Flori - Press

Mire se vini ne faqen tone virtuale "Flori-Press" te moderuar nga stafi redaktues Flori Bruqi, Engjell Shehu,etj.

e premte, maj 05, 2006

Një skiator olimpik shqiptar, në udhëkryq

Synon Kampionatin Botëror dhe Kupën e Botës në emër të Shqipërisë, por pala shqiptare ende nuk ka paguar trajnerin e tij të Lojërave Olimpike të Torinos

Një skiator olimpik shqiptar, në udhëkryq

Shkruan :Belina Budini

Është i vetmi skiator olimpik shqiptar, një nga ata sportistët imazhi i të cilëve bën jo vetëm shumë reklamë, jashtëzakonisht modë, apo postohet nga fansat në adresa të tilla si www.hotathletes.org, por mbahen edhe nga shtetet përkatëse si “stema” të çmuara. Kjo e fundit nuk ka ndodhur me atletin olimpik shqiptar, që e çoi për herë të parë Shqipërinë në Olimpiadën e Lojërave Dimërore, pikërisht në “Torino 2006”, megjithë mbrëmjet Gala dhe publiciteti nuk i munguan në Shqipëri para se të nisej për në Lojërat Olimpike të Torinos. Të gjithë e harruan Erjon Tolën pas olimpiadës dhe, megjithë kontratat e nënshkruara dhe premtimet e shumta që mori me vete, atleti olimpik shqiptar vetëm 19-vjeç, të vetmin suport financiar ka ende babain e vet, Ferdinand Tola.
Nuk bëhet fjalë për mbështetje të re, për të marrë pjesë në garat ballkanike apo evenimente të tjera të rëndësishme sportive, në një kohë kur shpenzimet e olimpiadës i ka ende të parimbursuara nga pala shqiptare, përfshirë edhe pagesën e trajnerit të huaj të atletit tonë, që nënshkroi një kontratë afro 20 mijë euro me Federatën Shqiptare të Skive, tre muaj më parë. Familja e atletit shqiptar, që prej 13 vjetësh e mbështet me ekonominë e vet Erjonin, në sportin e skive, u zhgënjye shpejt. “Mendonin se me pjesëmarrjen e Shqipërisë për herë të parë në historinë e saj, falë Erjonit, do të hapej një faqe e re në sportin e skive tek ne, por shpejt u zhgënjyem”, - rrëfen babai i atletit shqiptar që është njëkohësisht edhe menaxheri, financuesi dhe shpesh trajneri i tij. “Të gjitha ato që ndodhën para Olimpiadës aty: konferenca shtypi, intervista në televizione dhe gazeta, festa “Gala” me pjesëmarrjen e Presidentit të Republikës, pritja nga Kryeministri etj., për mua rezultuan një propagandë e stilit të vjetër”,- shprehet ai, duke shtuar se kjo festë u ka interesuar vetëm atyre që e organizuan.
2 muaj pasi ka mbaruar Olimpiada, Erioni ka bërë edhe 10 gara të tjera të quajtura “Fis” në Francë dhe Itali, për Shqipërinë, gjithmonë me paratë e familjes së tij. Ndërsa përgatitet për garat e kupës së botës dhe për kampionatin botëror të Suedisë, në shkurt të vitit 2007, familja e tij ndihet gjithnjë e më në vështirësi për të mbuluar shpenzimet e këtij sportisti, që përfaqëson jo vetëm emrin e vet dhe të familjes së tij në këto kompeticione ndërkombëtare, por edhe të Shqipërisë. “Me paratë e shtëpisë nuk mund ta bëjmë dot kampion, aq më tepër që përfaqësojmë një shtet të tërë. Kur i shprehëm mendimin tonë personaliteteve të sportit në Shqipëri, se do të kërkonim sponsor në mënyrë private, ata na e kundërshtuan menjëherë këtë gjë, pasi thanë se do të ishin ata që do të financonin në Olimpiadë, por me sa duket na gënjyen”,- shprehet i ati i atletit.
“Nuk e di sa seriozisht e kishte Presidenti i Federatës së Skive, Shkëlqim Mema, që na kërkoi të gjenim një trajner, të cilin ne e gjetëm dhe me të cilin ai nënshkroi një kontratë pagese, që ende nuk është respektuar”,- thotë Ferdinand Tola, duke shtuar se, “i kërkuam zotit Mema ndihmë për të bërë 4 gara në Greqi, të vlefshme për kampionatin ballkanik në muajin mars, por na u tha se nuk kishte hapësira financiare. Erjoni është në një moment që ka nevojë të bëjë sa më shumë gara që të jetë e mundur, për një renditje sa më të mirë në garat e ardhshme të kupës së botës në nëntorin që vjen dhe për të arritur sa më me dinjitet në kampionatin botëror në Suedi, në shkurt të vitit 2007, në qoftë se Shqipëria do të pranojë të marrë pjesë, sepse Erjoni është i kualifikuar për të gjitha garat ndërkombëtare, cilatdo qofshin, në skinë alpine”.

