Flori - Press

Mire se vini ne faqen tone virtuale "Flori-Press" te moderuar nga stafi redaktues Flori Bruqi, Engjell Shehu,etj.

e premte, janar 06, 2006

Pas Beratit, Enveri filloi hakmarrjen ndaj kundërshtarëve


Pas Beratit, Enveri filloi hakmarrjen ndaj kundërshtarëve




Fatos Veliu
Megjithëse Enver Hoxha arriti të dilte pa u “lagur” nga plenumi II i Partisë Komuniste Shqiptare, i mbajtur më 23-27 nëntor 1944, nga mendja e tij nuk do të largohej kurrë ajo situatë që u paraqit në ato ditë tensioni.

Megjithatë, pavarësisht se atë plenum propaganda enveriste e paraqiste si një puç apo prapaskenë që i ishte bërë gjithë udhëheqjes së shëndoshë të partisë në përgjithësi, nga njerëz të posaçëm që ishin vënë në shërbim të armiqve të Shqipërisë, çuditërisht procesverbalet e sakta nuk u shpalosën asnjëherë. Por tashmë, me zbardhjen e shumë dorëshkrimeve dhe materialeve të sakta dokumentare, zbulohet një histori krejt e ndryshme nga ajo që është bërë e njohur për vite me radhë. Eshtë pikërisht një pjesë e procesverbalit që është vënë në dispozicion të redaksisë sonë, i cili zbulon pothuajse saktësisht situatën në të cilën është gjendur Enver Hoxha në atë plenum.
Janë plot 14 pyetje (të panjohura më parë) të bëra në atë plenum nga kuadro aktivë të Partisë Komuniste, të cilat kanë bërë të mundur pothuajse kryqëzimin absolut të Enver Hoxhës. Ato pyetje që ndryshuan krejt frymën e atij plenumi, çuditërisht nuk janë përmendur asnjëherë gjatë 50 viteve të regjimit komunist, pavarësisht se për vetë plenumin është folur vazhdimisht. Madje, ai është etiketuar nga vetë Enver Hoxha me lloj-lloj epitetesh. Nëpërmjet atyre pyetjeve dhe shumë diskutimeve, atij iu vunë në dukje një sërë gabimesh dhe akuzohej se i kishte bërë si pasojë e tipit të tij karrierist, karakterit të dobët dhe mendjemadhësisë që demonstronte kudo. “Ishin ato gabime personale të tij – u tha në atë plenum - të cilat kishin dëmtuar rëndë vijën e Partisë Komuniste dhe efikasitetin e drejtimit të saj”. Më e veçanta është se vetë Enver Hoxha, kur mori fjalën për t’iu përgjigjur situatës së krijuar në disfavor të tij, u ndodh shumë ngushtë dhe krejt i bllokuar. Kulminant ishte momenti kur ai, ndryshe nga tipi dhe veprimet e deriatëhershme, u detyrua të pranonte shumë gabime nga ato që u thanë në atë mbledhje. Jo vetëm kaq, por ai ra dakord absolutisht me disa diskutantë, që vunë theksin forcërisht se sektarizmi në vijë po e kthente Partinë Komuniste Shqiptare në një bandë terroristësh. Gjithsesi, ndërhyrja e Koçi Xoxes dhe e Sejfulla Malëshovës në momentin më kritik të asaj situate bëri që Enver Hoxha ta kapërcente lumin, madje të dilte triumfator si kryetar i qeverisë së parë demokratike e provizore të pasluftës. Mund të duket paradoks historik, por e vërteta është e tillë që, Enver Hoxha, pikërisht në momentin kur pati situatën më të vështirë të karrierës së tij, fitoi kredon e përjetshme politike. Që pas atij momenti, karakteri i tij u kthye në një lloj ambicieje hakmarrëse ndaj kujtdo, madje edhe ndaj shokëve më të afërt, aq sa nuk besonte askënd dhe godiste me ekstremizëm këdo që mund t’i ngjallte dyshimin më të vogël. Me këtë lloj forme arriti të mbretëronte në Shqipëri deri në vdekje.
