Flori - Press

Mire se vini ne faqen tone virtuale "Flori-Press" te moderuar nga stafi redaktues Flori Bruqi, Engjell Shehu,etj.

e mërkurë, shkurt 22, 2006

Flori Bruqi:Në vend të reagimit

Në vend të reagimit

Hajnat kërkoni në QKUK dhe MSH, e jo te z. Liman Morina

Jam lexues i rregullt i gazetës “Express”. Me ëndje i lexoj shkrimet e ndryshme veçmas shkrimet objektive dhe mjaft të guximshme të gazetarit Lorik Pustina. Fatkeqësisht shkrimi i tij me titull: ”Rikthimi joligjor” i datës 21 shkurt 2006 me nxiti të reagoj si lexues dhe njëherësh njohës i mirë i rrethanave në këtë institucion të lartë shëndetësor.
Mund t’ju them me plot të drejtë se z. Liman Morina, ish-menaxher i Prokurimit në QKUK, dhe tash së voni zyrtar i zotimeve në Presidencën e Kosovës nuk është i korruptuar. Të korruptuarit gjenden sot e kësaj dite në QKUK – Prishtinë, si dhe në MSHK.
Prandaj, do të ishte mirë që “Ekspress-i”, para se të shkruajë ndonjë shënim të tillë, të hulumtojë tenderët e UNOPS-it dhe MSHK-së, si dhe disa nga firmat tregtare që gjenden tashmë në listën e zezë të policisë së UNMIK-ut dhe SHPK-së për krime të rënda ekonomike ( blerje ilaçesh kancerogjene me shuma marramendëse të eurove) nga Buxheti i Konsiliduar, edhe ashtu i varfër i Kosovës.
Z. Liman Morina, eurot e Buxhetit të QKUK-së nuk i ka keqpërdorur dhe as që ka falsifikuar ndonjë dokument. I njëjti nuk është korruptuar nga biznesmenët kosovarë, as që ka tentuar të keqpërdor mjetet e dedikuara për shëndetësinë e Kosovës. Bile, mund të thuhet ndërkaq se as që ka qenë ndonjëherë i korruptuar.
Të korruptuarit sot janë të vendosur në vendet udhëheqëse të QKUK-së, të MSHK-së, të UNMIK-ut etj. Njëri prej tyre ka qenë dikur njëfarë dr.Huani Vuori, kurse të tjerët ishin në UNOPS-in e Kosovës, PSF, si fjala vjen Jorge Giligan, Martinez, Inton Rufus, Gunter etj., për të cilët kam shkruar haptas ne gazetat ditore dhe në disa web faqe interneti, shkrime këto të pa demantuara.
Z. Lorik, nëse do të hyni më tej, hulumtoni më mirë, sepse ka për çfarë të shkruhet, ndërsa vetëm unë i di disa fakte, që në rast nevoje do t’i bëj publike në web-at e mi virtualë, dhe ai që e ka mizën te vesh, me siguri se do ta kruajë. Ju porosis që të mos nguteni kur shkruani tema të tilla, të nxituara njëanshëm, mbase nga ndonjë individë apo anëtar partish politike, pa marrë parasysh kush fshihet pas tyre!

Me respekt ,

Flori Bruqi