Flori - Press

Mire se vini ne faqen tone virtuale "Flori-Press" te moderuar nga stafi redaktues Flori Bruqi, Engjell Shehu,etj.

e diel, maj 14, 2006

Flori Bruqi:Muzika e tallave apo pak muzike me estetike

Dominimi i teksteve banale
Tekstet e këngëve të lehta shqipe janë banale, pa kurrfarë vlere artistike, ndërkohë tekstshkruesit, shumica e të cilëve mediokër, veprojnë në stilin “çfarë kërkojnë, atë jepua”

Tekstet e këngëve të lehta shqipe janë banale, pa kurrfarë vlere artistike, ndërkohë tekstshkruesit, shumica e të cilëve mediokër, veprojnë në stilin “çfarë kërkojnë, atë jepua”.

Në tekstet e këngëve shqipe të muzikës zbavitëse përdoren fjalë banale, që, sipas kritikëve muzikorë, nuk i përkasin këngës dhe gjuhës shqipe. Zakonisht këto shprehje huazohen nga gjuha angleze ose ndonjë gjuhë tjetër dhe përshtaten në këngët e lehta shqipe, por në gjuhën tonë këto shprehje janë shumë banale. Të tilla tekste janë të këngës së Bleona Qeretit “Ti nuk di as me ma lyp”, Zanfina Ismailit “Jo nuk ta jap”, të “Tingullit të trent” kënga “Llokum me arra”, “Etno engjujt” me këngën “Natën”, grupi “N.R.G.” me një pjesë të tekstit “Ama ama moj shqiptare....” etj.

Tekstshkruesi shqiptar Ejup Shabani, i cili ka shkruar tekste për këngëtarët Eroll Jakupi, Leonora Jakupi etj., thotë se çdo tekst ka meritën e atij që e ka shkruar. Sipas tij, çdo këngëtar ka stilin e vet të këndimit dhe kërkesën e teksteve.

“Përderisa i kërkon populli, unë nuk kam asgjë kundër këtyre teksteve, edhe pse unë nuk shkruaj në atë stil, por më tepër përqendrohem në tekste dashurie”, thotë Shabani.

Sopranoja e njohur Besiana Mehmeti, e cila shpeshherë ka ngritur zërin kundër amatorizmit, mendon se momentalisht shqiptarët kanë mungesë të madhe të tekstshkruesve në përgjithësi dhe shumica e këngëtarëve, sipas saj, kërkojnë tekste pa ndonjë mesazh.

“Këtu kemi dy-tre emra që kanë shkruar tekste të mira të këngëve, dhe ata janë tërhequr. Shumica e këngëtarëve nuk japin kontribut për një tekst të mirë, prandaj tekstet e tyre nuk kanë mesazhe. Shumë rrallë mund të gjejmë një tekst të mirë”, thotë për “Lajm” Besiana Mehmeti.

Ajo si këngëtare thotë se ka probleme për këtë gjë dhe kjo është si pasojë e huazimit nga serbishtja, greqishtja dhe një muzikë që është joprofesionale, sepse një kënge të mirë duhet t’i bashkëngjitet edhe një tekst i mirë.

Këngëtarja Leonora Poloska mendon se në përgjithësi estrada shqiptare ka tekste të mira dhe me tematika të ndryshme, mirëpo ka edhe të tilla që nuk duhet të lëshohen në eter. “Unë jam për atë që tekstet të jenë të lehtë dhe të kapshme për dëgjuesit, mirëpo kjo nuk domethënë që ta kalojnë nivelin e komercializmit dhe në to të mos ketë asgjë artistike. Disa gjëra nuk janë për eter”, thotë Poloska.

Ndërkaq, këngëtarja Tuna mendon se teksti e jep pasqyrën e vërtet të një këngëtari, dhe “nëse populli mendon se një këngëtare ka tekst banal, me siguri edhe për këngëtaren ose këngëtarin mendojnë se është banale edhe në jetën e përditshme”.

“Unë personalisht nuk kam dëshirë të këndoj tekste të tilla. Tekstet e mia zakonisht janë në mbrojtje të femrave, kundër meshkujve”, thotë Tuna.

Duket se edhe këngëtarët që flasim më shumë për vlera të teksteve, nuk bëjnë tjetër veçse i belbëzojnë këto tekste pa kurrfarë vlere artistike dhe pa kurrfarë shije. Vazhdojnë në stilin “atë e kërkon populli, atë jepja”.

