Flori - Press

Mire se vini ne faqen tone virtuale "Flori-Press" te moderuar nga stafi redaktues Flori Bruqi, Engjell Shehu,etj.

e mërkurë, prill 26, 2006

Humor pak i kuq i verdhe dhe i zi ...

Humor pak i kuq i verdhë dhe i zi…

PREJ SOT HERË PAS HERË NË WEB FAQET TONA FLOART DHE FLORI-PRESS DO TË KËNAQENI SË LËXUAR MË HUMORIN E ZI TË ARKADISË
LËXIM TË KËNDSHËM

MODERATORI

Flori Bruqi



FADILIADA

Përnjëmend ARKADIA

Menjëherë pas Bakalliadës, Kosova përjetoi edhe manifestimin e dytë Fadiliada.
Shuku Fadil u ringjall pas pesë vjetësh me akademinë në Teatrin Kombëtar, me moton Një jetë në shërbim të atdheut.
Komunistë sikur kanë ngritur krye, duke rrahur gjoks se ishte ç’na ishte lufta jonë antifashiste dhe autonomia jonë titiste!
Shoku Fadil u cilësua si strateg partizan i Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, por që, mjerisht, kishte rënë nën fashizmin tjetër jugosllav.
Kur ishte ngjitur në majë të piramidës jugosllave, i paskësh lypur Titos republikën, por ai e paska ngushëlluar: kjo gjë do të ishte e vështirë, ngase do të shfaqeshin pengesa nga serbët, - tha akademik Minir Dushi.
Sikur Tito të rronte 100 vjet, republika tashmë do të shkëlqente!
Akademia përkujtimore ishte përplot komunistë të Titos: politikanë, prokurorë, policë, udbashë... Mbi të gjithë shkëlqenin kokat e akademikëve tanë.
Edhe Ramush Haradinaj e kishte përshëndetur akademinë me një telegram me konsideratat më të larta për udhëheqësin e Luftës Nacionalçlirimtare.
Betim e Hadi Shehu deklamuan pjesë nga veprat e shokut Fadil.
Rauf Dhomi kishte kënduar marshin Dalëngadalë po vjen behari, nëpër fusha rritet bari...
As qyteti i Gjakovës nuk i mbeti borxh Birit të vet të madh.
Shoqata e intelektualëve Jakova shtroi tryezën Jemi në shtëpinë tonë, me të gjitha të mirat.
Enver Dajçi: Fadil Hoxha është pjesë e historisë shqiptare...
Pajazit Nushi: Kontributi i Hoxhës ka qenë i posaçëm në luftën kundër forcave konservative e dogmatike... Për gjysmë shekulli i është kundërvënë politikës dogmatike e staliniste të udhëheqësisë shqiptare...
Madje shumë bukur, në shërbim të politikës pushtuese jugosllave!
Ah, ky Nushi si kalavesh rrushi!
Fatmir Fehmiu: Filozofia e Hoxhës ka qenë vetëvendosja dhe bashkimi i popullit shqiptar, por që në Kuvendin e Prizrenit kishte nënshkruar kapitullimin dhe bashkimin me Serbinë.
Evokuan kujtime edhe Ali Boletini, Xhafer Vokshi, Ymer Jaka, Isak Shema, Vehap Shita...
Në Muzeun e qytetit u hap ekspozita me 250 fotografi nga lufta dhe paqja e Hoxhës.
Në fund edhe Veton Surroi vuri kurora dafine mbi varrin e zotit Fadil.
Këtë Fadiliadë dikush e kishte quajtur, për dreq, kukudhiadë!
Një jetë kushtuar pushtimit!
Ose çou i vdekur e ha mish të pjekur!
Sepse kishin vdekur edhe komunizmi, edhe autonomia e pushtimit.
Shoku Fadil iu kishte kundëvënë ngjarjeve historike ’81, duke e quajtur rininë shqipare pleh i Kosovës dhe duke i treguar birën e miut për 300 çese, në të cilën birë do të binte edhe vetë më vonë.
Një plak prishtinas rrëfente se Hoxha kishte kërcënuar më 1945, në një miting para hotel Unionit, të gjithë ata që i kishin duart e përgjakura. Atë natë kishin rënë bataretë në Tauk-Bahçe, mu përballë vilës së komandantit.
Kosovën e kishin riokupuar tri divizione sllave. Komandanti kishte marshuar drejt Sremit, ndërsa Kosova ishte larë në gjak deri në Tivar.
Përse ishte kursyer shoku Fadil derisa iu kishin zhdukur gjithë shokët e tij më të mirë?
Ai shoku Fadil që kishte urdhëruar të riburgosej Demaçi, sepse ishte i rrezikshëm të qëndronte në liri!
Po, ku jeni more historianë?
Historia është e bëmave, e jo e themave.
Quo vadis Kosovë!
As tri rryma politike nuk po mund ta krijojnë Republikën.
Falja Zot mëkatet!- thonë të mallkuarit.
Amen!


