Flori - Press

Mire se vini ne faqen tone virtuale "Flori-Press" te moderuar nga stafi redaktues Flori Bruqi, Engjell Shehu,etj.

e hënë, qershor 05, 2006

JAVA DOSSIER E Update'ueme: Feb 25th, 2006 - 15:40:56

MBAS TYMIT TE NJE RETORIKE AKADEMIKE
Nga Shpetim Kelmendi, Tirane
Feb 25, 2006, 14:48

Email'o
Print'o
Rexhep Qosja
Zakonisht nuk i lexoj shkrimet e z. Rexhep Qosja. Në fakt, jo se kam ndonjë paragjykim. Kam pasgjykim. Nëse paragjykimi është injorancë, pasgjykimi resht së qeni i tillë për t'u shndërruar në njohje dhe vetëdije. Domethënë, kam pasë lexuar para do kohësh nji shkrim gazete, dhe me ka çuditur ndjenja e madhështisë që ai rreket të përçojë në tekstin e tij. Le të thonë sa të duan se ky zotëri është personalitet i rëndësishëm, me përmasa të gjëra ndikuese në opinionin shqiptar e më tutje, se është rilindas i vonuar, se është urtaku i panshqiptarizmës, se është pionieri i mendimit të lirë, se është se është… Ku e lamë? Po, te ndjenja e madhështisë që përçon në tekst zoti Qosja. Vetëm katër rreshta po t'i lexosh këtij zotërie, mund të marrësh të dhëna të mjaftueshme rreth karakterit taksativ të tekstit. Përdor terma lartkumbues si "Identitet kombëtar", "Vetëdije kombëtare", "Rilindje kombëtare", "Bashkimi kombëtar", etj. Ajo që i mbetet të përmendë është vetëm "ekipi kombëtar i futbollit". Terma, terma, terma, ose "words, words, words, my lord".

Megjithëse i kisha premtuar vetes të mos harxhoja kohë me kësi shkrimesh, hoqa menjanë të përditshmen e datës 10 shkurt 2006, sepse, meqë kishte një titull mjaft intrigues, shpresova se edhe tema do të ishte trajtuar në nivelin që zotëria mëton se ka. Gjashtë ditë më vonë, po tek e njejta gazetë, me 16 shkurt, zoti Qosja boton një tjetër shkrim i cili, me një shikim të shpejtë që i hodha titullit, më krijoi idenë se ishte i njëjti tekst. Titulli i shkrimit të dt. 10 ishte: "Identiteti kombëtar dhe vetëdija fetare", ndërsa ai i dt. 16 ishte: "Identiteti kombëtar dhe gjuha standarte". Si duket, ky zotëri nuk mund të hartojë një shkrim pa identitet, e kombëtar madje. S'kam ndonjë arsye që të besoj se zoti Qosja nuk e ka për zemër kombin, por kam shumë arsye të besoj që këtij zotërie - si dhe mjaft të tjerëve - i është mbushur mendja se është i vetmi person që ka tagër të flasë për kombin, për gjuhën, për fenë, për politikën, pra për gjithçka. Pozicioni ex-cathedra është më i preferuari i zotit Qosja. Ai nuk debaton, nuk jep mendime, nuk shtron modestisht një pikëpamje, nuk pranon të jetë kurrsesi as primo inter pares. Asgjë nga këto. Zoti Qosja flet si gjykatës, zoti Qosja jep urdhëra, zoti Qosja tregon kush e ka mirë dhe kush keq, zoti Qosja na tregon se nga duhet të shkojmë dhe në ç'pikë duhet ta marrim kthesen, zoti Qosja na bën me dije se ç'kanë qenë, ç'është e çdo të bëhet Shqipëria, zoti Qosja është patriarku i madh që na prin drejt "Tokës së premtuar".
Pyetjet nuk i shtron, por u përgjigjet, udhëzimet nuk merr por i jep, këshillat nuk i pranon, por i ofron. Zoti Qosja është njeri i madh, është ai që ne e kemi pritur tash pesëqind vite e kusur. Nëse nuk flet, nëse nuk jep mendime, nëse nuk është në humorin e duhur për të na ndritur udhën, zoti Qosja merr pamjen e zotit të vulës, pra vulos ose refuzon të vulosë pikëpamjet e të tjerëve.
Ai edhe me heshtjen është i mahnitshëm. Për ta ilustruar heshtjen e tij, po përmendim rastin e një mjeshtri të madh Guru, i cili, në moshë të thyer siç ishte, rrinte përherë i heshtur para turmës. E megjithatë, turma grumbullohej çdo ditë rreth tij dhe e adhuronte. Kur ca gazetarë perëndimorë e pyetën se përse nuk u fliste njerëzve, ai u përgjigj: "S'kam asgjë më për të thënë. Ka një jetë që flas e tashmë i kam thënë të gjitha. Tashmë jam si dielli. Kur dielli lind, ai nuk thotë asgjë, por njerëzit e kuptojnë se dita e re ka filluar. Kur dielli ngjitet në zenit, ai prapë nuk thotë gjë, por njerëzit e marrin vesh se ka ardhur vakti i drekës. Kur dielli perëndon, ai prapë s'ndjehet, por njerëzit e kuptojnë se po vjen mbrëmja!". Ja, kështu flet edhe heshtja e zotit Qosja për popullin shqiptar: si dielli.

