Flori - Press

Mire se vini ne faqen tone virtuale "Flori-Press" te moderuar nga stafi redaktues Flori Bruqi, Engjell Shehu,etj.

e diel, janar 08, 2006

QENDRESA E LUMES KUNDER PUSHTUESVE SERB NE NENTOR 1912

/Shpalime historike/
QENDRESA E LUMES KUNDER PUSHTUESVE SERB
NE NENTOR 1912


Sheradin BERISHA


Siç dihet Lufta e parë Ballkanike shpërtheu në tetor 1912 nga shtetet e “Aleancës Ballkanike”që e përbënin Serbia,Mali i Zi,Bullgaria dhe Greqia.Dhe shqiptarët akoma pa u çliruar përfundimisht nga pushtuesit shekullor osman,u detyruan t´i kthenin armët kundër pushtuesve të ri e të luftonin kundër tyre në kushte jashtëzakonisht të disfavorshme.Në gjysmën e dytë të tetorit 1912,ndërsa vazhdonin operacionet pushtuese të ushtrisë serbe mbi tokat shqiptare në Kosovë e gjetiu,në krahinat e Lumës,të Opojës,Vërrinit,Gorës,Hasit,Dibrës ...u organizuan kuvende të shumta dhe në saje të kushtrimit të lëshuar nga mbledhja e jashtëzakonshme e komitetit”Shpëtimi” të mbajtur në Shkup,me 14 tetor 1912,filloi mobilizimi i përgjithshëm për t´i përballuar agresionit sllav.Në javën e parë të nëntorit,armata e III serbe pasi pushtoi Rrafshin e Kosovës dhe atë të Dukagjinit,synonte pushtimin e Shqipërisë Veriore dhe atë të Mesme për të dalur në brigjet e Adriatikut.
Qysh më 5 nëntor 1912 kur gjenerali Bozhidar Jankoviq hyri në Prizren me regjimentet e Divizionit”Shumadia-1”,nisi rigrupimin e forcave të tij,për operacionet drejt Adriatikut.Për të realizuar këtë plan ushtarak,komanda serbe,kishte krijuar dy njësi të veçanta,që morën emrin”njësitë e bregdetit”dhe repartet e këtyre njësive u përzgjodhën nga divizionet”Shumadia-1”dhe “Drina-2” të dislokuara në Prizren e Gjakovë.Njëherit,për të evituar çdo rrezik që mund të kërcnonte të ashtuquajturit”njësitë e bregdetit”që do të operonin në drejtim të Adriatikut,nëpërmjet Luginës së Drinit(Lumës),komanda e armatës së tretë krijoi”repartin e Lumës”,i cili mori për detyrë të pushtonte këtë krahinë dhe krahinën e Hasit,Vërrinit,Opojës,Gorës,të çarmatoste banorët dhe të godiste pa mëshirë çdo rezistencë të tyre.1Në repartet ushtarake për pushtimin e Lumës u angazhuan rreth 16 mijë trupa,pasi sipas të dhënave të komandës serbe,pa “përuljen e Lumës”dhe zotrimin e brigjeve të Drinit nuk mund të realizoheshin planet strategjike të proklamuara nga qeveria serbe.Përballë operacioneve pushtuese të ushtrisë serbe,u gjendën mijëra luftëtarë shqiptarë të krahinave të Lumës,Hasit,Vërrinit,Opojës e Gorës,si dhe të atyre që ishin tërhequr nga thellësitë e Kosovës-pas pushtimit të saj.Me këtë rast malet e larta të Pashtrikut,( ku shtrihej krahina e Hasit dhe Malësia e Gjakovës), si dhe degëzimet natyrore të Sharrit-(malet e Gjalicës dhe të Koretnikut, matanë Drinit të Bardhë), ku gravitojnë fshatrat e trevës së Vërrinit, të Opojës dhe të Gorës,nga fortesa natyrore u shndërruan në fortesa lufte.Duke pas parasysh këto pozita gjeostrategjike,forcat shqiptare u pozicionuan në vijën frontale:Malësia e Gjakovës(Qafa e Morinës-Qafa e Prushit)—Has(Planej-Gorozhup)—Qafa e Zhurit—Vërri(Billushë-Jeshkovë-Lybeqevë-Lez)—Sharr(pjerrësit perëndimore të “Gurit të Zi”—Opojë(Gryka e Llapushnikut).