Humor 6

DOSJA D

Mahitet ARKADIA

Në gjykimin e disidentit Adem Demaçi më 1959 kishin dëshmuar vetë
shokët e penës, për shkrimtarin e talentuar 23-vjeçar që kishte botuar romanin Gjarpijt e gjakut.
Penat e arta ishin tmerruar nga kushtrimi i Demaçit:
Shqiptarët po torturohen në aksionin barbar të armëve, po shpërngulen për në Turqi dhe janë të diskriminuar në jetën politike, ekonomike, arsimore e kulturore. Kosova i takon historikisht Shqipërisë dhe bashkimi duhet bërë me plebishit ose me luftë çlirimtare. Sot nevojitet uniteti i intelektualëve, ndërsa shkrimtarët duhet të jenë në bërthamën e organizimit politik.
Ata kishin dëshmuar si Pons Pilati para Krishtit në kalvar të Golgotës, duke dënuar me pesë vjet burg të rëndë dashnorin e fjalës së lirë.
Prometeu ua kishte dhuruar zjarrin, por ata kishin adhuruar terrin, duke hyrë në partinë e të verbërve.
Demaçi kishte vazhduar Ditarin e shpirtit, duke ngritur flamurin shqiptar më 1964 e 1976. Kështu ai po shkruante kryeveprën e lirisë, si feniks i ndërdijes e vetëdijes shqiptare.
Me veprën Dosja D ky vath shkrimtarësh kishte hyrë në modernizmin jugosllav.
Fahredin Gunga kishte zgjuar Mallkimet e fjetura.
Adem Gajtani kishte kënduar Këngën e mjellmës.
Anton Pashku kishte klithur Oh, Vox clamantis in diserto!
Din Mehmeti ishte përbetuar Fatin tim nuk e nënshkruaj.
Ali Aliu kishte lodruar si Don Kishot te shqiptarët.
Rafael Sopi kishte zënë qafën në një sop të rrugës.
Zekeria Cana ishte bërë xurxull i historisë.
Sylejmanin e kishte marrë Drini.
Ajme, çfarë fati i mallkuar!

SAGA E STAROVËS

Pas odisesë së gjatë Paris-Tunis, si dhjak i Kiros, Luan Starova është kthyer me dafina në Itakën e vet dhe po shkruan ciklin romanor Saga ballkanike.
Për të mos mbetur si dhia ndër dhen, romanin Koha e dhive së pari e kishte botuar maqedonisht, e pastaj e kishte përkthyer edhe frëngjisht, si ambasador i Kiros në Paris. Më pas me dhitë e veta Luani kishte hyrë triumfalisht edhe në Akademinë e Maqedonisë.
Luani tash kërkon Itakën, si Odiseu pas djegies së Trojës.
Krimi më i madh komunist ishte përndjekja e dhive, që ndalonte me ligj edhe përçitjen e tyre. Ah, çfarë mëkati kundër ligjeve të Zotit!
Luani kujton tash si në përrallë fatin e dhive. Alegori e gjetur me vend, një përshpirtje për dhitë e kecat e Dionizit, simbole tragjike të miteve antike.
Babai i tij kishte braktisur dhitë e kuqe duke kërkuar dhitë e larme.
Dhitë e kuqe demonstronin nëpër Shkup me buzë të prera e këmbë të thyera, si cjapi te kasapi.
Kjo është një dhiatë e Odiseut për bëmat e mbretërve të kuq.
Askush nuk i njeh më mirë krimet se ata që i kanë bërë vetë.
Luani ishte vetë dhiar e përçor i larëm, që kishte bërë shumë dhiare.
Ishte cjapor me mjekër dhe dhjakonar i Kiros, që i kishte zënë dhjamë bishti, duke bërë shumë kakërdhia.
Ëhë, dhitë e kuqe të Starovës!
AJFELI