Masa drastike mbi byroistët në plenumin e Beratit
Liri Gega dhe Ramadan Çitaku ishin tepër të vegjël për t’u përdorur si “koka turku”, me qëllim që të merrnin mbi vete tërë ato shtrembërime e gabime që ishin vërejtur deri në atë kohë.
Përfundimi i gjithë asaj ndërhyrje dhe skenari për të goditur sa në një krah në tjetrin ishte eliminimi i byroistëve të parë të Partisë Komuniste. Nga shtatë anëtarë byroje që ishin zgjedhur në konferencën e parë, tani mbetën vetëm tre që ishin Enver Hoxha, Nako Spiru dhe Koçi Xoxe, ndërsa katër të tjerët u eliminuan. Gjin Marku dhe Ymer Dishnica ishin eliminuar në konferencën e ‘43-shit, ndërsa Liri Gega dhe Gjin Marku u eliminuan në atë takim të Beratit. Të katër byroistët u zëvendësuan në plenumin e Beratit me Pandi Kriston, Sejfulla Malëshovën, Tuk Jakovën dhe Bedri Spahiun. Po ashtu u ul për oportunitet edhe Kristo Themelkoja.
Enver Hoxha
del triumfator
nga Berati
Pas plenumit II të PKSH, të mbajtur në Berat, Enver Hoxha e ndiente veten triumfator dhe tepër të fuqishëm. Kjo edhe për faktin se prej andej ai doli si kryeministër, por edhe për mbështetjen e pakursyer që i kishin dhënë përfaqësuesit jugosllavë. Në sajë të ndërhyrjes së “këshilltarëve” jugosllavë, të cilët për vetë autoritetin që u ishte rezervuar në drejtim të konsulencës që duhej të jepnin për zgjedhjen e strukturave të larta, Enver Hoxha arriti që në plenumin e Beratit të marrë postin e kryeministrit, ndërsa në plenumin II, pavarësisht kritikave të shumta që ishin rezervuar, aq sa u kërkua që ai të përjashtohej fare nga partia, çuditërisht u zgjodh sekretar i Përgjithshëm i Partisë Komuniste Shqiptare. Gjithçka realizohej nën ndikimin jugosllav, që kudo bënte ligjin.
Konkretisht, në Berat ata panë skenarin e sulmit mbi njeriun që kishin përcaktuar për të kryesuar qeverinë dhe Partinë Komuniste Shqiptare dhe kundërvepruan me metoda shumë të sofistikuara dhe tepër diplomatike për të bërë që Enver Hoxha të mos dilte i humbur, por vetëm triumfator. Kur nuhatën se Enver Hoxha mund të rrëzohej nga sulmi që iu bë në atë plenum, ata ndërhynë për të rivendosur situatën. Në atë mënyrë u pa se Enver Hoxhës i dha një përkrahje të hapur Koçi Xoxe, që më vonë u njoh si njeriu i jugosllavëve. Në këtë ndërhyrje të gjitha bateritë u derdhën mbi Liri Gegën dhe Ramadan Çitakun, të cilët edhe Enveri i cilësoi “sektarë”.
Pas Beratit, Enveri nisi hakmarrjen ndaj kujtdo
Ngjarja që e shoqëroi Enverin në plenumin e Beratit nuk do të hiqej asnjëherë nga kujtesa e tij. Nga dita në ditë ai do të bëhej më i fuqishëm, derisa të arrinte për një kohë të shkurtër një pushtet absolut në Shqipëri. Në këtë frymë, ai menjëherë filloi goditjen jo vetëm mbi njerëzit që e kishin goditur, por edhe mbi ata që e kishin mbrojtur, pasi nga ajo që pa në Berat kuptonte se me ata njerëz mund ta humbiste pushtetin kur nuk e priste. Menjëherë pas çlirimit iu vërsul Sejfulla Malëshovës, të cilin siç kuptohet e ka pasur frikë për aftësitë e jashtëzakonshme intelektuale që zotëronte në shumë fusha. Koçi Xoxen e sulmoi vetëm për faktin se filloi të gëzonte një mbështetje shumë më të madhe nga jugosllavët dhe me ndihmën e tyre mund t’i zinte vendin.