Në organizimin e qëndresës shqiptare u shquan krerët: Ramadan Zaskoci,Ramadan Çejku,Qazim Lika, Islam e Sali Spahia,Hoxhë Mehmeti,Osman Lita,Cen Daci,Bajram Gjana,Dervish e Nezir Bajraktari,Myftar Nika,Nexhip agë Bilali,Sylë Elezi,Ahmet Ilaz Qehaja,Jemin Gjana të gjithë nga Luma,Elez Isufi,Cuf Xhelili e Xhafer Doda nga Dibra, Bajram Curri në Malësi të Gjakovës,Rexhë Ali Bajraktari nga Hasi,sheh Hasani nga Prizreni, Jahja Sait Sahiti nga Kuki i Opojës, Kapllan Opoja, Nail Hyseni-Dani i Rapçës së Gorës,Esat Berisha,Abdyl Osmani ,Arif Krusha e shumë të tjerë.1/1
Qendrat komanduese të luftës u vendosën:1. Në Llapushnik(Brezne) të Opojës,në krye me Qazim Likën 2. Në Krumë të Hasit,në krye me Rexhë Ali Bajraktarin,3. ndërsa Këshilli Qëndror i Luftës në krye me Ramadan Zaskocin u vendos në Qafë të Kolesjanit,në majën e quajtur Tabe,nga ku shihej qartë Rrafshi i Lumës. Për të mos lejuar kalimin e trupave serbe matan lumit, përgjatë Drinit të Bardhë, këshilli i luftës, organizoi me kohë prita në fshatrat: Shalqin, Domaj, Gjinaj, Brut, Ura e Vezirit... Prita të tilla u ngritën edhe në brigjet perëndimore të Drinit të Zi si: në Kolsh, Mamëz, Surroj , Tejdrinë...2
Në këto pozicione ishin forcat mbrojtëse shqiptare, kur më 9 e 10 nëntor 1912 filluan operacionet e armatës III serbe në drejtim të Lumës. Beteja e parë e përgjakshme në kufijtë e Lumës u zhvillua në “Qafën e Zhurit” dhe vijoi deri në grykën e Morinës.Në këtë lokalitet ushtria serbe për 2-3 ditë rresht pësoi goditje të rëndë,duke lënë në fushëbeteja shumë të vrarë e të plagosur dhe mjaftë armë.Pas këtij dështimi ushtria serbe në shenjë hakmarrje,në fshatin Zhur i mori peng 37 shqiptarë ,të cilët më pas i dërguan në Prizren me qëllim që të ushtrohet presion në popull,për të mos e përkrahur edhe mëtutje qëndresën e tyre.
Ushtria serbe pas një riorganizimi me reparte të reja u nisë sërish në drejtim të Lumës.
Forcat shqiptare,tani përballë reparteve të divizionit”Shumadia-1”për të mos u dëmtuar u tërhoqën me luftime sporadike,përgjatë brigjeve të Drinit të Bardhë dhe shpateve të Koretnikut e të Gjallicës,në mënyrë që të bëhej një përgaditje sa më e mirë për një qëndresë më të fuqishme.Repartet serbe me goditjet e vazhdueshme që i bënin luftëtarëve lumjanë,nga fusha e Morinës e deri në Përbreg, hap pas hapi u futën në brendësi të Lumës-deri në Bicaj dhe u dislokuan në hapsirat fushore të këtij fshati. Tërheqja e luftëtarëve shqiptarë u bë jo vetëm për shkak të epërsisë serbe në numër të ushtarëve dhe në armatim të rëndë, por me këtë rast u përdorë procesi luftarak taktik:qëndresa-thyerja-tërheqja, si ligje objektive të luftës, për ta futur armikun nëpër kurthe në mënyrë që ta ndëshkonin më pas me mënyrat e tyre origjinale të luftimit3.
