Flori - Press

Mire se vini ne faqen tone virtuale "Flori-Press" te moderuar nga stafi redaktues Flori Bruqi, Engjell Shehu,etj.

e hënë, maj 01, 2006

HUMOR 7: Paradokset e Arkadise

e hënë, maj 01, 2006
Humor 7 : Mahitet ARKADIA

Humor 7

PARADOKSE

Mahitet ARKADIA

DARKA E LAMËS
Ne jemi populli më i pasur me lëmenj. Kemi lëmë burrash, lëmë grash, lëmë leshi, lëmë drithi, lëmë drush, lëmë thish, kuajsh e gomarësh, lëmë dreqërish, lëmë politik, artistik...
Lëmi i drithit ka një strumbullar mbi duaj të shtruar, ku kuajt lodrojnë në lëmë deri në hënë.
Kur shijmë mirë lëmin, shtrojmë Darkën e lëmës, si një ritual magjik. Hamë kallamoqa të zier, fasule me groshë, kërtolla me patate, petulla në ujë, mazë të zier, flia me mbrume, çervish e kunguj dervish, pekmez me dardha turshi, bibanë, gica, keca,qengja të pjekur...

Pimë verë ilire me kunguj, pocerrka e vegsha, tambël zogjsh, abramoz, tambëlborë, kos të kulluar…

Të gjitha këto janë specialitete dardane nga serrat tona të specave, lakrave patëllgjanave e kastravecave. Janë nga fermat tona të buallicave, berrave e derrave, demave dardanë, hamshorëve e pelave të azdisura, deshve e cjepve, që i ruan vetëm një qen i madh sharri.

Atë natë zbret gjithë koha e artë në tryezën dardane.
Hapet qielli dhe populli kënaqetr dukë ngrënë e duke pirë në ekran.
Shën Pjetri këndon psalmin për Darkën e lamës, si një yshtje magjike për Dhemetrën.

Pastaj hedhim valle, i biem kavallit dhe luajmë kapuças.
Ne jemi aq të zotët, sa gjithherë shijmë lëmin!

INTEGRIMI

Përpara vetë integrimit kombëtar, shqiptarët kanë hedhur në plan të parë integrimin ndërkombëtar. Liderthit sikur vetëkënaqen me pashallëqet e vogla. Ata përgjërohen përditë për integrimin evropian dhe veriatlantik.

Oh Zot, sa të çoroditur këta njerëz! Çfarë integrimi më të madh kërkojnë kur këmbë e krye janë futur në NATO, euroja qarkullon këtu si lira, ndërsa Prishtina është bërë seli e tretë e Kombeve të Bashkuara, natyrisht pas Nju-Jorkut e Gjenevës! - tha një ndëkombëtar i shastisur.




AMBASADORI FUQIPLOTË

Menjëherë pas kumtit të bardhë se Dominioni i Melshizedekut kishte njohur pavarësinë e Dardanisë, dr.Lush Gushi ishte emëruar ambasador i parë fuqiplotë. Porsa kishte marrë kredencialet me myhyr të dyllosur, kishte zënë avionin e parë.

Pas odisesë së gjatë, një vjeshtë të vonë kishte zbarkuar në vendin e premtuar. Ishte një ishull i vetmuar në Paqësor, vetëm me një manastir të braktisur. Përpara i kishte dalë një murgeshë, e cila po kulloste një tufë dhensh. Ambasadori kishte nxjerrë menjëherë faksin në dorë. Nikoqirja ia kishte pritur me keqardhje: Mjerisht, pronari i ishullit qëndron këtu vetëm verës. Selinë e ka në San- Francisko, por rri herë në Havai, herë në Honolulu.

Ambasadorit iu kishte dukur vehtja ndër lule, por ishte këmbëngulës ta kërkonte edhe atje. Hartat tregonin dy qytete në pika krejt të kundërta të globit.
Takimi i parë në Honolulu e Havai ishin plazhet e nudistëve.
Ambasadori ishte magjepsur nga njerëzit cipridan cullakë.

Çfarë anatomie antropologjike! –kishte klithur me habi. Obobo, as atje s’e njihte kush Njeriun misterioz! Si ta njihnin kur s’kishin kurrfarë shenje identiteti?!
Kot bariste plazhet me faks në dorë. Tek po përmbyteshin të gjitha shpresat, jahta e tij ishte përplasur papandehur mbi jahtën me mbishkrim Melshizedek. Ambasadori kishte klithur nga gëzimi: eureka!

Në kuvertën e jahtës po qëndronte një burrë babaxhan, pak i kotur nga dielli vjeshtak . Dr.Gushi ia kishte hapur përnjëherësh faksin me letrat e dyllosura. Derisa po i shfletonte, babaxhani mohonte me kokë: Vërtet unë jam Melshizedeku, por ky nuk është nënshkrimi im! Mund ta ketë dërguar kush në emër tim nga vendet tuaja fqinje.

Është një humor i kulluar! Po, ku i bie kjo Dardania? Dardania është në antikë, te mbreti Longar, -ishte përgjigjur ambasadori. Aha, qenka shumë larg!- i kishte thënë në ndarje babaxhani.
Pas disa stinë bredhjesh si Uliksi, ambasadori ynë ishte kthyer vetëm me një krah kollaresh në qafë. Megjithatë, ishte shumë i lumturuar:
Në Havai e Honolulu sensibilizova dy ishujt e nudistëve!

