Flori - Press

Mire se vini ne faqen tone virtuale "Flori-Press" te moderuar nga stafi redaktues Flori Bruqi, Engjell Shehu,etj.

e premte, maj 05, 2006

Martin Heidegger: Mjeshtri i fshehur i mendimit modern

Martin Heidegger, i konsideruar si filozofi më i madh i shekullit XX, lindi më 1889 në Messkirch, një qytet i vogël i jugut rural të Gjermanisë; po edhe pse i njohur si i tillë, ai shpesh referohet si një "njeri pa biografi". Pavarësisht se një përcaktim i tillë mund të jetë i tepruar, përsëri është fakt se jeta e tij përgjithësisht ishte e thjeshtë dhe normale, si e çdo profesori të zakonshëm të Gjermanisë. Me përjashtim të periudhës midis Majit 1933 dhe Shkurtit 1934, kur ai u përfshi në Partinë Naziste të Hitler-it, në vijim ajo mund të thuhet si e përshkruar "pa kurrfarë ngjarje".

Disa shkrime të tij të vonshme si "Udha e jetës sime" dhe "Udha ime drejt fenomenologjisë", japin mjaft detaje biografike mbi jetën, edukimin, prirjet akademike dhe mendimtarët kryesorë që ndikuan mbi personalitetin e tij shumë-planësh (veçanërisht Aristotel, Edmund Husserl dhe Wilhelm Dilthey-që korrespondojnë edhe me tre dimensionet kryesore në të cilat u zhvillua filozofia e tij e hershme: ontologji, fenomenologji dhe historicitet). Ndërsa shkrime të tilla (po biografike) si "Pse unë rroj në provincë" dhe "Shtegu", nxjerrin më në pah dëshirimin e tij të zjarrtë për njejtësimin me natyrën- njejtësim ky që njeriu mund ta përjetojë vetëm në jetën e thjeshtë, të shtruar dhe të rëndomtë të fshatit. Aq më tepër që në këtë mjedis natyral, ai shprehej se "gjendej në hapësirën e përkryer dhe në vetminë e domosdoshme për kërkimet e tij".

Më 1927, pasi kishte dhënë për shtyp edhe tre artikuj të një një rëndësie të veçantë filozofike dhe me një ide të tillë të bluar në mendje që prej 15 vjetësh (pra që rreth të njëzetave), Heidegger boton veprën e tij madhore "Qënia dhe koha", të konsideruar si teksti më ndikues në gjithë filozofinë e shekullit.

Vepra, në të vërtetë, sipas skicimit filozofik heidegerian, duhej të plotësohej edhe nga një pjesë e dedikuar kohës me titull "Koha dhe qenia" dhe nga një pjesë tjetër me karakter historik. Por në realitet, i gjithë ky projekt mbeti i papërfunduar, edhe pse disa pjesë të tij u integruan nga autori në shkrimet e mëvonshme si: "Kanti dhe problemi i metafizikës" Thelbi i themelimit" dhe "Ç'është metafizika" ( të gjitha të vitit 1929).

Nga ky këndvështrim, veprat e tij deri në vitin 1930, ndjekin linjën e "analizës ekzistenciale" deri në kufijtë e "zbulimit të thelbit të qenies", ndërkohë që pas vitit 1930, Heidegger bën atë që nga komentuesit dhe biografët e tij është quajtur si "kthesa" e madhe. Pra, ai e ndryshon perspektivën e kërkimeve të veta, duke zhvilluar kryesisht temën e inisiativës së qenies në zbulimin e vetvetes, temë kjo që qarkullon në të gjitha botimet e tij deri në vitin 1962 si: "Hölderlin dhe thelbi i poezisë", "Doktrina platonike e së vërtetës", Thelbi i së vërtetës", "Letër për humanizmin", "Holzwege", "Ç'do të thotë të mendosh", "Problemet bazë të fenomenologjisë" etj.

Sot, ka opinione të ndryshme mbi mënyrën e kuptimit dhe interpretimit të kësaj kthese në mendimin e Heidegger-it. Një grup studiuesish thotë se tërësia e mendimit të tij filozofik përmbahet në veprën "Qenia dhe koha", vepër kjo që rrok për ta të gjitha temat e shkrimeve të mëvonshme të autorit.

Një grup tjetër opinionesh është ai që njeh tre periudha të ndryshme në shtegun e mendimit heideggerian. Ndërkohë që grupi i tretë (dhe më mbizotëruesi) është ai që konsideron vetëm dy faza të këtij mendimi, të emërtuara si Heidegger-i i hershëm (ose Heidegger I) dhe Heidegger-i i vonshëm (ose Heidegger II). Por edhe brenda këtij grupi ka dallime. Komentues të famshëm të Heidegger-it, të tillë si John Wild apo Alphonse de Waelhens, flasin për një thyerje të plotë të mendimit heideggerian, të atillë që të mos gjendet dot një urë lidhëse midis Heidegger I dhe Heidegger II, kurse studiues e mendimtarë të rangut të Otto Poeggeler, Michael Inwood e William Richardson, mbështesin idenë e ekzistencës së një hoherence dhe uniteti midis dy fazave, ide kjo që shkon më në përpuethshmëri me citimet e vetë Heidegger-it për trajtimin e kësaj "kthese", kur ai pohon se këto dy faza "nuk duhen parë si të veçuara nga njëra-tjetra, por në vazhdueshmëri, si në brendi ashtu dhe në qëllime, pavarësisht se perspektiva e tyre është e ndryshme".

Pra, mendimi mbizotërues është se Heidegger II është një shpjegim dhe interpretim më i hollësishëm i Heidegger I, nga pikëpamja e perspektivës së Qenies.

Në vitet 60' dhe 70', aktiviteti i mendimtarit të madh filloi ta ulte disi intensitetin. Pjesën më të madhe të kohës ai e kalon në Freiburg ose në vilën e vetmuar malore të Todtnauberg-ut (dhurratë e gruas së tij si studio ku ai mund të punonte i qetë). Më 1966, Heidegger jep një intervistë të gjatë për Der Spiegel me një titull që jehonizon një varg të Hölderlini-it "Vetëm një Zot mund të na shpëtojë"-intervistë kjo e bërë...
F.Bruqi