Këshilli komandues i luftës i përqëndruar në Tabe(Qafë të Kolesjanit),me kohë kishte siguruar prapavijën edhe në tërthoren: Përbreg-Gjegjën-Bardhoc-Morinë-Vërmicë-Shkozë-Dobrusht-Zhur-Vërri(Billushë-Jeshkovë-Lez...),e cila njëkohsisht luante rol të dyfishtë:1.mbështetje të sulmit mbi forcat armike dhe 2.mbrojtje të shpinës së luftëtarëve në Lumë,ndërsa fshatrat e Dollovishtit e të Opojës siguruan krahët e mbështetën veprimet në Grykën e Vanjave,në Qafën e Zbinecit e të Llapushnikut.4
Në mëngjesin e 15 nëntorit 1912 ,Këshilli i Luftës dha urdhër për të sulmuar repartet serbe nga disa drejtime të frontit. Falë konfiguracionit të terrenit malor, motit të keq(me shi e bubullim) edhe pse të varfër në mjete lufte, lumjanët të lëshuar si ortek mbi forcat armike, në kodrat e Kolesjanit arritën t'i asgjësojnë qindra ushtarë serbë, ndërsa nga radhët e tyre ranë dëshmorë: Ibrahim H.Zeqiri,bajraktar i Radomirës,Nexhip Dullë Visha nga Kolesjani ,Rexhep Jonuz Taci,Selman Asllan Nërguti,Halim Shehu e Daut Basha nga Shtiqni etj.5Ndërkohë për shkak të rezistencës së fuqishme,forcat serbe u tërhoqën nga Kolesjani dhe kodrat e Gabricës dhe u pozicionuan në brigjet jugore të Shejës dhe në brigjet lindore të Drinit të Zi,ndërsa forcat shqiptare kaluan në vijën: fshati Mustafaj-Osmanaj-Bushat(Kodra e Bushatit).
Këshilli i luftës,pas një rigrupimi të forcave shqiptare në teren,më 16 nëntor pa ndërpre vazhdoi mësymjen drejt forcave serbe dhe përleshjet gjakosëse u zhvilluan kryesisht në krahun e majtë të përroit të Shejës. Pikërisht në këto çaste kritike për kurorëzimin e suksesit, Lumës i erdhën në ndihmë qindra dibranë në krye me udhëheqësit e shquar Elez Isufin, Isuf Xhelilin, Xhafer Dodën etj,të cilët në fushat e betejës sollën edhe 2-3 topa që dikur ua kishin zënë turqve.6 Ushtria serbe e qëlluar(sulmuar) nga të gjitha anët,në panik braktisi fushëbetejën, duke lënë edhe shumë të vrarë e të mbytur në Dri dhe në përroin e Shejës. Për të përfituar nga situata e krijuar, Këshilli i luftës tashmë nga Kolesjani ishte zhvendosur në fushën e Zborit-Nangë, dhe aty përcaktoi dy drejtime sulmuese(me 3 grupe) për ndjekjen e mëtejshme të pushtuesve serbë:
-Grupi i parë: u drejtua, në krahun e majtë nëpër rrugën këmbësore që të shpiente nga Nanga në Gostilë-për në Kullë të Lumës;
-Grupi i dytë:në rrugën këmbësore që të çonte nga Nanga në Shtiqën,Përbreg e deri në Morinë,
-Grupi i tretë:(në rolin e rezervës) u përdorë si mbështetje për të dy krahët (grupet) e sulmit7.Ndërkaq forca tjetër goditëse që kishte të bënte me fatin e Betejës së Lumës,ishte organizimi i qendresës në të dy krahët e Drinit të Bardhë: -Në tërthoren Përbreg-Gjegjën-Bardhoc-Morinë-Qafa e Zhurit-Vërri(Billushë)-Guri i Zi(Opojë)-Sharr dhe në krahun tjetër Has(Pashtrik)-Malësi e Gjakovës.
Për të penguar shkuarjen e forcave të reja serbe nga Prizreni në drejtim të Lumës,luftime të ashpra u zhvilluan edhe në trevën e Vërrinit.Në vijën Dobrusht-Qafa e Zhurit-Billushë-Lez-Leskovec,pati luftime ballore dhe anësore.Repartet serbe në këto luftime përpiqeshin që të shpërthejn vijën frontale në Vërri,me qëllim të depërtimit në Opojë e Gorë prej nga mendohej të sulmoheshin nga prapa lumjanët,mirëpo nuk patën sukses.