Në vitet e para të çlirimit, kur nuk ishte divorcuar akoma me jugosllavët, kur kujtonte ngjarjen e Beratit, Enver Hoxhën shpesh e pllakosnin pasionet dhe herë pas here fliste për ruajtjen e miqësisë me Partinë Komuniste Jugosllave, për vigjilencën dhe për gjëra të tjera si këto, të cilat herë-herë ishin pa kuptim.
Përplasje me njëri–tjetrin, teoria e Enverit për kundërshtarët
Metoda më e mirë që Enver Hoxha mendoi të përdorte për të eliminuar kundërshtarët e piketuar prej tij ishte që ata të konsumonin fakte ndëshkuese, duke i vënë në sulm kundër njëri-tjetrit.
Siç mësohet nga dëshmitarët okularë, që në atë kohë kanë qenë shumë afër Enver Hoxhës, ai i fliste Koçit për një parti që në krye të kishte një njeri që vinte nga klasa punëtore, ashtu siç ishte Titoja në Jugosllavi. Nga ana tjetër, mësohet t’i ketë thënë Sejfullait se partia kishte nevojë për një njeri të ditur, që zotëronte mirë teorinë dhe të kishte predispozita. Këto pretendime, pa ditur se ku i çonin, si njëri edhe tjetri i shfaqën në plenumin e Komitetit Qendror të Partisë. Kjo gjë solli përplasjen e pashmangshme të tyre, duke bërë që të funksiononte në mënyrë perfekte kurthi i Enver Hoxhës. Kështu filloi fërkimi midis Koçit nga njëra anë dhe Sejfullait nga ana tjetër.
Pas kësaj përplasjeje, Enveri priste që të ndizej akoma më shumë zjarri ku do të përfshiheshin Koçi, Sejfullai, Nako dhe do të bëheshin më shumë gabime parimore dhe të dënueshme.
Koçi Xoxe nuhat qëllimin e Enverit dhe e sulmon atë
Koçi çuditërisht e nuhati shpejt të keqen që e ndiqte dhe e rregulloi menjëherë mendimin e shfaqur më parë, të cilin ia kishte servirur Enveri. Kështu, në diskutimin e tij, ai tha se “Partia Komuniste Shqiptare është si të gjitha partitë e tjera, parti e klasës punëtore, dhe si e tillë nuk do të thotë që në udhëheqjen e saj të vijnë kuadro të klasës punëtore”. Në atë diskutim, siç pati qëllim të shmangte veten nga kërkesa për të dalë në krye, gjeti mënyrën për të sulmuar edhe Sejfulla Malëshovën. Për këtë gjë u shpreh se, “Partia, pavarësisht se nuk kishte nevojë për kuadro të domosdoshëm të dalë nga klasa punëtore, kjo nuk do të thoshte që në krye të saj të vinin intelektualë të sëmurë dhe me dy fytyra. Partinë e dëmtojnë shumë intelektualë të tillë. Me këtë thënie ai kishte parasysh jo vetëm Sejfulla Malëshovën, por edhe Enver Hoxhën, Omer Nishanin, Medar Shtyllën, Spiro Kolekën e ndonjë tjetër që ata që i rrethonin i quanin si “njerëz që vënë njeriun për një kungull”. Koçi Xoxe gjatë diskutimit të tij trajtoi edhe problemet e monopolizimit të udhëheqjes së partisë, shtetit dhe organizatave të masave nga Enveri. Pas kësaj ndërhyrje, u shtrua pyetja nëse quhej i izoluar një njeri që gëzonte tërë ato funksione? Pas kësaj, Xoxe foli për rolin që ka inteligjenca në front, në pushtet, etj. “Kuadro ka -tha ai- si nga inteligjenca, ashtu edhe nga klasa punëtore apo edhe nga fshatarësia, që kanë qenë të përfshirë në luftën nacionalçlirimtare, por edhe nga ata që nuk kanë qenë të përfshirë në këtë luftë por kanë qëndruar indiferentë dhe nuk janë kompromentuar me pushtuesit dhe reaksionarët e vendit, prandaj s’ka pse të monopolizohen detyrat. S’ka pse të tregohemi sektarë”. Pas fjalimit të Xoxes në plenum u sollën shumë shembuj sektarizmi edhe nga kuadro të tjerë si Bedri Spahiu, Tuk Jakova, etj.




