Flori - Press

Mire se vini ne faqen tone virtuale "Flori-Press" te moderuar nga stafi redaktues Flori Bruqi, Engjell Shehu,etj.

e diel, maj 14, 2006

Dr.Milazim Krasniqi:Leximi i mbrabshtive

Leximi i mbrapshtive

KUSH ËSHTË KËSHILLTAR I KUJT NË KOSOVË

Nëse deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk kanë autoritet mbi ligjet që i
miratojnë, atëherë rezulton se në të vërtetë, ata janë këshilltarë të Zyrës
Ligjore të UNMIK-ut, e jo të zgjedhur të qytetarëve të Kosovës. Fakti që ata
nuk mund ta mbrojnë as tekstin e ligjit që e miratojnë, vërtet tregon se ata
realisht janë vetëm këshilltarë.

Dr. Milazim KRASNIQI


Deklarata e kryeministrit të Kosovës, Agim Çekut, lidhur me ndryshimet që i
ka bërë Zyra Ligjore e UNMIK-ut Ligjit mbi vlerat e Luftës, ishte një
deklaratë që e bën njeriun t’i dhimbset ish komandanti i përgjithshëm i
Ushtrisë Çlirimtare të Kosoëvs. Ai u përpoq të rikujtojë termat e ndryshuar,
duke lënë në nënkuptohej se do të mbetej i angazhuar që të gjendet një
kompromis me burokratët e UNMIK-ut lidhur me këtë çështje, por duke lënë
mesazhin s enuk do të mund të bëhej shumë në këtë drejtim. Po kaq e mjerë
është edhe pozita e Kuvendit të Kosovës në raport me këtë ligj, me Ligjin
për Radiotelevizionin publik të Kosoëvs dhe në fund të fundit me të gjitha
ligjet e tjera të cilat i miraton, ndërsa ia ndryshon sipas qejfit të vet
Zyra Ligjore, pa ia kthyer më për miratim. Duke i parë me dhimbje këto
zhvillime, vetevetiu shtrohet pyetja: pse janë katandsur në këtë pozitë kaq
inferiore institucionet e Kosovës dhe zyrtarët e lartë të tyre?
Ndoshta shkakun duhet kërkuar në themelin mbi të cilin këto institucione
janë ngritur. Në këtë kontekst, problem është emërtimi i tyre. Emërtimi
është i pasaktë, sepse nuk i përgjigjet realitetit, përkatësisht kuptimit që
kanë ato emërtime në vendet normale, që nuk janë nën administrim civil e
ushtarak ndërkomëtar, sikundër është Kosova. Ky shpërpjestim ndërmjet
emërtimit dhe statusit të institucioneve prodhon krizë. Fjala vjen, Kuvendi
i Kosovës emërtohet si pushtet legjislativ, e kjo në kushte normale do të
thotë se ai miarton ligje në mënyrë sovrane. Në fakt, në kreun 9, të
Kornizës Kushtetuese vërtet thuhet se “Kuvendi i Kosovës është institucioni
më i lartë përfaqësues dhe ligjvënës i vetëqeverisjes së përkohshme të
Kosovës. Por, emërtimi i këtillë, si “institucioni më i lartë përfaqësues
dhe ligjvënës i vetëqeverisjes së përkohshme të Kosovës” është në
kundërshtim të plotë me tekstin e preambulës në të cilin thuhet: “Duke
pranuar se ushtrimi i përgjegjësive të institucioneve të përkohshme të
vetëqeverisjes në Kosovë në asnjë mënyrë nuk ndikon apo zvogëlon pushtetin e
plotfuqishëm të PSSP-së për zbatimin e Rezolutës 1244 (1999) të Këshillit të
Sigurimit të Kombeve të Bashkuara”. Pra, emri Kuvend dhe “ institucion më i
lartë përfaqësues”, janë vetëm perde tymi për të fshehur disi faktin se ky
institucion është vetëm një shtojcë pushteti nën “ pushtetin e plotfuqishëm