Çështja: PARATË
E vetmja divizë e Erjonit në garën e tij është “Albania”, ndërsa nuk ka asnjë sponsor, pasi familja është e vetmja që e financon. “Tashmë kanë kaluar 3 muaj që trajneri ynë, Roberto Bonavita, ka firmosur një kontratë me Federatën Shqiptare të Skive dhe nuk ka marrë akoma paratë që i takojnë, ashtu edhe ne paratë që na u premtuan për garat kualifikuese në sllalomin special dhe supergjigand, të cilat i kemi shpenzuar ne si familje”,- shprehet Ferdinand Tola. Bëhet fjalë për një kontratë prej 22500 euro që zgjat nga 1 tetori 2005 deri në 31 mars 2006, akoma e palikuiduar. Sipas babait të sportistit, pagesat duhet t’i kryejë KOKSH-i, që ishte financuesi për “Torino 2006”, domethënë ka grumbulluar paratë nga sponsorat në Shqipëri për këtë aktivitet olimpik. “Ndërsa për Erjonin na u premtua nga KOKSH-i, që do të paguheshin vetëm garat kualifikuese para Olimpiadës, rreth 3000 euro dhe që akoma nuk janë paguar dhe duke parë se është diçka verbale, unë nuk besoj se do ta mbajnë fjalën, megjithëse i kemi dorëzuar të gjitha faturat e shpenzimeve të bëra” - përfundon Tola, në lidhje me problemin e tij.

Prononcimet
Mema: Federata e Skive, pret procedurat e Ministrisë

I pyetur nga gazeta “Shekulli”, në lidhje me çështjen e sportistit shqiptar Erjon Tola, kryetari i Federatës Shqiptare të Skive, Shkëlqim Mema thotë se “ende nuk janë mbyllur procedurat nga ana e Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit. Një pjesë e shpenzimeve do të mbuloheshin nga sponsorët, ndërsa një pjesë duhet ta japë ministria, e cila me sa dimëm është duke e shqyrtuar rastin. Duhet të them se trajneri duhet paguar, pasi ka bërë një punë shuamë të mirë dhe Erjoni është në një nivel shumë të kënaqshëm. Është shteti, ai që duhet ta zgjidhë detyrimin me trajnerin”,- përfundon Mema.

Domi: KOKSH çoi delegacionin në Torino
Edhe presidenti i Komitetit Olimpik, Hysen Domi, ia kalon Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit përgjegjësinë, ndërsa shprehet se “ne ishim vetëm një pjesë e grupit që vendosëm të merrnim përsipër akomodimin e skiatorit gjatë Lojërave Olimpike të Torinos. Projekti fillestar bëri një preventiv prej 80 mijë dollarësh. Vetë Komiteti Olimpik, me anë të sponsorizimit të Komitetit Ndërkombëtar Olimpik, shpenzoi një shumë prej 23 mijë dollarësh për pjesëmarrjen e delegacionit shqiptar në këto lojëra. Përveç kësaj, është çelur edhe një shifër prej pesë mijë eurosh për trajnerin nga sponsorat. Pjesa tjetër i takon ministrisë”,- përfundon Domi.