Ismail Kadare i pat mallkuar njëherë protestat kundër arrestimeve të disa komandantëve të UÇK-së:
Në mjediset me sisteme demokratike, siç është Kosova, janë të zakonshme, normale arrestimet nga ana e shtetit…Unë do të dëshiroja që të arrestuarit të dalin të pastër dhe të pafajshëm…
Athua si do të reagonin shqiptarët sikur ta arrestonin Kadarenë, e pastaj të dilte në gjyq i pastër, i pafajshëm?!Madje edhe më keq: sikur dikush ta përdhunonte një vajzë të re për ta provuar se a është e virgjër! Ku na mbetën pastaj disidenca e dinjiteti?!
Bah, bah, nga Kulla e Ajfelit nuk shihet mirë as Parisi!

ADHURIMI

Shkrimtari Bashkim Shehu është dashuruar shumë me nobelistin serb Andriç. E ka zbuluar pak si vonë, pasi i është përkthyer romani i tij Gostia në Beograd.
E adhuron veçmas stilin e Andriçit. Më shumë i pëlqen cinizmi i tij se racizmi ndaj shqiptarëve.
Bashkimi është internacionalist.
Tash jeton dhe krijon në Barcelonë, duke kërkuar gjurmët e t’et në Luftën antifashiste të Spanjës.
S’është çudi që nesër të vijë e të jetojë edhe në Beograd.
Aty do ta gostisin për mrekulli!

DERVISHI

Dikur Dervish Malluta qe mllefosur shumë në labët e rebeluar kundër sektit të tij.
Një ditë nuk kishte mundur ta përmbante veten dhe kishte shpërthyer:
Kuku lele majko: Dokle, Milo, Majko, Fino ta sundojnë Veriun!
Kishte rrokur pushkën, por një lepur ia kishte prerë rrugën. Pastaj e kishin zënë ethet e vdekjes.
Kur erdhi në fronin e Talias, thirri Ku është populli! Së pari një aktori të ri i dha një dackë. U bë shumë zhurmë në teatër, por ai tha se kjo ishte vetëm një sprovë për aktrim.
Tash në teatër luhet drama fantastike, ndërsa para tij drama historike.
Për të gjitha këto vepra artistike Dervish Malluta është lauruar me Medaljen e artë.

ZJARRI

Shkrimtari Basri Çapriqi ishte tmerruar shumë nga zjarri i marsit ’04:
Popujt e Ballkanit nuk janë krijues idesh, janë krijues të dobët. Ata janë imitatorë të shkëlqyeshëm. Kanë pasion të çuditshëm me i përngja tjetrit… Çuditërisht, para zjarrit kishin heshtur të gjithë: akademikët, shkrimtarët, gazetarët, hoxhallarët dhe në fund edhe gratë. Ani shkrimtarët: ata të cilët kanë bërë me dhjetëra tekste heroike për këngë dhe dinë ç’është dhembja…Ata vetëm duhej të mbronin veten, shpirtin e vet nga e keqja, nga e liga. Ani gratë: ato kanë dokumentim dhe kanë dëshmi të shumta për dhunimet masive gjatë luftës…. Ani Mandela ynë, që s’e luajti as hapin! Sigurisht të gjithë ata ishin tmerruar nga zjarri, sepse ishin djegur një herë. Tash i frynin edhe kosit. Nuk e dinin se zjarri heq zjarrin. Marsi është perëndi e luftës!
Hëm! Fajtor Prometeu që vodhi zjarrin dhe ua dhuroi njerëzve.
Poeti Basri e di mirë se përgjasimi është parim i metaforës.
Basriu është mediteran dhe ka ide fantastike.
Gjithmonë lundron me valët me hënë.