REPUBLIKA AUTONOME

Ç’nuk bëri krejt Kosova, bëri vetë Gjakova: shpalli republikën autonome!
Gjakova kishte përmbushur të gjitha standardet për këtë status.
Astrit Haraçia nguli hunjtë në gjashtë portat e qytetit me mbishkrimin Republika Autonome e Gjakovës!

Mirëpo, në këtë qytet-shtet nuk ishte përfshirë asnjë katund i Gjakovës.
Tash në Gjakovë mund të hyhet vetëm me viza.

Haraçia do të mbledhë gjithë haraçin e qytetit për të ngritur kështjellën në Çabrat.
Për këtë vepër monumentale Haraçia fitoi ofiqin e ministrit të kulturës.
Haraçia di t’i bjerë mirë violinës.

Oi, ministri i dëshirit me vath në vesh!
Dikur edhe Markagjoni kishte shpallur në Prizren Republikën e Mirditës.

AKSHANI
Në Kosovën multietnike bëhen gara me flamujt lara-lara.
Kosova është bërë fole shqiponjash: të zeza, të bardha, të kuqe...
Flamuri i Akshanit sfidon flamurin e Dardanit: Një vijë e gjelbër, një e bardhë dhe një e kuqe, me një shqiponjë në mes…e mbretit Akshan, prej të cilit e ka prejardhjen komuniteti ashkali. Mirëpo, shqiponja e Sabit Rrahmanit ka vetëm një kokë.
Ashkalinjtë kanë edhe këngën e flamurit, përcjellë me sharki, çifteli e klarinet.
Eh, çfarë dasme bëhet!

ZOTI TENDER

Tenderi sot është bërë mbretëreshë e fjalëve. Mirëdita Zoti Tender!- e përshëndesin njerëzit. Është fjalë angleze për vagonin pas lokomotivës, anijen përcjellëse, rimorkion. Kuptimi i saj figurativ është bisht, bythec, kukull e diçkaje.
Sot ka marrë kuptim gati tjetërfare, shenjon ankandin, licitacionin e shitjes së pasurisë shoqërore. Mirëpo, sikur ka mbetur kuptimi figurativ i bishtit. Përveç çmimit të pronës, medoemos duhet të paguash edhe tenderin, pra bishtin e tij, për anëtarët e komisionit të shitjes. Kështu ndodh kur shitet pasuria kombëtare, e jo ajo private.
Mos u çuditni shumë: edhe dardha ka bisht! Pse, si të bëhen kapitalistë pushtetarët e uritur?!
Thonë se bishti i berrit është mishi më i shijshëm.

LUFTA E KARRIGEVE

Në sallën e renovuar të Kuvendit të Kosovës ishte zhvilluar një ndeshje e rreptë e karrigeve. Ca karrige partiake kishin kërkuar radhën e majtë, ca të djathtën, ndërsa të tjerat kishin zënë qendrën. Të gjitha karriget partiake synonin kryeradhën.
Daci evropian ishte hidhëruar keqas: Ky është mentalitet ballkanik!Kjo është salla më luksoze në Ballkan!
Shyqyr Zotit që karriget politike nuk mund të lëviznin, sepse do të përplaseshin mbi njëra-tjetrën dhe mbi vetë Dacin!

SHTËPITË PUBLIKE

Shtëpitë publike po lulëzojnë sot si pranvera. Ato janë parajsa ku avullon publikisht energjia e tepërt njerëzore. Aty bëhen hulumtimet më të thella antropologjike. Edhe pse quhen publike, ato ende veprojnë ilegalisht, për turpin e botës. Sikur të hynin nën administrimin e Ministrisë së Punëve Publike, do të paguanin taksa fantastike . Kështu kjo do të bëhej ministria më rentabël ekologjike. Oburrani, çfarë biznesi!

DITA E RRENAVE

Gjithçka në botë ka ditën e vet të festimit.
Ditën e rrenave mund të rresh lirisht, pa kusur. Atë ditë gëlojnë të gjitha rrenat e botës. Kjo është një e drejtë e lirisë së shprehjes.
Imagjinata e njeriut ka krijuar lloj-lloj rrenash.
Ka rrenë me kripë, rrenë përtoke, që mund të kapërdihen disi.
Ka rrenë të kuqe si nuse.
Por ka edhe rrenë në diell, rrenë në hënë, që s’preken dot.
Rrena me bisht është shumë e madhe.
Rrena me rreng është me dredhi e djallëzi të tmerrshme.
Ka rrenë që të gërbulin, të lebetisin.
Rrena jeton derisa të kuptohet përnjëmend. Kur zbulohet rrena, të gjithë qeshin ha-ha-haaaaa!
Dikush kishte thënë se Dita e rrenave është ditë e politikanëve.
Ahu, politikanët i festojnë me rrena të gjitha ditët e javës.
Ata kurrë nuk rrejnë pa folur!

KRIZA

Është çrregullim i thellë, tronditje, hallakamë, zallamahi....
Nuk di kush ku e ka kokën e ku bishtin.
Rrotullohen rropullitë.
As qeni nuk e njeh të zotin.
Prandaj ka krizë të bukës, të ujit e të dritës.
Ka krizë morale, të zemrës e të mendjes.
Ka krizë të dashurisë e të lirisë.
Të gjitha i shkakton kriza politike.
Kur pushton kriza, dridhet kërthiza, shpon biza e shkon bizga......

posted by Flori Bruqi at 12:53 MD