Flori - Press

Mire se vini ne faqen tone virtuale "Flori-Press" te moderuar nga stafi redaktues Flori Bruqi, Engjell Shehu,etj.

e enjte, qershor 01, 2006

MOTRA KOSOVARE

E vetmja grua në Evropë, pa lirinë,
Është motra ime Kosovare,
E vetmja që plaga i kullon ende gjak,
Është binjakja ime, me zemër shqiptare.

Ti në klithma mbytur u përplase kudo,
Me shtrate vdekjesh nga shkjau i marrë,
Mbi kurriz telash të lidhën zemrën,
Vec Shqipja të mbronte, motër e rrallë.

Si durove motër thonjtë e kuçedrës,
Qe shqyente lirinë nga gjoksi juaj,
Me majën e thikës shponte femijën,
Pa nxjerrë nga barku, oh, ëngjëllin tuaj.

Nëpër netët kufoma, vritej Kosova,
Pjesë e pandarë e trupit tim,
Piramidat e turpit ngriheshin mbi tyta,
Lyer me gjak, nga Atdheu im.

Nuk ndalesh ti motër dhe mbas kësaj lufte,
Me heroikën tënde stamposur në gjoks,
Me flokët e argjendta, si ujëvarë Kosove,
Në Medaljonin e Pavarësisë, e do këtë tokë.

Të ka mbirë në shpirt motër Liria,
Dhe pse linde pa e shijuar atë,
Loti i kripur të fle në qerpiket e bukur,
Si simbol i dhimbjes, burgosur në të.

Që qerpikët e tu të mos kthehen në brirë,
Për krimet dhe tmerret që patë me sy,
Për mishin që u zhvat, nga brinjët e kombit,
Të uroj motër që Lirinë ta festoj me ty.

Motër Kosovare, je murrosur në dashurinë time,
Në bisqet e Lirisë, me karafilat e Atdheut,
Në qumështin e bardhë të gjirit, mëkuar tek fëmija,
Si dy bija të lindura , nga MITRA E MËMËDHEUT.

Kozeta Zylo, New York