LAMENTI

Shkrimtari Mehmet Kraja kishte bërë një lament për çrregullimin e komunikimit kulturor shqiptar. Ai kërkonte paternitet, e jo inferioritet në integrimin kombëtar.
Në Prishtinë ankohen se ne po bëhemi koloni mediale dhe kulturore e Shqipërisë…
Tirana është treguar herë mospërfillëse, herë paternaliste…është treguar shumë agresive në pushtimin e “tregut kulturor”të Kosovës me çdo gjë që e ka vetë me tepëri.
Në mendjen e tyre tashmë është ngulitur se “identiteti”i Kosovës mund të krijohet dhe të ruhet duke qëndruar në mes, ose duke refuzuar në të njëjtën masë si Serbinë, ashtu edhe Shqipërinë.
Ajme Mehmet, nuk ka më media res, sepse na shpon shkuji në mes!
Kultura ndryshe në Shqipëri është rezultat i emancipimit. Shqipëria është e hapur me detin, e nga deti vijnë erëra që ndryshojnë motin në provincë. Jemi në epokën e globalizmit. Kulturat e mëdha integrojnë kulturat e vogla, ndërsa kulturat kombëtare ato provinciale.
Nuk mund të ketë më partneritet, por vetëm një identitet kulturor kombëtar.


MBRETI

Shkrimtari Daut Demaku thotë se i përket media resit, sepse aty është mbreti, që mban drejtpeshimin e popullit.
Ai zakonisht përshëndet Rroftë Mbreti!- duke treguar bërrylin.
Edhe Çaraveshi ia pret: Rroftë!- por nga admirimi dora i rrëshqet në shokë e teposhtë.
Pastaj ata kujtojnë lojën: Fluturoi, fluturoi zogu

THEQAFJA

Daci theu qafen në pikë të rrafshit. Theqafja i erdhi si rrufeja mbi rrufjanin. Sikur të rrotullohej vetë Ford excursion!
Porsa kishte nuhatur intrigat e maceve, Daci kishte marrë arratinë. Ishte ngujuar në Brezare dhe nuk dorëzohej dot.
Aty pranë zjarrit kujton se politika qenka mu si zjarri: të pjek e të djeg!
Dhelpra plakë mediton për të gjitha kurthet e mundshme e të pamundshme. Akuzon për fushatë, komplot.
More, si mund ta rrëzojë kryeziu kryebardhin: njeriun me pastërtinë gjenetike, me gjithë atë karizmë si krizantemë, me gjithë ato bëma e blatime nëpër tunelet nëntokësore?! Ah, atë deledukun e ritualeve mortore!
Daci është bërë pelim. Te kryet i rrinë të dy këshilltarët si magjistarë. Edhe ata janë nxirë: kanë mbetur tangall pa zotërinë.
Zineta ia fërkon ballin me akull: shëndoshë njeri tenderët se poste ka boll! Krejt prej xhelozisë e kanë. Ti je alkimist i famshëm, të gjitha i rrotullon.
Maçoku me brirë kapardiset: nuk di të frikësohet nga kërcënimet fshatarake, as nga emisarët.
Institucionalisti i famshëm kërkon procedurë demokratike: nuk pranon dorëheqje.
Dikush dha kumtin e zi: ka vdekur Daci! Vdekje politike. Gjëmë e llahtarshme.
Daci gjeneral i principeve të arrogancës e të autokracisë pësoi nga kryeneçësia. Çfarë fenomeni negativ!
Njerëzia flet se e hëngër Daci. Ka rrëshqitur keq me ski brezareve. Ra kryengul. Sharroi në luks. I ka ndjekur shumë macet...
Ajme, ç’i bën njeriu vetes, nuk mund t’ia bëjnë të tjerët!
Narcisi bëri vetëvrasje në pasqyrën e borës.
Macet mjaullijnë dhe shpallin një muaj ditë gjëmë.