Shkrimet e tij janë vërtet të çuditshme (lexo: kot). Vetëm për të hyrë në temë, i duhen tri kolona në faqen e gazetës. Ritmi i tekstit të tij është kërmillor, i ngadalshëm, aq sa të merr shpirtin. Rimarrja dhe përsëritja e togëfjalëshave përgjatë fjalive, nga përpjekja për të realizuar teknikë janë shndërruar në arna të pakuptim. Tekstet e zotit Qosja janë një retorikë e gjallë dhe e patolerueshme. Nëse ua heqim ujët e tepërt shkrimeve të tij, pjesa funksionale përfaqësohet prej dhjetë-pesëmbëdhjetë fjalish. Mënyra e të shkruarit është e tipit: "Shkruaj, shkruaj se diçka mbetet.". Ç'është më e befasishmja, te këto dy shkrimet e tij dallova paaftësi në përdorimin e gjuhës standarde. Probleme me drejtshkrimin e disa fjalëve dhe probleme me sintaksën aty-këtu. Nëse ndokush e ve në dyshim fjalën time, jam gati t'ua dëshmoj.

Në shkrimin me titull: "Identiteti kombëtar dhe vetëdija fetare", zoti Qosja trajton me shkujdesje të habitshme një çështje që nga çasti në çast (duke patur parasysh edhe shumë individë të tjerë këtu në Shqipërinë e republikës) mund të rrezikojë të shndërrohet në fuqi baruti. Kam parasysh sidomos ca shkrime skandaloze të z. Frrok Çupi që ia këput kot me një guxim të admirueshëm. Do Zoti që, së paku, ai vet ta ketë ndopak të qartë se ç'thotë. Ndërsa zoti Qosja ban një gabim tjetër: ai mendon se religjionet kanë medoemos për shqiptarët, lidhje me kulturat dhe vendet prej nga ato vijnë. Nisur nga ato që thotë, na mbetet të nënkuptojmë se një pjesë e shqiptarëve, duke qenë muslimanë, na qenkan të orientuar kulturalisht ndaj Arabisë Saudite, Egjiptit, Pakistanit a ku di unë? Kurrsesi! Ishin, por janë përherë e më pak. Përveçse religjioni, me ato kombe nuk i lidh kurrgjë tjetër. Nëse Lindja ka lënë gjurmë kulturore në trevat shqiptare, kjo është çështje që i takon vetëm historisë dhe ato janë gjurmë që sot kanë ndikim përherë e më të pakët. Nuk duhet ta shohim këtë ndikim kulturor si një prani të përjetshme. Është viti 2006, mor zotëri. Shqiptarët kanë vetëm religjionin të njejtë me ta, kurse sa për të tjerat kanë interesa thellësisht perëndimore. Të krishterët bëjnë mirë që janë të krishterë dhe muslimanët bëjnë mirë që janë muslimanë. Kështu ka dashur Zoti. E këtu po flas për Zotin dhe jo zotin Qosja. Ajo që i bashkon shqiptarët është origjina e njejtë, është gjuha, është harmonia e ndërsjelltë që ka ekzistuar përpara se të ekzistoja unë, përpara se të ekzistonte zoti Qosja, zoti Çupi apo ndonjë tjetër. Rri e vras mendjen se si vallë ia paskan dalë mbanë shqiptarët të rrojnë në harmoni fetare përgjatë kaq shekujsh! Meqë jam i sigurtë se s'kishte kësi urtakësh që t'i këshillonin, do të kenë qenë të detyruar të mbështeteshin tek urtësia e tyre dhjetrashekullore! Kjo nuk është çështje fjalësh mediatike e, kësisoj, e them me bindje se të gjithë ata që shkruajnë në njëfarë mënyrë (me apo pa dashje) sjellin më shumë dëm se dobi. Sidomos, të thuash se shqiptarët u takojnë dy qytetërimeve, besoj se është një tezë padiskutim e gabuar dhe e dëmshme. Fatale! Mandej, nëse shqiptarët paskan marrë nga pushtuesit edhe "çfarë s'kanë dashur", mos kjo duhet lexuar dhunë? Nëse jo dhunë, çfarë duhet lexuar?