Në kulmin e qëndresës për vdekje a liri,Këshilli Komandues i Luftës që përbëhej nga Ramadan Zaskoci,Islam Spahia,Hoxhë Mehmeti,Elez Isufi,Ramadan çejku,Ramadan Kovaçi,Kadri Shahini,Jemin Gjana etj,sipas vendimeve të marra në një mbledhje,më 17 nëntor 1912 nisën operacionet goditëse në të gjitha frontet e luftës.Malësorët lumjanë,të ngujuar nëpër kullat e fshatrave:Nangë,Gostil,Shtiqën,Përbreg dhe në shpatet lindore të Gjallicës e Koretnikut(Pikllimës) si dhe në brigjet e të dy Drinave(të Ziut e të Bardhit),e të ngazllyer nga fitorja e bujshme e Qafës së Kolesjanit,forcat e armikut u sulmuan nga të dy krahët(lindje-perëndim)dhe u ndoqën këmba këmbës.Repartet ushtarake serbe u përpoqën të rigrupohen e të pozicionohen sërish në Kodrën e Galipës e në Zbor të Nangëve,por këto përpjekje gjithashtu dështuan keq.Repartet shpartalluese serbe pasi humbën edhe në këtë fushëbetejë qindra ushtarë të tjerë, braktisën edhe vijën mbrojtëse Shtiqën-Drini i Zi.Në këto sulme lumjanët trima veprojnë rrufeshëm,dhe gjatë luftimeve bien dëshmorë:Abaz Zezi,Baftjar Tahiraj,Baki Maliq Domi,Bektash Gjoka,Dervish Trota,Dullë Dema,Halil Dema,Halil Himaj,Hasan Shabani,Ismail Neziri,Jashar Shehu,Mehmet Allaraj,Mehmet Limani,Muharrem Mema,Mustafë Dogjani,Ramadan Koldashi,Rrustem Shehu,Shaqir Basha,Shaqir Dauti,Tahir Smajli,Zenel Mema,Haziz Xhaferi, e shumë të tjerë8.Luftimet përfudnimtare u zhvilluan në brigjet e lumenjve Drini i Bardhë-Drini i Zi ,ndërsa ato me të përgjakshmet në Kullë Lumë.Mbeturinat e reparteve serbe që i shpëtuan asgjësimit në rajonin e Bicajt,së bashku me repartet e rajonit të Kullës së Lumës,kishin arritur të dilnin në bregun e kundërt të lumit Luma,poshtë Përbregut,dhe të pozicionohen në vijën:Përbreg-Kulla e Lumës.Për këto ngjarje burimet serbe thonë se “gjatë tërë ditës së 17 nëntorit 1912 u zhvilluan luftime të rënda midis aradhave serbe e shqiptarëve,që sulmonin nga të gjitha anët,veçanërisht nga bregu i majtë i lumit Luma,duke rrezikuar forcat serbe që të hidhen në Dri e të shkëputeshin nga Prizreni.Më i forti qe zjarri i shqiptarëve nga bregu i djathtë i Drinit të Bardhë.Edhe togat gjuajtëse që u dërguan në atë krah nuk mundën t´i largojnë prej andej lumjanët e hasjanët,të cilët me një zjarrë anësor të fuqishëm,u shkaktuan humbje të rënda forcave serbe.Në këto rrethana,bateria e gjymtuar e topave malorë nuk mundi të zinte pozicione e të aktivizohej në luftime”.9
Kapja e Kullës së Lumës me luftime të përgjakshme shënonte pragun e fitores së betejës.Forcat shqiptare,në mbrëmjen e ditës së 17 nëntorit,pasi arritën të pozicionohen në vijën:Drini i Bardhë-Uki i Vjerrë-Gjegjën-Shpati perëndimor i Koretnikut-Bardhoc,sulmuan karvanin me qerre,me kafsh tërheqëse të mbeturinave serbe që tentonin të tërhiqeshin në drejtim të Prizrenit.Në këto luftime të përgjakshme ku armiku vërtet pati humbje tepër të rënda në ushtarë e në material lufte,u martirizuan edhe shumë lumjanësi:Halil Taci(Gjegjën),Hamza Dema(Morinë),Hazir Mhola(Bicaj),Isuf Ramadani(Morin)Jemin Dema(Bardhoc),Jakup Tota(Barruç),Liman çejku(Lusën),Ramadan Nerguti(Gjegjë),Rrahman Duraku(Morin)Selim Gërmizi(Bardhoc)Sinan çejku(Lusën),Shaban Coka(Ujmisht),Shaqir Nerguti(Gjegjën),Zenel Nerguti(Gjegjën)Bajram Ramadani(Përbreg) e shumë të tjerë.Në Betejën e Ukit të Vjerrë u plagos edhe udhëheqësi i moshuar lumjan Islam Spahia,i cili nuk iu nda luftës që nga Qafa e Kolesjanit e deri në Bardhoc.10
