Flori - Press

Mire se vini ne faqen tone virtuale "Flori-Press" te moderuar nga stafi redaktues Flori Bruqi, Engjell Shehu,etj.

e enjte, qershor 22, 2006

QKUK-ja blene dhe tenderon preparate falso

Tash e shtatë vjet pas luftës, gjendja higjieno-sanitare në QKU të Kosovës është përkeqësuar aq shumë, saqë gati që një muaj është duke u bërë inspeksioni në disa nga klinikat e kësaj qendre.

Siç mësuam në kohët e fundit gjendja është shumë alarmante, sidomos në Klinikën e sëmundjeve të kraharorit, lëkurës, ortopedisë, gjinekologjisë, pediatrisë etj. Deri te kjo gjendje ka ardhur, ngase menaxhimi i QKU-së bëhet nga njerëz të paaftë shkencërisht dhe me moral të dobët. Po ashtu disa nga stafi udhëheqës janë të dirigjuar nga partitë e tyre politike, kështu që edhe po qe se dinë, ata duart i kanë të lidhura, dhe janë të detyruar t’i zbatojnë urdhrat nga lart.

Zyra e Prokurimit si dhe Barnatorja Qendrore janë të korruptuara, ngase ato financohen nga disa biznesmenë, të cilët janë të lidhur me disa firma serbe nga Serbia dhe Maqedonia. Hëpërhë biznesmenët janë disa njerëz nga Presheva, Bujanoci dhe Tetova që kanë financuar shtetet sllave në luftën çlirimtare në Kosovën Lindore dhe në Iliridë. Firmat më të njohura për këto punë të ndyra janë MEDIKA nga Prishtina dhe MEDISAN COMERCI po astu nga Prishtina, ku pronarët e tyre edhe tash nuk ndalen dot së bashkëpunuar me firmat serbe, dhe së fundi ato kanë blerë pajisje falas për zyrat e Beogradit në Graçanicë dhe asaj maqedone në Arbri.

Është për t‘u theksuar se më 30 qershor 2006, Zyra e Prokurimit të QKU-së bën hapjen publike të ofertave për material mjekësor, ku në mesin e pesë(5) preparateve dy(2) sish janë të falsifikuara (Klorhexidine 4,5% a 300 litra dhe Glutardehid a 200 litra). Njëri prej preparateve është i dëmshëm për aparaturë, kurse tjetri është i falsifikuar. Shih fotot e preparateve dezinfektuese që gjenden në QKUK të falsifikuara,pa data dhe pa emër prodhuesi(!!!).

Për fund, s’na mbetet tjetër të themi përveç asaj që Qeveria e Kosovës duhet të ndërmarrë diç për mënjanimin e këtyre dukurive sa nuk është bërë vonë.
Ndoshta, zëvendësministri i Shëndetësisë, dr. Fadil Kryeziu do të përpiqet ta vë në binarë të mbarë shëndetësinë kosovare dhe të bëjë reforma në këtë lëmi, sepse është koha e fundit të ndërmerret diçka e këtillë në të mirë të QKU-së, por edhe në të shëndetit të popullit.

Barnat janë të shtrenjta dhe ata që nuk kanë kurrfarë burimesh e kanë të vështirë t’ia dalin, por lehtësia e tyre është se rreth e përqark spitalet gjenden barnatoret, të cilat shesin ilaçe që shumica syresh janë të vjedhura dhe atë mjerisht nga QKU-ja.