Flori - Press

Mire se vini ne faqen tone virtuale "Flori-Press" te moderuar nga stafi redaktues Flori Bruqi, Engjell Shehu,etj.

e hënë, qershor 05, 2006

Nga KOLEC PALOK TRABOINI

KUSH E SHKRUAN HISTORINË?

Ese







Me rastin e krijimit të shoqatës “Ded Gjo Luli” me qëndër në Nju Jork, dhe përvjetorit të 95 të fillimit të Kryengritjes së Malësisë se Madhe te viti 1911, që shënoi prologun e Pavarësisë së Shqipërisë.
***

Është e natyshme që në tubime mergimtarësh vëndin kryesor ta zërë gëzimi e hareja e njerëzeve se sa e formave të tjera akademike e rutinore, që herë herë edhe janë të lodhëshme, mirëpo gjithësesi edhe fjala e gjen veten legjitime në tubime të këtij lloji, është si të thuash një lloj solucioni për ta bërë këtë festë më kuptimplotë, për të thirrur qoftë dhe për pak çaste në skenë historinë, për të ringjallur në imazhin tonë ata që e bënë këtë histori e nuk janë më, veç rrojnë në kujtimet tona me bëmat e tyre. Ti kujtojmë ata që në jetën tonë të përditëshme, plot tension e punë, mbase i kemi lënë krejt pas dore, u a kemi besuar për përkujdesje vetëm atyre grupe njerëzish të punësuar nga shteti apo institucionet private për tu marrë me atë degë të shkencave shoqërore që quhet histori. Po për atë zot, a e kryejnë detyren e tyre si e sa duhet historianët ndaj paraardhësve tanë? A e mbrujnë mirë, dhe a thue e pjekin apo e djegin historinë? Në saj të përvojës së jetës sonë, të paktën që gjysëm shekulli e përkëtej, tregohet faqazi se historia është shkruar mbrapsht, pra më së shumti është djegur.
Le të sjellim në këtë përqasje një thënie të Napoleonit për të parë se çfarë në thelb është historia e shkruar nga Doktor Profesorët e Akademive. “Historia - thoshte Napoloni është një grumbull gënjeshtrash për të cilat bien në marrveshje”.
Kjo thënie, në mos pastë qënë profetike për të gjitha kohrat, të paktën për kohën tonë ka qënë në mënyrë të skajshme në evidencë. Në Shqipërinë e cungueme nën diktaturën komuniste historia u bë çorap me lule të kuqe që ja veshën madje edhe një injoranti si Haxhi Qamili i Sharrës. E kur në librat e historisë dalin haxhqamilët, ku ka vend për atdhetarët e vertetë që derdhën gjakun për trojet shqiptare si Kol Marash Vata që u vra
në ballë të luftës me pushtuesit ditën e parë të kryengritjes me 23 mars 1911. E në këtë katraurë kombëtare mohimi e të daljes në krye të llumrave të historisë, është mëse e natyrshme që eshtrat e kombëtarëve do të hidheshin në Dri e jo të viheshin në panteon, ashtu siç e pësoi Fishta i madh, por edhe Ded Gjo Luli jonë, ashtu siç e pësuan madje me qindra e mijra luftëtarë të Malësisë së Madhe, për të cilët nuk guxohej të flitej, se kush të linte të flisje për Preng Calin e bjeshkëve të Kelmendit, a Mirash Lucën e Kastratit . Kjo sa i përket Shqipërisë së vogël, por edhe përtej të kufijve absurd të 1913, megjithëse punët shfaqeshin të ndryshme, thelbi qe një, historia përpunohej sipas ideologjive. E përderisa ato troje qenë të pushtuara e nën dhunë ashtu nën dhunë do të ishte dhe historia, do të dilnin në evidencë herojt e bashkim vllazërimit ndërsa atdhetarët kombëtar do të liheshin në harresë shekullore, siç u la në harresë matanë kufinjëve irredentisti me zemër të madhe Hasan Prishtina.