Humor 4

MIQTË E VJETËR

Mahitet ARKADIA

BAKALLI NË HAGË

Kalorësi i kuq Bakalli kishte dalë si dëshmitar në Hagë. Ai kishte
rrëfyer se nuk ishte solidarizuar me ngjarjet historike ’81 në Kosovë, por as nuk kishte pranuar të quheshin ato kontrarevolucion.
Bakalli nuk kishte guxuar t’i bënte as cik kryekriminelit të lidhur, nga frika se mund t’ia zbulonte marrëveshjet e fshehta.
Edhe pse kishte rënë nga pushteti i kuq, Bakalli kishte mbetur xhoker i vjetër i serbëve, duke vazhduar lojën pas kulisave. Kishte pranuar dorën e zezë të Milosheviçit në kontaktet sekrete.
Dora e zezë e kishte ledhatuar: Po, ti je yll, zoti Bakalli! Ne jemi krenuar me ju në kohën tuaj!
Bakalli ishte kreshpëruar, duke iu shtruar një meze fenomenale, me mish derri.
Ai ishte lumturuar me pozicionin e tij: Kosova të bëhet e pavarur në kuadër të një konfederate me emër tjetër.
Në darka e dreka dora e zezë e paskësh kërcënuar me planin e tokës së djegur. Mirëpo, Bakalli e paskësh trembur: Nëse hyni këtu në luftë, po ju them se bashkësia ndërkombëtare do të intervenojë…
Më pas kishte vazhduar bati batalli-çakalli e hamalli-tellalli për ta lënë edhe një herë Kosovën në batak.
Në prill 1988 ishin formuar edhe grupet famoze G-15, pastaj G-6 dhe në fund G-5... Dora e zezë kishte pesë gishta!
Më 15 maj 1998, kur po digjej Kosova, Bakalli kishte rënë me shpurën pesanëtarëshe në prehër të carit serb.
Kush ishin bishtat e tjerë të Bakallit?
Baton Leshkuqi ishte drugëz e këtyre kontakteve sekrete.
Batoni luante shulevek!
Po Maliqi, Surroi.... ç’funksion kishin në këtë mision sekret?
Për të gjitha këto marifete, Mahmudia jonë shkëlqeu pas luftës duke u zgjedhur edhe deputet.
Mirëpo, ky kalorës i kuq e ka vendin pikërisht në Hagë, si bashkëpunëtor i kryekriminelit serb, sepse u mundua ta fuste në bat Kosovën.
Bakalli si bokalli! Ende bën bakallëk. Mulliri bluan me çakalle.
Ajme bakllavaja ballkanike!


NGËRDHESHJA

Kur kishte shpërthyer lufta në Kosovë, një delegacion yni famoz kishte trokitur më 15 maj në Beli Dvor.
Nga ai takim vetëm një ngërdheshje histerike kishte mbuluar ekranet e botës.
Ngërdheshja kishte mbetur mister një kohë të gjatë, duke u komentuar në mënyra të ndryshme.
Dikush thoshte se delegacioni ynë e kishte lutur sovranin serb të kursehej substanca e elitës së kryeqytetit.
Tjetri shtonte se Milosheviçi ishte kërcënuar: ndaleni terroristët se hyri NATO-ja në Kosovë!
Shakaxhinjtë pohonin se ishin dehur nga uiski.
Ngërdheshja dëftonte se të dyja palët ishin ndarë të kënaqura:
Kosova të zgjidhej si çështje e brendshme e Serbisë.

BIZNESI POLITIK

Biznesmeni Pacolli tregoi me gojë të vet në TV se çfarë sakrificash paskësh bërë për ta shpëtuar Kosovën.
Rusët e kishin dërguar në Beligrad si ndërmjetës. Në dy ndenja gju më gju me carin serb kishin rënë në ujdi për një takim të krerëve politikë të Kosovës në hotel-Hajat të Beligradit.
Cari i paskësh premtuar hapjen e disa fakulteteve, madje edhe një republikë për Kosovën /nën Serbi/. Mjerisht, ftesës nga Hajvalia i ishin përgjigjur vetëm dy drugëza, që edhe më parë ishin në kontaktet sekrete. Tash biznesmeni politik habitet sesi Pesëshja e famshme kishte shkuar më pas në Dedinje, por nuk kishte pranuar të dilte në Hajat!
Aksident i madh! As ky Moj-zi nuk kishte mundur ta shpëtonte Kosovën nga ndërhyrja e NATO-s!
Çfarë shërbimesh të tregtarit të diamanteve!