Këngëtarët interesohen për politikë

Shkup, Këngëtarët shqiptarë në Maqedoni, Kosovë dhe Shqipëri e përcjellin rregullisht politikën. Disa thonë se po të mos ishin këngëtarë sigurisht se do të bëheshin politikane.

“E përcjell politikën dhe e dua. Po të mos isha këngëtare sigurisht se isha bërë politikane. Jam qytetare e këtij shteti dhe pa marrë parasysh se jam këngëtare, si qytetare, normalisht se më intereson politika dhe ngjarjet në vend. Për këngëtarët tjerë mendoj se të gjithë e përcjellin por nuk tregojnë“, thotë këngëtarja Big Mama.

Këngëtarja nga Kosova, Gili thotë se ajo mundohet që familjen e sajë ta mbajë sa më larg rrjedhave të politikës.

„Unë e përcjell politikën si çdo qytetar tjetër, por nuk jam kompetente të flas për politikën. Nuk jam e ngarkuar me të, mirëpo hallet e qytetarëve janë edhe halle të mia“, thotë për Gili për “Lajm”.

Disa këngëtarë përcjellin politikën për shkak se janë në dominim të rrethit ku çdo ditë flitet për tema politike.

“Unë përcjelli politikën edhe pse nuk kam angazhim të drejtpërdrejtë, mirëpo më pëlqen të bëj debate politike me kolegë dhe miq“, thotë Agim Poshka.

Këngëtari Selami Kolonja mendon se artistët mund të merreshin me politikë nëpër institucione ku mund të bëjnë art, si p.sh në Ministrinë e Kulturës.

”Kurrë nuk jam marrë me politikë, di shumëçka nga politika, thjesht për të qenë në hap me kohën. Pra si nga politika kombëtare ashtu edhe më gjerë“, thotë Kolonja.

Edhe pse të zënë me punë, politika gjen vend në jetën e secilit këngëtarë dhe është pjesë e përditshmërisë së tyre.
Klipe të shtrenjta që nuk korrespondojnë me muzikën

“Regjia e klipeve shqiptare s’ka lidhje me tekstin. Këngëtarët garojnë kush do ta ketë klipin më të mirë dhe më të shtrenjtë, e jo kush do ta ketë këngën më të mirë. Kancer, sëmundje e madhe”, thotë për “Lajm” regjisori Ahmet Jakupi
ëngëtarët shqiptarë dita-ditës po realizojnë klipe të reja që, siç kanë qejf të thonë ata, “janë profesionalisht të punuara”. Por regjisorët thonë se këto klipe zakonisht nuk korrespondojnë me muzikën dhe me tekstin e këngëve. Si shtëpi produksionesh në klipet shqiptare zakonisht paraqiten “Fabrika”, “Tomato”, “Alexander” etj., të cilët thonë se numri i këngëtarëve shqiptarë që kërkojnë të realizojnë videoklipe tek ata dita-ditës po rritet.

Marijan Ognenovski nga produksioni “Fabrika” thotë se deri tani kanë realizuar afro 20 videoklipe të këngëtarëve shqiptarë.

“Çmimet tona nuk janë të larta, prandaj interesimi i këngëtarëve shqiptarë është shumë i madh”, thotë ai.

Këtë e pohon edhe Dobre Tasev nga produksioni “Tomato”, që deri tani ka realizuar afro 50 klipe të këngëtarëve shqiptarë.

Çmimet për një videoklip sillen nga tre deri tetë mijë euro, varësisht nga kërkesat e këngëtarit, lokacioni i klipit, inkuadrimi i vallëzuesve etj.

Në këtë produksion thonë se kanë angazhuar asistentë që i përkthejnë tekstet e këngëve në mënyrë që regjisori ta kuptojë këngës pas së cilës e realizon videoklipin. Por duket se në praktikë gjërat janë ndryshe. Gati te të gjitha klipet shqiptare vërehet një lidhshmëri qesharake mes grimit, tekstit dhe realizimit final të klipit në tërësi. Kështu është klipi “Me kast” i Gilit, klipi i fundit i Labit ose Sabiani, Miranda, Tuna, Leonora Jakupi, Poloska dhe shumë e shumë e tjerë që radhiten pas.

“Te videoklipet botërore klipi nuk lidhet me këngën, prandaj edhe ne e zbatojmë një metodë të tillë. Produkcionet maqedonase kanë një teknikë shumë më të avancuar dhe janë shumë të organizuar, prandaj ne punojmë me profesionalistë për ta avancuar kulturën shqiptare”, thotë Gili. Ndërkaq, këngëtarja Miranda Hashani mendon se klipi bëhet varësisht nga këngëtari i cili mund të kërkojë storje ose videoklip ku më shumë do të dominojë bukuria e këngëtarit.