Çlirimi prej demonëve e gjeti popullin shqiptar andej e këtej kufirit në një terratinë historike, librat qenë shkruar siç kishin dashur uzurpatorët, historianë të rinj nuk mund të dilnin në një ditë, dhe për më tepër dëshmitarët autentikë të ngjarjeve, ikën e shkuan.
Tani ne ndodhemi në një realitet shtatanik. Tani duam nuk duam do të marrin në konsideratë, prej së keqes, tërë atë shkarravinëri gjysëm shekullore, ato libra të shumtë që mbushin bibliotekat me histori të ideologjizuar e ku ka perifrazime, klasifikime, konkluza, por kurrnji ngjarje reale e përshkruar saktësisht. E ky është shkaku që edhe sot e kësaj dite mbetet në dilemë fakti se cili ishte flamuri që u ngrit në Vlorë, cilët ishin ata që firmosën aktin e pavarësisë( sepse u arrit deri atje sa të retushoheshin dokumentat dhe fotografitë),madje disa historianë vunë në dyshim edhe ngritjen e flamurit në Deçiç,
sepse nëpër arkivat e tyre gjithë lagështirë historike nuk u rezultojnë datat e, për çfarë thonë dëshmitarët në kujtimet e mbetura me shkrim a me gojë, nuk duan tia dinë.
E kjo jo vetëm në librat e vjetër të historisë, por edhe sot e kësaj dite tek lexon shkrimet e historianëve në gazeta ndjen të buçasë koka prej fjalëve, analizave, hamendjeve, por pa patur asgjëkundi një fakt apo ngjarje reale. Të krijohet përshtypja se bëmat e ngjarjet janë zhvilluar në tymnajë, diku në qiell e jo në tokë. Se ajo luftë ma tepër ka qënë një legjendë se sa një realitet i përgjakur, se njerzit kanë qënë ca statuja prej bronzi e jo njerëz tokësorë me të gjitha ato halle e brenga e dhëmbje që ka njeriu. E nëse dikush i pyet se përse nuk janë shënuar të dhëna konkrete e persona realë që kanë vepruar në atë ngjarje, të thonë, po në po bëjmë histori. Pra thënë hapur koncepti i historisë është kurrgjë tjetër veç asaj për të cilën ka folur Napoleoni,fantazi teoricienësh që i prekin epokat me pincetë.
E për më tepër kur merr e lexon një libër historie aty gjen me shumë teorizime, fjalë, fjalë, imzot fjalë siç thoshte Shekspiri, dhe fare pak preket realiteti i ngjarjeve, bëmat e njerëzeve. Dhe të shkruarat e tyre patjetër duhët të jenë të tilla që sa më pak të merren vesh nga njerëzit e thjeshtë. Si të thuash të jenë privilgj i elitës, se kështu e konsiderojnë ata vehten.
Dihet se letërsia e antikitetit fillon me “Iliadën” dhe “Odisen”. Deri vonë këto mrekulli
njerëzore konsideroheshin si krijime të një imagjinate gjeniale. U desh arkeologu gjerman Shliman që me këmbëngulje të gërmonte e të gjente në territorin e sotëm turk rrënojat e mbetura të Trojës. Që atëhere „Iliada“ nisi të shihej edhe me një sy tjetër, me syrin e të vërtetës historike. Dhe dihet se si e bën historinë Homeri, me ngjarje dhe njerëz, me bëmat e tyre.
Ndërsa historianët e kanë bërë dhe bëjnë historinë me data, shifra, hipoteza, labirinthe idesh, por duke u marrë fare pak me sjelljet njerëzore. Ose më së shumti të gjitha bëmat ja atribuojnë një udhëheqësi, duke lënë nën hije staturat që i rrinin pranë e pa të cilët kurrnji prinjës nuk do të ishte në ato lartësi që e njeh historia.
