Flori - Press

Mire se vini ne faqen tone virtuale "Flori-Press" te moderuar nga stafi redaktues Flori Bruqi, Engjell Shehu,etj.

e shtunë, maj 06, 2006

JU FLET ARKADIA PER MITINGUN E POEZISE'06

Enkas për Mitingun e poezisë ‘06

REPUBLIKA LETRARE

Ju flet ARKADIA

Kur ra Muri i Berlinit dhe u hapën portat e demokracisë, shumë shkrimtarë tanë klithën në kupë të qiellit:
Ishim të anatemuar, ishim disidentë!
Vox clamantis in diserto!
Dhe përnjëherësh u turrën në politikë:
Kur mund ta bëjmë artin e së pamundshmes, si nuk mund ta bëjmë artin e së mundshmes!
Filluan të këndojnë e të vajtojnë, të gjëmojnë e të protestojnë.
Kur sharruan thellë në politikë, ajo vezulloi si thikë.
Sokrati doli nga kupa e helmit:
Unë piva kupën e helmit për të vërtetën. Më akuzuan se prishja rininë dhe nuk besoja perënditë mitike!
Dokrra, dokrra!
Çfarë disidentësh ju, që deri dje kullotnit livadhet e perandorisë!
Kush këndonte ode për kullën e fildishtë? Kush hipte në trenin e kaltër? Kush udhëtonte autostradës së bashkim-pushtimit?
Kush ishte censor e redaktor?
Kush denonconte e botonte?
Kush stolisej me kurora dafinash?
Platoni u përkund nga gjumi antik:
Ah, ideja e Republikës! Fjalë antike Res publica.
Ju shkrimtarët dukeni paksa fantastikë. Sakaq ngrini kulla prej letre, mbëltoni pyje të dendura metaforash e simbolesh.
Ku është Akademia juaj?
Ah, akademikët si papagajt!
Ata dënuan Republikën.
Ku i keni pedagogët që diferenconin me formula algjebrike e kimike?
Ku janë intelektualët?
Bah, asnjë në Panteon!
Pirro Molosi hapi krahët si shqiponja:
Kush e lidhi shqiponjën me shall?
Rinia shpalli qe dhjetë vjet Republikën, e shkroi me gjak nëpër mure e sheshe, nëpër koka të njerëzve.
Ç’bënin atëherë prokurorët, gjykatësit e policët tuaj?
Oh, sa republikanë të rinj dergjen burgjeve!
Uh, asnjë politikan në burg!
Republika kërkon sakrifica.
Së pari Liria, pastaj demokracia!
Gjergji i Madh zhveshi pallën:
Ç’po llomotisin historianët e politikanët tuaj?
Ku i keni institucionet fiktive: parlamentin e qeverinë?
Ku ushtrinë e policinë?
Si, ore, Parlamenti juaj dorëzoi autonominë?!
Juristët e vetëqeverisjes thoshin s’humbim asgjë.
Eh, politikanët u shkrinë në autonominë e kadifenjtë!
Shporruni këtej!
Republika është kështjellë me themele e shtylla të forta.
Nuk bëhet me letra, por me vepra!
Shkrimtarët u shastisën. Hapën enciklopeditë: gr. polis qytet-shtet.
Ik, ik, politika qenka polici!
Këtu u dashka sakrificë!
Aristoteli i këshilloi të bëjnë së pari katarzën e mimezës.
Shkrimtarët ikën një nga një duke mallkuar.
Së pari u dashka çlirimi i brendshëm, se i jashtmi ardhka vetvetiu.
Në krizën pluraliste në Arbëri lulëzoi arti si në Voskopjë.
*
Jusuf Buxhovi hapi Librin e të mallkuarve.
Ibrahim Rugova bëri Refuzimin estetik.
Rexhep Ismajli shestoi Shenjë e ide.
Sabri Hamiti vuri Futën.
Aurel Plasari paralajmëroi Vija e Teodosit rishfaqet.
Mark Krasniqi ngriti Kullën e buburrecit.
Milazim Krasniqi këndoi Kur lindi partia.
Adem Gashi pikturoi Pëllumbin e paqes.
Rifat Kukaj u laurua për Pëshurranin e gjyshit.
Daut Demaku sajoi Magjinë e urtisë.
Zejnullah Rrahmani krijoi Mjeshtrin e vetmisë.
Teki Dervishi bëri Herezinë e Dervish Mallutës.
Musa Ramadani doli Anti procesion.
Arif Demoll u ngrit Ante portas.
Dritëro Agolli u shtang Çudira dhe marrëzi!
Fatos Arapi klithi Gloria victis!
Adem Istrefi shau Argatët e dreqit.
Mehmet Kraja vajtoi Vitet e humbura.
Rushit Ramabaja mallkoi Fajnitë e apostujve.
Azem Shkreli dëshmoi Zoti nuk është shqiptar.
Luan Starova kujtoi Kohën e dhive.
Kasëm Trebeshina i ra Mekamit.
Bashkim Shehu shtroi Gostinë.
Anton Pashku ofshani Oh, oh, oh!
Uran Butka pohoi Vdekje e bardhë.
Visar Zhiti pyeti Si shkohet në Kosovë?
Agim Gjakova tha Guxo e vdis.
Ali Podrimja bëri Harakiri.
Din Mehmeti bërtiti Mos vdis kur vdiset!
Xajë Nura u trishtua dhe ra në Dergjë.
Adem Demaçi u rebelua dhe shpalli Vet-mohimin.
Emin Kabashi doli në shkallë e pyeti: A erdhi nusja?
Ismalil Kadare u përgjigj: Ra ky mort e u pamë.
*
Kështu shkrimtarët shkruan Republikën Letrare ‘99.