REALIZMI

Kolumnisti Shkëlzen Maliqi paralajmëronte me kënaqësi në prag të luftës se kishte ardhur fundi i lojës së opcioneve politike.
Ai bënte thirrje të hapur për një qasje realiste dhe rishqyrtim real të gjendjes: raportit të vërtetë të forcave e presioneve të huaja, që çështja e Kosovës të kornizohet fillimisht me një autonomi.
Kolumnisti porosiste se kishte ardhur ora që opinioni ynë të përgatitej për këtë realitet të ri, sepse ekziston frika se realizmi i parakohshëm mund të ndikojë në përhapjen e defetizmit dhe të imobilizimit, përkatësisht të rebelimit.
Mirëpo, krismat e prillit në Kosovë kishin prishur formulat politike të këtij misionarit realist të Beligradit.

ILEGJITIMITETI

Kolumnisti Shkëlzen Maliqi kishte bëri një vlerësim të luftës në Kosovë:
Kjo ushtri nuk u krijua nga vetë populli dhe instancat reprezentuese, që e konsideronin veten legjitime… por u vetëshpall ushtri e Kosovës nga grupet e vogla konspirative… Në fakt, që nga fillimi grupet guerile, që numëronin disa qindra luftëtarë, kishin një pretendim anticipues, për të cilin nuk kishin autorizime të popullit, që të quhen Ushtri Çlirimtare e Kosovës.
Aksident fatal! Kishin harruar të merrnin dorë nga institucionet në letër dhe nga misionari i famshëm Maliqi.

VLLASI AMBASADOR

Pas takimit të parë të Vjenës Vllasi kishte fluturuar për në Vojvodinë, si mysafir special në një akademi solemne.
Ai qau me lot fatin e keq të kalorësve të kuq: udhëheqja kosovare dhe ajo e Vojvodinës kanë qenë të parat që janë goditur nga regjimi i Slobodan Milosheviçit në vitin 1988.
Pastaj bëri vetërrëfimin pikëllues për sakrificat për ta ruajtur perandorinë sllave:
Bëra ç’nuk bëra! Bëra spastrimin politik, vura përpara Titon e ndjerë, lidha tre flamujt bashkë, edhe yllin e qita nga Serbia. Bah, ujë kishte hyrë nën rrogoz dhe kishte rrënuan urat e vëllazërim-bashkimit!
Më vonë do t’i deklarojë me mallëngjim TV serbe Palma plus:
Do të isha ambasadori më i mirë i Republikës së Kosovës në Beograd, sepse e njoh mirë Serbinë dhe popullin serb…
Përnjëmend Kosova nuk mund të gjejë njeri më të denjë për këtë mision diplomatik. Vllasi ka jarani të moçme me serbët. Është rritur me ta si pëllumb i Titës.
Pra, vendin e ka pikërisht atje, andaj rri me një këmbë si këshilltar i kryeministrit .
Ajme miqtë e vjetër serbë!


ÇMALLJA

Menjëherë pas Takimit të parë të Vjenës, drugëza Baton Haxhiu kishte ftuar gazetarët serbë për ta vizituar Kosovën.
Batoni i priti ata me një ndjenjë keqardhjeje: fatkeqësisht, shumica e kolegëve serbë kanë qenë gojëmbyllur sa u përket zhvillimeve në Kosovë.
Halil Matoshi: Edhe pse isha peng, dua të fal për këtë padrejtësi dhe nuk është e lehtë të ndërrohet kjo vetëdije.
Astrit Salihu: Mafia shqiptare dhe ajo serbe funksionojnë shkëlqyeshëm, por nuk është mirë që vetëm në këto nivele të kontaktojmë.
Gazetarët serbë ishin mrekulluar me këtë mikpritje në Prishtinë, madje edhe kamerieri iu kishte servuar kafe serbisht. Ata ishin penduar që nuk kishin ardhur më herët.
Në fund të vizitës ata porositën: Të kaluarën duhet ta lini anash, duke hequr një tullë nga muri ndarës dhe të mendojmë krejt ndryshe…Nuk mund të kërkojmë falje për krimet serbe në Kosovë, sepse ne nuk jemi zëdhënës të vrasësve serbë.
Gazetarët serbë u pritën edhe nga Thaçi e Haradinaj.
Hashimi iu uroi atyre çmallje me kolegët në Kosovë, ndërsa Ramushi ua trusi duhan të sertë.


