Flori - Press

Mire se vini ne faqen tone virtuale "Flori-Press" te moderuar nga stafi redaktues Flori Bruqi, Engjell Shehu,etj.

e mërkurë, shkurt 01, 2006

From: "darwin11"
To: "art-caffe"
Date: Sun, 29 Jan 2006 14:12:18 +0100
Subject: [Art-Cafe] Falsifikatori i "Lidhjes së Shkri mtarëve"

--- Art-Cafe: Kafeja virtuale e shqiptareve ---





Nuk e njoh personin per te cilin flitet por vite me pare ja kam degjuar emrin ne Bashkine e Tiranes e kurre si shkrimtar apo poet ...

tashme vendi yne i dashur eshte kthyer si vend i cudirave te medha



darwini .





Falsifikatori i "Lidhjes së Shkrimtarëve"

Hysen Sinani*

Kam përpara një ftesë për t'u anëtarësuar në një organizatë shkrimtarësh përkundrejt një pagese prej 2 400 lekësh, si paradhënie për kartën e anëtarësisë. Bukur, them me vete, edhe një shoqatë më shumë, mirë do t'u bëjë shkrimtarëve të paorganizuar shqiptarë, pa kurrëfarë ndihme nga askush, megjithëse posedojnë një ndërtesë të bukur në mes të Tiranës. Por gëzimi im i parakohshëm zgjat vetëm aq çaste sa duhen për të lexuar tre rreshtat e njoftimit bashkë me emrin e një farë kryetari.

Çuditem, pa u besuar syve të mi.

Emri i këtij kryetari që na fton të anëtarësohemi në shoqatën e tij me emrin "Lidhja e Shkrimtarëve" është Zyhdi Morava, ndërsa vula zyrtare mbi emrin e tij është ajo e "Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë - Komiteti Drejtues"! Simbolet në vulë janë ato të librit, lirës dhe penelit, kurse në kokën e njoftimit vetëm një libër me një pendë! Ç'bëhet kështu, pyes veten tepër i habitur, të ketë lajthitur ky lloj kryetari që e ka bërë çdo gjë në kokë të tij, apo sot mund të sajosh një shoqatë duke përdorur juridiksionin e një tjetre?

Në të vërtetë, për mua personalisht, nuk ka shumë gjëra që të më habisin në veprimet e këtij njeriu që e njoh mirë, por për ata që nuk e dinë se ç'po ndodh me Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë që prej më shumë se gjashtë muajsh, ia vlen të sqarohet gjendja e saj e vërtetë, e cila me siguri do t'i bëjë të vënë duart në kokë nga skandali që po ndodh me këtë organizatë.

Shkruesit e letrave

Kur e ndaluan një plak të veshur keq që të hynte në sallën ku do të zhvillohej Kuvendi i Lidhjes, duke e pyetur se si quhej dhe çfarë ishte, ai u përgjigj se shkruante letra për të gjithë fshatarët e Laçit dhe ishte shkrimtar. Ky anonim dhe njëqind të tjerë si ky, të mbledhur nga Elbasani, Lushnja, Fieri e Laçi votuan për Zyhdi Moravën që të bëhej kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe artistëve të Shqipërisë. Sipas listës së votimit, nga 188 votues vetëm 68 figurojnë në protokollin e anëtarësisë së Lidhjes, në të cilin janë shënuar plot 700 emra artistësh dhe shkrimtarësh. Ndërsa në këtë kuvend, u lajmëruan jo më shumë se njëqind shkrimtarë e artistë të vërtetë, duke i zëvendësuar me ata të mbledhur midis aspirantëve apo të papunëve të kafeneve të provincave tona.

Sidoqoftë, shkrimtarët dhe artistët nuk e deshën organizatën e tyre, nuk deshën të merrnin pjesë në një kuvend ku kandidonte edhe Zyhdi Morava, nuk u lajmëruan për të marrë pjesë në këtë kuvend apo nuk e di çfarë tjetër, është një përgjegjësi që rëndon mbi secilin prej tyre, të paktën për respektin ndaj Presidentit Berisha që u dha aq bujarisht atë ndërtesë të bukur në qendër të Tiranës.