“Regjia e klipeve shqiptare s’ka lidhje me tekstin. Gati se të gjithë klipet janë të shabllonizuar dhe të vjedhur nga klipet e huaja. Këngëtarët garojnë kush do ta ketë klipin më të mirë dhe më të shtrenjtë, e jo kush do ta ketë këngën më të mirë. Kancer, sëmundje e madhe”, thotë për “Lajm” regjisori Ahmet Jakupi.

Sipas tij, nëse ka kuadro shqiptar në montazh apo produksion shqiptar që do ta kishin kuptuar tekstin, atëherë të njëjtin e kishin punuar më me dashuri dhe ndërlidhshmëri.

“Sot nëse ke 5000 e më tepër euro bëhesh ylli i estradës, pa marrë parasysh a di apo nuk di të këndosh. Këngëtarët shqiptarë më tepër kujdesen për grimin dhe dukjen e tyre sesa për përputhshmërinë e tekstit me klipin ose këngën dhe zërin e tyre”, thotë regjisori Jakupi.

Përparim tek shqiptarët sheh producenti Dobre Tasev nga produksioni “Tomato”. Ai thotë se “këngëtarët tani e kanë kuptuar se më këngë dhe videoklip të mirë mund të arrijnë në majat e top listave.”
Këngëtarët më tepër të paguar gjatë verës

Odeta Dervishi: “Për një muaj e gjysëm gjatë verës, fitoj afër 30 mijë euro. Kur nuk është sezoni fitoj 1500 euro për një vikend.”

Çdo ditë i dëgjojmë këngët e tyre, ndërsa askush nga ne nuk e dimë se sa fitojnë këngëtarët në muaj. Shuma e të hollave që i përfitojnë këngëtarët varet nga shumë faktorë, siç është sezoni, niveli i këngëtarit dhe ajo se çka dhe ku punon.

“Mund të them se çdo gjë varet prej sezonit dhe prej këngëtarit. Tek ne më tepër fitojnë ata që këndojnë këngë popullore, tallava dhe që këndojnë në diasporë, gjë që tregon për nostalgjinë e shqiptarëve jashtë vendit. Për shumën askush nuk flet, kjo gjë mbetet sekret.”- thotë këngëtarja e njohur, Tuna.

Ajo tha se është këngëtare me imazh dhe se këndon vetëm nëpër spektakle të mëdha.

“Para së gjithash unë dua të ndjehem mirë kur dal në skenë, paratë nuk i kam edhe aq të rëndësishme. Një gjë nuk më pëlqen. Shumë këngëtarë nëpër televizione dalin me këngë zbavitëse, ndërsa kur dalin jashtë vendit kanë repertoarin e tyre popullor.”- thotë Tuna.

Edhe pse shumica e këngëtarëve nuk kanë dëshirë të përmendin shuma, megjithatë disa prej tyre tregojnë edhe pagën që marrin gjatë sezonit.

“ Fitim iim varet prej sezonit. Nëse është sezoni i verës, atëherë për një muaj e gjysëm, fitoj afër 30 mijë euro. Ndërsa jashtëkëtij sezoni këndoj nëpër mbrëmje gazmore dhe zakonisht vikendin e kam 1500 euro. Çdo gjë është relevante.”- thotë për “Lajm” këngëtarja Odeta Dervishi.

Shuma e të hollave të fituara zakonisht është temë e ndjeshme për secilin. Ndodh që dikush edhe të hidhërohet kur i parashtrohet kjo pyetje.

“Po t’a kishit pyetur dikë tjetër sigurisht se do të ishte hidhëruar. Këngëtarët mund të përfitojnë shumë të kufizuar, mirëpo kjo gjë varet nga niveli i këngëtarit, varet se ç’farë punon dhe ku punon këngëtari. Për mua, personalisht mund të them se që 3 muaj asgjë nuk kam përfituar nga kënga. Unë punoj në Universitet të Tetovës dhe nuk këndoj për të mbijetuar.”- thotë këngëtari Selami Kolonja.

Në estradën tonë ka edhe këngëtarë që të hollat e fituara i investojnë menjëherë në album dhe kështu i krijojnë kënaqësi vetes dhe të publikut.

“Varet prej këngëtarit. Secili e ka çmimin e vet. Unë ato të holla që i fitoj gjatë sezonit i shfrytëzoj për punimin e albumit. Zakonisht në fund të sezonit diku kah maji këngëtarët kanë shumë harxhime. Mua një këngë më kushton afro 1500 euro, ndërsa kur marrë pjesë nëpër koncerte zakonisht më paguajnë 500 ose 600 euro, tani ju mund të llogaritni se sa fitojmë përafërsisht.”- thotë këngëtari i ri dhe mjaft i suksesshëm, Shpat Kasapi.

