Flori - Press

Mire se vini ne faqen tone virtuale "Flori-Press" te moderuar nga stafi redaktues Flori Bruqi, Engjell Shehu,etj.

e enjte, qershor 01, 2006

Nermin SPAHIU

Poezi

Dritëhija

Nermin SPAHIU

Klithma e heshtjes

Më ka mbetur vetëm klithma e heshtjes
Vetëm kur qëroj farat ajo ka forcë
Ka forcë vetëm të plas fluskat
Në buzë të filxhanit të kafesë
Prehjes, qetësisë e privilegjit tim të vetëm.
Askund tjetër nuk mund të psherëtij
Për asgjë nuk mund të këlthas
Asgjë e tillë s'mund të ndodhë.
Qenkam gatuar keq
Ndaj shpesh
Klithmë e papajtueshmërisë
S'mund të bëjë gjë tjetër
Veçse të kthehet në urrejtje.
Por dhe ajo s'mund të dalë jashtë meje
Nuk është e zonja të çajë
Muret e shpirtit të plagosur…


Mirësi e lodhur

Jam lodhur duke qenë e mirë
Jam lodhur duke marrë frymë me korniza
Jam lodhur duke luajtur me rregulla
Të cilat i shkelën vetë ata që i bënë…
Më është lodhur mirësia
E stërmunduar në çdo çast
E shtrënguar të përshtas konturet
Për çdo gjë, në çdo kohë e për çdokënd.
Jam lodhur duke qenë e mirë
Por kostoja qenka shumë e shtrenjtë…


Dritëhija

Një agim i ëmbël drite
Rrëshqet mbi fytyrën time
Dalngadalë nis të fitojë hapësirë.
Brenda qenies sime
Më ka pushtuar ato pak qeliza të pagjuma.
Ngre duart
Filloj të loz me të.
Ç'lëvizje balerine
E lehtë si pendë
Sa shpejt e shpejt më bindet dritëhija!


Si një verë e vjetër

Më pret atje
Tek ajo kthesë
Tek ajo rrugë
Tek vendi ynë i përhershëm
Tek e njëjta qytetzë
Tek e njëjta strehë e dashurisë sonë
Thjesht
Pa bujë
Pa pretendime
Pa shpërthime pasionesh
Pa u mërzitur ndonjëherë.
Më pret atje gjithmonë
Dhe,
Si një verë e vjetër, e mirë,
Bëhesh gjithnjë e më i mirë.
Por unë kam frikë
Se vera ndonjëherë
Prish dhe enën e vet.


Lutje

Të lutem deri në përgjërim
Vazhdo të qëndrosh aty ku je
Të paktën edhe për ca kohë.
Të lutem më dëgjo
Tani është dimër
Unë tashmë kam vdekur
Dje më vdiq dhe qeliza e fundit.
Mjaft më ka mëshiruar vdekja
Më së fundi e vendosi
Para një jave
Më mori krahun e parë,
Këmbën e parë po atë ditë,
Të nesërmen këmbën e krahun tjetër,
Duke shtrirë mpirjen deri në kufinjtë e zemrës.
Zemra qëndroi dhe për disa ditë
Tashmë është bërë e akullt
Prandaj, të lutem,
Mos hajde pa ardhë pranvera
Ndoshta zemra mund të shkrijë
Kur të lulojnë pemët..


Përbaltja

Balta përbalt këpucët e mia
Siç është e përbaltur vetë nata.
Kërkoj t'i largohem përbaltjes
Më pas pajtohem me të.
Përpiqem vetëm paksa t'i shmangem
Të zgjedh atë që nuk ngjet shumë
Ose të paktën
Të bëj dy a tri hapa pa baltë.
Përpiqem me frymë ta thaj
Aty ku s'mundem
Së paku përpiqem ta mbaj tek këpucët e mia
Të tjerëve shijen e përbaltjes të mos ua jap.

Ditë karnavalesh

Nuk e di përse
Edhe kjo gjë
Kohë mbas kohe
Në çdo qytet
Po kthehet në një garë - modë
Ku secili përpiqet
Të zgjedhë kostumin më të veçantë
Maskën më të bukur
A më të shëmtuarën.
Sot duhet të ndodhë edhe diçka tjetër:
Të paktën sot
Vetëm sot
Karnavalistët të tregojnë fytyrën e tyre,
Atë të vërtetën.