Alibali: Çështjen do ta procedojmë në prokurori
Krejt i ndryshëm është reagimi i zv.ministrit Neritan Alibali, i cili shprehet se “është absurde që kjo pagesë kaq e madhe, prej 20 mijë eurosh të likuidohet nga ministria, kur pikërisht për të mbuluar shpenzimet u bë një fushatë paraprake, në kushtet e mungesës së parave, për të mbledhur para nga sponsorët. Grumbullimi i parave, iu la Komitetit Olimpik që tani pretendon se shuma duhet të paguhet nga ministria. Për këtë çështje që duket tepër e rëndë, pres informacionin nga Drejtoria e Sportit dhe më pas do të aktivizoj Auditin e Brendshëm dhe nëse është e nevojshme, do të procedojmë në prokurori”,- përfundon zv.ministri Alibali.

Aventura e Erjonit, 19-vjeçarit shqiptar që arriti në Olimpiadën e Torinos dhe që tani synon kupën e botës dhe kampionatin botëror

Erjoni, shpresa e skive shqiptare

Sipas trajnerit Bonavita, përfaqësimi i Erjonit ishte dinjitoz për Shqipërinë. Vetëm 19-vjeç dhe për herë të parë në Lojërat Olimpike, Erjoni ishte shumë i ri për të pretenduar, më i riu në skinë alpine që është dhe sporti më prestigjioz në Lojërat Dimërore. Megjithatë, ai debutoi mirë duke u radhitur i 56-ti në garën supergjigande, ndërsa fituesit ishin norvegjezi Amodt, 35-vjeç, austriaku Majer 34-vjeç, dhe zvicerani
Hofman 33-vjeç. Në sllalomin gjigand nga 84 vende, Erjoni e përfundoi garën i
35-ti, një rezultat ky shumë pozitiv, kur fituesit ishin edhe në këtë rast mbi 25-vjeç.
Rezultatet ndërkombëtare të Erjonit
Erjoni merret me ski prej një kohe shumë të gjatë në klubet sportive në Itali, ku është rritur dhe formuar si sportist. Ka bërë shumë gara, rreth 30 të tilla në vit, që ka nisur t’i zhvillojë mjaft herët, që në moshën shtatë vjeçare, ndërsa që nga viti 2003 ka garuar për emrin e Shqipërisë, derisa arriti të kualifikohej për në Lojërat Olimpike të Torinos. Për t’u kualifikuar në Olimpiadë, duhet të realizosh një sërë pikësh nëpërmjet garave ndërkombëtare “FIS” dhe për të realizuar këto pikë, duhet të jesh i koduar si atlet i FIS-it (Federata Ndërkombëtare e Skive), gjë që Erjoni e ka. Përsa i përket pikëve të FIS-it, çdo skiator e fillon garën e parë me 9999,9999 pikë dhe këto duhet t’i ulë në minimum deri 0 pikë, siç janë kampionët e botës, kurse kufiri i pikëve në Olimpiadë ishte 120 pikë, të cilat Erjoni i realizoi dhe gjendet ne sllalomin special me 93 pikë, në gjigand me 82 pikë dhe super gjigand 114, gjë që duket premtuese për moshen që ka.
Vështirësitë e një atleti olimpik
I duhet të bëjë mjaft sakrifica Erjonit, fizike dhe ekonomike, sepse shpesh qëllon të bëjë gara në kushte shumë të vështira atmosferike, temperatura të ulëta deri në 20 gradë nën 0, në lartësi dhe disnivele tepër të mëdha, deri 3800 metra lartësi, me transferta çdo fundjavë nga një pistë në tjetrën dhe nga një shtet në tjetrin. Janë të kushtueshme materialet si ski, skarponi, kaskë, tuta gare, tuta skije, pagesat për klubet sportive, hotelet, por vështirësi paraqesin edhe incidentet e shumta që i shoqërojnë atletët gjatë garave dhe stërvitjeve, që bëhen madje të rrezikshme për jetën e tyre.