Ishte rritur kulti i tyre nën interesimin e Enverit
Misioni jugosllav, me kompetenca të pakufizuara në Shqipëri

Misionit jugosllav, të vendosur pranë formacioneve partizane gjatë luftës nacionalçlirimtare, çuditërisht i ishte lënë një kompetencë e jashtëzakonshme për të ndërhyrë kudo dhe në çdo gjë. Me interesimin e Enver Hoxhës, ata kishin të drejtë të merrnin pjesë në të gjitha plenumet e konferencat e Partisë Komuniste Shqiptare. Po ashtu, fjala dhe mendimi i tyre për të gjitha strukturat e ushtrisë nacionalçlirimtare kishte marrë një karakter profetik, duke u justifikuar me faktin se vinin nga aleatët e mëdhenj internacionalistë. Kjo mbështetje apo interesimi jugosllav arriti deri aty saqë ata të pyeteshin edhe për të dhënë viston në drejtim të zhvillimit të konsultave të partisë. Ata vendosnin nëse konferencat e partisë në qarqe duhej të konsideroheshin të zakonshme apo të jashtëzakonshme. U arrit një influencë e tillë e tyre saqë pyeteshin edhe për njerëzit që vendoseshin në forumet më të larta politike të partisë. Kjo, nga sa u mësua më vonë, ishte iniciuar me shumë kujdes nga vetë Enver Hoxha, që për hir të së vërtetës kishte një kredo të madhe te jugosllavët. Në këtë kredo që ata kishin fituar nën emrin e përfaqësuesve të një shteti të madh, mbronin me çdo kusht autoritetin e Enver Hoxhës në krye të të gjitha forumeve drejtuese të strukturave politike të partisë. Ishte kjo lloj mbështetje e siguruar me shumë kujdes nga vetë Hoxha që arriti ta ruante atë edhe në situatën më të vështirë që iu paraqit në plenumin e Beratit.
Dora e jugosllavëve u ndje fuqishëm edhe në konferencat nacionale si ajo e Pezës, Labinotit, Mukjes, Kongresi i Përmetit, Plenumi i Beratit, ku Këshilli i Përgjithshëm Antifashist Nacionalçlirimtar u shndërrua në qeverinë provizore të Shqipërisë, që ishte në ditët e fundit të luftës. “Eksperienca” e jugosllavëve i kishte vënë ata në rolin e këshilltarëve të jashtëzakonshëm.



nga 7 janar

Për herë të parë procesverbali tepër sekret i mbledhjes së ‘91

Byroja Politike, prapaskena e shtyrjes së zgjedhjeve të ‘91



Situata që Ramiz Alia i prezantoi Byrosë Politike për takimin që kishte bërë vetëm pak orë më parë me përfaqësinë e Partisë Demokratike të porsakrijuar
Cilat ishin kushtet që demokratët e parë i kishin vënë Byrosë Politike për zgjedhjet e pritshme parlamentare. Ultimatumi që ata i bënë Alisë për shtyrjen e zgjedhjeve
Reagimi i byroistëve dhe traumatizimi i tyre, për faktin e panjohur dhe të paimagjinuar për ata, që të ishin nën presionin e ultimatumeve të njerëzve, që deri atëherë i kishin nënvleftësuar
Debati i papritur që shpërtheu mes byroistëve, të cilët në mënyrë spektakolare po akuzonin me armiqësi të paskrupullt njëri-tjetrin, për privilegjet e pamerituara që u kishin krijuar familjarëve të tyre
Çfarë ndodhi në radhët e byroistëve, kur Ramiz Alia deklaroi se, popullin tashmë nuk e kishin më me vete, pasi po mbështeste opozitën demokratike, duke u hedhur në greva
Dialogët e plotë të të gjithë byroistëve me Ramiz Alinë. Çfarë diskutuan për shtyrjen e zgjedhjeve dhe si mendonin të mbroheshin përballë PD-së së porsakrijuar