Këtu mbaron Beteja e përgjakshme e Lumës,si rrezultat i së cilës aradhat serbe ishin shkatrruar dhe dëbuar deri afër Prizrenit.Më qart ,humbjen e madhe të ushtrisë serbe ,në Lumë e ka shprehur në kujtimet e veta ish-pjesëmarrësi në ato luftime,Kosta Novakoviq.Ai ka shkruar:”Unë nuk do të zë në gojë detyrën e parë të repartit tonë të Lumës-çarmatimin e Lumës,që ai nuk arriti ta kryejë,kështu që në rastin tjetër do të kthehem në punën e tij dhe të komandantëve,punë të cilën e paguam me jetën e njerëzve,duke humbur shumë municione,ushqim dhe kafsh...pas disfatës së plotë në Lumë,pas katër netëve të pandërprera pa gjumë,pas tërheqjes nga pozita afër fshatit Bicaj,pas kalimit në ujë deri në brez,reparti i Lumës,i cili u përforcua edhe me një batalion,më 18 nëntor u detyrua të tërhiqet i shpartalluar,i rraskapitur deri në pikën e fundit dhe mbërriti në fshatin Zhur,8 km larg Prizrenit...”.11
Sukseset e arritura në këto ditë luftimesh nxorën në pah aftësitë dhe taktikën e zgjuar të luftëtarëve shqiptarë,të cilët duke u mbështetur në kushtet konkrete të vendit dhe në traditat e të parëve tanë, shpartalluan pushtuesit serbë,të shumtë në numër dhe të armatosur me armë më moderne për kohën.Po kështu studimet e bëra,tradita gojore,por edhe folklori ynë popullor(këngët historike), japin disa të dhëna për numrin e ushtarëve serbë të vrarë në Lumë.
-Sipas opinionit të lumjanëve numri i serbëve të humbur ka qenë 16 mijë.
-Sipas të dhënave nga historia ushtarake serbe,ky numër shkon deri në 18 mijë.
-Sipas studiuesit Essat Bilali,në revistën”Shqiptari i Lirë”dhe shumë studiuesve
tjerë shqiptarë,shifra sillet në afro12 mijë.12

Rapsodi popullor këtë ngjarje historike e përjetësojë përmes vargjeve si:”Ka hi serbi n´at´Prizren,/po i thot`Lumës:”Lirom ven!”/-“Nuk jam mbreti,po jam Luma,/t´mushi gjiksin plot me plumba!”/Kur vikati Islam spahija:/”Bini djem,se shkoi Shipnija!”/-“Bini djem-thrret Ramadani/-bini djem se shkoi vatani!”/Gryka e Shejës po rredh gjak,/po i thot Drinit:”Ndihmom pak/Ndihmom pak,n´dash me m´ndihmue,/kllade t´mdhaja jam tuj çue”./Krajli i serbit ban:”Medet,/m´faroi Luma askerin krejt!/ma faroi askerin e ngrat/burrat me pushk´`e grat me spatë”./-“Kadal ,krajl u mlofsh me morre,/dymdhetmi t`metën pa vorre!”/Djemt´e Lumës hiq s´kan dert,/ka ni luftë bajn´vjet për vjet,/luft´ me krajl e luft´ me mbret...//”(...)-Hasi shpat e gur e kep/vend për vend pushka kërset/shkoj kukuja shpi për shpi/I preu Hasi 3 mijë shkijë...”//-“(...) Krejt Opoja u mlu n`zi/Prej Prizrenit ter n´Dri/Tre ditë luftë e tre ditë zi/u vranë shkije përmi tre mijë.../”13

Ndonëse në mëngjesin e 18 nëntorit 1912 mori fund beteja e Lumës,ku forcat shqiptare triumfuan kundër armatës III serbe, në Manastir zhvillohej një betejë tjetër ndërmjet forcave shqiptare dhe reparteve të armatës I serbe,që në histori njihet si Beteja e Manastirit.Në këtë kuadër vlerësojmë se Beteja e Lumës,Beteja e Manastirit,si dhe qëndresa shqiptare në veri (Shkodër) dhe në jug (Janin) kanë rëndësi të madhe historike për faktin se në një mënyrë apo tjetër,mundësuan mbajtjen e Kuvendit Kombëtar në Vlorë më 28 nëntor 1912, ku u shpallë Pavarësia e Shqipërisë.