Flori - Press

Mire se vini ne faqen tone virtuale "Flori-Press" te moderuar nga stafi redaktues Flori Bruqi, Engjell Shehu,etj.

e diel, qershor 04, 2006

Pasqyra e shtypit të sotëm evropian

Gazetat shkruajnë sot për marrëdhëniet amerikano-iraniane
Shtypi i sotëm evropian përqëndrohet në zhvillimet e fundit në marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit.

Në Gjermani FRANKFURTER ALLGEMEINE ZEITUNG mirëpret ofertën e kondicionuar amerikane për bisedime të drejtpërdrejta me Teheranin duke e quajtur atë një "hap të rëndësishëm".

Gazeta beson se ky vendim i madh në politikën e jashtme duhet të jetë paraprirë nga një debat i ashpër brënda rradhëve të administratës amerikane.

Gazeta shton se vendimi amerikan ka gjetur një aprovim të gjërë në kryeqytetet evropiane pjesërisht për shkak të "lehtësimit të madh" për një zhvillim të tillë.

"Përgjigja ndaj ofertës amerikane do të tregoi qartësisht më shumë se më parë se cilat qëllime ndjek Irani realisht", shkruan gazeta, "sigurinë, apo hegjemoninë, prestigjin apo luftën kundër Izraelit".

Në Spanjë EL PAIS shkruan se loja e shahut mes Uashingtonit dhe Teheranit ka hyrë në një " fazë të re dhe interesante " me perspektivën e pasjes së bisedimeve mes dy vëndeve.

"Gjesti amerikan reflekton një realizm të ri dhe jo aventurizmin e rrezikshëm të neokonservatorëve amerikanë" argumenton gazeta spanjolle duke shtuar se ai është produkt i kembenguljes evropiane.

Duket se administrata e Bushit ka pranuar se ka nevojë për bashkëpunimin iranian në çështjet e Lindjes së Mesme dhe se nuk ka garanci se do të bihet dakort për sanksionet ekonomike kundër Iranit.

Gazeta përfundon se"sot opsioni i vetëm realist janë negociatat".

Në Rumani gazeta LIBERA e cilëson vendimin e Uashingtonit si një "ndryshim të madh në politikë".

"Shumë analistë ndërkombëtar kanë mbetur gojëhapur, kur Sekretarja amerikane e Shtetit bëri njoftimin", shkruan gazeta rumune.

Në Gjermani DER TAGESSPIEGEL thotë se levizja amerikane dhe një paketë tjetër insentivash e rënë dakort nga Evropa, Shtetet e Bashkuara, Rusia dhe Kina përfaqëson një "ofertë përfundimtare" për Iranin.

"Ka ardhur koha që Mullahët më në fund të ndjejnë pasojat nëse do të vazhdojnë të mospranojnë një kompromis, paralajmëron gazeta gjermane, DER TAGESSPIEGEL

Ndërkohë në Austri DIE PRESSE është edhe ajo e të njëjtit mendim.

"Me ofertën e tyre Amerikanët e kanë çuar topin shumë thellë në fushën e iranianëve", shkruan DIE PRESSE.

"Nëse Irani vazhdon të jetë intrasigjent", shton gazeta atëhere" vëndi do të vazhdoi të vetizolohet ndërkombëtarisht deri në atë shkallë saqë edhe mbrojtësit e tij, Rusia dhe Kina nuk do të jenë më në gjëndje ta mbrojnë."

Por gazeta tjeter gjermane DIE TAGESZEITUNG vë në pikëpyetje sinqeritetin e ofertës amerikane.

"Përmbajtja dhe konteksti i deklaratës më shumë duken si një manovër taktike e administratës së Bushit e cila është dëmtuar rëndë në planin e brëndshëm, si dhe në skenën politike ndërkombëtare", shkruan kjo gazete.

Nën titullin kryesor "Gjesti i madh i SHBA-së", DER STANDARD e Austrisë thekson se në "pamje të parë", ky hap duket si një shprehje e dobësisë.