askush nuk do ta merrte mundimin që të largohej nga vendi i tij...
Andon Diamanti, Britani e Madhe

Kur truri i një shteti largohet në mënyrë masive nga nje shtet për një jetë më të mirë, atëherë mendoj se ajo është një shenjë e papjekurisë te ajo shtresë që ne po e quajmë truri i një vendi. Për të parandaluar këtë fenomen duhet që qeveritë të ballafaqohen me këtë problem me një seriozitet më të madh. Po si do të ballafaqohen dhe a do të kenë sukses, kjo është një pikëpyetje shumë e madhe pasi edhe vetë ato janë pjesë e atij truri të papjekur. Pra, duhet një kohë më e gjatë që kjo shoqëri të piqet dhe të rreket me këtë problem që është tragjikomik!
Violeta Syla, ShBA

Fenomeni i largimit të trurit është i gabuar sepse në vende të pa zhvilluara, nëse truri largohet nga vendi, si mund të funksionojë një shtet pa njerëz të ditur. Unë vet jam personalisht e prekur, sepse unë u detyrova ta braktis vendin tim prej dhunës. Mua më detyroi lufta të largohem. Duke e vlerësuar punën e tyre dhe duke stimuluar, truri nuk e braktis vendin lehtë sepse ai është i lidhur ngusht me vendin e tij.
Bora Gojani, Nju Jork

Sipas mendimit tim, largimi i inxhinierëve nga vendi vjen si rezultat i standardit të dobët. Edhe nëse gjejnë punë ata prapëseprapë nuk mund t'i kenë të ardhurat që i marrin në Perendim...
Kushtrim Halili, Kosovë

Tubimi i trurit në një vend do të thotë bashkim i intelegjencisë në zbulime më të mëdha. Mendoj se bashkimi i trurit në një vend është më i mirë se të jetë i shkapërderdhur.
Sherif Kastrati, Prishtinë

Kjo dukuri do të vazhdojë përderisa ekziston mundësia për gjetjen e një jete më të mirë.
Zeqir Amza, Emiratet e Bashkuara

Unë jam një nga ata që besoj se mund t'i vleja mjaft vendit tim. Jetoj dhe punoj në ShBA. Pak kohë më parë kam punuar për dy kompani elektronike të cilat më paguanin sa çmerr ndoshta i gjithë kabineti qeveritar në Shqipëri, së bashku. Tani kam hapur biznesin tim në fushën e elektronikës. Mendoj se janë dy shkaqe:- 1) Pafuqia ekonomike për të shpërblyer realisht trurin në vendet ne zhvillim dhe - 2) Preferenca politike e shtetarëve (që vendos në rastin më të mirë në vend të dytë aftësitë e talenteve) gjë e cila është tipike të paktën për Shqipërinë e sotme. Sigurisht që ndjej dhembje të madhe.
A.Gjyshja, ShBA

Në vendin tim nuk do të ketë largim të trurit vetëm atëherë kur politika të mos prostituojë mbi kushtetutën...
Patriot Demokrati, ShBA

Nëse paga e personave të specializuar është e mjaftueshme për nevojat mesatare të jetës nuk do të ndodhte kështu!
Asije Ramadani, Tetovë

'Të iku truri u fike, të erdhi truri u ndrite'!

Nuk po flasim për çmenduri, por për një problem shumë më të madh. Po flasim për diçka që e bën çmendurinë të pariparueshme. Shqipërisë i ka ikur një pjesë e trurit dhe kjo është shumë negative, por ajo nuk është fikur, pasi një pjesë tjetër e mirë, e trurit të saj, brenda në Shqipëri, po punon shumë dhe me ngulm, për një Shqipëri më të begatë. Jo vetëm ngaqë jam një optimist, por me të vërtetë parashikoj që në të ardhmen, nga pjesa e atij truri që është larguar nga tokat shqiptare, një pjesë e mirë e tij të rikthehet, por kësaj radhe edhe më i ndritur se çka ishte më përpara kur u largua nga vendi, pasi truri që po kthehet dhe që do kthehet do të jetë më i stërvitur, më i edukuar, më i rrahur dhe me eksperiencë perendimore. Në këtë parashikim, ndjej që do të vijnë ditë shumë më të mira, jo vetëm për Shqipërinë dhe Kosovën, por edhe për vise të tjera ku banojnë shqiptarët. Kështu për shembull, bashkë me pavarësinë e saj të merituar, Kosovës do t'i kthehen shumë nga më të mirët dhe më të mirat e saja, biznesmenët e saj, truri i saj. Ndërsa Shqipërisë, me integrimin e saj në NATO dhe BE, do t'i kthehet jo vetëm truri, por edhe turistët. Shqipëria do të bëhet "Spanja e Re" në juglindje të Evropës... Kjo, megjithatë, me një kusht: që politikanët dhe shoqëria shqiptare të bëjnë politikë produktive dhe të kenë sjellje konstruktive, me më shumë politika strategjike dhe me më pak politika taktike, dhe me më shumë punë dhe vizion të vërtetë se sa fjalë në erë...
Alfred Kovaçi, Londër