të PSSP-së.” Dihet se ligjet që miraton Kuvendi i Kosovës, nuk janë valide
pa u nënshkruar nga Përfaqësusi Special. Por, kjo nuk do të ishte e keqja më
e madhe e pozitës prej kukulle të Kuvendit të Kosovës. E keqja e madhe është
se Zyra Ligjore e PSSP-së, ligjin që e ka miratuar njëherë Kuvendi i
Kosovës, e ndryshon sipas qejfit të vet, dhe ndryshimet nuk ia afron fare
Kuvendit që ai të deklarohet për ato ndryshime. Ato vetvetiu bëhen ligj!!!
Raste të freskëta të kësaj praktike subordinuese janë Ligji për
Radiotelevizionin Publik të Kosovës dhe Ligji për vlerat e Luftës. Edhe se
këto ligje janë miratuar ng Kuvendi i Kosovës, ato janë ndryshuar nga Zyra
Ligjore e UNMIK-ut dhe Kuvendi si “institucioni më i lartë përfaqësues dhe
ligjvënës i vetëqeverisjes së përkohshme të Kosovës” , nuk ka asnjë
kompetencë mbi ato ndryshime që janë bërë dhe që ka gjasa se do të prodhojnë
krizë.
E keqja më e madhe në këtë mes, por kësaj here morale, është heshtja e
deputetëve të Kuvendit të Kosovës, pranimi prej tyre i asaj pozite
skajshmërisht inferiore dhe vasale. A janë ata deputetë a nuk janë deputetë?
Nëse deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk kanë autoritet mbi ligjet që i
miratojnë, atëherë rezulton se në të vërtetë, ata janë këshilltarë të Zyrës
Ligjore të UNMIK-ut, e jo të zgjedhur të qytetarëve të Kosovës. Fakti që ata
nuk mund ta mbrojnë as tekstin e ligjit që e miratojnë, vërtet tregon se ata
realisht janë vetëm këshilltarë. Pse ata nuk kanë kurajë ta pranojnë këtë
fakt dhe të tregohen të sinqertë me qytetarët e Kosovës, vërtet është edhe
problem moral.Por, pasojat e kësaj fshehjeje të së vërtetës, kur të fillojnë
të ndihen dëmet e ligjeve jolegjitime, mund të rezultojnë me humbjen e
besimit të qytetarëve të këtë garniturë politike.
Por, nuk është vetëm Kuvendi në këtë pozicion. Pozicion prej këshilltari
ndaj UNMIK-ut ka edhe Qeveria e Kosovës. Edhe vendimet e saj i nënshtrohen
vullnetit të PSSP-së dhe Zyrës Ligjore, po edhe mekanizmave të tjerë, duke
përfshirë edhe zyrat e ndërlidhjes së shteteve të ndryshme, që shpesh herë e
bëjnë ligjin në Kosovë. Nga paraqitjet publike, në të vërtetë nga
kapardisjet publike, ministrat lënë mbresën se janë ministra, ndërsa e
vërteta është se edhe ata janë këshilltarë të PSSP-së, meqë vendimet e tyre
i nënshtrohen vullnetit të kësaj instance të admnistrimit ndërkombëtar të
Kosovës, ose levave të saj.
Prej këndej është e pakuptueshme dhe krejt e panevojshme që nëpër ministri e
në kryeminsitri, janë angazhuar ajo mizëri këshilltarësh, që paguhen nga
buxheti i varfër i Kosovës. Vërtet, nuk ka pasur e nuk ka nevojë që të
paguhen gjithë ata këshilltarë të këshillltarëve, për punët që nuk ua merr
kush para sysh. Kur nuk mirren para sysh as propozimet dhe ligjet që
miratojnë deputet-këshilltarët dhe ministra-këshilltarët, është e kotë të
mbahen këshilltarët e këshilltarëve, të cilët vetëm sa shkaktojnë shpenzime
dhe e rrisin konfuzionin politik në këtë vend.