Humor 5

Mahitet ARKADIA


PRIMADONAT

Primadonave të demokracisë Edi-Edita, pasi kishin gjezdisur Evropë e Amerikë, iu kujtua të shkelnin edhe Lindjen e Largët. Atje, si vend më të madh, kishin piketuar Kinën, ndërsa si formë më të mirë për të xigluar opinionin kishin zgjedhur artin e endjes.
Në aeroplan kishin ngarkuar tërë almiset: vegjë, drugëza, çikrikë, boshte, shtiza… Kishin marrë edhe një thes me lëmsha leshi.
Atje ishin pritur nga zonja Lebisi dhe zonjusha Micizi.
Në sheshin Tienanmen kishin ngrehur avlëmendin, duke demonstruar tërë artin e endjes. Në fund kishte shkëlqyer një shall magjik. Kinezet ishin magjepsur nga vezullima:
Ç’është ky shall laraman?
Ky është shalli dardan.
Po, në cilën pikë të globit janë dardanët?
Mu midis botës! - kishin shpërthyer ato përnjëherësh.
Po, në cilin kontienent?
Në Evropë! - klithën ato me habi.
Atje ne njohim vetëm Albaninë. Kemi pasur miqësi të gjatë proletare.
Eh, eh, mu aty pranë! Ata janë albanë e ne dardanë.
Është qytet a shtet Dardania?
Qytet që po bëhet shtet!
Mrekulli! - pohuan ato.
Mbasi po ditkeni të endni kaq bukur, ta bëjmë një shulevek: ne mëndafshin e ju drugëzat. Tash mëndafshi është në modë, leshi ka rënë në treg.
E dini se Rruga e Mëndafshit fillon nga ne? Do ta endim shallin më të gjatë të paqes, nga Muri Kinez deri në Damastion të Dardanisë. Nëpër këtë shall do të lëvizë si drita krimbi ynë i bardhë. Me atë shall do ta lidhim globin për ta mbrojtur nga ndeshja me planetet e tjera.
Ashtu qoftë!- u përqafuan të ngazëllyera.

MERITA PRESIDENTE

Një ditë dimri, kur s’ishte as fushatë e zgjedhjeve, kryeqyteti kishte gdhirë me një pllakat të çuditshëm, me moton Voto Merita Harxhin-Kocin për Kryetare të Kosovës. Në fund edhe adresa: Partia e Artit Bashkëkohor.
Megjithëse Merita ende nuk është bërë kryetare e Kosovës, me këtë punim ajo mori pjesë në ekspozitën Non stop Madrid ’03, në mesin e 60 artistëve nga mbarë bota.
Sigurisht, Merita do të shpërblehet në këtë ekspozitë të komunikimit artistik, sepse punimi i saj ishte mjaft sfidues.
Vërtet Merita meriton të bëhet kryetare e Kosovës, pasi deri tash burrat nuk bënë gjë.

SFIDA
Gratë kanë marrë haz në karnavalin zgjedhor: Kaqusha si kanjusha, Edita si Margarita, Lemja si kaprica. Liderët kanë vënë maskat dhe janë bërë engjëj. Leme Liberalja sfidon me buzëqeshje magjike liderët në duel: në daçin veç e veç në daçin së bashku. Lemja e sistemit fiskal. Luaja Leme, luaja!

MANDELA

Mandela ynë ishte lumturuar shumë me privilegjin, që ishte i vetmi burrë në Kuvendin e gruas së shquar shqiptare në Shkup. Ishte ftuar nga vetë zonja e madhe Nermin Vlora - Falaschi.
Ai ua kishte dhënë hakun grave:
Ato edhe biologjikisht janë më të forta se burrat, se edhe intelektualisht qëndrojnë shumë lart dhe i kanë rritur vlerat e kombit të tyre. Dhe kishte inkurajuar gratë kundër burrecave: Ajo duhet të sulet mbi këta burra që zënë karriget… Mandela ynë kishte pranuar realitetin: Nëse gratë do të qëndronin më lart se kandidaturat burra, dhe që sigurisht qëndrojnë më lart, unë do t’i kisha të gjithë ministrat gra!
Amen!