Në një komunikim me të birin e kompozitorit Simon Gjoni, Andis, i njoftova çfarë dija për prejardhjen e babait të vet. Në esencë po atë bisedë që kisha zhvilluar dikur, në të gjallë të tij, edhe me të ndjerin Simon Gjoni, pra se nëna e kompozitorit të njohur shkodran ka qënë e bija e Preloc Prekës së Hotit. E dija këtë fakt sepse im atë ka patur miqësi me Preloc Prekën. Mbas disa kohë Andis Gjoni më shkruan, se kish pyetur disa historianë, nga Shqipëria mesa kuptova, dhe ata i kishin thënë se ishin të sigurt se Preloc Preka qe vrarë që në fillim të kryengritjes. Mbeta pa mënd. Si mund historianët që e njihnin a madje edhe kishin shkruar për kryengritjen e vitit 1911 të bënin një pohim të tillë krejt të pavertetë. Preloc Prek Peci, ai burrë trim te cilit Ded Gjo Luli i kishte besuar një flamur të vet, flamur që e mbante mbështjelle pas gjoksit në të gjitha betejat me pushtuesit( se flamurët ndër beteja valëviten veç nëpër filma e tregime të ilustruara për fëmijë), kurrë nuk e kishte zënë plumbi. Nuk është as plagosur dhe as vrarë në luftë. Kur u fitua pavarësia, si shumë hotjanë të tjerë ju kthye jetës së zakonëshme dhe e mbylli me nder por në varfëri të skajshme. Nuk la djalë pas vedit, veç tre vajza e njëra prej tyre, Dranja, ishte nëna e Simon Gjonit.
E sjell këtë shëmbull për tre arsye, e para për të patur në konsiderat faktin se historinë e Malësisë e dinë shumë më mirë malësoret, bij të atyre trevave, e shëmbulli më i mirë është Gjergj Nikprelaj që ka bërë studimin historik më serioz për Kryengritjen e Malësisë të vitit 1911 edhe pa qënë historian i mirëfilltë. E ka shkruar me një gjuhë të kuptueshme e mori faktesh e gojdhanash librin për Malesinë e Madhe edhe Lulash Palushaj, ashtu si për Kastratin ka bërë një libër të pëlqyeshem Gjok Luli, ndërsa Marash Mali, i moshuar që jeton në Florida, i shkrelian e nip dere hotiane, ka shkruar një libër me ngjarje historike, një pjesë e të cilave, ato për kreshnikun Prenk Cali, janë autentike sepse autori ka qënë një prej luftetarëve të tij. Libri i Nikoll Spatharit për Malesinë e Madhe krejt ndryshe nga ata që përmëndem me sipër, vlerëson lart edhe bëmat e do pak malësorëve që të marrosur pas komunizmit si Çun Jonuzi, Bejto Fasllia, Ramadan Reçi e te tjere, sherbyen devotshëm ne organet drejtuese te regjimit diktatorial, që ka bërë krime të llahtarëshme në Malësi, prandaj nuk mund të merret në konsiderat si një monografi serioze. Përkundër kësaj, romanin e Fran Camajt mund ta marrësh jo vetëm si një fiksion letrar por edhe si një shtjellim të goditur historik të fatit të shqiptarëve të Malësisë në mergim, ku zgjatej dora e zezë e atyre që na i kanë zaptuar trojet e që punonin aq të liga për të na nxjerrë faret duke sjellë grindje, përçarje, vëllavrasje edhe në mërgim. Qe pra, të gjithë këta autorë, bij të malësisë, nuk janë historianë të mirëfilltë por prej librave të tyre mësojmë shumë më tepër për trojet tona se sa ato çfarë kanë shkruar historianët. Se fundja kush më mirë e di historinë e Hotit se hotianët, të Grudës më mirë se vetë grudiasit, të Trieshit më mirë se trieshasit, të Kojës së Kuçit se sa kojekuçasit, të Shkrelit më mirë se shkrelianët, të Kelmend e Kastratit më mire se kelmendasit e kastratasit. Kam lexue nji libër të Ndoc Ded Vulajt që jeton në Rochester të shtetit të Nju Yorkut, ku tërë luftën e Kelmendit kundër regjimit të egër komunist e ka trajtuar në vargje, por që gjithësesi e ka mbushur bukur mirë me episode nga jeta e luftëtareve kelmendas. Por ka ende shume ngjarje e personazhe historike që presin të trajtohen, ndaj nuk duhet të ngurrojme ti shkruajmë kujtimet e baballarëve, ato çfarë ende ka mbetur e ruajtur në kujtesen njerëzore sepse një popullsi pa histori heret a vonë e humbet indentitetin dhe shkon drejt shuarjes.