Zoti Qosja duhet ta dijë se jetojmë në vitin 2006, kohë kur përkatësia fetare nuk identifikohet kurrsesi me përkatësinë kombëtare. Edhe pse të ndodhur në një situatë historike të brishtë kur ende pavarësia territoriale s'qe e sigurtë, shqiptarët prapëseprapë ia dolën mbanë ta kapërcejnë me sukses periudhën e rrezikshme të haxhiqamilizmit. Frika e përçarjes kombëtare për shkak të përkatësive të ndryshme fetare nuk ekziston. Dhe sa i përket orientimit shpirtëror të shqiptarëve, më duhet të them se s'ka komb në Ballkan që ka sakrifikuar kaq shumë për të qenë pjesë e qytetërimit perëndimor. Mjafton të kujtojmë luftrat e shqiptarëve nën prijen e Skenderbeut.


Sa i përket shkrimit me titull "Identiteti kombëtar dhe gjuha standarde", vet zoti Qosja na jep një provë që, edhe në penën e tij standarti ka mjaft probleme. E nuk di pse i është mbushur mendja se ka njerëz që kërkojnë dy standarte. Po e sqaroj: kërkohet një standart, por jo ky. Qosja përdor tash e pare termin "çintegrim". Do bënte mirë sikur të rikthehej pak në kohën kur kryente punimet "Kongresi i Drejtshkrimit' e ta shihte veten dëshmitar okular dhe dëgjimor të një padrejtësie historike. Ju, zoti Qosja ishit aty si delegat i Kosovës, e në mos gabohem me cilësinë e drejtorit të Institutit Filologjik të Prishtinës. Pra, përfaqësonit bashkësinë e shqiptarëve të Kosovës. Pyetja është: Au pate marrë leje kosovarëve për të vendosur në emër të tyre? Dije pra se, ata që s'të patën dhënë leje atëherë, nuk kanë pse ta durojnë ende sot qëndrimin tënd stoik. Nëse kemi këtë standart të pafuqishëm, të ngathtë dhe të paaftë për t'u përballur me ritmin e kohëve të reja, e kemi falë jush, falë zotit Ajeti dhe ndonjë tjetri. Ishit ju që vutë veton. Pra, në njëfarë kuptimi ju keni vendosur edhe në emrin tim. Na thuaj pak, si t'ia bëjmë hallit që as kemi qenë e as jemi dakord me ju? Vetëm aman, mos e përdor më fjalën "çintegrim", sepse s'ju ka hije. E s'ju ka hije për një arsye të thjeshtë: çintergtimin e sollët ju. Ai që kërkohet tashti është integrimi!

Nga një pikëpamje tjetër, mendoj se do të ishte mrekulli e Zotit sikur ju të deklaroheshit kundër këtij standarti! Por, prapëseprapë, nuk e besoj se qëllimi juaj ka lidhje kryekëput me mbrojtjen e standartit. Ajo që ju doni të mbroni me të vërtetë, është firma që keni hedhur për ta pagëzuar këtë standart. Nëse do të pendoheshit për atë firmë, kjo do t'iu çonte në pranimin e një gabimi të kryer. E nëse do të pranonit se firma juaj ishte e gabuar, do t'u duhej të kërkonit falje. Por, a jeni vërtet prej atyre që kërkojnë falje kur gabojnë? Nuk e besoj. Prandaj, vijoni ta mbroni standartin, zoti Qosja. Veçse një këshillë të përunjur: Mos flisni si një Zot, por thjesht si zoti Qosja!



© by Gazetajava.com