Por, duke e quajtur të harruar atë kuvend të turpshëm me njerëz të mbledhur rrugëve dhe me ftesa të përdhosura nëpër skutat e bodrumeve ku u shkruan emrat e votuesve të panjohur, kryetari i zgjedhur nga "letërshkruesit" e tij, u la i qetë në punën e tij dhe nuk u ngacmua nga asnjeri. Por, me sa duket, kjo tolerancë e fisnikërisë artistike, në vend që ta vinte në kushte pune kryetarin parvëny, u keqkuptua nga edukata harbute duke e bërë atë të fluturojë si një tullumbace e fryrë me tym duhani dhe të mos dijë të ndalojë në babëzinë për t'i ngrënë gjithçka ndërtesës së bukur dhe fatkeqe.

Shikoni çfarë ka bërë vetëm këto gjashtë muaj!

Jepet me qira

Vetëm tabela i mungon ndërtesës së Lidhjes, sepse hedhja në ankand është bërë që ditën e parë të hyrjes "triumfale" të Zyhdi Moravës në zyrën e kryetarit të Lidhjes. Para se ta zgjidhnin letërshkruesit e tij, kishte kërkuar para borxh për bukën e gojës. Sapo e zgjodhën, bleu roba të reja të markës së shtrenjtë dhe një "Mercedes" të tipit komod. Ku dhe si i gjeti paratë? Shumë lehtë dhe fare thjeshtë : dha me qira nja pesëqind metra katrore nga ambientet e Lidhjes vetëm me pesëqind mijë lekë të vjetra si qira mujore. Për kusurin, nuk besoj të ketë nevojë njeri për koment... Të tjera ambiente, deri te zyra e fundit, janë dhënë ose pritet të jepen me qira... (Kush interesohet, të vrapojë para se ta përzënë që andej kryetarin e letraxhinjve!).

Mirëpo, ngutja për të gllabëruar vetëm ai çdo burim material të kësaj ndërtese, nuk u ndal këtu. Që të kishte dorë dhe fushë veprimi sa më të lirë, nuk dihet me çfarë mendje të papërgjegjshme dhe aventuriere, përzuri kryesinë e Lidhjes, përzuri edhe anëtarësinë e piktorëve, skulptorëve e muzikantëve, dhe na sajoi këtë biçim "Lidhje të Shkrimtarëve" pa vulë, pa statut, pa regjistrim në Gjykatën e Tiranës, por me një copë letre që kërkon para, në këmbim të një dokumenti që nuk njihet nga askush! Nuk besoj të ketë ndonjë qytetar, të cilit t'i jetë shënuar vetëm një shkronjë gabim në emrin e tij, dhe të mos e dijë se çfarë mund të heqë nga drejtësia e çdo vendi për identifikimin e personit të tij. Kurse ky kryetar shkrimtarësh, guxon të falsifikojë një organizatë të tërë për të fituar para dhe, ç'është më e pabesueshmja, këtë falsifikim e shpall hapur e në mënyrë publike!...

Të flasësh për punët e këqia që ka bërë ky kryetar pa kulturë në Lidhjen e Shkrimtarëve gjatë gjashtë muajve të zaptimit të saj prej tij, mjafton t'i hedhësh një sy numrave të gazetës "Drita" ku janë botuar udhëtimet e tij nëpër Europë, deri në mes të Parisit, ku ka "habitur" poetët francezë me leximin e rrjedhshëm të bejteve të tij!...

Nuk është në dinjitetin e askujt që s'dëshiron të përzihet me krundet të merret me punët e ulëta të këtij individi. Por, që të jepet sinjali i alarmit për shkatërrimin e një organizate të tërë shkrimtarësh dhe artistësh, që të denoncohet qoftë edhe falsifikimi i një vule nga e cila kërkohet të përfitohen para, kjo është në dinjitetin dhe detyrën e çdo qytetari të ndershëm që nuk mund ta mbajë kokën mënjanë, sado e pështirë që të jetë pamja para syve të tij, ashtu siç është ky njoftim për t'u anëtarësuar në shoqatën e Zyhdi Moravës, i cili nuk është as vetë anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, sepse nuk figuron në asnjë proceverbal pranimi.

*Anëtar i Kryesisë së LSHA