Se ta zëmë, çfarë dihet për Gjel Çakun. A ka gjë te shkruar për Gjelosh Gjokën dhe Nikoll Mirin, Tom Nikollen e Ded Preçin? A eshte bërë ndonjë monografi për Mirash Lucën atë trim që i futi tmerrin e i vuri në të ikun ushtarët e Turgut Pashës?
Megjithëse koha që jetojmë nuk na ka vënë para provave të mëdha siç vuri baballarët apo gjyshërit tanë që e bënë Shqipërinë, të paktën në të bëjmë atë çfarë është e mundëshme të bëhet në kushtet tona, të ruajmë indentitetin, të shkruajmë historinë tonë, por jo me fjalë të mëdha e të përgjithshme por me ngjarje e persona reale, të cilët kanë qënë protagonist të historisë, me të cilën sot mburret çdo shqiptar kudo në botë.
E dyta arsye se përse e solla shëmbullin e mësiperm është se nuk duhet të harrojme se veç atyre që e kanë intentitetin e deklaruar si malësorë ka dhe një masë të madhe njerëzish që kanë lidhjet e tyre të gjakut me Malësinë, dhe kane të drejten të ndjejnë sadisfaksionin e prejardhjes nga trualli i kryengritjeve, shpirti i lirisë.
Kam vënë në internet një fotografi të krereve të Malesisë së Madhe, në mes të cilëve Ded Gjo Luli e Deli Meta(Çunmulaj) i Hotit, Ded Nika e Ujk Hasani i Grudës, Nikoll Doda e Zenel Shaba të Kastratit, e ndër ta dhe Ismail Mustafa prej Traboinit.Kur jo me shumë se para një muaji më vjen një letër ku derguesi, emigrant në Europë, më thotë se është i nipi i Ismail Mustafës dhe ka shumë dëshirë me u lidh me njerëz prej vendit të gjyshit të tij. Po kështu më njoftohet edhe Viktor Lucgjonaj, nga familja e Lucgjonëve prej të cileve u degezuan Çunmulajt e Hotit që do të ishin bajraktaret e Hotit. Pra të dy hotianët që jetojnë në skaje të ndryshme të globit, ndoshta as nuk e dinë se me njeri-tjetrin bien të jenë pinjollë të një dere, të një fare, sepse Ismail Mustafa është i Çunmulaj e Çunmulajt janë të Lucgjonaj.
Kur në një luftë pashallarët turq e fituan betejen, sipas traditës ndanin meritat e shpërblimet në emër të sulltanit. E atij që ishte treguar më trim, që ishte futur i pari në llogoren e armikut i jepeshin dekorata e shpërblime mirënjohje. Në fundin grykës se një topi të armikut u gjend një shami e zezë që tregonte se mbajtesi i saj ishte ai që do ti takoni trofeu i fitores. Shamia ishte e trimit nga Hotit Luc Gjoni.Veziri i Shkodrës do ti afronte nderime të mëdha duke e pyetur se cfarë dëshëronte, e Luc Gjoni nuk kerkoj për vehte por për Hotin, duke i thënë që të mos merrej me asnjë djalë për ushtar. Veziri ja pranoi me kusht që një djalë, Nik Luc Gjoni, të kthehej në mysliman. Nikës veziri i dha emri Mehmet, duke i njohur të drejtën që fëmijet e vet e trashigimtarët e tjere të krezmoheshin në kishë. Kështu lindi dera e bajraktareve të Hotit, ku me të shquarit kanë qenë Çun Mula e Deli Meta, të cilët as në të mirë e as në të keq, kurrë, nuk janë ndarë prej vllazënve të vet hotiane. Çun Mulën e lexojmë në këngë trimërie tek i prin hotianëve kundër ushtrise osmane, ndërsa Deli Meten në fotografitë e Marubit përkrah Ded Gjo Lulit.( sipas „Malësia dhe fiset e saj“ , Lulash Palushaj Lezhë 1996)