SHËN VALENTINI

Shën Valentini është Dita e të dashuruarve. Është ky një ritual pagan për hir të atij shenjti. Ai ishte një prift heretik romak, që kishte shkelur urdhrin e mbretit Klaudi kundër ritit të martesës së ushtarëve. Herezinë e kishte paguar me kokë, por populli e kishte bërë shenjtor.
Ditën e Shën Valentinit fillon gjallërimi pranveror. Edhe zogjtë bëjnë dashuri, ndërsa lulet e puthjet mbulojnë botën.
Ndjesë pastë ky shenjt, që u flijua për dashurinë njerëzore!
Shumë njerëz janë lauruar me Çmimin e Shën Valentinit, sepse ishin dashnorë të përjetshëm!

VERA

Përpara burrat dhe djemtë tanë bëheshin donzhuanë nëpër vendet motra socialiste. Tani u rrotullua bota dhe erdhi te ne me të gjitha ngjyrat.
Edhe vajzave e grave tona u erdhi dita.
Një herë vjen vera kah dera!
Tani bëmë shumë miq të rinj.
Shtajneri na fshiu Bukurinë dhe iku në Gjenevë.
Mos na lëntë Zoti pa miq!
As në këtë botë s’mbetet borxh pa u kthyer.


KËRTHIZA

Kërthiza tash është në modë. Ajo shenjon si pullë mesin e trupit.
Edhe vajzat tona e nxjerrin jashtë si lule kur kërthndezen.
Mirë e kanë, se kërthiza është epiqendër e mikrokozmosit, që kërkon lidhje me makrokozmosin.

LESHVERDHAT

Gjeneologët paralajmërojnë se brenda dy shekujsh mund të zhduket raca e leshverdhëve. Këtë fenomen natyror ata e shpjegojnë me ndryshimin e gjenit të tyre, sepse njeriu po veçohet gjithnjë e më shumë nga drita dhe kaltëria.
Është shenjë e keqe për kiametin, terrin e botës. Obobo për gjenin ilir!
Oburrani në det! Aty është drita e artë dhe kaltëria.
Ah Syri i Kaltër i Sarandës!

Humor :Mahitet Arkaida
THEQAFJA

Daci theu qafen në pikë të rrafshit. Theqafja i erdhi si rrufeja mbi rrufjanin. Sikur të rrotullohej vetë Ford excursion!
Porsa kishte nuhatur intrigat e maceve, Daci kishte marrë arratinë. Ishte ngujuar në Brezare dhe nuk dorëzohej dot.
Aty pranë zjarrit kujton se politika qenka mu si zjarri: të pjek e të djeg!
Dhelpra plakë mediton për të gjitha kurthet e mundshme e të pamundshme. Akuzon për fushatë, komplot.
More, si mund ta rrëzojë kryeziu kryebardhin: njeriun me pastërtinë gjenetike, me gjithë atë karizmë si krizantemë, me gjithë ato bëma e blatime nëpër tunelet nëntokësore?! Ah, atë deledukun e ritualeve mortore!
Daci është bërë pelim. Te kryet i rrinë të dy këshilltarët si magjistarë. Edhe ata janë nxirë: kanë mbetur tangall pa zotërinë.
Zineta ia fërkon ballin me akull: shëndoshë njeri tenderët se poste ka boll! Krejt prej xhelozisë e kanë. Ti je alkimist i famshëm, të gjitha i rrotullon.
Maçoku me brirë kapardiset: nuk di të frikësohet nga kërcënimet fshatarake, as nga emisarët.
Institucionalisti i famshëm kërkon procedurë demokratike: nuk pranon dorëheqje.
Dikush dha kumtin e zi: ka vdekur Daci! Vdekje politike. Gjëmë e llahtarshme.
Daci gjeneral i principeve të arrogancës e të autokracisë pësoi nga kryeneçësia. Çfarë fenomeni negativ!
Njerëzia flet se e hëngër Daci. Ka rrëshqitur keq me ski brezareve. Ra kryengul. Sharroi në luks. I ka ndjekur shumë macet...
Ajme, ç’i bën njeriu vetes, nuk mund t’ia bëjnë të tjerët!
Narcisi bëri vetëvrasje në pasqyrën e borës.
Macet mjaullijnë dhe shpallin një muaj ditë gjëmë.