Secili kënëgëtarë e di mirë vlerën e tij. Dikush këndon për para, e të tjerët për kënaqësi. Dikush jeton për të kënduar, e dikush këndon për të jetuar.
KËNGËT TALLAVA

Sunaj Rahimi: “Vetë fakti se këngëtarët herë hidhen si këngëtarë popullorë e herë si zbavitës, tregon për një joprofesionalizëm dhe jolojalitet ndaj muzikës për të cilën këngëtari është përcaktuar në fillim. Kjo gjë shkaktohet si tendencë e kohës më të re që të komercializohet arti.”

Është fakt se estrada shqiptare, sidomos ajo zbavitëse, dita ditës po pasurohet me këngëtarë të cilët mundohen ta gjejnë vendin e tyre si “yje” në qiellin e madh muzikor. Shumica e këngëtarëve po prezentohen me videoklipa zbavitës të cilat më tepër dëgjohen nga rinia dhe aspak nuk vlerësohen nga kritikët muzikorë. Nga njëra anë ata paraqiten si këngëtarë të muzikës zbavitëse me shumë videoklipe profesionalisht të punuara, ndërsa nga ana tjetër mund ti ndëgjojmë nëpër kafenetë anembanë botës me repertoarin e tyre të pasur të muzikës popullore. Kur flasim për këta “këngëtarë\ re”, flasim për emra që janë tani më kanë bërë emër kudo edhe pse janë të papërcaktuar në sferën muzikore. Lori, Mihrije Braha, Leonora Jakupi, Odeta etj. Janë vetëm disa nga emrat që tani më disa vite funksionojnë me të njëjtin ritëm.

“Ata të cilët pak hidhen si këngëtarë popullorë e pak si zbavitës, vetë ky fakt tregon për një joprofesionalizëm dhe jolojalitet ndaj muzikës për të cilën këngëtari është përcaktuar në fillim. Kjo gjë shkaktohet si tendencë e kohës më të re që të komercializohet arti.”- thotë kantautori, Sunaj Rahimi.

Simbas tij muzika në trojet e Ballkanit nuk sjell ndonjë profit të konsiderueshëm, prandaj alternativa për përmirësim të disa këngëtarëve është kjo, ku përmes spoteve të muzikës zbavitëse mundohen të dalin nga anonimiteti.

“Është fakt se muzika zbavitëse më tepër dëgjohet nga të rinjët. Muzika në përgjithësi më tepër prezentohet nëpër kafene dhe restorante ku ka tarife dhe bakshishe të majme. Në kafenetë tona është një fenomen bizar i muzikës, ku muzika më tepër shikohet se sa të dëgjohet.”- thotë Rahimi.

Këngëtari Orhan Ibrahimi i cili është njëri nga të rallët këngëtarë në Maqedini dhe më gjërë që nuk e përkrah muzikën komerciale, thotë se problemi qëndron tek popullata që akoma nuk ka arritur të bëjë dallimin mes muzikës popullore, turbofolkut dhe asaj zbavitëse.

“Populli jonë nuk ka edukatë të mjaftueshme muzikore dhe preandaj nuk di të bëjë dallimin mes turbofolkut dhe muzikës zbavitëse. Këngëtarët këtë gjë e shfrytëzojnë dhe deklarojnë se gjoja këndojnë këngë zbavitëse. Këngëtaret si Gili, Adelina Ismaili, Soni etj. nuk këndojnë këngë zbavitëse. Ato këngë nuk janë as popullore por janë një turbofolk i vërtetë.” - thotë rokeri, Orhan Ibrahimi.

Ai gjithashtu tha se këngëtarë shqipëtarë që këndojnë këngë zbavitëse të pastra janë shumë të rallë dhe mund të numërohen në gishta.

Sipas vokalit të shkëlqyer shqipëtar, Mustafa Ymerit, shumica e këngëtarëve mendojnë se mund ti këndojnë të gjitha zhanret muzikore.

“Dikush për shkak të mjeteve financiare fillojnë të përziejnë apo të këndojnë në një zhanr tjetër që asnjëherë më parë nuk e kanë kënduar. Në të shumtën e rasteve ato variante janë me kohëzgjatje të shkurtër dhe mbarojnë me një dështim të këngëtarit të tillë.”-thotë Tafa.

Pëgatiti:Flori Bruqi