Në një letër, mësuesi i gjimnazit të Tuzit Luigj Camaj më shkruan se me sa deshirë u transmeton nxënësve të vet traditat e Malësisëe. Ka shumë nëpër botë që i kthehen me nostalgji prejardhjes së vet nga Malësia e Madhe e kjo do të thotë se ekzistenca e një shoqate do të jetë një vatër e ngrohtë dhe një mundësi për ta ndjerë më afër mëmëdheun, historinë, traditat.
Arsyeja e tretë është se duke sjellë në kujtesë historinë e bemat e paraardhësve tanë, ndjejmë të na vlojë në trup gjaku i tyre, ndjejmë të na buçasë në veshë zëri i vëndlindjes, si zëri i nënës që thërrret bijtë, e nënës që është në nevojë e pret ndihmë, e ndaj së cilës duhet të sillemi sipas mësimit të Nolit të madh në vargjet „Mbahu nënë e mos ki frikë, se ke djemt në Amerikë“.
Rastet më tipik i këtyre ditëve ishin tubimet e mërgimtareve në përkrahje të kërkesave të drejta të popullsisë shqiptare në Mal te Zi, që Tuzi të njihet si komunë në vehte, si dhe përurimi i shtëpisë muze të Ded Gjo Lulit në Bardhaj të Hotit, i ngritur me kontributet e mërgimtarëve në Amerikë dhe banorëve të Malësisë.
Mund të sillen shumë shëmbuj e të bëhën shumë përqasje. Gjithsekush nga Malësia e Madhe e ka një lidhje gjaku me një luftëtar të Ded Gjo Lulit, sepse nuk mbeti shtëpi e familje prej Hotit, Grudës, Kastratit , Trieshit, Kojës së Kuçit, Shkrelit e Kelmendit që të mos nxirrte një njeri me pushkë për tëe shkuar në luftë. Në lufte ishin të gjithë bashkë, për jetë a për vdekje dhe ashtu duhet të mbeten edhe në histori. Nuk ka pse të lihen nën hije, të harrohen, e të humbin bëmat e tyre.
Prandaj para se tua lëmë ta shkruajnë të tjerët ashtu si ata dëshërojnë ta ndersjellin historine, ta shkruajme vetë ne malësorët, për aq sa kemi arritur të ruajmë në kujtesen tonë, për aq sa prindërit si amanet për të mos i harruar na kanë lënë. Dhe kurrë të mos harrojmë se çdo hero i vetmuar do të ndjehet si qyqar nese nuk e vendosim në mes të atyre me të cilët e bëri historinë.
Gjithmonë më është dukur e trishtuar dhe e braktisur shtatorja e Isa Boletinit, krejt i vetëm aty nëe mes të një sheshi të madh të Shkodres. A thua nuk kishte aq bronx Shqipëria ta derdhte bashkë me Boletinin në atë shesh edhe djemt e trimat të cilët bashkë me të luftuan, bashkë me të bënë trimëri e bashkë me të ranë. Kurrë të mos e harrojmë se vetmija i ha edhe herojt, i zbeh, i tret si një shqiponjë e vetmueme në mjegullat e kohës. Shkelqimi që mund ti japim bronzit vetanak nuk është kurrgjë tjetër veç një shkelqim metalik, besa edhe i ftohtë, prandaj t’i vendosim herojt në mes të luftetarëve të vet e historinë ta bëmë me njerëz e jo me fjalë të vagullta që vertiten si mokrra pa grurë.
Këtë nuk mund ta bëjë kurrkush më mirë se sa shoqatat atdhetare, si kjo me emrin e të ndriturit Ded Gjo Luli, që aq sa trimëri, na la si trashëgim dhe mençurin e një malësori lagpamës e me nuhatjen e një strategu popullor që diti të përballojë një ushtri të organizuar drejtuar nga gjeneralë me akademi .
Ende edhe sot e kësaj dite kemi çfarë të mësojme nga ai burre trim e i urte, sepse ende edhe sot kemi shumë probleme që historia i la pas si një zingjir i rende robërie, të cilin në duhet të kemi kurajon, trimërinë e mënçurinë e Ded Gjol Lulëve të historisë për t’i zgjidhur...


Nju Jork, 23 Prill 2006

Kolec Traboini, gazetar, kineast dhe autor 9 librave në poezi, prozë dhe esè, është i biri i atdhetarit Palok Traboinit 1888-1951, i njohur ky si si pjesmarrës në kryengritjen e vitit 1911 e që, me porosi të Ded Gjo Lulit, ka sjellë në Hot flamurin kombëtar i ardhur nga Austria përmes Dalmacisë. Palok Traboini është plagosur në luftë në 1911, ka marrë pjesë gjithashtu në Luftën e Koplikut kundër agresionit serbo-malazes në 1920, ka sherbyer dyzet vjet si mësues i gjuhës shqipe në Kosovë, Malësi e Shqipëri dhe dhe ka shkruar një numur shkrimesh publicistike dhe poemen epike „Lufta e maleve“ për kryengritjen e vitit 1911, nën udhëheqjen e heroit Ded Gjo Lulit, që është figura qëndrore e vepres.